Alma Lama: Letër e hapur kryeministrit të Turqisë
| E Hene, 21.10.2013, 08:39 PM |

Letër e hapur kryeministrit të Turqisë, me rastin e vizitës së tij në Kosovë

Nga Alma Lama

I nderuar z. Erdogan,

Po ju shkruaj këtë letër të hapur me rastin e vizitës suaj në Kosovë. Prej ditësh këtu është proklamuar vizita juaj, me rastin e inaugurimit të Aeroportit të Prishtinës, ku firma e cila e ka marrë këtë aset është turke dhe ka qëlluar që pronari i saj të jetë edhe dhëndri juaj. Gjëra që ndodhin në politikë, por unë do ta lë me kaq këtë çështje pasi nuk është objekt i kësaj letre të hapur.

Më lejoni fillimisht përpara se të hyj në temë t’ju falënderoj për mikpritjen që shteti juaj më ofroi mua, si pjesë e delegacionit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, gjatë një vizite që zhvilluam rreth një vit e gjysmë më parë. Mbeta e impresionuar në fakt me gjithë gatishmërinë e krerëve më të lartë të shtetit tuaj, përfshirë presidentin dhe ju, për të na rezervuar kohë, takime. Patëm edhe mundësinë të shohim edhe pjesë të kulturës së vendit tuaj, historinë, zhvillimin etj. Më kujtohet që ju z. Kryeministër sapo kishit kaluar një operacion dhe shëndeti juaj nuk ishte në gjendjen më të mirë, por megjithatë na e rezervuat më shumë se një orë, në pallatin qeveritar në Stamboll, dikur pallat i sulltanit. Dhe këtë akt tuajin unë dhe delegacioni në të cilin bëja pjesë e çmuam dyfish, pasi tek e fundit nuk ishte as takim në nivel të kryeministrave.

z. Erdogan,

Përtej mikpritjes suaj, gjuhës “vëllazërore”, përtej atmosferës që përpiqet të krijojë diskursi se ne si popuj jemi të afërt sepse na ka lidhur historia, unë personalisht u ktheva në Kosovë me një shije jo fort të mirë. Disi u hidhërova. E kam mbajtur për vete këtë hidhërim, mirëpo sot, pas zhvillimeve që do t’i shpjegoj më poshtë, jam e bindur se fjala ime e hapur shërben më shumë se fjala e ruajtur në dry, për hir të diplomacisë.

Mbeta e hidhëruar sepse gjatë takimit me ju, prej më shumë se një orë, çështja kryesore e cila u diskutua ishte xhamia në Prishtinë. Ndërtimi i xhamisë për të cilën u bë shumë zhurmë në Prishtinë, më së shumti nga radikalët dhe profiterët e fesë, erdhi e rierdhi disa herë në bisedë, në formën e pyetjes dhe kërkesës nga ana juaj.

Kreu i delegacionit u detyrua të shpjegojë se toka për këtë ishte ndarë. Natyrisht ju nuk kishit detaje për këtë çështje, sepse jeni kryeministri i një vendi tepër të madh, por edhe vetë xhamia në Prishtinë, unë mendoj se do të duhej të ishte një detaj që nuk duhet t’ju interesonte fare.

Pritshmëria ime lidhje me tema të tjera në fakt, si p.sh. thellimi i bashkëpunimit në fushën ekonomike, lufta e krimit të organizuar dhe rrugëve të trafiqeve, bashkëpunim në fushën e legjislacionit edhe pse ne modelet i marrim nga BE-ja, e po kështu si shtet i madh e me ndikim në rajon pse jo një influencë më e madhe diplomatike në raport me fqinjin tonë problematik, Serbinë, që është një partner goxha i rëndësishëm për Turqinë, së paku sipas deklarimeve tuaja dhe të bilancit tregtar që zhvilloni me të. Në fakt ne i jemi mirënjohës kujtdo që punon sado pak, apo ushtron influencën e tij për të na e hequr qafe Serbinë.

Nga ky takim mora vesh gjithashtu se edhe kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës z. Naim Tërnava kishte ardhur tek ju dhe ishte ankuar për punën e xhamisë. Nuk kisha se si të mos ndihesha e çuditur dhe e tradhtuar nga ky njeri i cili ka shkuar të ankohet te kryeministri i një vendi tjetër, për një punë që duhej të zgjidhje me Komunën e Prishtinës.

Përveç pamaturisë dhe gafës së madhe të Tërnavës, me thënë të drejtën unë kërkesën tuaj apo parashtrimin tuaj për ndërtimin e xhamisë e përjetova edhe si ndërhyrje nga ana e shtetit tuaj në punët e brendshme të Kosovës.

Le të më korrigjojë dikush nëse e kam gabim.

Por sikur të mos kishte mjaftuar ky takim me kryetemë xhaminë, në takimin e radhës me kryediplomatin e Turqisë, z. Davitoglu, një intelektual i shquar në vendin tuaj, por me teoritë e të cilit për neootomanizmin, e thënë e zeza mbi të bardhë në librin e tij “Thellësia Strategjike” apo edhe në disa fjalime në vendet e rajonit, çështja e xhamisë na mbiu sërish.

Fillimisht ministri i Jashtëm përshkroi gjerë e gjatë dashurinë e tij për qytetin e Prizrenit. Përshkroi rrugët dhe ndërtesat me një hollësi sikur të kishte kaluar fëmijërinë në to, duke shënuar e nuancuar me admirim hiret e këtij qyteti, një pikturë të madhe të të cilit e mbante pikërisht në zyrën e tij, bashkë me një pikturë të një qyteti tjetër të preferuar, atë të Mostarit.

Ndjeva xhelozi për Prizrenin, njësoj si për të dashurin, kur dikush tjetër kërkon të ta marrë. Askush i huaj nuk mund ta dojë Prizrenin më shumë se unë. Kurrë!

Në këtë takim xhamia jo vetëm që doli në tryezë, por u shoqërua edhe me shkaqet e ekzistencës së katedrales, e cila “nuk mund të mbushet nga besimtarët”.

z. Erdogan,

Ne në Kosovë, por shqiptarët edhe më gjerë jemi shumë të interesuar të kemi raporte të mira me shtetin e sotëm turk pavarësisht nga e shkuara jonë e hidhur. Krijimi i raporteve të mira do të thotë në radhë të parë respekt reciprok, do të thotë respektim i kulturës dhe traditës së tjetrit.

Ne, si ish-pjesë e perandorisë turke, të pushtuar prej saj jo vetëm politikisht por edhe kulturalisht e fetarisht, para një shekulli bëmë përpjekje të jashtëzakonshme si komb për të rilindur vetveten. Ia dolëm. Sfida numër një për ne ishte pikërisht feja. Vendosëm që asaj të mos i jepnim rëndësi të dorës së parë, por kombi të ishte formula jonë e ekzistencës. U përcaktuam për këtë dhe ecëm përpara. E kundërta do të na kishte fundosur. Ashtu sikurse mund të na fundosë tani, nëse ne nuk tregohemi të vëmendshëm.

Ne nuk kemi asnjë të drejtë t’ju gjykojmë ju dhe partinë tuaj për agjendën islamike të cilën e keni proklamuar hapur, i takon popullit të Turqisë ta bëjë këtë vlerësim, mirëpo unë personalisht dhe si unë ka me mijëra shqiptarë, nuk mund të heshtnim nëse këtë agjendë ju apo kushdo tjetër do të përpiqet ta shtrijë edhe në Kosovë. Unë i kam parë shenjat, diçka e tillë po ndodh, islami politik ka nxjerrë kokën edhe në Kosovë dhe po bëhet gjithnjë e më agresiv.

Prandaj po ju shkruaj për t’ju thënë se agjenda islamike për ne është helm. Ky helm e kontaminon botëkuptimin tonë për fenë, bashkëjetesën që e kultivuam prej shekujsh, respektin për fenë e tjetrit. Dhe në rast se ju na konsideroni vëllezër, ashtu siç jeni shprehur, mos na e sillni atë helm këtu.

Përkundrazi, unë nga shteti juaj, të cilin e konsideroj sot shtet mik, pres ndihmë në betejën që ne vetë duhet të ndërmarrim për të luftuar organizatat dhe fondet e dyshimta, që nën petkun e humanizmit sollën në Kosovë pas luftës edhe rrymat më fanatike e ekstreme të islamit, që për mua dhe jo vetëm, janë në kundërshtim me vetë këtë fe. Sot ata po na indoktrinojnë të rinjtë, po shfrytëzojnë varfërinë tonë ekstreme, mungesën e edukimit të mirëfilltë dhe dobësitë e shtetit të ri të Kosovës, i cili nuk ka kapacitete të mjaftueshme t’i luftojë.

E në fakt një shtet i fuqishëm si i juaji, do të mund të na ndihmonte më shumë se kushdo tjetër unë besoj se e keni dijen, eksperiencën dhe mundësitë për ta bërë këtë.

Unë dhe gjithë shqiptarët jemi të interesuar për raporte të mira me Turqinë e sotme, edhe pse ajo është trashëgimtare e një perandorie që ne na mbajti nën pushtim rreth 500 vite. Ju mund të keni një qëndrim tjetër për pushtimin, por unë personalisht jam rritur me rrëfime për vajzat tona të reja që dikur hidheshin nga shkëmbinjtë për të mos rënë në duart e ushtarëve turq, se si kullave të të parëve të mi, iu është vënë flaka disa herë nga këto pushtues, sesi mijëra shqiptarë merreshin e dërgoheshin nizam, duke lënë shkretë shtëpi e katandi, e duke luftuar nëpër toka të huaja për interesa të perandorisë.

Ne nuk mund t’ju akuzojmë ju për atë që kanë bërë paraardhësit tuaj por në momentin që na kërkoni që ne të ndërrojmë historinë, që të zezës t’i themi e bardhë, e përgjakshmes lulëzim, në momentin pra kur ju nuk distancoheni nga prapësitë e paraardhësve tuaj, por përkundrazi na kërkoni që edhe ne t’i shohim me sytë tuaj, atëherë mos pritni prej nesh mirëkuptim.

Ne si komb kemi luftuar shumë hegjemoninë e të tjerëve, dhe tani që po shijojmë lirinë, kurrsesi s’mund të pranojmë që dikush, sado i fuqishëm, të na e shkruajë historinë sipas qejfit të vet. Asnjë shtet perëndimor, as ata që na çliruan nga pushtuesi tjetër Serbia, nuk na ka ardhur me një kërkesë të tillë primitive. Primitive pasi së pari historinë e shkruajnë historianët, jo politikanët, aq më tepër politikanët e vendeve ish-pushtuese; dhe së dyti, sepse bie tërësisht ndesh me fondamentin tonë, iluminizmin dhe të vërtetat që burojnë nën dritën e tij.

Sado i fuqishëm të jetë, askush nuk mund ta ndryshojë të shkuarën, ajo është arbitrare, edhe kur dikush palos fletë mbi të, një ditë ajo i shqyen pa mëshirë, madje edhe në shoqëritë e mbyllura.

E ne në Kosovë po përpiqemi të ndërtojmë diçka tjetër, një shoqëri të hapur, ku logjika e absolutizmit shpesh e mishëruar edhe tek feja, ia lë vendin logjikës kritike, konkurrencës së ideve dhe dekonstruktimit të ideologjive.

Prandaj, duke ju uruar mirëseardhje në Kosovë me datë 23 tetor, si kreu i një shteti me të cilin na lidhi një e shkuar fatkeqe, shpresoj që kjo vizitë të bëhet me qëllimin për të ndërtuar një të ardhme fatmirë.

Me respekt

Deputete e pavarur në Kuvendin e Kosovës


Zëri

(Vota: 35 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: