Flet këngëtari i mirënjohur shkodran, Pellumb Vrinca
| E Marte, 22.10.2013, 07:50 PM |

Flet këngëtari i mirënjohur shkodran, Pellumb Vrinca: Këngët e mia janë himn në Kosovë

“Kurrë s’i ndan shqiptarët kufiri”, kënga himn në emigracion

Një artist i vërtetë duhet të respektojë ata që gjen dhe ata që vijnë

Nga Albert ZHOLI

Pellumb Vrinca djali simpatik dhe i zgjuar, me një talent të lindur prej vitesh, jetoi dhe punoi jashtë vendit. U integrua fuqishëm në jetën e vendeve europiane, por për asnjë moment nuk e harroi vendin ku lindi dhe u rrit. Me dëshirë dhe pasion ai u kthye një ditë i përgatitur më shumë se kurrë për të bërë atë që gjithë jetën e kishte ëndërruar dhe i kishte munguar për vendin e tij, Shqipërinë . Me vështirësi dhe sakrifica, me punë dhe pa pushuar asnjë sekondë u shfaq në skenë dhe në ekran, me zërin brilant dhe shumë të veçantë i hyri rrugës së bukur të artit, muzikës, pasionit të tij të madh e për të mos e lënë kurrë më. Janë shumë këngë të bukura, shumë hite, të cilat kanë bërë përshtypje të veçantë tek publiku. Shumë fansa dhe njerëz të moshave të ndryshme që e duan dhe e pëlqejnë këngëtarin Pellumb Vrinca shprehin për të konsideratat më të mira. Me një karrierë të gjerë artistike, prej vitesh, ai çdo ditë e më shumë vazhdon ta mbajë publikun me këngë të reja duke i shpërblyer në një farë mënyre për mbështetjen dhe vlerësimin.

-Kur e filluat rrugën e bukur të këngës?

Kur lind me këtë karakteristikë nuk e ka një fillim fiks. Pasi unë, qysh fëmijë, kam kënduar gjithmonë, në çdo kohë, kënga ka qenë e pandarë, ilaçi më i mirë i shpirtit dhe i zemrës sime.

-Kush ju zbuloi si talent?

Nga pasioni dhe dëshira e madhe që kisha për këngën, vendosa të kontaktoj kompozitorin Fran Kodra i cili është edhe këngëtar, biseduam dhe i thashë që kam dëshirë të realizoj si fillim 2 këngë. Kënduam disa këngë dhe në bisedë e sipër më tha që keni një zë shumë të veçantë, që është unik edhe kjo ka shumë rëndësi për një artist ...

-Cila është kënga juaj e parë dhe ku e keni kënduar?

Kënga ime e parë është kënga me titull “Dashuri me hile”, e shkruar dhe kompozuar nga Fran Kodra. Ajo ishte kënga ime e parë në vitin 2005, të cilën e kam kënduar në folk 2005, një eveniment ky i përvitshëm që organizohet me rastin e festave të fundvitit. Një eveniment që tashmë ka marrë përmasa të mëdha dhe ka mbështetje të plotë nga Ministria e Kulturës

-Sa këngë keni në repertorin tuaj?

Në repertorin tim kam rreth 40 këngë. Janë shumë këngë të cilat janë të kënduara vetëm nga unë.

-Ju këndoni këngë të muzikës popullore, balada, cilat këngë ushtroni më shumë?

Unë këndoj këngë popullore, balada si dhe këngë folklorike tradicionale

-Sot cili është mendimi juaj për Festivalet në RTSH?

Festivalet kanë shumë rëndësi. Mbeten aktivitetet, ku promovohen vlerat e artistëve, si dhe në mënyrë të veçantë shërben për lançimin e këngëtarëve të rinj. Festivalet në RTSH kanë një nivel të mirë organizativ dhe është një mundësi shumë e madhe që u jepet artistëve për të promovuar vlerat e tyre

-Këngët tuaja janë himn në Kosovë, pse?

Unë i këndoj Kosovës dhe gjithë Shqipërisë.  Unë vij nga Dukagjini i Shkodrës dhe të kënduarit, tradita dhe në shumë elementë të tjerë jemi shumë të përafërt me Kosovën. Këto ditë po punoj për realizimin e një kënge të shkruar nga Gjovalin Dusha, e cila në thelb ka luftën e Kosovës dhe vuajtjet e saj. Kosova më do, por edhe unë e dua shumë Kosovën, Shqipërinë dhe çdo truall etnik.

-A je ndodhur ndonjëherë keq në skenë?

Normalisht, si çdo këngëtar edhe unë kam pasur momente të mira, edhe më të mira, por që të gjendem keq, jo, pasi skena ka magji, ka një efekt fantastik që kur gjendesh para publikut harron gjithçka. Është e papërshkrueshme, nuk thuhen dot me fjalë emocionet, pasi ato janë të mëdha..

-Keni xhelozi ndaj shokëve këngëtarë?

Jo, nuk jam aspak xheloz, pasi unë nuk zë vendin e askujt dhe vendin tim nuk e zë dot askush. Secili e ka te veçantën e tij. Unë i pëlqej këngët e kolegëve dhe i dëgjoj me shumë dëshirë. Një artist i vërtetë duhet të respektojë ata që gjen dhe ata që vijnë.

-Cilat këngë pëlqehen më shumë nga repertori juaj?

Këngët që unë këndoj janë të ndryshme dhe të gjitha janë tema sociale. Me pak fjalë, janë këngë që njerëzit i kanë jetuar dhe vazhdojnë t’i jetojnë. Ato më të suksesshmet normalisht janë këngët e dashurisë.

-Me cilët këngëtarë bashkëpunoni?

Kam bashkëpunuar me dy këngëtare. E para është Florjana Shtylla, me këngën me titull “Fjalët e zemrës” si dhe bashkëpunimi i dytë është me këngëtaren Marie Lajçaj. Me Marien kemi kënduar këngën me titull “Kurrë s’i ndan shqiptarët kufiri”, një këngë e cila është hit në Kosovë, Maqedoni dhe kudo ku ka shqiptar.

-Cili është kompozitori dhe autori i teksteve që bashkëpunoni rregullisht ?

Dora që më ka mbështetur gjithmonë është Fran Kodra. Këngët e mia, më së shumti, i ka kompozuar Fran Kodra tekstet dhe muzikën. Por kam bashkëpunuar edhe me tekstshkruesin Qazim Çela, si dhe disa këngë janë me tekst dhe muzikë të miat, orkestrimet janë realizuar nga Luan Dagistani, Edmond Zhulali, Roland Guli, si dhe Roland Çukaj. Gjej rastin t’i përshëndes të gjithë dhe t’i falënderoj përzemërsisht.

-Me kë shoqëroheni më shumë, me femra apo me meshkuj dhe pse?

Profesioni që kam, më bën të shoqërohem edhe me femra edhe me meshkuj. Por e konsideroj veten me shumë fat, pasi kam një shoqëri shumë të mirë si meshkuj ashtu edhe femra.

-A ka moshë ky profesion?

Po, si çdo gjë e ka një kohë edhe ky profesion kështu mbetet. Por dua të them se këngëtari ka jetëgjatësi më shumë në skenë, në raport me disa profesione të tjera arti. Por shpirti artistik besoj se nuk plaket.

-Cilat këngëtare me famë botërore janë idhull për ju?

Nuk mund të them se ka një apo dy, janë shumë artistë që unë i pëlqej shumë, për shembull-Adriano Çelentano-Bob Marley-Queen-Michael Jakson.

-A jeni i dashuruar? Një përkufizim për dashurinë?

I dashuruar, jo, por kjo nuk do të thotë që nuk bie në dashuri.... dashuria është art dhe të gjithë ata njerëz që dashurojnë janë artistë, janë artistët e jetës

-Jeni supersticioz?

Jo, nuk jam.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: