Bedri Tahiri: Në kullë të Isa Boletinit
| E Shtune, 14.09.2013, 01:53 PM |

Në kullë të Isa Boletinit

Nga Bedri TAHIRI

Kremtimi i 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të cilën thuajse e patën përgatitur kryesisht  burrat e mëdhenj e trima të Kosovës, sikur nuk ka të ndalur. Edhe viti 2013 po nanuriset në prehërin e artë të shekullit të shqiptarëve. Pinjollët e familjeve të mëdha atdhetare, të cilat brenda këtyre njëqind vjetësh nuk kursyen asgjë për të mirën e kombit e të atdheut, sot, më shumë se kurrë, janë organizuar e janë bashkuar në sendërtimin e idealeve të etërve e gjyshërve të tyre, që synim përfundimtar kishin: Ribashkimin tonë kombëtar!

Edhe dita e së martës, e 10 shtatorit 2013, u gëdhi hareshëm e në një atmosferë të tillë festive. Kësaj radhe po na grishte plot gaz e hare  komuna më specifike e hallemadhe e shtetit të Kosovës, Mitrovica dhe Kreshbardha ilire me kullën e Isë Boletinit në Boletin.

Ora 10. Sakaq në oborrin e komunës zbresin si me krahë dragoi përfaqësues të familjeve atdhetare e veprimtarë të çështjes kombëtare nga të gjitha anët e trojeve tona. Nga Shkupi historik erdhi historiani i palodhur z. Skënder Asani. Nga Prishtina erdhi promotori i të gjitha këtyre organizimeve, z. Mehmet Prishtina, i përcjellë nga veprimtari malishevas, z. Besim Thaçi e nga Klina z. Pjetër Coli, i cili kohë më parë rregulloi varrin e Hasan Prishtinës në Kukës. Në anën tjetër mbërriti pinjolli i Haxhi Zekës, z. Bekë Zeka. Aty na pristi nikoqiri, z. Gazmend Boletini, pasardhës i Isë Boletinit. Në mesin tonë ka edhe familjarë e veprimtarë të tjerë…

Dhe, të gjithë tok ia mësymë komunës. Në paradhomën e zyrës së tij kishte dalë të na priste i zoti i shtëpisë, z. Avni Kastrati.  Një pritje madhështore dhe e përzemërt. Sakaq ia bëhu edhe nënkryetari, krijuesi dhe veprimtari i palodhur, z. Riza Haziri.

Mehmet Prishtina, njeriu që bëri aq shumë për të madhin Hasan Prishtina, në emër të delagacionit tonë përshëndeti kryetarin e Mitrovicës, z. Avni Kastrati dhe ia dorëzoi  Pullën postare me figurën e Rexhep Mitrovicës,  të lansuar ditë më parë nga posta e Maqedonisë.

Mehmet Prishtina ia dorëzon Pullën postare kryetarit të Mitrovicës

Për figurën e këtij atdhetari, paksa të menjanuar e të injoruar nga regjimet e mëparshme, foli historiani shkupjan, z. Skënder Asani. Edhe ne të tjerët thamë ndonjë fjalë…

Në zyrën e kryetarit në Mitrovicë

Kryetari i komunës, z. Avni Kastrati, pasi tha që ndjehet tejet i nderuar që zyrën e tij e kishin mbushur mysafirë të veçantë, përfaqësues të familjeve që kanë bërë historinë e të cilët, sot e nesër, duhet të luajnë rol në rrjedhat shoqërore, na qerasi me kafe shtëpie dhe na dhuroi nga një ëmblemë të komunës së Mitrovicës e nga një libër për Isa Boletinin.

Para shtatores së Isa Boletinit në Mitrovicë

Rrugën për në Boletin e morëm pasi nderuam shtatoren e bacës Isë, buzë Lumit të Bardhë dhe vizituam shtëpinë, gati të rrënuar, por siç na thanë së fundmi të marrë nën përkujdesje institucionale, të Xhafer Devës…

Para kullës së Isa Boletinit

Kulla e qëndresës heroike, krenare si përherë. Në oborrin e saj gjetëm sofrën shtruar me gjithë të mirat. Gazmend Boletini kishte hapur zemrën dhe sa nuk fluturonte nga gëzimi. Ndjehej i lumtur e i tejet nderuar që po priste pinjollët e atyre burrave, të cilët, para njëqind e ca vitesh, bashkë me Isa trimin kishin kuvenduar e kishin qënduar në bedenat e kësaj kulle heroike. Karvani ynë tashmë ishte shtuar. Madhështinë e takimit e shtonte prania e të parëve të komunës, z. Avni Kastrati e z. Riza Haziri. Atje ishin  RTK-ja, e TV- Mitrovica...

Për çudi, kulla fliste vetë. Brendësia e saj, histori në vete. Fotot dhe eksponantet e larmishme e gjallëronin vendin. Muret e trasha të fortesës që u përballuan topave të pashallarëve satrapë turq, të ngjallnin emocione të veçanta krenarie. Për ironi, tek po hynin në oborrin e kullës, njëra nga tri shërbëtoret e kishës serbe, e futur në gji të saj, po e ngjyroste mbulojën e murit rrethues. Por, zërat e ëmbël të njomëzakëve shkollarë që loznin në oborrin e shkollës ngjitur me kullën, sfidonin heshtjen e memecëllekun e asaj foltoreje, e cila në mykun e saj ruan urrejtjen e mbjellë nga priftërinj shpirtzinj, mbuluar me kamillaf deri në fund të këmbëve.

Drekë në oborrin e kullës në Boletin

Peizazhi para nesh; male, kodra, lugje, bregore…Majdani, Zhazha, Vllahija…vështruar përmes frëngjive të kullës së qëndresës, në të perënduar të diellit, krijonte imazhe të një kushtrimi të dikurshëm të trimave të lirisë…

Mua një gjë seç më gicte thellë në shpirt: Mungesa e eshtrave të të zotit të kësaj kulle. Kush e di, mbase pse më koinçidonte me varrin e zbrazët të heroinës Shotë Galica, në Kompleksin Përkujtimor “Azem e Shotë Galica” në Galicë…

Sidoqoftë, takimi ynë në Mitrovicë e në kullën e Isa Boletinit do të qëndrojë gjatë në kujtesën tonë…



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: