Albert Vataj: Shkodra, kjo k'and e pashoqe përmallimi
| E Diel, 08.09.2013, 12:01 PM |

Shkodra, kjo k'and e pashoqe përmallimi

Nga Albert Vataj

Nëpër mundësitë të mvetësuara si gjendje e ngarkuar emocionale, pareshtur kërkojmë të vizatojmë përfytyrime dhe andje, të cilat duke shëtit' nëpër kujtime dhe nostalgji, ngulmojnë t'zbresin në t'tashmen e gjanave t'mundshme. Kësisoj, ta kapi për dore, porsi fëmijën, e duke rend' t'i rrëfej të shkumen, ta çoj nëpër vende, ku copëza jete dhe shpirti i kisha fshehun nëpër kujtime si thesare.

Asnjëherë nuk e kuptojmë se është dikush përbrenda nesh që mundet me u kujdesë me kaq përkushtim për me na zgju pupth rijetimin, me i dhan' hov kujtimeve dhe me shkund' pluhurin e harrimit. Kësisoj, me u zgju një ditë i tunduar nga një dëshirë nënshtruese përjetimi dhe andje. T'vagullta shfaqen ato vegime dhe mirazhe beduinësh, megjithatë krejtçka kjartësohet dhe hidhesh në këtë përmendje me një destinacion, të cilit i jepesh.

Që atmot të vitit 1997, kur i kisha kthy shpinën prindërve, kujtimeve dhe vendlindjes, e po ikja i ngarkuar me të paktat gjëra, ku barrën kryesore e përbënin librat, pasuria ime e shtrenjtë dhe e shenjtë, Shkodra nuk ishte kaq larg, distancë të cilën kisha nevojë ta fashisja pajada. Anipse përgjatë këtyre viteve nuk më ka munguar motivimi për ta vizituar, megjithëse i ngarkuar gjithher' me peshën e një angazhimi familjar dhe farefisnor, vaki dhe shyqyre.

Zanafilla e nji yshtjeje

Malli dhe nostalgjia, ngasun prej një kohështrirje mungese dhe harrimi, jo shumë larg, ngulmi për ta kundru dhe kumtu si një gajle e kahershme k'andeshumë, u bënë yshtja e pamëdyshtë që Shkodra t'ishin destinacioni i pushimeve të këtij viti. Imazhi hirëplotë dhe sharmi magjepsës, rrugëtuar përmes fotografish dhe ujdhesash të pamata mediatike, nuk mund të ishin aq të përplotësuara sa të dakordësohesha, duke ruajt' distancën e të mallohesha prej s'largu, ndërsa lundroja i magjepsur në këtë shëtije sendërtimesh mediatike të vendlindjes sime dhe krejt'asaj që kishte lënë dhe mbetur tek unë, jo dhe aq si përkatësi krahinore, sesa si një mishërim hyjnizues. Doja ta prekja me duar, të shkelja me këmbë e ta fokusoja me andje gjithë atë që më gufonte me mall dhe gazmim.

Tiranë-Shkodër, vajtje-ardhje

Na u desh të linim Tiranën, ndërsa ora sapo kishte kalu 09:10 minuta dhe dielli përvëlues i gushtit nderej mbi kryeqytet, duke derdh' një dritim verbues dhe një tejzgjatje hijesh në anën veriore, kah që mori drejtim makina, me të cilin po udhëtonim. Nga tre pasagjerë në këtë destinacion, Tiranë-Shkodër, vajtje-ardhje, vetëm unë isha i njëmentë. Im bir, 8 vjeç, i shumëdashuruar me detin, në të hyrë të Lezhës e mësoi se deti, të cilin ai po kërkonte t'i shfaqej, e kishim lënë tashmë pas dhe i ishim drejtuar qytetit verior të Shkodrës. Ndërsa i afroheshim fillesës së pushimeve dhe po përshkonim sakaq rrugët e territorit rrethues të kryeqendrës së veriut, ngasesha në vetvete përmes shumë hamendjesh dhe mendimesh, porsi një pasionant i çmendur lirishë, i pataksur nga horizonti.

Në "portat" e Shkodrës!

Në të hyrë të qytetit telefonova një mikun, njëherash dhe kolegun tim të hershëm, të cilin e pyeta veç të tjerave mbi vendet me të favorshme ku mund të parkonim shoqëruesin tonë katër-rrotësh. "Rruga e Degës, ose te Poliklinika", shqiptoi ai telegrafisht dhe nuk harroi të më konfirmonte vendtakimin atypari. Ata ishin dy destinacione dhe një krahështrirje e piketuar në një horizont që sa vjen e kjartëson pamjen për nëndiellin e zenittë që gjejmë teksa "gozhdon" me dritë dhe 39 gradë celcius krejtkah pamja rrok bujtjen tonë në këtë qytet. Vargani i makinave që rrjeshtohej si fishekët në vezme, përgjatë gjithë rrugës së Degës, (është fjala për të famshmen dhe ogurzezën, "Dega e Brendshme") shkëputej fiks përballë "Kinema Rrepublika", si një shkas mirëseardhjeje dhe mikpritjeje shkodrane.

Miku im, priste tashmë kryekëput ku më kishte parathënë. U përshëndetëm, u falëm dhe sakaq ndoqëm hapat që do të na çonin në qendër, të mbanim frymën në një prej lokaleve më të njohura të Piacës dhe njëherash në një nga "kapanonet" mundane, ku vendtakohen turlilloj, që nga zejtarë të politikës, deri te katundari e hallexhiu. Ç'nuk sheh e më kë nuk shihesh në kësi bujtinash kolektive, ku tangarlleku dhe krehbishtja lëpihen, mediokriteti dhe retorika krekosen si kryekooperativistët e kohës së Enverit. Kjo kafeteri gjithnjë ma ka shpifur, si çdo shtirje tjetër dhe unë viktima, gjithnjë e kam frekuentuar me të njëjtin person, gjithnjë me po të njëjtën arsye, refuzimit të mbetur në tentativë. Piva atë kafe i strukur nën peshën e rëndë të tollovisë dhe barokut, ndërruam me fjalë të thjeshta do muhabete të mëdha dhe pas jo shumë minutash i vumë kapak me një fërkim kontruktiv psikologjik dhe politik.

Rozafa, hijerëndë dhe krenare

Kaluam pragum e hotel "Rozafa" të tre njiherësh për të konsumuar takimin konsultativ dhe informues, për t'u përballur me ndryshimet e viteve të kakohëshme. Një taft i freskët u përplas në ne si një horizont që çelet tinzisht me të hyrë në holl. Kumti i shpërfaqur dhe buzëqeshja e hijshme e sportelistes që priti fjalën tonë të përzgjidhte gjuhën, me të cilën do të komunikonte, ishin nistoret e kësaj bujtjeje. Kur shqipja jonë gegnore u artikulua duke u hedhur si një urë, buzëqeshja e saj u shkriftua njëherësh me gjuhën. Bashkëshortja kërkoi mundësi të njihej me kushtet e dhomës dhe çmimin.

Ndërsa ajo me djalin morën ashensorin dhe u ngjitën për t'u njohur me atë që do të ishte strehëza disaditëshe, unë u shkreha në ndenjëset gjysmëhënë prej lëkure, duke soditur ndryshimet e bëra dhe duke shijuar ajrin e kondicionuar. Nuk vonoi dhe bashkëshortja u shfaq. Kur ende nuk kisha formuluar pyetjen sesa dashamirëse ishte strehëza jonë e përkohëshme, dhe ç'u bë i dyti në këtë kqyrje, ajo shtoi: Djali hyri në dush. Domethënë, ne zyrtarisht ishim bujtësit e vetëm shqipfolës në këtë ngrehinë emblematike të qytetit verior.

Perëndim në Rrmaj

Sapo tisi i hollë i muzgut nis të mbështjellë shtatin e qytetit e rruginave nisi të lëshohet batica mbramësore, yshtëm vullnesën me drejtim verilindor të Shkodrës për me sos' në varrezat katolike. Ky cak mëtonte të ishte një vizitë te varri i tim eti, si një ogur i mirë dhe një bekim për këtë aventurë familjare pushimesh. Gjithnjë më ka magjepsur ajo pamje që të shfaqet sapo kalon pragun dhe hyn në territorin e kishës, ku prehen në përjetësi jetët e pasosuna të krejt atyne që ky truall i vullnesës hyjnore i ka pranuar në gjirin e vet, si një shëlbim për rrugëtimin e tyre të amshuar. Azgja, veç hapave tonë që preknin puhizshëm tabanin e kësaj toke pushimi të pasosun, nuk kishte gjas' me e prish heshtjen që t'rrethonte gjithkah. Kryqe, kryqe, shtatore shenjtorësh që shenjtërojnë amshimin e këtyre shpirtrave, ndiqnin hapat dhe kureshtinë tonë që zvarrej ngadal për nga e djathta e kapelës së kishës. Kurrkund tjetër nuk mundesh me ndje dimensionin e pafundësisë që të përshkon, përveçse këtu. Atë paqe dëshiruese, kurrkush nuk mundet me ta kungu përplot me besim, se në këtë vend, ku piktakohen jetët dhe shpirtrat, ku ndahen të gjallët me përjetësinë. Më poetike e vizatoi këtë behje mirënjohjeje në Rrmaj, perëndimi, ardhja e të cilit nisi me ra mbi kryqe e shtatore si një mëndafsh i kuq, i cili ngulmon me struk' përkadalë në gjirin e vet, natën dhe këtë qytet të vdekurish që gjallon mallnueshëm në kënd të Shkodrës. Duke lënë pas dritën e zbehtë të qirinjve, që ndrinin tuj dridh' si purtek, mbi varrin e tim eti, e tuj marrë me vete një gjendje të amullt kujtimesh dhe kumti, kapërcyem pragun në Rrmaj për t'u kthy në rrëmetin mbramsor të jetës së qytetit.

Të zgjohesh prej kushtrimit falenderues të Zotit

"Një, dy, tre… një dy tre, prova teknike", ishte ninulla e kësaj dore fjalësh dhe shuplaka e një vullnese vetëdije, ajo që më përmendi atë mëngjes. Një puhi e hollë drite dukej teksa lëshohej si pudër në kurmin e natës që jepte shpirt. Ende nuk po e kuptoja se ç'po ndodhte. Ky zë sa vinte e grushtonte më fort muret e trasha të heshtjes në nadjen e freskët shkodrane. Pas një heshtjeje që nuk nguroi të hynte nga dritarja dhe dera e ballkonit, lënë hapur si të vetmet mundësi kondicionimi, një zë i paqtë kumboi si një davaritje e territ dhe kushtrimi. Kaq do të mjaftonte të hovesha përpjetë e të përfshihesha në këtë ndodhi, së cilës nuk i kisha vënë ende një emër. Brofa te ballkoni i dhomës së Rozafës që shikonte nga qendra e qytetit. Poshtë meje një amfiteatër religjioz kishte marrë jetë, duke zbardhur bashkë me ditën. Përnjëheresh u ndërmenda, ishte Fitër Bajrami. Qëndrova për disa minuta duke kundruar atë pamje që sa vinte dhe përplotësohej si mozaik. Besimtarë të shumtë vërshonin nga të katër anët e qytetit për t'u derdhur rreth këtij zëri që kumbonte dëgjues deri thellë në kurmin e përgjumur të qytetit. Radhë-radhë uleshin në tabanin e rrugës karshi Xhamisë së Madhe, improvizuar si një mundësi për kryerjen e riteve muslimane të kësaj ditë të shenjtë. Tashmë rrezet e para të dritës ngriheshin mbi kreshtat e maleve, duke u lëshuar mbi besimtarët dhe heshtjen, ku ende platitej Shkodra. Ishte i tjetërllojtë ky zgjim në qytetin tim, siç ishte edhe pamja që shpërfaqej në këtë nadje të hertë.

Me fotografi nëpër Shkodrën e rikthyme në hiret dhe nurin e saj

Tuj shëtit nëpër tisin e hollë të gjanave të vyeme dhe kujtimeve, i prekun prej mallit dhe melankolisë, hova. Munda plogështinë dhe mëdyshjet, sfidova k'anden e një gjumi që vërdallej të më kaplonte rishtaz, u vesha, mora aparatin fotografik dhe dola. Kyça në dhomën e hotelit bashkëshoqëruesit në këtë tur shëtitues shkodran, dhe brofa në rrugë. Kishte kohë që më ngucte një vullnesë me u turr' në Shkodër e më u lëshu përplot me pasion një sipërmarrjeje fotografike, me fokusu çdo copë të këtij hiri hyjnie, që kjo Shkodër ka marrë, me ia dhan' veten pa droje kësaj prekjeje magjike e kjartësie që kjo bukuri rrezaton sot nëpër ato rrugë, ku më ngucatin kujtime. Kohëshumë kishin mbetur përmbas' që nuk i isha përvesh një shëtitjeje kësoorëshe në qytet. Nuk mund të them se qysh'kur, po krejçka ngucati kjo shëtitje kishte të bënte me vegjëlinë time. Gjuhadoli, që tash i asht kthy triumfalisht të shkumes së vet shndritëse, më ndërmendi yshtjen që m'sabah në radhët e dyqaneve. Nëpër gjurmët në këto rrugë, një melankoli m'u qas përkundrudh dhe më ndiqte hap pas hapi me hijen që, sa vinte e lëngonte poshtë hapave që ndiqnin njani-tjetrin në kundimin mëngjesor. Në këtë nadje k'andeshumë kisha me u rikthy nëpër tana ata kujtime që më mbajnë t'lidhun kaq ngusht me çdo copë të kurmit të këtij qyteti. Nuk kishte kush i ngucat' përjetimet e së shkumes, me prek krejtkund ku kisha nejt, me shkel, panalun krejtkah kisha shku. Një rini e allasojt' ka mujt me ken' ajo e jona, megjithatë kishte se ç'ka me m'rrëfy në këtë shtegtim. Sakaq nuk kisha të ngopun së shtypuni butonin e shkrepjes së "Fuji Film"-it. Kisha një ngasje me fokusu çdo pëllëmbë të kësaj rendjeje nëpër shtigjet e s'shkumes. Pothuaj e gjithë zemra e Shkodrës ishte struk' në kartën 4 GB të aparatit tim modest, e krejt atë rijetim kujtimesh, kishte mujt me e xan në të kjo k'andë, për me marrë krejtçka, e mos me lan' pa marrë kurrgja. U ktheva në dhomën e hotelit, me një pash diell, ndërsa bashkëshoqëruesit ende kridheshin në gjumë.

Zogaj, krap dhe liqen

Fshati Zogaj struket në perëndim të qytetit të Shkodrës, jo më larg se 9 kilometra. Ai kufizohet në perëndim nga Kraja, në lindje nga Shiroka në jug e fillëron Taraboshi dhe në veri e përkëdhel me ujërat dhe pamjen magjepsëse, Liqeni i Shkodrës. S'kishte gjas' të mbetej jashtë k'andes për me e vizitu dhe shiju Zogajn, këtë vend që ka mbirë mbi shkëmb, dhe jetën banorët e tij e kanë degëzuar mbi liqen. Prej s'largti në fëmijërinë time, im at' më kishte fol' për këtë fshat të pazakontë, këto banorë zemërbardhë dhe manat që kishin mpleksur rrënjët në shkëmb e ngriheshin mbi ta si mbi kama mitike. Rrugës sonë për atje iu shtua edhe daja Iliri. Dielli i gushtit përcëllonte, ora kur sosëm atje ishte pika e zhegut. Megjithatë kjo nuk u kthye në mpirje e vullnesës sonë të mirë për ta kundruar atë, për ta lëmur' syprinën joshëse si mëndafsh të liqenit. Në kthim, pa gjas' ishte për me u largu pa një kujtim gastronomik, pa shijen e krapit të liqenit, pa sprovu bujarinë dhe sejdisjen e këtyre njerëzve. Pa shumë salltanete dhe krejt pa ojna, ishte bujtina ku ngulëm të drekonim, e cila natyrisht rrinte porsi një soditës mbi liqen.

Qershi mbi tortë e kësaj andje plot shend ishte Shiroka dhe perëndimi, në kthim. Një dielli majahosh që platit mbi liqen si medaljon zjarri u bë kartolina e radhës. Ajo Shirokë që gjetëm, kurrsesi nuk ishte e t’shkumes teme jo shumë të largët dhe proverbit "T'marrsha të keqen moj Shirokë, kokrra e rans ma e madhja n'botë". Nuk hetum gjurmë të dyndjes së pushuesve, e për më pak t'kishte nga ato syresh që ngulnin për t'u përfshirë në zjarrin e flakëve të këtij perëndimi, me përjashtim t'bujtësve të mbramjes, si dhe ne, pa harruar dhe amatorët e peshkimit, të cilët rëndom janë të ardhun enkas nga qyteti.

Dugajt e reja dhe shëtitorja

Është pothuajse gjithçka që Shkodra mundet me ngas' dhe me e dhan' pa kursim që nga vendaliu e deri te kureshtia e krejt'kujt, me kast edhe të huajve, të cilët kanë dëgjuar dhe përcjell' prej s'largu për rrugën e Dugajve t'reja, e qujtun administrativisht "Kol Idromeno". Pedonalja, kamsorja e prume në shqip, është një nga joshjet më të epshme për kandën e sekujt që vjen në Shkodër. Kësisoj, nuk kishte se si mos t'jetë edhe për ne si e tillë, pas namit të madh dhe nusërimit që ka lëshu në vete kjo copë e hershme e historishumë e qytetit verior. Për këtë shëtitore, dugajt e kësaj rruge, zanatçinjt' dhe tregtarët e saj është folur dhe është shkruar pafund. Në vete ajo mban edhe shumë gojëdhëna dhe legjenda urbane të gostituna dhe të mylmyme me shumë shije dhe sharm. Kishte shku do natë kur zume vend në një nga të panumërtat lokale që, sa vinin dhe po i merrnin frymën kësaj mushkërie të transplantuar. S'do të ishte me rëndësi as porosia dhe as shërbimi, sa do të merrte vëmendje shëmbëllimi që mëtonte vetiu, ajo që derisot quhej kamsore dhe tashembas, do të ishte më e gjetur të ishte dhe të funksiononte si një pasarelë mbrëmjejeje, ku shkodranë e të ardhun, përgatiten me shumë kujdes për shëtitjen e "dukjes". Këtu njerëzit vijnë për të pa dhe për t'u pa. Në të dy anët e mbetura, pa u zënë me karrike dhe tavolina vërshon radhë-e radhë valëzimi mbramësor i kërshërisë. Për ata që dalin s'pariherë në këtë paradë është shumë e sikletshme. Qindra sy dhe vështrime të vëzhgojnë me ngulm dhe pareshtur. Azgja nuk hyn dhe del nga kjo pasarelë gjigande pa u vëzhguar dhe komentuar. Ky sëmbim zgjaton deri para orëve që paralajmërojnë mesnatën, kohë kur nis të davaritet reja e njerëzve dhe qyteti hidhet në prehnin e ëndërrimeve. Ikëm edhe ne, duke marrë me vete një lëndim dhe dhimbje, që ka të bëjë me atë që kishte molepsur kaq shpejt këtë hir të Shkodrës, këtë pamje që e gjejmë të fokusuar në andje dhe kartolina personale, mijëra herë nga dashnorët e bukurisë dhe sharmit. Nga një këmbësore dhe disa stola për bujtësit e mbrëmjes dhe hijeshinë e vajtje-ardhjes, kuvendimit dhe falmeshnetet mesvedi, Rruga "Kol Idromeno" ishte transformuar në një pasarelë, pijetore kolektive dhe zhagitje e pështirë interesash përfitimi. E shëmtuara e kësaj bukurie ishte padyshim larushia e çadrave që ndereshi mbi kokat e bujtësve, turlillojshmëria e firmave dhe patentave të pijeve dhe gostive që jargiste shumndhyrshëm marketing dhe pabukuri. Ajo që ishte andja dhe dëshira më e madhe e Shkodrës, m'u ba zehri ma i hidhët dhe zhgënjimi ma i madh. Gjithpoaq k'anda ma kishte me kundru e me e shiju ashtu siç duhej të ishte dhe mbeta në përpjekjen teme të mëdysht' për me e pranu ashtu siç e kishin katandis'.

Nata e epilogut

Tashma nata ka mbështjellë krejt shtatin tënd Shkodër Loce. Ngadalë, hapave të mbramë i vihen nga pas pëshpërimat dhe tafti i freskët i natës së fundgushtit dhe turri jem për me e mbyll'.

Dritat dhe prekjet tinzare llamburisin në këtë kredhje mesnate. Një ditë ke lënë pas, qyteti im dhe unë në vete, vite dhe kujtime kam struk' në përmallim. Pas hiqen zvarrë rrugëve të tua, kujtime dhe derte, lëndime dhe andrrime, ankime e lëngime. Hiqen zvarrë e struken nën dritat që përgjojnë ngultas krejt këtë lojë fryme e hijesh ikanake e ne kundrojmë. Nata t'ka veshur qyteti im dhe ti sërish kumton hiret e një nuseje që drojshëm nën duvak, k'andet me ladru nëpër kujtime dhe dëshirime. Duke vështruar yjet mbi qiellin tënd, pafundësinë e dëshirës me të dasht' përjetësisht me të njëjtin passion, ndjej teksa më pëshkon si një prekje ngjethëse ikja. Erdha e më duhet me t'lanë në shenjtnin' tande, duke ikun me zemrën plot e me hovin peshë, me ty në sy e në shpirt, Shkodër, k’and e pashoqe përmallimi.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: