Ndue Ukaj: Mes lindjes e perëndimit
| E Enjte, 31.10.2013, 08:48 PM |

Mes lindjes e perëndimit

Nga Ndue Ukaj

Si komb i formuar vonë, i dalur nga robëria e gjatë, me shumë plagë, i tkurrur e ndarë gjeografikisht, kemi filluar t’i duam të tjerët, pa u mësuar njëherë ta duam vetveten. E, dihet, kjo “dashuri”, s’është gjë tjetër, veç papjekuri dhe shfaqje infatile e një amnezie historike e kulturore. E tillë është edhe dashuria e dekadës së fundit, turko-shqiptare, që herë pas here shpërfaqet si një ogur i keq për ne dhe të ardhmen tonë.  Jo pse shqiptarët s’kanë nevojë për bashkëpunim me shtetin turk, jo pse shqiptarët duhet të kultivojnë urrejtje për këtë shtet, i cili të kaluarën na ka shkaktuare shumë të këqija, por pse kjo dashuri, shpalosë enigmën e një të kaluare, e një plage, nga e cila cilës s’jemi shëruar ende- plagë kjo që po bëhet stagnim për ecjen tonë kah perëndimi, aty ku synojmë të integrohemi si komb. 

Dihet mirëfilli se njohja e vetvetes, fillon me njohjen e së kaluarës. Këtu kemi ngecur, sepse politikanë të ndryshëm vasalë, me disa agjitatorë të idesë neoosmane, po ndikojnë në fragmentimin e së kaluarës së përbashkët. E, dihet se kur fragmentohet e kaluara, s’ka sesi të jetë e ndritshme e ardhmja.

Bashkëjetesa e popujve, është një dëshirë e përhershme e njerëzimit, e kërkuar me nganjëherë me ngulm. Mirëpo, kjo dëshirë, asnjëherë s’është bërë Kopsht Edeni. Kjo për faktin, se këtë dashuri çdo herë e ka prish një Evë lakmitare, apo një gjarpër mashtrues.

Javën e kaluar, “vëllezërit” na fyen, na përçmuan, na preken nderin e te kaluarën dhe ne fund ju kërkuan falje serbeve. Ministri i jashtëm turk, Ahmet Davatoglu, i cili i konsideron shqiptaret mbetje osmane në Ballkan, ishte e udhës t'iu kërkonte falje shqiptareve. E disa shqiptarë, që krekosen e përbehen në këtë vëllazëri, tash duhet ta kuptojnë se në fund të fundit, aleanca serbo-turke, është shumëfish me e fort se ajo me disa shqiptarë, të cilët të prirë nga simpatitë fetare, janë në gjendje të heqin dorë nga identitet i tyre kombëtar. E ne e dimë, se historikisht, nga këto aleanca kemi përjetuar vetëm te këqija. Prandaj, rilindësit e mëdhenj, nga Stambolli dikur na këshillonin: dielli për ne lind vetëm ne perëndim.

Ajo çka ndodhi javën e kaluar në Prizren, ku në një podium të ngritur për ardhjen e kryeministrit turk, R. Erdogan, (të keqpërdorur në një fushatë elektorale), u tha: “Kosova është Turqi”, është një marri e madhe.  Në atë podium, Erdogani u duartrokit. Për më tepër, ai u glorifikua dhe ju propozua shqiptarëve si model. E në të vërtet, shqiptarët e dinë mirë se ai s’është lider për t’u lakmuar, sepse përfaqëson një model të shtypjes, të një pushteti jo demokratik, që vret protestues, burgosë gazetarë, artistë dhe që e shkatërron traditën liberale e sekulare të shtetit turk.

Përballë parullave të rrezikshme të shefit të qeverisë turke, dy kryeministrat shqiptarë, Edi Rama e Hashim Thaqi, duartrokitën të ekzaltuar dhe të njëjtit u çirren me një patetizëm absurd e krejt të pakuptimtë për marrëdhënie vëllazërore me Turqinë.  E gjithë kjo s’do të përcillej me kaq ndjeshmëri të theksuar publike, sikur të mos njihej botërisht doktrina neoosmane e këtij shteti.

Është për të ardhur keq sesi dy kryeministrat shqiptarë, të ekzaltuar harruan zotimet e tyre për liri, demokraci dhe ecjen ka Europa, e ranë preh e një lideri që sot ka një projekt ekspasionues neoosman, i cili projekt do t’i riciklojë “mbetjet osmane në Ballkan”.  Dy kryeministrat tanë vasalë,  nën dëlirin e mysafirit, harruan po ashtu se shqiptarët kanë kujtesë të keqe me fjalimet e tilla, harruan se historia e formimit të identitetit shqiptar, pa dashjen tyre, është histori antiosmane. Madje, harroj edhe Hashim Thaqi se nga doktrina të tilla hegjemoniste, është helmuar krejt  Ballkani dhe ka rezultuar me luftëra e gjakderdhje.  Thjesht, ajo çka ndodhi në Prizren, ishte një marri dhe për këtë, përgjegjësia bie mbi dy vasalët tanë, po aq sa mbi liderin turk.

Nga fjalimi i Erdoganit, u fyen dhe u përçmuan shqiptarët, u prek në sedër qenia shqiptare dhe u demonizu krejt historia shqiptare. Kjo marre shpërtheu e kundërmoj keq tek gjithë ata që ndjehen shqiptarë.

Reaguan analistë e opinionistë, figura të njohura të jetës publike, si dhe shkrimtari ma i madh shqiptar, Ismail Kadare. Thjesht, u quajt një turp kombëtar.

Të prekur nga përbuzja e sofrës së mirëpritjes, reagoj me të drejt edhe Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, duke i kujtuar kryeministrit turk se edhe vëllait nganjëherë kur e tepron, i thuhet: “ti n’shpi tane, unë n’shpi teme.”

E krejt ndryshe ishin reagimet e Serbisë, që ka po ashtu tendenca hegjemoniste ndaj Kosovës.  Ndërkaq disa qarqe mediatike dhe palo analistë, u përpoqën që të krijojnë një lidhje mes deklaratave të pushtetarëve serb dhe deklaratës së Ipeshkvit Dodë Gjergji. Ky i fundit, si prelat i Kishës Katolike, duke qenë në vazhdimësi të angazhimit për fe e atdhe, bëri atë që ka bërë çdo herë kisha shqiptare, duke e lidh fatin e vetë, me fatin e popullit, siç e lidhte në shek. XVII korifeu i kulturës shqiptare, Pjetër Bogdani, që kudo ishte, thoshte: “Fati i popullit, është fati im.”

Andaj, asgjë se honepsë ekzaltimin e dy kryeministrave shqiptarë, përballë kryeministrit të Turqisë, R. Erdogan. Madje, asgjë s’e honeps dashurinë foshnjore për një perandori që s’është më.

Përkundrazi, shqiptarët, në prag të 101 vjetorit të çlirimit nga Perandoria Osmane, duhet të këndellën nga amnezia historike, e shkëpusin nga prangat e robërisë shpirtërore dhe të ecin vetëdijshëm drejt së ardhmes së tyre.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: