Fritz Radovani: 70 vjetori i bombardimit të Tiranës (2)
| E Premte, 18.10.2013, 04:57 PM |

13  TETOR  1943

70 VJETORI I BOMBARDIMIT TË TIRANËS

Pjesa II

TRE  NUMRA  13: 13 Tetor, ora 13 e 13 minuta...

Nga Fritz RADOVANI

Mbas një viti nga bombardimi i Tiranës, me 29 nandor 1944, u vesh me të zeza e gjithë Shqipnia! Aleatët bane bombardimin e dytë, tue zhytë jo vetem Tiranën, po gjithë Shqipninë në gjak dhe terror. Trojet e lirueme Shqiptare në vitin 1941 nga italianët dhe gjermanët u ripushtuene nga jugosllavët komunistë të Titos, tue i shtue atyne Trojeve edhe Shqipninë nanë e mbetun nga viti 1913, në dokumentat nderkombtare...

Thirrja e parë e terroristit Enver Hoxha, nepermjet dokumentave të PKSh, që kje formue nga mercenarët jugosllavë të Titos ishte: “Përpara, gjithënjë përpara që të fitojmë e të Hakmerremi!” E nder rrugët e Shkodres ndigjohej kanga: “Hakmarrje...rini!”

Po, “hakmarrje” ndaj forcave nacionaliste në Jug, dhe “hakmarrja” vazhdon në Malet e Veriut kunder Prekë Calit, tue vra mbi 118 Burra Malësorë nga Kelmendi ynë, dhe trupat e Tyne tue i tretë nder prroska ashtu si kishte urdhnue “shoku” komandant.

E bishat partizane me “yllin e kuq” në ballë fillojnë vrasjet, kontrollet e shtëpive, magazinat e tregtarëve, plaçkitjet e mallit e deri tek arkat e grave shkodrane. Vetem në qytetin e Shkodres në vitin 1946 funksionojnë 26 hetuesi, podrume torturash, rrahjesh, masakrash, dhunimesh, shnderimesh, vrasjesh, hudhje nga dritaret, mbetje burrash nder korrente elektrike, sjellje në hell mbi zjarrin e vdekjes per me zbatue porosinë e PKSh dhe udhëheqësit të saj barbar, katil dhe anadollak “hakmarrje” ndaj Veriut... Atij Veriu që partizanët i këndonin edhe kangen e tyne kur kanë hy në Shkoder me 29 nandor:

“...Luaje Emine këmbën, se do t’ ia q...Gegës nënën!”...dhe vazhdonin vrasjet...

Vetem nga viti 1944 e deri në dhjetorin 1945 deklaron avokat Paulin Pali, janë vra nder këto qendra masakrash mbi 500 vetë në qytetin e Shkodres, pa shenue këtu ata fatzezë që janë pushkatue e vra nder male, në luftë kunder okupacionit komunist.

Filloi plaçkitja e dyqaneve të Pazarit të Vjeter të Shkodres, torturimi i tregtarëve, marrja e rrezervave të arit dhe mallit dhe kalimi i tij tek pronarët e rijë në Beograd dhe në Moskë, ku kujtohen nder dyqanet e tyne mallnat tona me firmat “Ulqinaku” etj...

E ndoshta, ky mall nuk ka aspak vlerë perballë veprave të artit, muzeumeve dhe bibliotekave të marruna me dhunë nder familjet e kenuna shkodrane apo objektet e kultit fetar, që u rrafshuen perdhe nga urrejtja e fanatizmi me parullen “hakmarrje”!

Vinin partizanët e kontrollonin shtëpinë deri nder hatlla, merrnin çka donin ata, dhe pa kalue java vinte letra e shtetizimit shtëpisë, tokës apo edhe e daljes nga prona... Arrestimet dhe burgjet ishin “pusat” ku shkonte vlera e mallit mbetun pa u shtetizue. Ishin “pusa” që perpijshin gjithshka në pafundsinë e tyne mbi 30 apo 40 vjeçare nder mjaftë shtëpi, një prej të cilave asht kenë edhe truelli i Babes tim, viktimë bombardimi po, por edhe i dënuem mbas vdekjes nga komunistët, që edhe pse la tre jetima të mitun, ma i madhi fëmijë Alfonsi, 11 vjeç (në vitin 1943), nuk perfitueme asnjë ditë pension dhe u trajtuem të deklasuem e shpeshë edhe në shenjester të “hakmarrjes” komuniste!

Po, sa familje ishin të tilla në gjithë qytetin e Shkodres? – As nuk mund të dihen kurrë ata që u perfshinë në “luften e kllasave” dhe ishin objekti i “hakmarrjes”...

***

Kur Nana u kthye në Tiranë me marrë plaçkat e shtëpisë, kishte gjetë oren e rame permbys dhe të thyeme tek dhoma e fjetjes... Kishte mbetë në momentin e bombardimit dhe hagrepët tregonin se,... ishte kenë fiks 13 e 13 minuta, e datës 13 Tetor 1943...

Dhe, me të vertetë ajo “13”... na ka ndjekë per 47 vjetë...

●“Historianët” tanë nuk duhet të jenë dakord as me këte 13 – të...

13–ta, e parë asht ajo e Esad Pashës, që na kujton 100 vjetorin e tradhëtarëve...

●Filloi në 1913, kur Esad Pashë Toptani ua shiti Shkodren malazezëve...vazhdoi me Haxhi Qamilin, tue thirrë: “Duam babën...!”, dhe mbas 13 vjetësh tjera, Ahmet Zogu mbasi nenshkroi “marrveshjen me Pashiq”, i “dhuroi” Jugosllavisë “mike” Vermoshin e ...Shën Naumin, “marrveshje” që u “rifreskue” me 14 Tetor 1926, edhe sot në fuqi!

Në vitin 1941, komunistët e Titos gjetën një tjeter kallep terroristi anadollak, që ua rikthej Trojet Shqiptare të Lira të atij viti, që në nandorin e 1944, tue fillue nga Ulqini, Hoti, Gruda, Kosova dhe Maqedonia...dhe, me Ta edhe Shqipninë e vitit 1913...që edhe sot nuk e kuptoi pse quhet me emnin “Shqipni”, kur per 100 vjetë, per aq pak vite sa ishte e “Lirë”, pothuej, nuk asht drejtue asnjëherë nga Shqiptarët!

Me 1 korrik 1946, Tito shperblei Enver Hoxhen me dekoraten “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, me motivacionin e njohun “Tradhëtar i Popullit Shqiptar”!

Motivacion që vazhdon me kenë edhe sot mbi varrin e tij...

Asht po, ajo “dekoratë” që KGB – ruse, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, me anen e ambasadorit Vladimir Tokin, në Tiranën e “kuqe”, me 21 prill 2005 dekoroi Ramiz Alinë, me rastin e 50 vjetorit si agjent i saj!

Ishte edhe 50 vjetori i Masakres së Tivarit, ku roli i tij nuk duhet mohue...

Frano Jakova, i vëllaj i Tuk Jakovës, kur ishte i interrnuem nga vitet 1959, i ka tregue At Frano Kirit se: “Kur Tuk Jakova, e ka pyetë Ramiz Alinë: Po pjesa tjetër e kosovarëve që sollet nga Kukësi, ku ishte vendosë gjatë rrugës për në Shkoder?

- Ramizi i ishte pergjegjë: ‘I vramë si qentë rrugës dhe i hodhëm në Dri e prroska, ...ishin të gjithë kunder nesh!”...

Po Aleatët ku janë!?...

(vazhdon Pjesa III)



(Vota: 30 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: