Vangjush Saro: Nuk ka armiq të përjetshëm
| E Premte, 25.10.2013, 07:09 PM |

Nuk ka armiq të përjetshëm

Përndryshe: Politikë e re, “kut” i vjetër(!)

Nga Vangjush Saro

Ditët e fundit, janë shtuar zërat se në politikën e jashtme shqiptare ka paqartësi dhe mbase ngutje, madje flitet edhe për nënshtrim të saj ndaj të huajve, një term, mendoj, mjaft i konsumuar. Është fjala për disa takime e vizita të ndërsjellta, si dhe bashkëpunim, së pari me Turqinë dhe, më tej, edhe për ndonjë ndryshim në raportet me Rusinë. Para ose prapagjykimet në lidhje me marrëdhëniet që mund të ndërtohen me këto vende, duket se i kanë trazuar njëfarësoj si Kosovën, ashtu edhe Shqipërinë. Më e pakta që mund të themi në krye të këtyre radhëve, është se nuk mund të ketë dhe nuk ka armiq të përjetshëm. “Kuti” i vjetër nuk shkon në politikë të re.

Në këtë udhë, një nga analistët për të cilët ushqej nderim, sipas meje, e ka tejluajtur pandehmën për ringjalljen e konfliktit historik me ato vende, në një aktualizim që - për fat të keq - nuk ofron të njëjtat pamje si dikur. Në përgjithësi, nuk më duket e drejtë të paragjykosh prirjen për marrëdhënie reale dhe konkrete midis vendeve, duke mbajtur ende në duar pishën e një urrejtjeje të shkuar dhe që ka zënë vend në histori tashmë. Është tjetër gjë të mbrosh historinë nga shtrembërimet, kur  mbase studjues a segmente të pushtetit në Turqi e gjetkë përpiqen të gjejnë gjurmë vëllazërie e pajtimi mes popujve në një periudhë që realisht është karakterizuar nga kryengritje të vazhdueshme për liri e pavarësi, ashtu si në gjithë Ballkanin. (Nuk mund të konfondohen qëndrime dhe interesa të pjesshme të shtresave të caktuara, që bënin pazar me Portën e Lartë, me frymëzimin e vazhdueshëm antiosman të popullit shqiptar, pavarësisht nga mundësitë e tij për të reaguar si duhet dhe në kohë.)

Megjithatë, parë në largësi të kohës dhe në akord me parimet e sotme për politikë paqësore dhe bashkëpunuese, në rajon dhe më gjerë, teprimet nuk i bëjnë mirë askujt. Historia duhet të mbahet e pacënuar nga ekstremistët. Por përtej çdo konflikti e gjendjeje lufte të një kohe të caktuar, ka rrethana në të cilat qëndrimi i një shoqërie dhe i një populli nuk mund të mbetet i ngurosur në terma beteje. Po të ndjekim këtë logjikë para apo prapagjykuese, i bie që Polonia, e cila jo shekuj më parë, por rreth 60 vjet më parë, është tmerruar e përzhdukur nga Gjermania e pushtetit hitlerian, nuk duhet kurrsesi të zhvillojë takime e të ëndërrojë për ndonjë marrëveshje a bashkëpunim me shtetin më avangard të Evropës së sotme. I njëjti “skenar”, gjithnjë sipas disa vëzhguesve, po mbruhet në marrëdhëniet me Rusinë, që duket se ende nuk meriton shumë; por le të themi, grishja për ekuilibre, është gjithnjë rruga më e mirë. Është tjetër gjë t’i kërkosh asaj (Rusisë) të mbajë anën e së drejtës në çështjen e pranimit të Kosovës si shtet i pavarur në Ballkan; dhe krejt tjetër të kërkosh ta çimentosh apo ta shohësh të dhënë njëherë e mirë qëndrimin e saj aktual jo dashamirës, megjithëse ndërkaq bëhet fjalë edhe për bisedime midis dy vendeve.

Kosova dhe Shqipëria duhet të luftojnë për autoritetin dhe të drejtat e tyre duke respektuar parimet e fqinjësisë së mirë dhe të marrëdhënieve në frymë demokratike në rajon. Mendoj se në kohën që po jetojmë nuk ka më vend për fiksime politike. Përzgjedhjen e partnerëve strategjikë, Shqipëria dhe Kosova e kanë bërë tashmë, ato janë SHBA-të dhe BE-ja; le ta themi me një fjalë të vetme: Perëndimi. Për Shqipërinë, qytetarët e këtij vendi e kanë vendosur me kërkesat e tyre plebishitare që në fillim të viteve ‘90, ndërkohë që Kosova e pa qartë këtë në kohën e luftës së fundit në Ballkan, atë për t’i ikur sundimit të Serbisë dhe ku SHBA-të luajtën rol vendimtar. Por kjo nuk do të thotë aspak se dy vendet që aspirojnë bashkim në kuadrin e gjithë komunitetit të Bashkimin Evropian, duhet të japin shembuj skepticizmi dhe dasish të dukshme ekstreme në politikën e jashtme; apo që ato të mbajnë qëndrime refraktare ndaj shteteve në marrëdhënie me të cilat ka pasur probleme, pse jo edhe fiksime politike, nga ana e tyre (gjithnjë).

Shqipëria dhe Kosova kanë vuajtur gjatë paragjykimesh politike; nuk ka pse të frymëzohen ende nga mendësi që nuk shkojnë në akord me kohën. Duhet të tregohen të kujdesshme, por jo paragjykuese dhe të vrazhda.



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: