Penalltitë i japin titullin e tretë Mançester Junajtid
| E Enjte, 22.05.2008, 08:20 PM |

 Skuadra e Aleks Ferguson fiton përsëri Ligën e Kampioneve

Mançester Junajtid ka fituar për herë të tretë Ligën e Kampioneve pas fitores 6-5 me 11-metërsha ndaj Çelsit. Pas një ndeshjeje të tensionuar, gjuajtjet nga pika e bardhë kanë qenë decizive dhe Van der Sar u kthye në heroin e "Djajve të kuq", duke neutralizuar gjuajtjen e Nikolas Anelka.

Në fillimin e ndeshjes ishte Mançester Junajtid që imponoi ritmin, duke zhvendosur lojën në gjysmëfushën e londinezëve, në radhët e të cilëve nuk figuron Kalu, por Maluda. Çelsi mundohet të kundërpërgjigjet, por në momentin më të mirë të tyre, "djajtë e kuq" gjejnë golin e avantazhit në minutën e 27. Ues Braun harkon nga e djathta dhe Kristiano Ronaldo nuk fal me një gjuajtje me kokë, duke shënuar golin e tij të 42-të sezonal dhe duke entuziazmuar tifozët e skuadrës së tij. Çelsi përpiqet të reagojë dhe ka një rast të pastër me Balak, por gjuajtja e tij me kokë grushtohet instinktivisht nga Van der Sar. Mançesteri kundërpërgjigjet me një kundërsulm të shpejtë, ku Kristiano Ronaldo gjen Tevez në zonë, por gjuajtja me kokë e sulmuesit grushtohet nga Çeh, i cili ngrihet në këmbë në kohë për të grushtuar edhe gjuajtjen e Karrik, duke shpëtuar portën e tij nga një gol i sigurt. Në minutën e 43, Tevez ka një mundësi tjetër për të shënuar, por nuk arrin të devijojë në rrjetë pasimin e Runit nga e djathta. Duket se pjesa e parë do të mbyllet me avantazhin e skuadrës së Ferguson, por londinezët arrijnë të barazojnë në minutën e fundit. Një gjuajtje e Esien devijohet nga Ferdinand dhe kthehet në një asist të përkryer për Lampard që nuk gabon, duke mposhtur Van der Sar dhe vendosur baraspeshën në shifra.

Pjesa e dytë flet më shumë për Çelsin që krijon më shumë volum loje dhe shfaqet më rregullisht para portës së Van der Sar. Blutë përpiqen në të gjitha mënyrat të shënojnë golin e avantazhit, ndërsa Junajtid është i kthyer krejtësisht në mbrojtje, duke lënë të avancuar vetëm treshen Runi-Tevez-K.Ronaldo, që gjithsesi e kanë të vështirë të gjejnë hapësira të tjera në mbrojtjen e londinezëve. "Djajtë e kuq" janë me fat, në minutën e 78, kur një gjuajtje nga jashtë zonës e Drogba ndalet nga shtylla. Ferguson e kupton që duhet të ndryshojë diçka dhe largon Skols, duke aktivizuar Gigs. Por koha e rregullt përfundon në barazimin 1-1 dhe për të përcaktuar fituesen nevojiten kohët shtesë. Në rikthimin e skuadrave në fushën e lojës është përsëri Çelsi që rrezikon me Lampard, por këtë radhë gjuajtja e tij ndalet nga traversa. Grant vendos të ndihmojë fazën sulmuese, duke aktivizuar Kalu dhe Anelka. Por rasti më i rrezikshëm në minutat e mbetura të shtesës së parë është në portën e londinezëve, kur Terri devijon me kokë një gjuajtje të Gigs. Situata tensionohet në shtesën e dytë dhe pas një zënke në fushë, Drogba largohet me karton të kuq, duke lënë skuadrën me një futbollist më pak në 5 minutat e fundit të ndeshjes. Por asgjë nuk ndodh në këto minuta dhe skuadrat i drejtohen pikës së bardhë të 11-metërshave. Pas gabimeve të Kristiano Ronaldos dhe Territ, rezulton deciziv gabimi i Anelka, i cili humb 11-metërshin e shtatë për skuadrën e tij, duke i dhuruar suksesin e tretë Mançester Junajtid.


Penalltitë

6-5


Man Utd

Tevez po

Kerrik po

K. Ronaldo jo

Hargrivs po

Nani po

Anderson po

Gigs po

 

Çelsi

Balak po

Beleti po

Lampard po

E. Kol po

Terri jo

Kalu po

Anelka jo


G. Shqip

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: