Entela Binjaku: Të jesh i moshuar në Shqipëri
| E Hene, 07.10.2013, 08:00 PM |

Të jesh i moshuar në Shqipëri

Nga Entela Binjaku

Edhe në këtë rast, nxitja për të shkruar lindi nga një episod i shkurtër i para disa kohëve.  Një grua, e thyer në moshë,  më drejtohet në rrugë, për një program televiziv ku merrja pjesë, “se nuk i shohim dot, nuk na bën zemra, nuk kemi dëgjuar ndonjëherë nga këto gjëra. Pleq jemi, nuk kemi ku të shkojmë, do rrimë t’i shohim”…ishte fjala për një program gjatë të cilit temat që trajtoheshin lidheshin me aktualitetin apo “kronikën” siç i quajnë sot.  Sigurisht tematika e programeve televizive, impakti i tyre në njerëz  mund të jetë subjekt për një tjetër shkrim, por nuk është ky qëllimi në këtë rast.

Të shkruash për të moshuarit nuk është aspak e lehtë, sepse të duhet të vendosësh veten në një situatë, në të cilën nuk dëshiron  të jesh. Mund të kem provuar të jem në shumë gjendje të tjera shpirtërore,  por jo të jem e moshuar. Sepse sipas meje,  mosha është një gjendje shpirtërore, por që fiziku  nuk i vjen shpesh herë në ndihmë.

Mund të jetë e lehtë t’i përshkruash si janë të moshuarit, si jetojnë ata, por sesi ndjehen?? Kjo më duket shumë e vështirë! Vetë nuk ja arrij dot, por dëshmitë e të moshuarve në shumicën e rasteve tregojnë se ata vuajnë pamundësinë e aktivitetit fizik dhe kryesisht problemet me shëndetin.

Të jesh i moshuar në të shumtën e rasteve do të thotë të jesh thinjur, fjalëëmbël, që ke jetuar shumë përvoja në jetë, që vështron më shumë nga e kaluara sesa nga e ardhmja, që ke një shtëpi të mbushur me gjithëfarë lloj sendesh,  që  rri gjithë ditën para  tv, do të thotë  të shëtisësh veshur plot ngjyra, do të thotë të  thotë të kesh rrotull nipër e mbesa, do të thotë të kesh gjithë kohën për të shkuar ku nuk ke mundur të shkosh më parë,  do të thotë të kërkosh ndonjë qendër rehabilitimi nëse nuk ndjehesh mirë etj. etj..

Por të jesh i moshuar në Shqipëri, nuk është tërësisht kështu. Përveç aspektit fizik dhe atij moshor, pjesa tjetër më duket tërësisht e ndryshme nga një i moshuar që jeton diku në Evropë ose në perëndim.

Të jesh i moshuar në Shqipërinë aktuale do të thotë të trishtohesh për ato që nuk mund t’i kesh, por  të mos ankohesh kurrë. Nuk ke ku të ankohesh. Nuk ka kush të të dëgjojë apo të të kuptojë nevojat e tua. Fëmijët?? Nuk kanë as ata mundësi të të plotësojnë ato që natyrshëm të nevojiten.

Të jesh i moshuar në Shqipëri do të thotë të presësh me orë të tëra në disa “dhomëza” të tejmbushura ku shpërndahen pensionet. Shërbimi është i pamjaftueshëm dhe nuk është menduar as për stereotipin e sjelljes së një të moshuari. Po të ishte menduar, nuk do të kishte ato radhë, nuk do të vononte ai shërbim..

Të jesh i moshuar do të thot që po  të jesh i sëmurë, mjekimin nuk e merr asnjëherë të plotë..kushton  aq sa pensioni nuk mjafton. Do të marrësh vetëm ato që mund të rimbursohen nga shteti, por edhe ato janë fare pak. Ose dhe kur janë, i merr me pasigurinë e ndonjë prodhimi që nuk e di nga vjen. Të jesh i moshuar në Shqipëri, nuk e ke as këtë qetësi.

Të jesh i moshuar në Shqipëri do të thotë të ikësh edhe i uritur nga kjo botë, pensioni është aq i pakët sa shumëçka nuk mund as ta mendosh.

Të jesh i moshuar në Shqipëri do të thotë dëshira për të shëtitur të jetë vetëm për disa…të tjerët, shumica,  as nuk e ëndërrojnë. A mos po shkruaj gjë për të varfërit?

Po, të jesh i moshuar në Shqipëri je i varfër. Por kur je dhe i varfër dhe i sëmurë..kush do të gjendet pranë?

Të jesh i moshuar në Shqipëri do të thotë që të vuash mungesën e fëmijëve, dhe fëmijëve të fëmijëve… …nuk ka rëndësi sa larg..por janë larg.. Emigracioni ka prekur thuajse çdo familje shqiptare. Nëse je i moshuar, i varfër dhe  je dhe vetëm...kush do të kujdeset për ty?

Të jesh i moshuar në Shqipëri do të thotë të kesh jetuar më gjatë në atë regjim, por mjaftueshëm edhe në këtë “sistem” që përngjan më  shumë me një regjim njerëzish që shtetin e përdorin  të kujdesen për veten dhe të afërmit e tyre. Ke jetuar mjaft sa të kuptosh sesa të vëmëndshëm kanë qenë ndaj teje.  Në atë regjim jetove varfërinë, por në këtë regjim, veç varfërisë po jeton edhe indiferencën shtetërore. E meqë jemi tek indiferenca,si të mos e quash të tillë kur duke parë si ka ndryshuar struktura familjare, duke pranuar  ndryshimet në mënyrën e jetesës së shqiptarëve, duke ditur sa shumë kanë emigruar, shteti lë në këtë situatë të mungesës së shërbimeve sa e sa të moshuar, të cilët po vuajnë edhe vetminë veç të tjerave.

Aktualisht rreth 1000 të moshuar në vend marrin shërbime në qendra rezidenciale ditore dhe jo ditore, nga sektori publik, jopublik dhe i organizatave jofitimprurëse. Vetëm kaq!

Dhe këto të nuk i gjen gjithandej ku nevojiten, por vetëm të grumbulluara, a thua se nuk jetojnë të moshuar në çdo cep të vendit. Panorama aktuale  e shpërndarjes së shërbimeve  të tilla është kjo:

6 institucione rezidenciale publike për 266 të moshuar në qarkun e Tiranës, Fierit, Shkodrës, Gjirokastrës.

7 Qendra rezidenciale jopublike me 160 të moshuar ku 4 prej tyre janë qëndrat “Misionaret e Bamirësisë Motrat Nënë Tereza” në qarkun e Tiranës, Durrësit dhe Shkodrës. Dy qëndrat e tjera rezidenciale janë qendra që ofrojnë shërbime kundrejt pagesës.

5 shërbime ditore publike për 240 të moshuarit në qarkun Tiranë, Durrës, Vlorë, Kukës dhe Elbasan.  Nga ana e OJF-ve ofrohen 9 shërbime komunitare dhe shërbime alternative për të moshuar që trajtojnë 290 përfitues.

Institucioni përgjegjës për hartimin e politikave sociale në Shqipëri është Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, e cila që prej kësaj fillimvjeshte ka ndryshuar emërtimin dhe drejtimin mbi një filozofi të re të premtuar.

A nuk do të duhej që shërbimi social shtetëror të mos ishte më një gjë kaq e largët? A nuk do të duhej që shërbimi social të vinte edhe në komunitet, pranë dhe në ndihmë të njerëzve në nevojë por që janë edhe të moshuar njëkohësisht?

A nuk do të duhej që të aplikoheshin politika punësimi dhe programe kundër varfërisë të atilla që të ndjeheshin edhe në mënyrën e të jetuarit të një të moshuari?

Po a nuk ka kontribuar mjaftueshëm ky i moshuar shqiptar në atë regjim dhe në këtë “sistem” sa së paku të gëzojë dinjitet njerëzor në këtë pjesë të jetës?

Një studim i fundit i OKB-së deklaron se Suedia është vendi ku një i moshuar jeton më mirë, dhe Afganistani vendi ku një i moshuar jeton më keq. Kjo renditje është bazuar në nivelin e të ardhurave, cilësinë e shërbimit shëndetësor, kushtet mjedisore në të cilat jetojnë.

Unë një të moshuari në Afganistan i shtoj edhe keqardhjen e madhe për situatën e konfliktit në të cilën i duhet të jetojë, por edhe një i moshuar në Shqipëri nuk është dhe aq larg atij realiteti..së paku në këto indikatorë të cilët flasin për mënyrën dhe cilësinë e jetës,  por jo më pak edhe për përvojën jetësore të një të moshuari shqiptar që ka jetuar dhe vazhdon të jetojë në kushte të vështira.



(Vota: 17 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: