Vana Jerliu - Ramadani: Stresi – armik i shëndetit
| E Hene, 28.10.2013, 10:10 PM |

Stresi – një armik i madh i shëndetit tonë

Shkruan: Vana Jerliu Ramadani

Asnjëherë më parë bota jonë nuk është ballafaquar me kriza ekonomike, sociale dhe psikologjike, me të cilat ballafaqohet tani. Mënyra e jetesës ka ndryshuar shumë. Njerëzit kanë pak kohë të lirë, por edhe atë kohë që kanë e kalojnë në kompjuter. Në jetën moderne, njerëzit luftojnë me të gjitha forcat për të arritur qëllimet e tyre, madje e ngarkojnë veten me përgjegjësi edhe më shumë se sa mund të përballojnë. Konkurrenca për të arritur suksese, është shumë më e madhe se dikur. Njerëzit janë aq shumë të preokupuar nga obligimet e shumta saqë nuk i kushtojnë rëndësi sa duhet as shëndetit të tyre.

Një ndër armiqtë më të mëdhenj të shëndetit është stresi. Disa njerëz kanë stres shumë të madh për shkak të përgjegjësive të mëdha dhe punës së madhe që bëjnë. Aq shumë janë të stresuar sa që nuk e kanë parasysh se duhet të kujdesen më shumë për shëndetin e tyre dhe në fakt duhet t`i japin prioritet atij dhe të mos mendojnë se arritja e sukseseve të ndryshme është gjëja më e rëndësishme në jetë.

Stresi mund të sjell shumë probleme shëndetësore, fizike e psikike, sepse është i lidhur ngushtë mes trurin. Për shumë njerëz, stresi është bërë aq i zakonshëm saqë e shohin si një mënyrë jetese. Stresi nuk është gjithmonë i rrezikshëm, nëse është i menaxhuar dhe jo kronik. Në raste të tilla, mund të ndihmojë tek njerëzit të kryejnë punët nën presion, por edhe të ndjehen më të motivuar shkaku i presionit. Por kur njerëzit janë vazhdimisht të stresuar, trupi paguan një çmim të shtrenjtë.

Një stres kronik mund të bëjë dëme të mëdha, andaj duhet pasur shumë kujdes, duke identifikuar simptomat e tij dhe duke marrë hapa drejt zvogëlimit të stresit dhe dëmeve që shkakton, thotë ajo. Kur trupi përjeton një stres kërcënues, sistemi nervor përgjigjet me lëshimin e një përmbajtjeje të hormoneve të stresit, duke përfshirë adrenalinë dhe kortizol. Këto hormone nxitin trupin për veprime urgjente. Shpejtohen të rrahurat e zemrës, bëhet shtrëngimi i muskujve, rritet tensioni i gjakut, frymëmarrjes.

Shenjat e stresit janë dhimbja e kokës, shpinës, qafës, stomakut, shtrëngimi i muskujve, lodhja pa arsye, probleme me gjumin, ankthi, zemërimi, depresioni, pafuqia, sikurse personi ndihet jashtë kontrollit, i padurueshëm, harrestar etj. Disa shenja fizike të stresit mund të shkaktohen nga gjendja shëndetësore ose nga barërat. Andaj duhet të diskutohet ky problem me mjekun.

Shumica e njerëzve të stresuar, fatkeqësisht kur janë nën stres të madh, aplikojnë sjelljet që kontribuojnë edhe më shumë te stresi, siç janë pirja e alkoolit apo duhanit, përdorimi i drogave të ndryshme, ushqimi i tepruar, ngrënia e ushqimit shpejt dhe të folurit e shpejt, nxitimi i madh apo ngadalësimi i madh në veprime të ndryshme, puna e tepërt apo zvogëlimi i saj, pagjumësia ose fjetja e tepruar, përpjekja për t`i kryer shumë gjera në të njëjtën kohë, etj.

Në këto raste, duhet kërkuar një perspektivë jashtë situatës dhe duke pakësuar reagimet ndaj kushteve që shkaktojnë stres të madh. Duhet të jemi sa më pozitiv, duke menduar se mund t`i përballojmë situatës që na shkakton stres të madh. Duke e pasur parasysh se stresi shkakton më shumë glukozë që dërgohet në tru dhe nëse stresi është kronik, mund të pengojë shpërndarjen e glukozës që shkatërron kujtesën. Duhet shmangur ose të paktën reduktuar kafeinën, alkoolin dhe nikotinën. Gjithashtu duhet shmangur ose zvogëluar sheqernat dhe duhet pirë ujë të mjaftueshëm.

Mundësisht, duhet të bëhet edhe reduktimi i njerëzve dhe veprimeve që ju shkaktojnë stres të madh. Psikologja porosit që në raste të tilla duhet kaluar sa më shumë kohë në ambiente më pozitive dhe të jemi fizikisht më aktiv. Duke bërë hapa drejt reduktimit të stresit, rritet imuniteti fizik e psikik dhe ju do të jeni më të shëndoshë. Kur ju jeni më pak të stresuar, do të keni një jetë më të lumtur dhe do t`i bëni njerëzit që ju rrethojnë më të lumtur. Sjelljet kanë shumë rëndësi dhe janë faktorë që kontribuojnë pozitivisht apo negativisht në lumturinë dhe sukseset në jetën tuaj.

(Autorja është vijuese e studimeve master për psikologji në SHBA)



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: