Mustafë Rugova: Intervistë ekskluzive me sociologen Entela Binjaku
| E Premte, 11.10.2013, 06:00 PM |

TË NJIHEMI MË TEJ ME ENTELA BINJAKUN?

-Me Entela Binjakun, tash e sa kohë jemi miq në Facebook.  Unë prandaj, me shumë kenaqësi i drejtova Asaj këto pyetje dhe mora këto përgjigje si më poshtë vijojnë,  të cilat po i botoj duke qenë i bindur se edhe kjo soj  interviste, do t’ú japi kënaqesi edhe atyre që do të kenë rastin ta lexojnë në revistën tonë të dashur ZemraShqiptare ku Entela mban edhe detyrën e Zv/drejtores-

Ekskluzive nga Mustafë Rugova

Cila jeni ju zonja Entela?

Së pari më lejoni t’ju falënderoj publikisht për këtë ftesë-bashkëbisedim!  Ndjehem shumë e vlerësuar.  Nuk e kisha menduar ndonjëherë këtë intervistë,  por ja që “familja” jonë virtuale, Zemrashqiptare.net  na e krijoi këtë mundësi për t’u shprehur dhe për të ndarë disa mendime me të gjithë miqtë tanë të kësaj faqeje.

Unë jam Entela. E  lindur në marsin e vitit 1977, në qytetin e Fierit. Jam fëmija e tretë në familjen time prej 4 fëmijësh. Prindërit e mi mendoj se nuk kanë qenë dhe shumë të kënaqur me lindjen time, sepse isha e treta vajzë, në përpjekjen e tyre, tipike shqiptare,  për të pasur një djalë. Por, siç prindërit e mi do të thoshin më vonë: unë i bëra shumë të lumtur, sepse pas meje erdhi një djalë, por edhe sepse për ta “kam qenë fëmija që nuk  i shqetësoi kurrë”.

Kam pasur një fëmijëri të qetë, “adoleshencë shpërthyese” siç thotë babai im, dhe një rini të jetuar intensivisht. Një nga fazat e rëndësishme të jetës sime është fëmijëria. Kam shumë kujtime që lidhen veçanërisht me një periudhë disa vjeçare të saj, kur jetoja tek daja im, në familjen e tij që më ka dhuruar shumë dashuri dhe kur, e ndodhur larg familjes sime, kuptova se duhej të ecja me këmbët e mia dhe se  më ishte dhënë një përgjegjësi nga prindërit,  të cilën u mundova ta justifikoj me rezultatet shumë të mira në mësime, me sjelljen etj.

Faza e dytë e rëndësishme është adoleshenca ime, fillimi i viteve ‘90. Vite të turbullta për shumë moshatare të miat, tronditje e disa parimeve, varfëria e madhe por dhe shpresa për një jetë të mirë, të ndryshme nga ajo që kishim pasur.  Vitet ‘95 kur nisa studimet e larta, në Bukuresht, një tjetër përvojë e çmuar, dashuria për dijen, për udhëtimet, ambicia për të qenë “ndër më të mirët”, shoqëria ime në Bukuresht, një pjesë e se ciles i ka rezistuar mirë kohës.  Një përvojë padyshim e pazëvendësueshme që ndikoi shumë në botëkuptimin tim.  Më tej, prej viteve 2000,  jeta në Tiranë, puna  me shumë njerëz. Me ish të përndjekur, me njerëz me aftësi të kufizuar, puna me vajzat e trafikuara, puna me studentët dhe padyshim mas media,dhe së fundmi drejtimi i një  Fondacioni.

Tashmë si një zë autentik i partisë ku jeni inkuadruar, nga ju vjen gjithë kjo energji?

Energjia mendoj se është tipar i natyrës sime, për çështjet në të cilat besoj, unë nuk kursehem dhe energjia lind natyrshëm. Profili i saj, kauza për më shumë qytetari në politikën tonë, njerëzit të cilët kam njohur falë angazhimit në të, janë një burim i vërtetë energjie. Sigurisht edhe vetë angazhimi në një aktivitet që e konsideroj si një shërbim për vendin tim dhe shoqërinë ku jetoj, më krijon të tjera energji.

Partia në të cilen aderoni, çka dallon prej partive të tjera: programi, kryetari, apo të dyja bashke?

Programi, njerëzit që aderojnë në të, bërthama ideologjike e saj. Sigurisht figura e drejtuesit ka ndikimin e vetë pozitiv, që buron që nga profili i tij si ish-presidenti ynë, një figurë që lartësoi atë pozicion të rëndësishëm duke i dhënë shumë edhe nga dinjiteti i tij.

Po të ishit në pushtet, cilin post do të deshironit ta keni në Qeveri?

Kjo është një pyetje shumë e bukur, sepse në fund të fundit, garimi në politikë, synon pushtetin. Por siç e dimë, një garë  prodhon më shumë humbës sesa fitues. Nëse do të isha ndër fituesit, padyshim do të më pëlqente të jepja kontributin tim në ato fusha ku mund të jepja, integrimi, arsimi, kultura dhe çështjet sociale. Pra më shumë sesa një post, do të dëshiroja një përvojë në drejtimin dhe trajtimin, në instanca të tjera,  të atyre çështjeve për të cilat mendoj se mund të jem e aftë.

Me kënd këshilloheni më së shumti. Flisni me vetveten apo është dikush që iu gjendet gjithmonë pranë?

Padyshim që edhe unë kam nevojë të konsultohem, të ndaj mendime të miat, shqetësime apo dhe hezitime. Por jeta më ka mësuar se shpesh herë je e vetme, dhe vetë duhet t’ja dalësh mbanë. Kam edhe unë hera-herës disa çaste të miat të tërheqjes apo ndonjë izolimi ku kërkoj ti’ flas vetes. Familja, disa miq të afërt që koha m’i ka provuar si të shtrenjtë, njerëz që nuk më kanë braktisur edhe në ditët e mia të vështira..ata janë dera e parë ku trokas.

Ç’ka ka në qënjen e liderit Tuaj, që nuk mund ta gjeni tek të tjerët?

Unë kam zgjedhur të jem pjesë e një grupimi politik që drejtohet nga ish-Presidenti Topi, pa u nisur nga terma krahasues me drejtues të tjerë. Unë i jam bashkuar ekipit që ai drejton, me bindjen se tek personaliteti i tij gjej shumë të përbashkëta me atë profil lideri politik që unë kam vlerësuar dhe besuar: i mençur, i qetë, me sfond të admirueshëm akademik, aspak imponues, i komunikueshëm dhe padyshim një produkt i papërlyer i politikës shqiptare.

Cilat janë ambiciet tuaja në të ardhmen?

Në të ardhmen mendoj se do të vazhdoj të kontribuoj në shërbim të shoqërisë përmes sociologjisë. Deri sa pa u angazhuar në politikë mendoja se e ardhmja ime do të mbetej në fushën e sociologjisë së familjes, për të cilën unë vazhdimisht ngulmoj si një nga fushat e rëndësishme të sociologjisë për të cilën ka shumë nevojë tek ne.

Por ndoshta  një program doktorature në shkenca politike do të më ndihmonte dhe më shumë për ta zgjedhur politikën si profesion të së ardhmes. Edhe doktoratura është një projekt i ardhshëm, që dëshiroj dhe synoj ta kryej,  si një investim për të ardhmen time cilado qoftë ajo.

Cila është ajo që në jeten Tuaj private u sjell qetësi?

Mendoj se afeksioni njerëzor që marr me punën që bëj më jep shumë qetësi dhe besim tek vetja. Padyshim edhe dashuria njerëzore që nuk më ka munguar dhe që shpesh herë më ka dhënë forcë të vazhdoj edhe kur jam ndjerë e vetme, e dobët apo kur nuk kam pasur motiv të besoj tek e ardhmja.

Ju keni miq shumë në Shqipëri dhe në Kosovë që me siguri u japin shumë emocione dhe shumë dashuri. A është ky satisfaksion një motiv shtesë që u nxitë të beheni edhe më aktive në jetë?

Po unë ndjehem me fat që kam mundur falë punës sime të njoh shqiptarë të mirë, njerëz të dashur, me vlera të mëdha të intelektit, me shumë origjinalitet si në Kosovë, por jo vetëm.  Une kam miq në Ulqin gjithashtu, në Tetovë e  Strugë… Shkoj e lirisht i takoj, ndjehem si në shtëpinë time…falë tyre. Një pjesë e madhe e këtyre miqësive janë krijuar në këto vite por  dhe janë konsoliduar me kohën, si tregues i sinqeritetit të raporteve tona, dhe si vlerësim për njëri-tjetrin.

A keni qenë në Kosovë, dhe nëse po, si e përjetuat gjysmën tjetër të atdheut?

Sigurisht që po, herën e parë që shkova qëndrova rreth një javë në Prishtinë dhe në Pejë. Pra i dhashë vetes kohë për të shëtitur, për të njohur njerëz të mrekullueshëm të cilët edhe sot kam shumë dëshirë t’i kujtoj,  njerëz që më kanë impresionuar dhe më kanë dhënë shumë krenari për shqiptarizmin e tyre. Mendoj se ndarja është thjesht një ndarje e pakuptimtë. Kështu e kam përjetuar, tërësisht e padrejtë por edhe që e ka humbur kuptimin. Ndjehemi një!

E fundit fare, a e keni parfytyru që në një të ardhme, do të bëhet jetike Shqipëria Etnike, ëndërr kjo e secilit brez, dhe e secilit idealist?

Kjo është një përgjigje që nuk di ta kem sot, kështu si e kërkuat ju, nuk kam përgjigje. Por jam e bindur që tashmë orientimi ynë, destinacioni ynë final është Evropa e Bashkuar. Unë kam kohë që e ndjej se ne nuk jemi të ndarë. Hapësirat tona tashmë janë shkrirë shpirtërisht aq shumë, sa nuk e kupton ku fillon e ku mbaron;  shqiptarët me njëri-tjetrin janë çdo ditë e më  pranë. Por mbetet që ne të punojmë shumë dhe të jemi më vullnetplotë për të mirën tonë dhe të atyre që do të lëmë pas.


-Ekskluzivisht për ZemraShqiptare, Tetor 2013-

(Vota: 35 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: