Dedë Preqi: Një nyje e çeliktë shekullore e kombit
| E Shtune, 19.10.2013, 07:19 PM |

NJË NYJE E ÇELIKTË SHEKULLORE E KOMBIT

-Akademik Mark Krasniqi, 1920-

Nga Dedë Preqi

Mark Krasniqi lindi në fshatin Gllaviqicë (Shëngjon) afër Pejës, me 19 tetor 1920, kreu filloren në fshatin e lindjes dhe gjimnazin në Prizeren, ka studiuar Letërsinë në Universitetin e Padovës dhe ka studiuar Gjeografinë dhe Etnografinë në Universitetin e Beogradit. Ka qenë redaktor dhe gazetar, ka punuar në Akademinë serbe të Shkencave në Beograd, si asistent dhe mandej bashkëpunëtor Shkencor. Mark Krasniqi ka doktoruar në Universitetin e Lubjanës në vitin 1960, dhe prej vitit 1961-81, ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, deri sa pushteti serb e përjashtoj nga procesi mësimor. Profesor Marku, ka qenë disa herë dekan dhe prodekan në Fakultetin Juridik-Ekonomik, ka qenë nënkryetar dhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Në vitin 1970, Marku ishte kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, dhe kohën e fundit profesor Marku ishte kryetar i parë i Partisë Demokristiane Shqiptare të Kosovës (afër 19 vite), si edhe dy mandate ishte deputet i Parlamentit të Kosovës.

Akademik Mark Krasniqi, është njeriu i cili marshoi gadi një shekull jete, dhe përjetoj shumë sfida në të kaluarën, që nga Lufta e Dytë Botërore, kur shqiptarët e vuajtën si askush tjetër dhe deri te lufta e fundit serbo-sllave e vitit 1999, kur Kosova u çlirue nga kjo kulqedër gjakpirse dhe deri në realizimin e pavarësisë së  saj në vitin 2008. Në sëcilën periudhë njeriu është i konfrontuar me fatin e tij, por edhe gjatë sfidave ai mëson dhe bëhët imun nëpërmjet vuajtjeve, ashtu edhe akademik Mark Krasniqi në jetën e vet ka përjetuar që nga fëmijëria në kushte dhe rrethana të ndryshme dhe jetën nën thundrën e kohës dhe ndikimin e atyre fuqive që kërcënonin e robëronin popullin shqiptarë, por asnjëherë nuk heqi dorë nga parimet kombëtare dhe të bëhëj lodër e tyre, apo të shëndërrohej në formë të një shërbëtori tipik, por gjithnjë këtë lloj barbarie e luftoj me fuqinë intelektuale dhe pikparjet tjera atdhetare, duke ruajtur identitetin kombëtar, si parim njerëzor dhe shpirtëror.

Për kombin e vet flijohen shumë njerëz, dhe flijimi ka vetëm një emër të shenjtë dhe të shtrenjtë, që mund të quhen martir, dëshmor dhe hero, vlera e të cilëve nuk mund të krahasohet me diçka tjetër, por krahas këtyre dëshmive ka edhe një emër tjetër, për njerëzit që i kontribuojnë vendit dhe popullit të vet pa luftën e armatosur, vetëm me armën e mendjes dhe pendës, që mund të emërohen si idhuj, apo idole kombëtare të gjalla, sikur që ishte Presidenti Rugova dhe shumë të tjerë, duke mos e harruar edhe bashkëpunëtorin i tij të ngushtë akademik Mark Krasniqi, i cili ky i fundit, me 19 tetor të këtij viti i rrumbullakson 93 vjetë jete.

Kur luftohet e vdiset për atdhe është diçka hyjnore, por edhe kur punohet për atdhe me zemër dhe shpirt është sakrificë njerëzore, prandaj njerëzit e tillë të kombit në gjitha mënyrat, që  flijohen për komb dhe atdhe, ata e meritojnë të jenë gjithherë të pranishëm në mesin e njerëzve dhe pasardhësve të tyre, në sheshe dhe shkolla, por edhe në Institucione, në mënyrë që të na bien në sy dhe të përkujtohen më lehtë, për tu mos harruar kurrë.

Përveq se njeriu përmes të cilës me aktivitetet e veta intenzive e gjenë rrugën e jetës dhe kuptimin e saj, ekziston edhe një rrugë tjetër e cila përndryshe nuk e lë të qetë, dashuria e atyre që është e pa zavendësueshme dhe të gjallët e kanë ndjenjën e respektit dhe të kuptimshmërisë, por edhe si obligim moral, që vlerën e njerëzve me karaktere të dyfishta atdhetare, ta  çmojnë dhe nderojnë, si plotësim i asaj që njeriu e bartë tërë jetën e vet si shembëll i qenjës njerëzore në lidhshmëri me interesat e përgjithshme kombëtare, që përmes tij sëndërtohet e ardhmja e pasardhësve tjerë.

Ashtu, edhe profesor Mark Krasniqi, i cili në jetën e vet kreu shumë obligime të rëndësishme akademike, letrare dhe politike, ky kolos iu qas edhe një obligimi tjetër, që kishte karakter historik, moral dhe patriotik, të kujdesej për njerëzit e mëdhenj të kombit, për ata, që na bëjnë të ndjehëmi shqiptarë, për ata, që na bëjnë të jemi të denjë për Shqipërinë etnike, si proces i vazhdueshëm i përpjekjeve tona dhe përpjekje e vetëdieshme me ligjet e domosdoshme të vetëmbrojtjes së qenjës kombëtare.

Akademik Mark Krasniqi, së bashku me ideatorin e pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën dhe me shumë veprimtarë të tjerë e miqë të diasporës shqiptare, arritën ta sjellin Gjergj Kastriotin-Skënderbe, në Prishtinë, dhe çfarë domëthënje ka kjo iniciativë, se ky hero i kombit nuk është vetëm i Krujës, Tiranës dhe Lezhës, por është edhe i Prishtinës, Shkupit, Tetovës e Preshevës dhe i gjithë popullit shqiptarë, si hero i gjithë kombit tonë ku do që gjindet. Pas 600 viteve, vie heroi i kombit të vizitojë bashkëkombasit e vet, dhe të bëhët pjesë e pa ndarë e këtij populli, që e ndanë dhe e copëtuan barbarët e kohës, pa mëshirë dhe pa të drejtë. Akademik Mark Krasniqi, më këtë deshi të tregojë,  se hallka më e fuqishme dhe më e qëndrueshme e bashkimit kombëtarë bëhët në këtë mënyrë, sepse Gjergj Kastrioti-Skënderbe, i priu i pari idesë së krijimit të shtetit të pavarur shqiptarë, i cili identifikon shqiptarët me mosnënshtrimin e tyre kundër armikut, dhe për mes kësaj figure të pa tjetërsueshme shprehët realiteti i historisë së djeshme, për të ekzistuar e sotmja dhe e nesërmja shqiptare.

Heroi i gjitha kohërave historike shqiptare Gjergj Kastrioti –Skënderbe, pothuaje se nuk dëshironte ta trazonin, se mjaftë kishte trazime për 25 vite luftime kundër barbarisë osmane, edhe pse e ndiente një farë shushërime dashurie që e thërrisnin të gjitha vendet shqiptare, po ashtu edhe  Kosova Dardane, që të jetojnë së bashku gjithmonë, duke arritë me vonesë në këtë vend, por në kohën më të duhur, me 28 nëntor të vitit 2001, arriti bashkë me një ushtri të madhe, por jo me atë ushtrinë tij luftarake që triumfonte në beteja, por me një ushtri të urtë dhe paqësore, të cilëve u printe Presidenti i madh historik Ibrahim Rugova, me ç‘rast u shënue edhe një  kapitull në historinë shqiptare, sepse erdhi prisi i shqiptarëve të jetojë gjithmonë me gjithë shqiptarët ku do që janë, si dhe në Dardaninë e lashtë historike dhe heroike.

Dikur në tokën e Kosovës, sunduan shumë sulltana e sllobodana, por tani ata do të qëndrojnë largë nga ky vend, sa qëndron dielli e hëna. Prandaj, Akademik Mark Krasniqi, nuk deshi të tregoj se Gjergj Kastrioti-Skënderbe, ishte nga origjina e një përkatësie fetare, por më këtë iniciativë të shembullit të një atdhetari të denjë, tregoj unitetin e shqiptarëve, të cilët nuk i ndanë dhe i dallon feja, por kombin  e kanë fe e atdhe.

Akademik Mark Krasniqi, nuk është vetëm një historian, apo gjeograf, nuk është vetëm një letrar, të cilin e çmojnë fëmijët shumë, por profesor Marku është një ideolog i shkëlqyer dhe nyje e çeliktë kombëtare, por edhe një kryeneq, i cili nuk kursej konfrontime dhe komentime të shumta me profesorët dhe akademikët e Shkencave të Serbisë, me të cilët u ballafaque disa herë dhe bëri luftë intelektuale, duke ua treguar shumë qartë qështjen shqiptare dhe rrolin e tyre, si edhe mospajtimin e shqiptarëve me robërinë e sllavo-komunizmit dhe idelogjinë e saj të vjetër kundër shqiptarëve. Urojmë që profesori Mark Krasniqi, të jetojë plot një shekull jete, me shëndet të mirë dhe mendje të kulluar.



(Vota: 18 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: