Ndue Ukaj: Profetët e rremë
| E Enjte, 26.09.2013, 09:02 PM |

Profetët e rremë

Nga Ndue Ukaj

Jetojmë në një kohë, kur politika është bërë epidemi e shkatërrimit të idealeve të njeriut tonë. E kjo murtajë, ka depërtuar kudo brenda jetës sonë mendore e intelektuale, me tërë forcën shkatërrimtare në vete, duke e helmuar gjuhën dhe diskursin publik.

Letërsia, si arti ma sublim, në këto rrethana ka mbetur në periferi, edhe pse mjetet që i ka në dispozicion për ta demistifikuar këtë të keqe, janë pakrahasimisht të fuqishme. Për ma tepër, letërsia gëzon një autonomi autentike, që ndihmon në katharsisin e shoqërisë, për çka shoqëria jonë ka nevojë shumë. Këtë atribut dhe fuqi, që nga Aristoteli e këndej, asaj s’ia mohon askush. Prandaj, leximi i poezisë, është në funksion të nevojës për katharsis, sidomos nga profetët e rremë, që na vërsulen si ushejza, duke na premtuar se lumturia është vetëm brenda lëvozhgave të tyre të vockla.

Të flasësh për poezi, në një kohë si kjo e jona, ku ngarendja pas pushtetit pa përfillur asnjë normë morale a intelektuale, është shtytja ma e fuqishme e njeriut tonë, tingëllon si anakronike. Në fakt, ata që mund ta lexojnë këtë tekst, e sidomos ata të proveniencës politike, mund të kenë dëgjuar vetëm shkarazi për emrin e  Frederik Reshpjes, e më pak, për artin e tij mjeshtëror poetik, nëpërmjet të cilit poet i rryer, me një ton kumbues, e një gjuhë goditëse, tërë jetën shkroi për njeriun, e sidomos për atë të nën qiellit të tij.

Historia e popujve, është përvojë qartë se poezia ka qenë një bashkudhëtare e afërt e njeriut, që e ka ngrohur atë përgjatë gjithë kohës. Si një nevojë e ngjizur brenda tij, poezia ka shpërthyer nga njeriu, sa herë që është dashur demaskuar e keqja apo lartësuar e mira. Pra, poezia e ka shoqërua njeriun në ditët ma të gëzuar e ma tragjike të jetës së tij. Kësisoj, për njerëzimin, poezia është diçka jetike, një frymëmarrje që çliron popujt nga makthet e ndryshme dhe i lumturon synimet e tyre.

Përkundër faktit se ngarendja pas antivlerave, ka përfshi thellë shoqërinë bashkëkohore, poezia e mirë, lexohet. Ajo duhet lexohet, sepse është një terapi e mirë, sidomos nga ata që duan të krijojnë antitrupa për mbrojtje nga helmi i gjuhës (Italo Calvino), një helm i tillë çfarë na shpërndahet çdo ditë në jetën tonë mendore e shoqërore, nga klasa jonë politike, që di të prodhoi vazhdimisht marrëzi.

Reshpja ka shkruar shumë poezi antologjike, por njëra që ka një klithmë të përhershme në vetvete dhe që përçon një të vërtet tronditëse, me një mesazh të përhershëm, e shumë domethënës, është ajo që mban titullin e këtij shkrimi:Profetët e rremë. Kjo vjershë, e shkruar me një gjuhë goditëse, s’ka ma shumë se shtatë vargje të skalitura e mjeshtërore, në të cilat poeti sintetizon rrugëtimin tonë historik, duke risemantizuar fatin tragjik të qenies shqiptare me  një not të fort kritike. Poeti, nëpërmjet figurës së kontrastit, me një gradacion dhe një gjuhe lakonike, vë ballë për ballë një popull tmerrësisht të persekutuar, me një biografi të mirë e biblik. Ky është populli i lashtë shqiptar,  një popull që ballafaqohet me profetët e rremë, ata profetë të rremë që i shkruajnë histori të stisura dhe e thërrasin t’iu besohet atyre. Prandaj ai kërkon, që t’mos i besohet çdo të kryqëzuari dhe predikimeve të tyre, që janë predikime injorantësh. Poeti ironizon lumturin dhe parajsën që sjellin ata, pastaj pëlcet kumbueshëm në fund të vjershës:

Dhe kemi qënë tmerrësisht të persekutuar

Dhe jemi biblikë me biografi të mirë

Mjerë ju po i besuat çdo të kryqëzuari!

Dhe vetëm ne mund t'u çojmë në parajsë.

Në qoftë se s'na besoni, ne mund të marrim edhe masa.

Injorantët e dreqit!

Amen!

Historia shqiptare, si e vjetra, po ashtu edhe e reja, është mbushur me profetë të rremë. E kjo poezi, që rikonstrukton realitetin shqiptar, me një vjershërim artistik, e ironizon kauzi heroin dhe pëlcet nga një duf i brendshëm i autorit, që thërret t’mos i besohet çdo të kryqëzuari.

E shqiptarët, sot, ma shumë se çdo gjë, kanë nevojë gtë dinë kujt t’i besojnë.

Kombi ynë, si rrallë ndonjë komb tjetër, e ka përjetua ankthshëm dramën e heroit të rremë, i cili me parulla yshtëse, i ka premtuar parajsën, por e ka katandisur në mjerim të pashpresë.

E ç’është e vërteta, kombin tone, në asnjë periudhë, s’e ka lumturuar politika. E përkundër kësaj, shqiptarët janë ata që ndoshta ma së shumti flasin për politikë. Madje, edhe idhujt e tyre, shpeshherë rezultojnë të jenë ata që vijnë nga provinienca e politikës. Për këtë, mjafton të shihesh kudo ngatërresat shqiptare, që për emërues kanë politikën.

Në këtë aspekt, më duket tragjikomike, yshtja e shqiptarëve pas politikanëve. Ka pak shqiptarë që kanë ideal një shkrimtar, filozof a artist, thjesht një intelektual që udhëhiqet nga ideja e progresit universal.  Përkundrazi, ata ngarendin pas atyre që kanë pushtet, edhe pse janë të vetëdijshëm se pushteti i tyre rri fort mbi kurrizin e jetëve të tyre të katandisura në skamje, papespektivë dhe kaos.

Frytet e lirisë, janë progresi dhe mirëqenia. Ndryshe, liria rrezikon te klishetizohet e të behet një pemë pa fryte. E liria, nuk mbërrihet me profetë të rremë.

Është fakt i mirënjohur se rruga drejt progresit universal dhe lirisë se njëmend, asnjëherë nuk ka qene e shtruare me lule. Duhet sakrificë e pune me përgjegjësi e ndërgjegje të lart. E shpata e sotme, siç do te thoshte Shtjefen Gjeçovi i madh, është hollimi i mendjes. Shqiptareve ju duhen sot mendjet e shëndosha dhe racionale, e jo bashibozukë te stisur si intelektualë. Vetëm kështu, mund t’i njohim njëmend profetë të rremë.

E meqë profetët e rremë, kanë vërshuar kudo hapësirave shqiptare, duke u ngrit në majat e politikës, pa meritë, e nganjëherë edhe në kulturë, pa fije kulture pas vete, shqiptarëve duhet t’iu ngjallen ndjenjat e vërteta për profetët e vërtet, që t’mos besojnë në profetët e rremë, ata që tallen me fatin e tyre, duke ju grabit ëndrrat, lumturinë dhe shpresën.



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: