Dedë Preqi: Dje vëllazërim-bashkim me Sllobodanin, sot vëlla me Erdoganin
| E Shtune, 26.10.2013, 08:45 PM |

DJE  VËLLEZËRIM-BASHKIM  ME SLLOBODANIN, SOT VËLLA  ME ERDOGANIN

Nga Dedë Preqi

Dje, vëllezërim-bashkim me Sllobodanin, sot vëlla me Erdoganin, nuk ka mbetë tjetër, vetëm t’a  bëjmë vëllaçko edhe „shejtanin“. Përveq gjithë atij primitiviteti dhe shtypjes totalitare dhe formave gjenocidiale nga pushtuesit otoman-turk dhe atij serbo-sllav, që zgjatën shekuj me radhë,  a nuk mjaftojnë gjithë këta shekuj robërie, që shqiptarët  të mbushën mend njëherë e përgjithmonë, dhe të dinë të dallojnë, se cili është gjarpëri i gjakut dhe helmi  i shpirtit të kombit  shqiptarë.

Këtu ndoshta mund të na kujtohet thënja e Dostojevskit, i cili njeriun e definon si qenje që mund të përshtatet në çdo rrethanë, mirëpo lindin pyetjet tjera, si mundet njeriu të adaptohet  në çdo rrethanë, si është e mundur, kur i mungon liria  morale, shpirtërore dhe njerëzore, apo një gjendje e tillë vetëm sa për të mbetur gjallë, që e detyron jetën shpirtërore të njeriut, të bie në shkallën më primitive, me të cilën zhvlerësohet çdo qenje njerëzore e cila duket normale. Jo gjithherë njerëzit e fuqishëm e kanë sunduar botën, jo gjithëherë njerëzit e mëdhenjë i kanë shkelur të vegjëlit, kemi plot shembuj të ndryshëm të sundimtarëve, perandorave e kralave, të cilët përsëri ranë nën urdhërin e drejtësisë dhe dëshprimit, sepse shpëtimi i njeriut dhe nga mëkatët e rënda është përulja dhe kërkimfalja ndaj njëri-tjetrit dhe dashuria njerëzore.

Prandaj, shqiptarët sot edhe pse ishin populli më i përsekutuar në botë nga armiqë të ndryshëm të kohës, sidomos nga perandoria barbare otomane-turke dhe regjimi i egër serbo-sllav, që shqiptarët pas shumë shekujve arritën të çlirohen pjesërishtë nga robëria e tyre dhe të fitojnë pavarësinë, sikur që është Shqipëria dhe Kosova, por  nuk do të thotë se tani, këto vende si dy shtete të pavarura sot, të marrin frymë përseri përmes gabzherrit të tyre të pa ngopur dhe ogurzi, kinse në shkëmbim të ndërtimit të marrëdhenieve të mira reciproke dhe miqësore. Perandoria turke gjatë sundimit të saj pesë shekullor, ishte aq e pamëshirshme ndaj shqiptarëve, sa që i vendosi edhe të gjallë në hunj të gardhit, për t’ua shti frikën shqiptarëve në palcë, dhe duke i konvertuar me dhunë në fe të vet islame. Të njëjtën represalje të Perandorisë turke e ushtruan dhe okupatorët pasadhës serbo-sllav, të cilët me egërsinë  barbare  dhe fashizoide përdorën metodat më përfide dhe çnjerëzore, duke i masakruar shqiptarët e pafajshëm, vetëm se ishin shqiptarë dhe kërkuan liri e demokraci, të cilët për ti humbur gjurmët e krimit, kufomat e tyre i shkrinë edhe në furra të hekurit.

Për këtë arsye, edhe nëse deri dje ka qenë mundshme të flitej për shqiptarët e robëruar dhe të sunduar nga këto hordhi të egra barbare dhe fashizoide, sot as që mund të flitet në kuptimin e asaj të djeshmës,  sepse është në trënd koha e popujve të lirë të botës dhe civilizimit njerëzor, e cila nuk duron më dhunë dhe shtypje,  të cilin  po e lufton fuqia e demokracisë në botë. Sikur që predentojnë akoma disa vende, që t’a  degradojnë dhe rrënojnë gjithë atë që është ndërtuar deri sot në parim të të drejtave njerëzore, ata nuk  kanë  mësuar gjë tjetër vetëm historinë e injorancës, diskriminimit, nënçmimit, dhe robërinë njerëzore, por duhet të thuhet edhe qështja më konkrete; populli shqiptarë nuk do të gjunjëzohet para këtyre barbarëve dhe askush nuk do të mund t’ua marrin dinjitetin, dhe t’ua shlyjnë kujtesën historike, edhe pse po pretendon Turqia me lajkat e saja të vjetra dhe të reja, edhe pse po pretendon Serbia, me dhelpërinë e saj skilare, së bashku me trurin e ndryshkur të atyre që po na përfaqësojnë, sepse nuk do të lejon gjaku i atyre të cilët e derdhën shekuj me radhë për çlirimin e kombit dhe trojeve të veta.

Kosova dhe udhëheqja e saj, nëse duhet ndjekur, apo të bëhët pre e politikave që predentojnë, provokojnë dhe veprojnë me paragjykime të vjetra dhe të bëhët servile e tyre dhe duke i barazuar njerëzit e tillë me vëllezër, sikur që thotë kryeministri Thaqi dhe Rama, se turqit dhe shqiptarët janë popuj vëllezër, duke e quajtur  vëlla dhe kryeministrin turk Erdoganin, i cili thotë, Kosova është Turqi dhe Turqia Kosovë, atëherë Kosova duhet të kthehet me shekuj mbrapa, sepse faktet për fatin tonë tragjik janë të prekshme dhe kurrë nuk mundet që ti  bashkojë dhe vëllezëroj diçka njerëzit e tillë, apo shqiptarët në këtë mënyrë me turqit,  sepse cënohet thellë dhe nënçmohet identiteti jonë kombëtar.

Dhe, akti i tradhëtisë së Kosovës dallon këtu, kur i kërkohet nga ministria turke të bëhët ndryshimi i historisë dhe kulturës kombëtare,  e cila e prek dhe e vret në shpirt kulturën dhe historinë e çdo kombi në botë, sikur edhe identitetin, kulturën dhe historinë tonë kombëtare. Në këtë mënyrë nuk ndërtohen marrëdhëniet politike-ekonomike e kulturore, në mes popujve, por në këtë mënyrë mund të përseritet historia e popullit shqiptarë, e cila e zhvlerëson  historinë dhe identitetin kombëtarë, për asgjë më shumë, vetëm përmes disa dhuratave që po na duken të „ëmbla“, sikur që është bërë koncesioni i Aeroportit „Adem Jashari“ dhe shumë koncesioneve tjera me Turqinë, e cila përfitimin e ka të dyfishtë. Ashtu, ndodh nesër edhe me Serbinë, e cila i ka të përgaditura çmimet dhe llogaritë për Kosovën, duke huazuar edhe modelet e të pëditshmës tonë.

Pse, kur ishin kryeministri i Kosovës Hashim Thaqi dhe ai i Shqipërisë Edi Rama, për vizitë në Turqi, me gjithë pritjen që ua bënë „vëllezërit turq“, nuk e quajtën  asnjërin Kemail Ataturk, por i quajtën „vëlla arrnaut“  , ndërsa z.Thaqi, kur ishte në Amerikë, atë e quajtën edhe Gjorgj Washington, me gjithë respektin, simpatinë dhe konsideratën që ka populli amerikan për popullin shqiptarë, që nga Presidenti Woodrov Vilson, deri te Presidenti Klinton, që e rilindi edhe njëherë popullin shqiptarë të Kosovës, dhe në vazhdimsi me presidentë tjerë dhe popullin amerikan, të cilët pa dallim religjioni dhe përkatësie, u gjinden dhe gjendën  pranë popullit shqiptarë. Në këtë mënyrë dhe sjelljen politike të udhëheqjes shqiptare nuk do ta pëlqejë askush nga popujt miqë të shqiptarëve, sepse kjo politikë nuk është e pastër, sepse kjo „vëllezëri „ lind dyshime, sepse ky model nuk i shërbenë politikave të sinqerta dhe marrëdhënieve të mira ndërnjerëzore.

Edhe në kohën e Titos, shqiptarët e Kosovës e përjetuan vëllezërim-bashkimin me serbët, prandaj që moti shqiptarët e inaguruan betejën e dëshpërimit, për dominim në njërën anë, dhe për mbijetesë në anën tjetër, dhe arsyen e tanishme e quajmë edhe më të  mbrapësht dhe të pa frytshëm vizionin e tillë, duke e çpikë këtë lloj monstrumi dhe bëhën shërbëtorë të kësaj doktrine, që turqit, apo serbët ti quajmë vëllezër, sepse vëllezër të një gjaku janë vetëm Kosova me Shqipërinë, Shkupi, Tetova, dhe Presheva me  Qamërinë.

Më mirë do të ishte vetëvrasje politike dhe morale, nëse Kosovën do ta quajmë Turqi, ose Serbi dhe anasjelltas, dhe shqiptarët janë lodhur nga politikat e tilla, sepse ky ishte vetëm qëllimi i politikës së okupatorëve turq dhe serb, megjithatë shqiptarët nuk mund të dëshprohen, sepse i rrezistuan edhe shumë fortunave tjera, të cilat i përballuan pa u përkulur para shumë e shumë sfidave e kurthave të armikut, duke i thënë vetëm fjalët e vërteta dhe të vendosura me  përgjegjësinë më të lartë historike, duke e mohuar legjitimitetin e robërisë dhe shtypjes, duke ruajtur nderin dhe dinjitetin kombëtar, me përjashtim të disa opingave politike, të cilët linden si këpurdhat pas shiut.

Diçka po përzihet në Kosovë, një kahe e tillë e turpshme, shqiptarët po i hedh në margjina historike, për t’ua mjegulluar rrugët, për t’ua imponuar heqjen dorë prej traditave më të ndritshme kombëtare- prej emrave kombëtarë, gjuhës amtare, e deri te heqja dorë pre historisë, traditës dhe kulturës nacionale, pikërishtë kjo dëshmon poezitën fyese për shqiptarët, për të cilë kërkohet që të përseritet historia e tyre, apo periudha  e hershme tragjike, madje pikërisht ky qëndrim ndaj tyre, nxitë ngarkesën e kujtesës shqiptare, ngase vetëm këtij populli si duket arbitrarisht u imponohet tutela jashtënacionale.

E vërteta për Kosovën dhe shqiptarët qëndron ndryshe, duhet kuptuar dhe pranuar, e jo rrëfim mitologjik, i cili e zgjon urrejtjen dhe revoltën e mbrendshme te shqiptarët, ndaj të cilëve krijohet gjendja skadaloze, atribute të shpifura dhe të fabrikuara nga qarqe të ndryshme, të cilat i kanë përmbushur kërkesat momentale të krijimit të disponimit antishqiptarë, por rezulltantë i një politike të tillë janë ndryshimet e reja që do të ndodhin në Kosovë, dhe suspendimi i politikave shofeniste, qofshin ato serbe, turke dhe të tjera, sepse populli i Kosovës dhe vizioni i tij, do ti kaloj këto ethe historike, që qojnë në kahe të spiralës së dhunës. Por, deri këtu na solli politika përplot hipokrizi, politika që vrau të vërtetën historike të shqiptarëve, që dëshmojnë tmerin e apologjisë kundërnjerëzore, pikërishtë mbi këtë platformë arrijmë te politika dhe logjika e konfrontimit të përhershëm në mes nacionalitetëve, që dëshmohet me hendekun e thellë ndërnacional jo vetëm në Kosovë, por në tërë botën.



(Vota: 33 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: