Buçpapaj: Në Lozanë kryeqytetin olimpik
| E Hene, 07.10.2013, 07:55 PM |

NË LOZANË KRYEQYTETIN OLIMPIK E BURGDORF 2013

Nga ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ

Voal-online - Mbresat nga udhëtimet që institucionet zvicerane organizojnë me APES janë sa të larmishme aq dhe të pashlyeshme. Si ky i rradhës që organizoi Presence Switzerland, pranë Departamentit Federal të Punëve të Jashtme. Nga natyra, gazetarët janë shtegtarë të përhershëm, por pa stinë të caktuar shtegtimesh dhe pa ligje përkatëse shtegtimesh. Më të veçantët, gjithsesi, jemi ne të APES-it, nga të gjitha anët e botës, nga të gjitha llojet e mediave të sotme, përherë e më të shumëllojshme, veçse me një bosht të përbashkët - sa të bukur, aq dhe të papërsërishtëm – i falemi së vërtetës dhe jetojmë në Zvicër.

Pas çdo udhëtimi ne vazhdojmë të shkëmbejmë fotot dhe regjistrimet që kemi bërë nga veprimtaria jonë e radhës, dita ditës i plotësojmë ato dhe, një ditë prej ditësh, detajet krijojnë një përfytyrim të plotë, reportazhi, eseja, dokumentari, udhëpërshkimi, merr përfundimisht formë. Më shumë se subjektive, veçanësitë e akteve të tilla krijuese, janë objektive. Sapo bashkohemi në një veprimtari, sekush nga ne fluturon në një tjetër veprimtari, në një kënd tjetër të rruzullit, me shërbim të ngarkuar nga qendra apo diku me pushime stinore apo vjetore.

Kjo e shpjegon mirëfilli edhe faktin që përbërja e ekipeve tona, nga njëri udhëtim në tjetrin, është e ndryshme, nganjëherë shumë e ndryshme. Jo se nuk do të donim të konfirmonim pjesëmarrjen e plotë në të gjitha udhëtimet, por thjesht pse axhendat e këtyre udhëtimeve jo gjithherë përkojnë me axhendat tona. Kësaj radhe, në përbërje të ekipit tonë janë gazetarë e gazetare nga Thomson Reuters, ANSA, AFP, Deutsche Welle, VRT NIEUWS, Belgjikë, Asahi Shimbun, Guanming Daily China, KUNA, Agjensia e Lajmeve të Kuwaitit, La Suisse russe monthly; Europe Novelle, The Star, Afrika e Jugut etj. etj. Janë agjensi lajmesh e tituj gazetash me emër në gjithë botën, me të cilat është mësuar veshi dhe syri i lexuesit apo dëgjuesit. Ne po ju sjellim një emër jo aq të dëgjuar për veshin, për shembull, The Asahi Shimbun, gazetë japoneze, një nga pesë më të mëdhat kombëtare që ka Japonia, me botim mëngjes e mbrëmje, e cila në vitin 2010 ka arritur tirazhin 12 milionë kopje në ditë ! Me ta jemi dhe ne, dy editorë shqiptarë të The Voice of Albanians - www.voal-online.ch, platformë online, që po e rrit për çdo ditë numrin e vizitorëve dhe klikimeve, në saj të profesionalizmit dhe besueshmërisë të informacionit. Opinioni shqiptar është i etur të mësojë të vërtetën dhe të jetë i orientuar jo politikisht, por se si mund të bëhet qytetar i përgjegjshëm për të patur një shtet ligjor dhe një demokraci Perëndimore.

Grupin tonë e shoqëronte një ekip nga Presence Switzerland, Departamenti Federal i Punëve të Jashtme, me një axhendë të përpiluar si broshurë, me foto e ngjyra, model i seriozitetit dhe kujdesit ndaj gazetarëve dhe imazhit të institucionit që ka bërë ftesën.

Në çdo udhëtim, natyrshëm, vijnë edhe njohje të reja, ngaqë APES është një shoqatë në ndryshim e në përtëritje të përhershme, një shoqatë që shtohet vazhdimisht me anëtarë të rinj. Një njohje e re, e veçantë për ne, është zonja Paola Ceresetti, zyrtare e shtypit në Misionin e Përhershëm të Zvicrës pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Është një fytyre familjare për ne ngaqë për shumë vite ishte një nga gazetaret kryesore të lajmeve në televizionin zviceran në gjuhën italiane, RSI1. Me Paolën hyjmë menjëherë në bisedë, si të njohur të vjetër, ajo ka qenë në vendin tonë dhe komplimenteve tona iu përgjigjet në çast me komplimentet e saj, aq të natyrshme për një zvicerane me rrënjë italiane.

Gjithnjë nën moton "Të shikosh diçka me sytë e tu, ia vlen më shumë se nëpërmjet njëqind burimesh" (proverbë japoneze), tema njohëse e këtij udhëtimi është roli përherë në rritje i Zvicrës në sportin ndërkombëtar dhe roli përherë në rritje i sportit në jetën e Zvicrës e të zviceranëve. Shumë organiza dhe federata ndërkombëtare të sporteve kanë qendrat e tyre në Zvicër, si FIFA, në Zyrih; UEFA, në Nyon; Federata Ndërkombëtare e Basketbollit, në Gjenevë; Bashkimi Evropian i Shoqatave të Futbollit, Federata Ndërkombëtare e Shoqatës së Futbollit, Federata Ndërkombëtare e Hokejit në Akull, po ashtu në Zyrih, Bashkimi Ndërkombëtar i Ciklizmit, në Aigle. Ne e dimë të gjitha se të gjitha shortet dhe zarat e eveneve sporteve kryesore ndërkombëtare, duke nisur nga kampionatet e futbollit botëror, atij Europian etj etj, hidhen pikërisht këtu në Konfederatën Helvetike!

LOZANA KRYEQYTETI OLIMPIK

Ndërkaq Lozana, e ndodhur përkatësisht në kantonin Vo (Vaud) është kryeqendra e Lojërave Olimpike, thënë ndryshe Kryeqyteti Llimpik, ku e ka selinë Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, ku ndodhet Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit Sportiv etj. etj. Këtë rol Zvicra e luan edhe falë infrastrukturës së veçantë moderne në përkryerje të përhershme, ku vetë sporti bëhet faktor në infrastrukturën e jetës zvicerane, shkencës zvicerane, sistemit arsimor zviceran, nga më të mirët në kontinent dhe në botë. Kjo është pjesë e imazhit dhe realitetit të Zvicrës!

Profesor Jan-Anders Manson, një emër brilant me famë botërore në Universitetin Politeknik Federal të Lozanës, ( Zvicra ka dy Univeristete të kësaj kategorie, bashkë me Universitetin Politaknik të Zürich-ut), midis të tjerave, duke na treguar për veten na tha: „Jam suedez, kam studjuar në Siatëll, (Seattle), SHBA, po vendi më i mirë për të jetuar e punuar është Zvicra.

***

Ndalesën e parë e kemi në Shtëpinë e Sportit Ndërkombëtar, The House of International Sport, një kompleks unik që sjell nën të njëjtën çati disa faktorë të administrimit të sporteve ndërkombëtare, kryesisht seli të rreth tridhjetë e sa federatave dhe organizatave të sportit ndërkombëtar dhe të nja njëzet kompanive aktive në fushën e sportit. E ndodhur përgjatë brigjeve të Liqenit të Gjenevës, kompleksi i pagëzuar si Shtëpia e Sportit Ndërkombëtar, përfshin një ndërtesë pritjeje dhe tri blloqe zyrash, të cilat shtrihen në një sipërfaqe prej 5752 metrash katrore, me kafeteri, palestër gjimnastikore, si dhe shërbime të ndryshe makinash fotokopjimi, faks,, interneti, telefonash e tjerë.

Kjo infratrukturë e re jep një mundësi të shkëlqyer për organizatat sportive që të punojnë së bashku, të kultivojnë kontakte, të shkëmbejnë përvoja dhe të zbulojnë e shfrytëzojnë përbashkësitë e tyre. Këtu është duke na pritur zonja Cosima Deluermoz, Delegate e Sportit Ndërkombëtar e Kantonit Vo, për të na bërë një panoramë të përgjithshme se çfarë është Lozana për sportin ndërkombëtar, se çfarë është kantoni Vo si organizator e mikpritës i Lojërave Olimpike Botërore, se cilat janë infratrukturat që ecin bashkë me zhvillimin e sportit botëror, ku iu paraprijnë ato këtyre zhvillimeve e dukurive, cilat janë sfidat e reja të sportit botëror për infrastrukturat teknike si dhe për shkencat e dijet përkatëse të kohës së sotme e në ardhmëri.

Kthehemi rishtas tek imazhi. Për të patur një imazh të tillë, Zvicra punon, investon, përkushtohet, angazhohet. Këtë gjë e themi edhe nisur nga ky Media trip, i organizuar enkas për ne gazetarët, ku na presin kudo e na hapin kudo dyert.

Ajo që mësuam në lidhje me Shtëpinë Ndërkombëtare të Sportit dhe na u duk me shumë vlerë është fakti se të gjitha ata që dëshironin të hapnin këtu, në kuartierin kryesor të Kryeqytetit Olimpik, federatën ndërkombëtare të ndonjë sporti, qyteti i Lozanës dhe kantoni i Vaud, ndihmon duke nisur që nga sigurimi i lejeve të qëndrimit deri tek oferta gratis për dy vjet e qirave të zyrave! Kuptoni!

TEK GJYKATA NDËRKOMBËTARE E ARBITRAZHIT OSE 'HAGA E SPORTEVE NDËRKOMBËTARE'

Nga një mjedis i supersofistikuar dhe modern i Selisë së Sporteve Ndërkombëtare, ndodhemi para Château de Béthusy, një kështjelle jashtëzakonisht e bukur dhe për minuta të tëra duam vetëm të fiksojmë gjithçka në kamerat dhe aparatet tona. Kush jeton në këtë kështjellë ? Ndonjë supermilioner, ndonjë guru, sheik apo yll Hollywood-i ? Jo, ndodhemi përballë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit për Sportet, Court of Arbitration for Sport, e konsideruar ndryshe si Haga e sporteve ndërkombëtare. Selia qëndore e saj është në Lozanë, ndërsa gjykatat i ka në Lozanë, New York dhe Sideny. Këtej kalojnë proceset e atyre që cënojnë Kodin Botëror të Anti-Dopingut. Mikpritës është zotëri Matthieu Reeb, Sekretar i Përgjithshëm. Biseda zhvillohet në sallën ku mbahen seancat dëgjimore mes palëve ankuese dhe palëve të paditura.

Gjykata e Arbitrazhit e Sporteve është themeluar më 1984 nga Këshilli Ndërkombëtar i Arbitrazhit të Sporteve nën autoritetin administrativ dhe financiar të të cilit është. Është një organizëm privat që ka fituar famë dhe kredibilitet botëror. Ka rreth 300 arbitrues nga 80 vende, të zgjedhur si dijetarë specialistë për ligjin e arbitrimit dhe të sportveve. Rreth 200 procedura në vit janë regjistruar pranë kësaj gjykate. Rekordi u arrit në vitin 2008 me 318 raste. Gjykata krijon trupa gjykuese jo të pëhershme në Lojërat Olimpike, në Lojërat e Komënuelthit dhe në veprimtari të tjera të tilla të mëdha ndërkombëtare. Zotëri Reeb nuk ndodhet përballë avokatëve, por përballë gazetarëve, zeja më e përditshme e të cilëve janë pyetjet. Një dëshirë e jona për të dëshmuar kulturën sportive, plus shqetësimet që mbart secili për problemet e sporteve në vendet prejardhëse, e bën bisedën tejet të gjallë dhe interesante. Për më tepër, kur me rastet gjyqësore lidhen shpesh emra të mëdhenj në sportin botëror.

Ne e pyesim, për shembull, rreth rastit të çiklistit amerikan Lance Armstrong, tetë herë fitues i garës më të madhe botërore në këtë fushë, Tour de Francë. Zotëri Reeb na përgjigjet se z. Armstrong duhej të paraqitej para kësaj gjykata, por ai pranoi se trofetë e tij ishin fryt i dopingut, kështu që ato u vlerësuan të pamerituara nga kjo gjykatë. Rasti i tij është shumë i veçantë se Gjykata nuk kishte patur asnjë provë kundër tij.

Pyetjet variojnë nga ato statistike, lidhur me ngarkesën e kësaj gjykate, kohën e zgjidhjes së çështjeve, zbatueshmërinë, raportet me legjislacionin ndërkombëtar, me ligjshmërinë civile dhe me atë penale. Gjykata ka rol ndërmjetësues, ka rol vendimarrës, nëpërmjet tyre rol edukues për sportin dhe sportistët. Dhe detyra e saj nuk do të përmbushej as ndikimi i saj nuk do të vinte në rritje nëse nuk do të kishte bashkëpunim sa më të përkryer me ekspertët e shumë të kriminalistikës të fushave të caktuara, me laboratorë nga më modernët e kohës. E pyetëm patjetër edhe për pagasat, të cilat janë në varësi të të ardhurave, nga 100 franga deri 25 mijë, kur të ardhurat për vit i kalojnë 10 milionë frangat.

PIKËTAKIME TEKNOLOGJIKE DHE SPORTIVE

Drekën e kalojmë në një restaurant të shkëlqyer, Starling Restaurant, me një meny të shkëlqyer me shoqërinë e shkëlqyer të kolegëve dhe ekipit nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme, në shoqërinë e verës dhe shoqërinë jo larg prej nesh të Liqenit Leman. Me ne drekon edhe Prof. Jan-Anders Manson, i Teknologjisë Bazë dhe Polimere, President i Akademisë Ndërkombëtare të Shkencave dhe Teknologjisë së Sporteve, specializuar në kërkimet arsimore dhe të zbatuara në studimet e sporteve, i cili pastaj na shoqëron në auditorin pranë Universitetit Politeknik Federal të Lozanës. Prof. Jan-Anders Manson e kemi përmendur në krye të këtij reportazhi.

Profesor Manson ka doktoruar në inxhinerinë mekanike në Universitetin Teknologjik të Goteburgut të Suedisë, ka marrë titullin profesor në Universitetin e Uashingtonit, Siatëll për Inxhineri Kimike dhe për teknologjinë polimere në Universitetin e Stokholmit. Prej vitit 1990 është profesor dhe Drejtor i Laboratorit në Institutin e Materialeve në Universitetin Federal Politeknik të Lozanës. Kërkimet e tij janë të përqëndruara në strategjitë e reja të zbatimit të teknologjive në kontekstin industrial. Partnerë të tij kërkimorë janë industritë e automjeteve, hapësinore, mjekësore dhe sportive. Ai ka mbi 500 publikime shkencore dhe është anëtar i bordeve të disa revistave shkencore bashkëkohore, është anëtar aktiv i disa akademive dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare shkencore. Në aspektin sportiv ai është anëtar i Bordit të të Besuarve në Fondacionin Antidoping të Zvicrës, Kryetar i Akademisë Ndërkombëtare të Sporteve, anëtar i Asamblesë së Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe institucioneve të tjera sportive. Për kureshtjen e lexuesve, mund t'iu themi se është përgjegjës shkencore në Universitetin e Lozanës për projektin e Bertrand Piccard në Solar Impuls, avionin që punon me energji diellore. Pra figurë e vërtetë jo shaka!

Universiteti Politeknik Federal i Lozanës është i pari në renditjen e universiteteve të Evropës dhe ndër të parët në renditjen e universiteve botërore, na sqaron profesori. I vetmi universitet tjetër federal i këtij lloji është ai i Zyrihut, edhe ai ndër më të mirët e kontinentit dhe më gjerë. Duke e dëgjuar Profesor Manson në ligjëratën e tij, me një shpjegim brilant – na hyp dëshira që të kthehemi e të bëhemi rishtas studentë. Por koha nuk na pret dhe na sfidon. I ngrejmë duart lart! I dorëzohemi kohës!

***

Drekat dhe darkat gjatë udhëtimeve të APES kanë natyrë çlodhëse e përtëritëse sa dhe njohëse dhe bashkëpunuese. Vendet në restaurante herë janë të përcaktuara e herë jo. Aty improvizohen biseda sipas interesimeve të përbashkëta të grupeve të gazetarëve. Në tryezën tonë gjatë drekës në Starling restaurant pranë nesh patëm kolegun japonez Ishiguro Yutaka, nga The Yomiuri Shimbun, një tjetër gazetë japoneze, që botohet në Tokio dhe disa nga qytetet më të mëdha të Japonisë, në grupin e pesë gazetave më të mëdha që dalin në vend, me një tirazh rreth 14 milionë kopje në ditë, ekspert i zhvillimeve politike dhe ekonomike sidomos atyre të Kosovës. Na tregoi se e kishte intervistuar edhe Sali Berishën. Gazetari japonez na la pa gojë, aq në brendësi të proceseve politikave ishte dhe njohje rreth procesit të privatizimit e të përparësive të investimeve në Kosovë. Folëm edhe për tërheqjen e grupit Albright në privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës. Ishim me një mendje. E ku do t’i gjente Kosova investitorë më të besueshëm se ai i Grupit Albright! Folëm edhe për dashurinë që ka populli i Kosovës për Zonjën Albright. Me kolegun japonez ndanim të njëjta mendime.

Në darkën me grill në një restaurant të bukur brënda në qytetin e Lozanës patëm një bisedë shumë të bukur me Uehara Akiko, gazetare japoneze, e lindur dhe shtetase në Zvicër. Me zonjën Uehara, nga The Asahi Shimbun folëm veç të tjerave për letërsinë dhe përkthimet. Kur po i tregonim se djemtë tanë i kanë shumë qejf Mangat japoneze, ajo na impresionoi kur na tha se poezitë e Charles Baudelaire i ka lexuar për të parën herë pikërisht kur ishte fëmijë përmes Manga-ve. Shikoni se çfarë bën Japonia për të edukuar dhe kultivuar brezin e ri. Se si e përçon kulturën nacionale dhe botërore që të asimilohet sa më mirë. Ndërsa tek ne në Shqipëri shkollës po i vihet kazma, një dramë e përmasave kombëtare që na trishton pa fund.

***

Në një kënd të veçantë të Lozanës, ndodhet Instituti i Shkencave të Sportit, Qendra e Sportit dhe Shëndetit, pranë Universitetit Federal të Lozanës, pikërisht ajte ku ndodhen laboratorët më modernë dhe më të pagabueshëm të botës bashkëkohore. Instituti ndodhet në një mjedis natyror të veçantë, nga ata që mund të ndeshen vetëm nëpër filma hollivudianë të fantashkencës. Dhe ne përfitojmë sërish të fiksojmë veten në kuadrin e këtyre mjediseve. Jo larg nesh, bile shumë afër ndodhet Liqeni Leman, në një përzierje të magjisë shkaktuar nga bukuria e natyrës dhe përkujdesjes të dorës të njeriut. Drejtori Grégoire Millet, ndërkohë na shpjegon rritjen e pagabueshmërisë së këtyre laboratorëve dhe teknologjive të reja në përgjithësi në fushën e sporteve, lidhjet përherë e më të fuqishme midis instiucioneve të shëndetit dhe botës së sportit, rolin e sportit në rritjen e shëndetshmërisë së shoqërisë, pjesën e sportit në kulturën e përditshme dhe në kulturën shëndetësore të individit dhe një mori të pafundme ndërlidhshmërish të tjera.

KOMITETI OLIMPIK - KËSHTJELLA OLIMPIKE E ZHYTUR NË GJELBËRIM

Dhe, natyrisht, çatia e gjithë kësaj bote sportive, Himalaja e saj, është pikërisht Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Një ndërtesë e konsideruar tip kështjellë, por e zhytur në gjelbërimin e një pylli të moçëm mbi njëqindvjeçar, tejet çlodhës, na fton të përmbyllim një ditë veprimtarish tejet të dendura njëra pas tjetrës.

Në zanafillën e saj, diku në thellësi të mesjetës, e famshmja Château de Vidy ishte kishë, ndoshta nga më të hershmet e zonës, këtu në brigjet e liqenit Leman. Në vitin 1669, kisha u bë shtëpi banimi, e cila kaloi nëpër zotërues të ndryshëm, nëpërmjet blerjesh, nëpërmjet trashëgimish ose nëpërmjet martesave. Shndërrimin e parë rrënjësor ajo e ka pasur në Shekullin e XVIII, kur nga Gjeneva erdhi për të banuar këtu Familja de Loys. Me ripërtëritjen e ndërtesës u muarën dy arkitektë të famshëm të kohës. Punimet përfunduan plotësisht më 1774. Më 12 maj 1880, Napoleon Bonaparti, i cili në atë kohë ishte konsull i parë i Francës, pra kryesundimtar i saj, i cili po iu bënte kontroll të përgjithshëm trupave të tij, para se të marshonin në qafën e Shën Bernardit, u prit këtu në dhomën më të madhe të miqve. Më 1919, familja de Loys ua shiti ndërtesën bashkë me sipërfaqne rrethuese prej 27 hektarësh institucioneve të ndryshme zvicerane, kryesisht atyre të sistemit ushtarak. Për dhjetëra vjet ajo kaloi në duart e bashkisë së Lozanës, duke iu nështruar punimeve të ndryshme përshtatëse. Deri më 1 mars 1968, kur këtu vendosej Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, ajo kishte shërbyer për Qendrën Evropiane të Kërkimeve dhe pjesërisht për zyrat e Institutit të Kërkimeve të Komunikimit Masiv pranë Universitetit të Lozanës.

Kjo është edhe periudha e kulmimeve të para në marrëdhëniet mikpritëse të Zvicrës ndaj Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, zanafilla e të cilave daton prej vitit 1908, në të cilin sot aderojnë 205 komitete olimpike nacionale, përbërë nga 126 vende, që mblidhet një herë çdo vit, me një president me mandat tetë vjeçar. Presidenti aktual është Thomas Bach i zgjedhur këtë vit. Këtu në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar zhvillohen sesione shkecore, simpoziume, konferenca, kongrese, festat jubilare, këtu nënshkruhen marrëveshje të panumërta, të cilat do të shënojnë edhe rritjen e këtij institucioni dhe forcimin e lidhjeve me Zvicrën, veçanërisht me Lozanën, Kryeqytetin Olimpik. Ciceroni jonë kësaj here është zotëri Patrice Chollet, kryetar i Bashkërendimit të Strategjisë Rinore në krye të programit të ri të këtij Komiteti, i cili na kalon nëpër sallat muzeale duke interpretuar simbolet figurative në muret dhe në mjediset e institucionit, duke kaluar nëpër historikun dhe figurat kryesore të olimpizmit botëror dhe rolin e Zvicrës, që është fondamental sepse ka krijuar të gjitha kushtet dhe infrastrukturën. Kur takimi ka përfunduar i gjithë grupi i gazetarëve bashkë me zotëri Patrice Chollet fiksohemi në foton përballë hyrjes kryesore të Komitetit Olimpik.

LARTËSITË E BURGDORFIT

Megjithëse ishim befasuar pa fund, befasia e befasive, megjithatë, do të ishte e nesërmja e udhëtimit tonë. Pasi jemi larguar nga hoteli ynë, me autobusin tonë shuttle, duke përshkuar pamje nga piktoresket e mundshme, jemi në Burgdorf të lokalitetit Emmental, sipas markës të njohur të djathit, të kantonit të Bernës, ku është duke u zhvilluar «Fédérale» një nga ngjarjet më të mëdha popullore festive që mbahen në Zvicër, një herë në tre vjet në vende të ndryshme. Kësaj here qëlloi në Burgdorf. Një lloj mundje , si një Wrestling zviceran, dhe Steinstossen, një sport i vjetër me hedhje guri. Këtu ishim të ftuar edhe ne. Bashkë me gazetarët zviceranë ishim të privilegjuar, pasi na ishte rezervuar vendi në tribunën e « Emmental Arena »-s, stadiumi i hapur, më i madhi në Zvicër dhe nga më të mëdhenjtë në Europë. Këtu përmbajtja sportive është zvicerane, një lloj tradite të cilën zviceranët e konservojnë me kujdesin më të madh. Në përfundim të aktivitetit, do të dilte fituesi, i cili do ta mbajë trofenë për tre vjet. Siç e thamë, kjo është veprimtaria më e madhe sportive dhe një nga festivalet me domethënëse zvicerane - një veprimtari shumëdimensionale, sportive, shpirtërore, kulturore, komerciale, turistike, me vlera unikale. Kërkon mot të mirë, do këshillim paraprak me meteorologët, për të gjetur javën më të qëndrueshme të stinës së verës. Dhe kjo e tanishmja është përzgjedhja më e pagabueshme. Asnjë fije reje nuk guxon të shfaqet diku larg apo diku afër nëpër qiellin zviceran, aq më tepër në qiellin e këtushëm lokal. Po lahemi prej rrezeve të diellit.

Kur hymë në zonën e festës, automjeti ynë është i vetmi që lëviz. Të gjitha lëvizjet e tjera janë këmbësore. Pjesëmarrësit në veprimtari i kanë parkuar veturat e tyre nëpër livadhet pranë, me mijëra sosh, të tjerët i kanë rreshtuar në varg pa mbarim biçikletat e tyre. I gjithë rrjeti i qarkullimit publik të zonës - ai i trenave, i tramave, i busëve - është përshtatur për veprimtarinë kombëtare. Ndërkohë, në një rreze prej 50 kilometrash largësi rreth e rrotull, prej ditësh të gjitha vendet në hotelet janë zënë prej kohësh.

Mikpritësi i gazetarëve, atyre të APES, atyre të mediave të huaja, qendrore dhe lokale, është zotëri Fabio Lorenzet, Zëdhënës i Medias Ndërkombëtare, i cili na shpjegon se punonjësit e paguar që merren me organizimin dhe mbarëvajtjen e veprimtarisë janë vetëm 230, ndërsa ata që punojnë vullnetarisht, pa asnjë pagesë janë 3500. Burgdorfi është një qytet i vogël, me 17 000 banorë, por këto ditë ai është populluar nga 250 000 deri 300 000 vetë. Buxheti i veprimtarisë shkon në 25 milionë franga zvicerane. Në mensat e ngritura, gjatë tri ditëve kryhen 70 000 orë punë, konsumohen 23 mijë kilogramë mish, 105 mijë litra ujë mineral, 6000 mijë litra shnaps (pije e fortë), 70 000 kafé, pa llogaritur pijet, lëngjet, frutat dhe ushqimet e tjera që konsumohen këtu.

Mediat e Zvicrës i japin papushim gjithë këto ditë publicitet veprimtarisë që po zhvillohet në Burgdorf, reklamat e pafundme të firmave zvicerane, nga ato shumëkombëshe me shtrirje globale, deri te ato lokale, janë të afishuara gjithandej nëpër mjediset ku zhvillohet kjo veprimtari. Në reklama kemi parë edhe vajza të reja që garojnë në sportin e mundjes. I pyesim organizatorët nëse tashmë kjo së shpejti do të jetë risi e kësaj gare. Na përgjigjen se ende mbetet në nivel lokal, por synimet janë që festivali i mundjes popullore të përfshijë edhe femrat garuese në këtë sport dhe sportet e tjera alpine.

Fituesi i garës së mundjes, kampioni i ri, shpërblehet me një dem njëvjeçar që peshon 1200 kilogramë dhe që kushton 22 000 franga, fituesit e tjerë marrin shpërblime dema, kuaj dhe lopë. Të gjithë garuesit janë amatorë, nuk janë pjesëmarrës në sporte të tjera, merren me profesione të thjeshta të bujqësisë dhe të fshatit. I vetmi që i ndryshon jeta pas këtij akvititeti është kampioni i ri, i cili është në qendër të mediave me intervista, në qendër të reklamave, por edhe ai nuk shkëputet nga profesioni që ka. Sivjet Mbreti i kësaj gare është 27 vjeçari Matthias Sempach. Në ceremoninë festive mori pjesë edhe Presidenti i Konfederatës Ueli Maurer, ndërkohë që gjithë vemendja e publikut zviceran i mbante sytë e mbërthyer në Burgdorf. Analistët sportivë i krahasojnë këto sporte me ato që zhvillohen në Japoni, në Kinë apo në vende të tjera aziatike me kulturë të lashtë. Në fakt, ato kanë evropianitetin e tyre, burimësinë e tyre të kontinentit tonë.

Ne grupi i gazetarëve të APES e lamë Burgdorfin në kulmin e ngjyrave dhe festimeve, duke marrë me vete impresionet më të bukura se si një komb i civilizuar e mbron, e ruan dhe e vazhdon me krenari kulturën e vet, qoftë ajo materiale apo shpirtërore. Dhe ne shqiptarëve nuk ka si të mos na dhembë prapë zemra kur kemi parasysh se si kultura shqiptare është lenë në mëshirën e fatit.

Aty edhe u ndamë me kolegët dhe ekipin e DFPJ, duke marrë trenin në klasit të parë, nëpër destinacione të ndryshme, një palë në Gjenevë, të tjerë në Zyrih, Bernë apo Bazel. Me atë përshëndetjen tonë tashmë si refren: Mirupafshim herën tjetër! Tschüss bis bald ! A bientôt ! Till the next time!


Shtator 2013

(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: