Frank Shkreli: Politika shqiptare nënshtruese ndaj interesave të huaja
| E Marte, 22.10.2013, 10:25 PM |

POLITIKA SHQIPTARE NËNSHTRUESE NDAJ INTERESAVE TË HUAJA

Nga Frank Shkreli

Gjatë disa viteve të fundit Turqia ka ndërmarrë një fushatë, që disa e quajnë si një ofensivë të gjithanshme, diplomatike, politike, shoqërore dhe fetaro-kuturore në Ballkanin perëndimor, kryesisht e përqëndruar në vendet me shumicë myslimane, si Shqipëria, Kosova dhe Bosna-Hercegovina.  Siç duket në frymën e kësaj fushate diplomatike, Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan do të vizitojë Kosovën të Mërkurën, ë 23 tetor.  Mediat e Prishtinës  njoftojnë se zyrtarisht udhëheqsi turk po viziton Kosovën për të inauguruar  terminalin e ri  të aeroportit, "Adem Jashari" në kryeqytetin e Kosovës, por sipas të njëjtave burime, Z. Erdogan do të vizitojë edhe Prizrenin, kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve, i shoqëruar nga Kryeministri i Kosovës, Z. Hashim Thaçi.  Dhe ajo që e bën këtë vizitë në Prizren edhe më interesante, është fakti se Kryeministrit të Turqisë dhe atij të Kosovës do t'i bashkohet edhe Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama -- e gjithë këjo gjatë një fushate elektorale për zgjedhjet vendore në Kosovë -- gjë që disa analistë e kanë cilësuar si një përpjekje për të influencuar zgjedhjet në favor të partisë në pushtet dhe për më tepër si një ndërhyrje në punët e mbrendshme të Kosovës.

Fatkeqsisht, influencat e huaja ashtu si edhe në të kaluarën, po gjëjnë edhe sot mbështetje në trojet shqiptare, për arsye të përkohëshme politike, ekonomike e të tjera.  Duket se asgjë nuk është mësuar nga historia.  Fushata diplomatike turke e viteve të fundit për të ushtruar një influencë dominuese, sidomos në vendet me shumicë myslimane si Shqipëria dhe Kosova po bëhet me një zhurmë të madhe dhe në një mënyrë arrogante sa që kërkohet edhe rishqyrtimi i historisë së okupimit 5-shekullorë të trojeve të kombit shqiptar nga otomanët.   Ndërkohë, Rusia një perandori tjetër të cilës shqiptarët gjithmonë ia kanë pa sherrin, influenca politike dhe financiare e së cilës gjithnjë vjen e shtohet në Ballkanin Perëndimor, ka thënë se çdo përkrahje për pavarësinë e Kosovës është ilegale dhe imorale, ndërkohë që sa për sy e faqe zhvillon bisedime me Prishtinën në Bruksel.   Në këtë boshllëk të një politike dhe diplomacie të vendosur dhe të bashkrenduar mirë ndaj interesave kombëtare nga Tirana dhe Prishtina -- Kryeministri serb Daçiq -- deklaroi ditët e fundit se  është duke menduar që në vend të bisedimeve të Brukselit -- dialogun ta vazhdojë me Kryeministrin e ri të Shqipërisë, Z. Rama.  Kemi të bëjmë gjithnjë me arrogancën e atyre që për shekuj donin të zhduknin racën shqiptare nga Ballkani.  Në prak të vizitës në Kosovë, Kryeministri turk Erdogan deklaron se,“Turqia dhe Kosova kanë marrëdhënie miqësore dhe vëllazërore që rrjedhin nga thellësitë e historisë, por është e vogël dhe nuk ka të drejtë të flas kundër Islamit,”  ka thënë  Erdogan për televizionin turk TRT.

Kosova, është tepër e vogël për të folur kundër Islamit!  Se kush në Kosovë është duke folur kundër Islamit, veç ai e di, por në të vërtetë është duke thënë se Kosova është tepër e vogël për çdo gjë dhe si e tillë  është nën mëshirën e tij.  Por megjithkëtë, shqiptarët në përgjithësi dhe shqiptarët e Kosovës në veçanti, ashtu siç i shkruan Z. Erdogan në prak të vizitës së tij në Kosovë, edhe deputetja e pavarur e Kosovës, Alma Lama, "Ne në Kosovë, por shqiptarët edhe më gjerë jemi shumë të interesuar të kemi raporte të mira me shtetin e sotëm turk pavarësisht nga e shkuara jonë e hidhur.  Krijimi i raporteve të mira do të thotë në radhë të parë respekt reciprok, do të thotë respektim i kulturës dhe traditës së tjetrit.  Ne, si ish-pjesë e perandorisë turke, të pushtuar prej saj jo vetëm politikisht por edhe kulturalisht e fetarisht, para një shekulli bëmë përpjekje të jashtëzakonshme si komb për të rilindur vetveten.  Ia dolëm. Sfida numër një për ne ishte pikërisht feja.  Vendosëm që asaj të mos i jepnim rëndësi të dorës së parë, por kombi të ishte formula jonë e ekzistencës. U përcaktuam për këtë dhe ecëm përpara. E kundërta do të na kishte fundosur.  Ashtu sikurse mund të na fundosë tani, nëse ne nuk tregohemi të vëmendshëm", i shkruan deputetja e Kosovës Alma Lama, Kryeminsitrit turk në vigjiljen e vizitës së tij në Kosovë.

Edhe udhëheqsi serb Daçiq, ndërsa sa për sy e faqe zhvillon bisedime në Bruksel me Kryeministrin e Kosovës, në një ëndërr teatrale të tijën, ai nënçmon udhëheqsit shqiptarë të Kosovës duke deklaruar se për fatin e Kosovës, ose më mirë të themi, për ndarjen e Kosovës, tani ai dëshiron të flasë me Tiranën zyrtare, pikërisht me Kryeminsitrin e ri, Z. Rama.  Hajde dreq e merre vesh këtë punë.   Edhe Greqia nga jugu i kufijve të kombit, vazhdon me politikën e saj të pandërprerë anti-shqiptare.   Asnjë përgjigje as deklaratë zyrtare as nga Prishtina as nga Tirana! Quo vadis, Kombi Shqiptar?

Shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre nuk kanë sulmuar askënd as nuk kanë pretenduar toka e territore të tjerëve, nuk kanë imponuar fenë dhe as nuk gjykojnë historinë e të tjerve.  Shqiptarët megjithë vuajtjet e tyre nga pushtime të ndryshme nga fqinjtë dhe mbështetsit e tyre, sot më shumë se kurrë janë tepër të interesuar për marrëdhënje të mira me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Turqinë, Serbinë dhe Greqinë.  Por siç thotë edhe deputetja e Kosovës Alma Lama në letrën drejtuar Z. Erdogan, një gjë e tillë kërkon mirëkuptim të dyanshëm.  "Ne nuk mund t’ju akuzojmë ju për atë që kanë bërë paraardhësit tuaj" thotë deputetja shqiptare, "por në momentin që na kërkoni që ne të ndërrojmë historinë, që të zezës t’i themi e bardhë, të përgjakshmes lulëzim, në momentin pra kur ju nuk distancoheni nga prapësitë e paraardhësve tuaj, por përkundrazi na kërkoni që edhe ne t’i shohim me sytë tuaj, atëherë mos pritni prej nesh mirëkuptim."

Duke shprehur ato që unë mendoj se janë ndjenja të shumicës së shqiptarëve kudo, deputetja e Kuvendit të Kosovës, në letrën e saj drejtuar Kryeminstrit Erdogan thotë gjithashtu se, "Ne si komb kemi luftuar shumë hegjemoninë e të tjerëve, dhe tani që po shijojmë lirinë, kurrsesi s’mund të pranojmë që dikush, sado i fuqishëm, të na e shkruajë historinë sipas qejfit të vet.  Asnjë shtet perëndimor, as ata që na çliruan nga pushtuesi tjetër Serbia, nuk na ka ardhur me një kërkesë të tillë primitive. Primitive, pasi së pari historinë e shkruajnë historianët, jo politikanët, aq më tepër politikanët e vendeve ish-pushtuese; dhe së dyti, sepse bie tërësisht ndesh me fondamentin tonë, iluminizmin dhe të vërtetat që burojnë nën dritën e tij", shkruan deputetja e pavarur në Kuvendin e Kosovës.

Sa ironik është fakti që Kryeministri i Turqisë, pasardhëse e Perandorisë Otomane, Z.  Rexhep Taip Erdogan kërkon të shkojë në Prizren së bashku me dy kryeministrat shqiptarë, aty në Prizrenin e Abdyl Frashërit, aty në zemrën dhe në shpirtin e Lidhjes së Prizrenit, aty ku shqiptarët e të gjitha krahinave i deklaruan botës së ka Shqiptarë  dhe se ka Shqipëri, aty ku u dha kushtërimi për bashkim qëllimi  e ideje.  Sado tërheqse që të jenë premtimet  për ndihma financiare dhe investimet nga të huajt, siç ka thënë edhe Midhat Frashëri me një rast, “Përpjekja për Atdhe nuk është si puna e ryshveteve, që njeriu bën hesap a del a s’del, behet hesap a fitohet a humbet -- por jo në çështjen kombëtare.”

Në takimin e Prizrenit me kryeministrin turk, kryeministrat shqiptarë duhet të jenë të vetdijshëm dhe ndërgjegjës ndaj parimeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që shqiptarët pas pesë shekuj robërie, më fund të vendosnin vet fatin e tyre, që të shpëtonin Shqipërinë dhe Shqiptarët.  Obligimet e tyre morale dhe politike ndaj këtyre parimeve si përfaqsues të kombit shqiptar sot, janë po aq të rëndësishme dhe historike sa ç’ishin edhe më 1878.



(Vota: 16 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: