Kalosh Çeliku: Përgëzime Nastradinecën
| E Hene, 23.09.2013, 09:05 PM |

PËRGËZIME NASTRADINECËN

NGA KALOSH ÇELIKU

1. Ministri i tollumbave

Rrumaduci me shokë (“trim mbi trima”), që nuk la parti politike pa iu ngjitur si rriqër për rraçesh duke filluar nga Partia Komuniste, PPD, PDSH, RDK, BDK e deri te kjo e fundit BDI, kohën e fundit e ka parë veten ëndërr edhe në postin: Ministër i Tollumbave. E dalldisin shokët e arratisur gjithë ditën e gjatë me një kafe mbi tavolinë, si atë pulën e poetit për fëmijë te vjersha e Rexhep Hoxhës duke kakarrisur tra më tra, që e e ka bërë një ve dhe e çuditë “dynjanë”, e tjetër më hiç. E rren mendja se duke ndejtur kokë më kokë me rrufjanë nëpër kafenet e Çarshisë Shkupit, më në fund do t’ia mbushë mendjen Ali Ahmetit që t’i japë edhe këtij farë bozaxhiu një post ministri të “merituar” në Qeveri, atë të Ministrit të Tollumbave. Nuk i mjaftuan shpërblimet e djeshme komuniste duke e shëtitur nëpër redaksi me poste politike, banesë të shtetit e as ky i fundit: Çmimi shtetëror i “vëllezërve” në letërsi për ta varrosur me nderime e kurora të luleve si “hero pas lufte për liri” në varrezat e “dëshmorëve të vëllezërve”. Kurorëzojnë Trusaktin me përkrenaren e Sanço Panços shqiptar (një legen në kokë), kur shumica e shkrimtarëve shqiptar vdiqën në heshtje edhe për bukën e gojës. Malli i ka marrë mjeranët të shëtisin në thesin komunist me arna plot zarzavate partiake, në pajtonin e Nënës Parti, përsëri nëpër redaksi e poste politike të stolisur me lule-lale partizane dhe të shtyhen me bërryla si dikur në kohën e “artë” komuniste.

Burri i botës është “tru” shqiptar, prandaj edhe merr guximin t’i tregojë Ali Ahmetit dhe BDI –së, se: ministrat i ka të dobët dhe duhet sa më parë ta marrë  në “vijën e zjarrit” këtë farë “yrneku-tollumbë” me shokë që ta shpëtojë partinë nga “Përmbytja e madhe politike”. Pavetëdije se, ky “burrë mejdani” pa brekë është me qindra kilometra larg, nënë nivelin e tyre moral, patriotik, politik e shkencor, që gjithë jetën deri në vdekje e mbanë për dore DoktorZiu. Përmëtepër, Rrumaduci merret edhe me parashikimet e motit për Nesër, sipas filxhanave të kafesë nëpër Bit – Pazar. Veç që nuk e ka shpallur veten fallxhore e fundit shqiptare, ose Hoxhë YouTube katundi në lagjen e romëve, tejkalojë azreti Muhamedin a. s. në profetizëm. Eshtrat e qenëve të cofur t’i përziejë në një enë me ujë duke shuajtur thëngjij të ndezur para pacientëve shqiptar me xhinde turko-arabe. E dikur, tresi plumb në enë, në mesin e eshtrave. Hajmali të  na varin përqafe. Trusakati që nuk e di se pas verës, vjen Vjeshta me brymë dhe Dimri. Bora na mbulon këmbekokë. Çatitë vështirë e mbajnë barrën mbi shpinë, që përditë ua hanë krimbat. Oxhakët mezi e përcjellin tymin mbi çati në qiell. Shkurt, ky soj dudumi i shet mend Ali Ahmetit, që e ka djegur tambëli, tashti i fryn edhe kosit. Përpiqet me metoda neokomuniste me afat të skaduar përdorimi politik t’i afrojë  “kuadro të aftë shkencor”  të nivelit të tij “intelektual”, se këta të tanishmit nuk mund t’i dalin zot postit partiak në Qeveri.

Edhe, në vend të miellit bluan krunde në mulli, që nuk e hanë dot sot as lopët e Koperativës Bujqësore Komunsite. E rren mendjen me këtë bagazh politik në shpinë se, përsëri do të fitojë ndonjë post politik ose një torbë taxhi në ndonjë redaksi neokomuniste qafë për qafe me “vëllezërit”. Ose, ndonjë çmim letrar nga “probatimat” për shkarravina patetike teknefese “artistike”. E rren mendja se, ndonjëri, nga partizanët e Ali Ahmetit do ta marrë nën sjetulla si këshilltar partie (kungull Stambolli), që ta mbjellë nëpër Çarshi në ndonjë park për farë meleze me bythën në tokë e lënjët në degë “përhava”. Ose, do ta mbajnë gjallë edhe në këtë ditë Rreziku këtë trusakatë që mezi i lëvizë këmbët dhe bythët e breshkës në shoqërinë shqiptare, fusë kotnasikoti ferrë në këmbë. Përmëtepër, harron se, shkaku i tij duke u arratisur dje nëpër poste të Partisë Komuniste, sot nëpër parti “demokratike”, ne shqiptarët edhe sot e kësaj dite nuk mund ta çojmë kokën, dalim në “selamet”, siç thonë “vëllezërit myslimanë” në xhami. Rrufjanët, që gjatë ndryshimeve demokratike kanë gëlltitur fonde të shtetit, botërore e të SOROS –it, e mësojnë Ali Ahmetin se ku duhet të ikë, te Zaevi apo te Gruevski. Burrin e Zajazit, që zbriti nga malet me shokë në Shkup me automatik në krah e jo nga nëntoka antishqiptare me thesin e parave të pista “hallall” në shpinë për t’i dalë zot Maqedonisë.

Moti e kam thënë nëpër shkrimet e mia se, i keni përzier lëmsh profesionet. Rezultati, shihet që në stard (fillim): O shqiptarë, zgjohuni nga gjumi shekullor! Lesh Arapi i keni bërë profesionet. Edhe “politikën madhore”, edhe fenë e Allahut (Zotit). Ditën që ju do derdhni djersë në profesionin tuaj jetësor, dobi do të ketë edhe kombi edhe Shteti Shqiptar. Partia e Ali Ahmetit (BDI), patjetër kësaj radhe duhet të bëjë luftë edhe për një ministri në Qeverinë e “Vëllazërim-bashkimit”: Ministrinë e Tollumbave. Zanatin e vjetër me të cilin shqiptarët dikur e pushtuan Jugosllavinë. Përmëtepër, kënaqi ëndërrat dhe aspiratat e partizanëve të saj të pangopur me poste politike.

Eh, sa trima të arratisur kishim pasur ne shqiptarët nëpër institucionet e dikurshme komunsite e të harruar nëpër këto të sotshmet neokomuniste - “demokratike”, dhe nuk kishim ditur gjë për “vuajtjet dhe heroizmat” e tyre për zgjidhjen e Çështjes Shqiptare. “Flijimet e tyre artistike” në Qeveri, nëpër kabinete e redaksi komuniste të “vëllazërim - bashkimit” (Klubit të tollumbave). Përçudi, sot pas lufte (2001) të gjithë na dolën “patriotë kuqezi”, qafë për qafe në sipërfaqe nëpër institucionet e Shtetit Ri duke e vrarë armikun me një plumb mu në lule të ballit  me tollumba turko-arabe për Atdheun.

Amani, ju lutem në emër të Krishtit dhe Muhamedit a. s. edhe kësaj radhe ia jepni një post politik për “flijime artistike” këtij të arratisuri, atë të halesë pas shtëpie që ta mbyllë gojën si Ministër i Tollumbave në Qeveri! I ka marrë të gjitha shpërblimet e “vëllezërve” të Njerkës për së gjalli, le ta marrë edhe këtë të parafundit para vdekjes, Ministrit të Tollumbave me jurinë sakate - neokomuniste të partisë shqiptare në pushtet.

Përfundimi i “flijimit artistik”: dihet, e pret këmbëkryq pas dere. Dhashtë Zoti një ditë ia sheh hajrin në botën tjetër me lule (Xhenet)?! Prognozat politike të “analitikëve” të Klubit të tollumbave dhe hoxhallarëve të rrejshëm me kësulë-lecka në YouTube për kohën, moti a do të jetë me diell, mjegulla, shi, breshër e borë, apo do të kemi “pranverë arabe” edhe në Shkup, nuk na dolën të sakta sipas kësaj fallxheshe me shoqet neokomuniste, edhe kësaj radhe e trumbetuar nateditë në mjetet e informacionit me trumbetat e Dexhallit Arapit nëpër Bit-Pazar.

Edhe, përçudi shpejt kaloi vera me vapën e gushtit, siç thotë populli shqiptar. Erdhi vjeshta me brymë, shkollarët me çantat në krah e lapsat në brez. Ose, siç thotë në një këngë legjendare ai këngëtari popullor kërçovar: Librat nën sjetull, çantën në dorë. Shkaku, se: tekstet shkollore, Lektyrat shkollore i kanë marrë t’i lexojnë partizanët e Nënës Parti të arratisur në Ministrinë e Arsimit. Athua, edhe në Ditën e sotshme kërkojnë të zbulojnë “nacionalistë dhe irredentistë”?! Ndodhë, ku ta di unë autori i këtij shkrimi.

Dhe, nesër vjen Dimri Madh me borën mbi çati dhe furtunë. Përplasjen e dyerve, pasmesnate. Nuk e di, a keni dru për zjarr, a jeni përgaditur për Dimër…

2. Malli më ka marrë në Shkup për kësulën e Bajram Currit  

Kohën e lirë si zakonisht e kaloj para këmbëve të Olimbisë. “Ilaçet” e mia të përditshme i kam të domosdoshme si fëmijët e saj tambëlin që u jep gji për luftë. Edhe, i kam arratisur sytë mbi Urën e Gurit. Asnjë kësulë të bardhë të Bajram Currit, asnjë grua me veshje shqiptare nuk kalon matanë Vardarit. Hë për hë, kalon Hojdodolja: leckat e zeza, shajkaçat, shamizezat, ferexhetë turko-arabe… Vetëm, moti nuk e do Zoti të shoh një grua azgane me veshje kombëtare shqiptare. Vetmevete, them: O Imzot, ku humbën shqiptarët trima në Ditën e sotshme historike?!

Papritmas, edhe Hoxha i Allahut me kësulë-leckën turko-arabe e mjekrën e cjapit turret si “mysliman” pa kokë me të katra matanë Vardarit. Hojdodolja nën këmbët e Urës Gurit e ka nxjerrë “kalemin” nga dimijat me lule Xheneti, i shkruan pizi Qytetit që sipas saj “vdes” para këmbëve të Kalit të Aleksendrit të Maqedonisë?! Çarshinë, ua kanë lënë në duar bashibozukëve me tespihe kuqezi nëpër duar. Hoxhallarëve të rrejshëm dhe matrapazëve partiak me gotat e çajit të rusit mbi tavolinë duke bërë “politikë madhore”.

Fatkeqësisht, Shkupi të lë përshtypje se në këtë Qytet historik si dikur jetojnë të gjithë kombet dhe kombësitë, por jo edhe shqiptarët. Ose, sipas deklaratave teknefese të Kryeminstrit shqiptar, Edi Rama në takimin e tij me Kryetarin Ivanov deklaron:  “por edhe si shprehje të një fakti të thjeshtë, që ne nuk u kërkojmë të tjerëve atë që ne vetë nuk jemi në gjendje ta plotësojmë për të tjerët”. Haptas para syve të botës bën krahasimin e shumicës shqiptare për të drejta të barabarta kombëtare me pakicën bullgare që jeton në Shqipëri?! Punemadhe, që Ali Ahmeti zbriti nga malet. BDI është me  vite me “komandantët” pas lufte dhe vetëm një “Asker” (Komandant “Askeri”), ai në Katund e këta në Qeveri, pushtet. Vallë, kush nuk e do Shkupin Shqiptar, çirret nëpër minare të xhamive me flamur turko-arab, kur e gjithë bota e di se, Shkupi ka qenë dhe është këmbekrye shqiptar. Dhe, shumë shpejtë do të vijë Dita, ku në minare të xhamive shqiptare do të valojë flamuri kombëtar kuqezi. Gojën plot them: vetë shqiptarët e dalldisur nëpër parti politike e çerdhe fetare të sorrave duke përkujtuar thënien e Faik Konicës: Armiku më i madh i shqiptarëve, janë vetë shqiptarët.

Fitorja e Vitit Madh Historik: Unë mezi e kreva pushimin e merituar vjetor mbi libra në bibliotekë. Tashti jam ballë për ballë me ju si lexuesë i ulur këmbëkryq në mjetet e informacionit. Po, nuk më pëlqen pasqyra historike që e keni vënë si politikanë të dalldisur mbi Urën e Gurit. Nuk e di pse, kur e pyes: pasqyrë - pasqyrë kush është më i bukuri në këtë botë?! E ajo, më përgjigjet: Gruevski. E unë i arratisuri mes librave, pres me  ditë, javë, muaj e vite të më përgjigjet: Ali Ahmeti. Realitet, që nuk e përtyp dot lapsi im kryengritës, që e ka shaluar atin me të katra nëpër Bit-Pazar. Pasqyrë e rrejshme: Nateditë, që na trumbeton një gjysëm Teatri Shqiptar. Dhe, një Teatër të fëmijëve, në të cilën mund ta gjejsh “vëllazërim- bashkim”, po jo edhe shfaqjet e fëmijëve. Institucione kulturore në të cilën e përurojnë veten trusakatët, eksponentë skelet të “vëllazërim-bashkimit” me pak shpirt për vlera të “arrira kulturore” kombëtare. Zhurmë e dalldisur kulturore në Shkup, që lakmi sot do t’ia kishte edhe Partia e dikurshme Komuniste.

3. Dhe në fund: Përgëzime Nastradinecën

Klubi i tollumbave, gati të gjithë shqiptarët e dimë anë e mbanë Atdheut se, ka prodhuar me shumicë e pakicë: kryetarë të partive politike, spiunë, politikanë, deputetë të popullit, ministra qeverie… Pse, të mos prodhojë sot edhe një Ministër të tollumbave?! Gazetarët dhe analistët, që sot për sot i kanë shqiptarët (me përjashtim të një pakice të cilët numrohen në gishta), që nuk mund të zënë vend pune as në hale, pas shtëpie mbuluar me hithëra dhe non-stop dërdëllisin jerm me orë të tëra mbi gotat e çajit të rusit mbi tavolinë: E duam ne shqiptarët, apo nuk e duam këtë Qeveri. Vite me radhë humbin kohë për “Shkupin 2014”. E, në realitet kurrë nuk e peysin veten si “gazetarë e analistë” shqiptarë: Çka kanë bërë ato për një Ditë të Nesërme?! Tekefundit, nëpër çajtore kokë më kokë kur i analizojnë këto tema të “nxehta” politike me “vëllezërit” në emër të arsimit dhe kulturës shqiptare, që Rilindasit shqiptar dje e zbritën në fushë me penë e pushkë nga malet, tekefundit së paku sot në këtë kohë Rreziku të paguajnë një kafe.

Dudumë, për të njëmijtën herë e them dhe përsëris: Përpara se të pastroni oborrin e kojshive, pastroni oborrin tuaj që e ka mbuluar bërlloku këmbekokë! Pajtohem: Gomarit, i zbriti Nastradini me 50 kg. mbi shpinë, i hipi Nastradinica me 120 kg. mbi samarë. Nuk e di, për të satën herë duhet ta përsërisë anekdotën e popullit: Nastradinin, që i ka hipur gomarit dhe e tërheq për kërpeshi Nastradineca me ferexhenë krahëve për në pazar. Rrugës e takojnë kalimtarët e rastit dhe e përshëndesin pazarxhiun krenar: O, Nastradin, zbriti pak gomarit, le t’i hipë Nastradineca! Tjetri: o Nastardin, a nuk e sheh se e cofe gomarin?!  O burrë, zbriti më nga shpina, le t’i hipë pak edhe Nastradineca!

Dhe, rrugës pas Çuke i tjetri pazarxhi po me të njëjtën pyetje, sa që Nastradinit më i vjen shpirti te hunda: O burrë, nuk e cofë unë gomarin me 50 kg. mbi shpinë, po Nastradineca me 120 kg. mbi samarë.

Nastradineca, posa i hipi gomarit në shpinë te Pazari Grave kërkoi që pakica bullgare në Shqipëri të ketë të drejta kombëtare të barabarta me shumicën shqiptare në Maqedoni?! Përgëzime, Nastradinecën!

Vërtetë, më në fund: Kësaj i thonë, “Rilindje shqiptare”???!!!…



(Vota: 112 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: