Hajro Hajra: Sërish te Nëna Tereze
| E Enjte, 31.10.2013, 08:00 PM |

Fotoreportazh nga Arizona

SËRISH TE NËNA TEREZE

Nga Hajro HAJRA

E diela e fundit e tetorit të sivjetmë ishte dita kur shqiptarët e kryeqytetit të Arizonës, Phoenix (Feniks), SHBA, u tubuan për ta përkujtuar Nënën Tereze në dhjetëvjetorin e lumturimit. Ky manifestim, tashmë tradicional (organizohet për të dhjetin vit me radhë), edhe kësaj here u mbajt aty, ku Nëna Tereze, e derdhur në bronz, hijerëndë, qëndron në mes të parkut të Bazilikës së Shën Mërisë. Ky park i vogël që ndodhet në zemër të Feniksit, tashmë është bërë një vend pelegrinazhi, jo vetëm për shqiptarët, që shkojnë aty për ta nderuar Nënën e tyre të Madhe, po edhe për vizitorë të tjerë, të cilët çdo të diel, para ose pas meshës, e nderojnë figurën e humanistes shqiptare, por edhe atë të Papa Gjon Palit II, shtatorja e të cilit është e vendosur në hyrje të parkut, disa metra larg asaj të Nënës Tereze.

E palodhshme si gjithnjë, plot energji e vullnet, ndonëse ka vite që është pensionuar, zonja Lule Lucaj – Lane, e njohur jo vetëm në Arizonë, për faktin se vite më parë ka adoptuar dhe ka rritur pesë fëmijë shqiptarë (katër nga rrethi i Shkodrës dhe një nga Mitrovica), sikundër edhe herave të tjera, edhe sivjet kishte marrë përsipër organizimin e manifestimit, tashmë tradicional, kushtuar Nënës Tereze, në përvjetorin e lumturimit. Krah të djathtë kishte zonjën Jeta Hajra, e cila e kishte konceptuar gjithë manifestimin, porse ndihmesë për jetësimin e kësaj ngjarjeje kishte dhënë edhe zonja Marinela Papa.

Më 27 tetor, pak para mesit të ditës, parkun e bazilikës, ku është vendosur shtatorja e Nënës Tereze, vepër e skulptorit amerikan Michael Myers (edhe shtatorja e Papës është vepër e po këtij skulptori), e kishin mësyrë nja 100-150 shqiptarë (fëmijë, të rinj e të reja, pleq e plaka). Disa nga ta kishin sjellë lule të freskëta dhe i vendosnin ato te shtatorja, ku ishin ngulur një flamur shqiptar dhe një flamur amerikan.

Manifestimi nisi me një parakalim të fëmijëve rreth e rrotull shtatores së Nënës Tereze. Ata mbanin në duar flamuj shqiptarë e flamuj amerikanë dhe fotografi të Gonxhe Bojaxhiut. Pas këtij parakalimi, të pranishmit u grumbulluan te shtatorja dhe iu bashkëngjitën zotit Gjelosh Gegaj, i cili e tha uratën shqip të Nënës Tereze. Më pastaj të gjithë u futën në sallën afër, pjesë e kompleksit të bazilikës, ku do të mbahej pjesa kryesore e manifestimit.

Në krye të sallës ishin ekspozuar veshje kombëtare shqiptare, vepra artizanati e flamuj shqiptarë, ndërkaq muri ballor ishte mbushur me fotografi të shumta. Ndër të tjera, ishin fotografitë e Nënës Tereze me Ibrahim Rugovën, me Bill Klintonin, me Princeshën Dajana, me Ronald Reganin, fotografi nga vizita e Nënës Tereze në Feniks më 2 shkurt 1989 e të tjera.

Me një fjalë rasti, manifestimin e hapën zonja Marinela Papa e zoti Anton Gegaj. Pas saj fjalën e mori kryetari i Komunitetit Shqiptaro-Amerikan “Shqipja e Arizonës”, zoti Skënder Bajrami, i cili i njohu të pranishmit me një fakt jo gjithaq të njohur të jetës së Gonxhe Bojaxhiut, kur ajo udhëtonte me tren nga Shkupi në Stagovë të Kaçanikut dhe prej aty shkonte këmbë në kishën e Zojës së Madhe në Letnicë të Vitisë. Pasuan recitali i fëmijëve me thënie të Nënës Tereze “Jepe pjesën më të mirë të vetvetes” dhe një poezi e Nënës Tereze, recituar nga Angjelina Gegaj.

Pjesa më e bukur e këtij manifestimi ishte, pa dyshim, inskenimi i dhënies së Çmimit Nobel, që u realizua nga Anton Gegaj (agjent i patundshmërive), në rolin e kryetarit të Komitetit Norvegjez të Çmimit Nobel, profesor John Sanness dhe Rina Hajra (studente e vitit të fundit e aktrimit dhe e drejtësisë në Universitetin Shtetëror të Arizonës), në rolin e Nënës Tereze. Pasi “mori” Çmimin Nobel, Rina interpretoi pjesë të shkëputura nga fjalimi 19 minutësh që Nëna Tereze kishte mbajtur para auditorit të Komitetit të Çmimit Nobel, më 11 dhjetor 1979, në Oslo të Norvegjisë. Interpretimi i Rinës ishte një imitim besnik i fjalimit të nobelistes sonë dhe u prit shumë mirë e u duartrokit nga të pranishmit. Pas këtij interpretimi të natyrshëm, që të pranishmit i ktheu në vitin e largët 1979, mikrofonin e mori zonja Zejnepe Shehu, e cila rrëfeu një dromcë nga jeta e Nënës Tereze, kur një gazetare italiane, duke e parë Nënën Tereze tek i nxirrte krimba nga plaga një të sëmuri, thotë: këtë punë nuk do ta bëja as për një milion dollarë… As unë nuk do ta bëja as për një million dollarë – ia kthen Nëna Tereze, pa e hequr vështrimin nga plaga e të sëmurit, të cilin e ndihmonte.

Manifestimi u mbyll, si edhe herave të tjera, me ushqim e me pije dhe me urimin: u pafshim në përvjetorin tjetër!



(Vota: 18 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: