Entela Binjaku: Go green Albania...
| E Marte, 05.11.2013, 10:04 PM |

Go green Albania...

Nga Entela Binjaku

Mbetjet urbane, apo plehrat siç i njohim ndryshe ne kulturën popullore, janë ndër ato çështjepër të cilën biem dakord ne qytetarët shqiptarë  pa dallime moshe, origjine, formimi, gjinie. Po të kishim pasur edhe mundësinë e shprehjes përmes referendumit (siç ishte rasti kur mund të shpreheshim për importin e plehrave), me siguri një nga leximet e rezultatit do të fliste për këtë qëndrim të unifikuar.

Pavarësisht kryeneçësisë  dhe kryelartësisë sonë sone shqiptare  për të pranuar rëndësinë e mendimit të tjetrit dhe pohuar vërtetësinë e qëndrimit të tij,  çështja e mbetjeve urbane përbën një kuazë të përbashkët dhe një problem që na ka sfiduar.

Përhapja e tyre vend e pa vend, ka kërcënuar bukuritë natyrore tonat, ka tjetërsuar  mjedisin, ka dëmtuar  shëndetin, ka shëmtuar “higjenën tonë vizive”, ka  tjetërsuar panoramën në atë drejtim që e ka e çuar  peizazhin tonë larg parametrave mjedisorë të pranueshëm.

Nisur nga dakordësia për këtë problem, do të ishte e natyrshme që edhe reagimi shoqëror  në zgjidhje të tij të ishte kudo i njëjtë, si nga intensiteti, shtrirja ashtu edhe nga shkalla e përfshirjes.  Nëse shqetësimi do të përjetohej njëlloj,   sot do të mund  të flisnim për  fushata të gjera dhe të vazhdueshme  sensibilizimi  masiv dhe  aktivizmi shoqëror.  Nëse shqetësimi do të përjetohej edhe nga shteti, atëherë këto fushata  (të presupozuara) popullore,  do të përkraheshin prej tij  përmes një politike të organizuar dhe manaxhim përpjekjesh të përbashkëta.  Kështu rezultati do të ishte më i dukshëm dhe puna shumë më efiçiente dhe ne do të gëzonim një mjedisëm të ndryshëm nga ky që kemi.

Por ajo që shohim është larg kësaj që presim, dhe kjo që ndajmë është e ndryshme nga ajo që imagjinojmë. Fushata të tilla mungojnë, nuk propogandohet masivisht  rëndësia e madhe që ka ruajtja  e mjedisit, nuk flitet për dëmet që shkakton mungesa e kujdesit ndaj tij. Edhe kur ndodh të shohim fushata të tilla sensibilizimi,  ato janë të rralla në kohë dhe lidhen me ndonjë iniciativë të izoluar e cila është për t’u përgëzuar dhe mbështetur në vetminë e saj.

Këto ditë  ka nisur në vendin tonë  një lëvizje për një Shqipëri të gjelbër dhe ka planifikuar ndërmarrjen e një aksioni në shërbim të pastrimit të vendit.  Frymëzuar nga motoja “Let’s do it world” kjo lëvizje synon të na bashkojë me grupin prej 107 shteteve nga të cilat kanë dalë vullnetarisht,  në shërbim të kauzës për mjedisin, rreth 8 milionë njerëz, me 139 aksione pastrimi. Kjo iniciativë bashkëkohore do të  shoqërohet  edhe me hartimin e hartës dixhitale të mbetjeve, ku përmes aplikacionit “trashout”  çdo qytetar që posedon një Iphone apo Smartphone mund të sinjalizojë një grumbullim të mbetjeve, kudo që ai e sheh. Edhe pse nuk ka vështirësi të gjesh grumbullime të tilla... smartphone dhe iphone po..

Moderatorët e “Green Line Albania”,  kanë menduar që ky  aksion me titullin : “Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë” të jetë si një dhuratë për vendin me rastin e Pavarësisë, në respekt edhe    simbolikës së traditës shqiptare për një “pastrim rrënjësor” në prag feste. Aksioni do të finalizohet në datën 22 nëntor në të gjithë vendin.

Për t´i dhënë udhë kësaj ideje, lëvizja ftoi një grup miqsh nga radhët e fushave  të ndryshme të veprimtarisë publike, të cilët të ftuar morën përsipër angazhimin me të gjitha mundësitë që dispononin.

Si një nga të ftuarat në këtë nismë,  nuk mund të mos përmend një dokumentar ilustrues të kësaj lëvizjeje në Slloveni, ku në një ditë si kjo kishin marrë pjesë më shumë se 100.0000 njerëz dhe ishin grumbulluar mbi 80.000 tonë mbeturina.  Pamjet nga angazhimi i asaj dite tek qytetarët sllovenë ishin mbresëlënëse. Angazhim, seriozitet dhe frymëzim për të tjerët dhe mbi të gjitha një rezultat i jashtëzakonshëm. Ajo që binte në sy në këtë film prezantues të një fushate të ngjashme ishte motivimi i lidhur me përhapjen e një viroze nga e cila ishin stimuluar shumë qytetarët sllovenë. Pra duke ndjerë dhe kërcënimin e përhapjes së kësaj viroze,  qytetarët sllovenë ishin mobilizuar në një aksion të tillë vullnetarisht. Me siguri edhe gjetja e këtij motivi ishte një lloj simbolike por që ilustronte mjaft mirë impaktin mobilizues. Gjatë kohës që ndiqja këtë material, pyesja veten  se cili mund të kishte qenë ai motiv që do të ndikonte kaq shumë qytetarët tanë aq sa për të ndërmarrë një iniciativë të tillë sensibilizuese, të krahasueshme me qytetarët sllovenë? Plehrat e gjendura kudo, sigurisht nuk kanë shërbyer si nxitje...pse duhej të shërbenin tani?

Ndoshta vullnetarizmi  mund të shërbente si një gjenerues në përballjen me këtë problem.  Por edhe vullnetarizmi   si mjet dhe mënyrë reagimi, në njerëz të ndryshëm perceptohet në mënyra të ndryshme. 

Rëndësia dhe efektiviteti i tij kanë nevojë të rikonceptohen tashmë.

Nga një pjesë e madhe qytetarësh është koncept i harruar, për një pjesë tjetër as nuk preferohet të përmendet, një pjesë nuk e njeh aspak, ndërsa një kategori që e njeh dhe e mbështet shpesh herë nuk arrin të përcjellë mesazhin tek pjesa tjetër e shoqërisë.

Të planfikosh një aksion vullnetar tek ne së pari duhet të ringresh,  rikonceptosh apo dhe instalosh vullnetarizmin dhe rëndësinë e tij, pa të presësh efektshmërinë e tij. Pra, e gjitha kjo kërkon një sasi energjie të shtuar, e cila mund të ishte kursyer apo vënë në punë në ndihmë të fushatës, por meqë koncepti ka humbur  me kohën, kjo energji është  tashmë një domosdoshmëri.

Raporti me vullnetarizmin nuk është tërësisht i ri për qytetarët shqiptarë, përkundrazi ai ka një histori dhe një traditë të vetën,  edhe në Kanunin e Lekë Dukagjinit apo dhe të Skëndërbeut, në mungesë të kornizës ligjore shtetërore,  përcaktoheshin qartë ato norma kulturore që detyronin shqiptarët për të ndihmuar njëri-tjetrin, edhe pa qenë të afërm, por edhe duke qenë të panjohur.  Më tej, gjatë regjimit komunist me punë vullnetare janë ndërtuar objekte për përdorim të përbashkët, ura, kanale, rrugë; me punë vullnetare fshatarët i vinin në ndihmë njeri-tjetrit në të gjitha angazhimet që kërkon jeta në fshat. Aksionet vullnetare të pastrimit bënin që gjatë të shtunave paradite të dilnin nga shtëpia e të pastronin mjedisin përretth vendit ku banonin,  qytetarë të ndryshëm të cilët solidarizoheshin me  nevojën dhe dëshirën për të mbajtur pastër mjedisin ku jetojnë, në respekt të detyrimit që shteti përcaktonte  si dhe  në përgjigje të  thirrjes për veprime dhe sjellje të dobishme,   por që nuk shpërblehen materialisht.

Specifika e aksionit vullnetar është e atillë që ajo në përgjithësi nuk vlerësohet në momentin që kryhet, por rëndësia e saj kuptohet më vonë. Duke pranuar edhe ndryshimet e vazhdueshme  social- ekonomike që kanë ndodhur në vendin tonë, vullnetarizmi ka pësuar edhe një lloj transformimi bashkë me to. Kjo është tërësisht e pranueshme, kurse mosvlerësimi i tij është i patolerueshëm. Përherë do të ketë nevojë për ndihmë të  ofruar të pakushtëzuar nga shpërblimi material, sepse përherë do të ketë njerëz në nevojë për këtë akt, ashtu sikundër përherë shoqëria do të ketë nevojën të testojë gadishmërinë e qytetarëve të saj në solidaritet me kauza të përbashkëta dhe të dobishme.

Por, sa vullnetarizëm gjen në radhët e shoqërisë sonë, aktualisht? Sa herë i janë përgjigjur thirrjes për aksion vullnetar qyetarët shqiptarë? Sa herë vetë shoqëria ka ndërmarrë ndonjë nismë vullnetare të suksesshme?

Nëse në një ditë të vetme në Slloveni  mbi 100.000 njerëz ju bashkuan thirrjes për pastrim, sa qytetarë shqiptarë do të tregohen të gatshëm për të dalë nga shtëpia dhe për të pastruar mjedisin që ata vetë e neglizhojnë?

Nëse në Slloveni, standardi mjedisor  i së cilës është shumë larg të realitetit tonë, u grumbulluan në një ditë të vetme mbi 80.000 tonë mbetje, çfarë rezultati duhet të presim ne kur dihet se realiteti ynë mjedisor është dramatik? Kjo mbetet për t’u parë në datën 22 nëntor.

Nëse ky aksion vullnetar do të ketë suksesin e dëshiruar, a do të mund ta kthejmënë  vullnetarizmin një traditë si vlerë e solidaritetit mes nesh?

Nëse vullnetarizmin do të arrinim ta ringjallnim, ta vinim në shërbim dhe në dobi të jetës sonë shoqërore, a do të mundnim ta mbanim edhe në vëmendjen tonë shoqërore?

Nëse nuk do ta arrinim këtë, nësenuk do të  përcillnim  edhe atë vlerë që i ka mbetur vullnetarizmit  në perceptimin tonë shoqëror, atëherë nisma të tilla do të mbesin të vetmuara, rezultati  i tyre do të jetë jo imponues, dhe sigurisht ne si shoqëri do të vazhdojmë të shpenzojmë energji në drejtime të atilla, qw do tw na mbajnw ende larg  iniciativave të ngjashme me shtetet e emancipuara...



(Vota: 18 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: