Ilir Muharremi: Le të vazhdojmë...
| E Hene, 02.09.2013, 06:59 PM |

Ese

Le të vazhdojmë...

Artistët le të merren me zbukurim, korrigjim dhe mesazh. Ajo vazhdon. Le të vazhdojë se duhet. Dy apo tri vija, nuk ka rëndësi sa. Mjafton ato të jenë të thella nga shpirti i pafajësisë artistike, e cila duhet të dalë

Nga Dr. Ilir Muharremi

Kjo jetë, endje, vendosje dhe kontroll. I njëjti jam, më i sinqerti me veten dhe me ju. Aspak nuk dua të kontrollohem, instinkti vendos si në ditën e parë. Vazhdim... Piktori, poeti, shkrimtari, nëse planifikon nuk i ngjan shpirtit. Shpirti nuk ka kontroll, as rregull. Absolutisht. Rrugë, ecje, bosh për të krijuar.

Arti, e ardhmja

Arti është ndezje e kundërt me çdo gjë. Arti hyn çdo kund, madje edhe të vdekurin zgjon. Arti është lart, qiell, kaltërsi, por jo monoton, i thellë. Arti - pavetëdije, e dijshme dikur. I vjetër për postmodernen. Vjetërsia pengon klith absoluten për të dominuar. Arti, e ardhmja. Nëse merrem me të nuk do të nxjerr ndonjë formulë perfekt. Relative për të ekzistuar. Shumë mirë. Vazhdon. Pse mos të vazhdoj. Nuk kupton pse duhet të vazhdoj. Pak rregull, po sikur të kishte a do ishte art? Autodidaktë, i pavlerë për të shkolluarit. Por, as ata, ose ne, nuk jemi Da Vinçi, Mikellanxhelo, Rafaeli... Thellësi pa planifikim duhet të ishte dhe duhet të jetë. Tingull i ngjyrës, përjetësi për të ulëtit. Ata që gjithnjë do t'ju vlerësojnë. Rikard Vagner-Gjeni. Promethe - zbulim. Shekspir - enigmë i dramës së shkruar. Le të vazhdojnë. Nietzche - kontradiktë në çdo rresht që shkruan. Nuk është ai që në fillim. Pikaso - bukuri në fillim, zhgënjim në fund. Van Gogh - dhimbje gjithnjë. Modiljani - harre, jetë pa gjatësi. Vetëm moment. Po ku ikën këta që i shënuam, apo shënuan vetë mbisunduan mbi ata që nuk i kuptuan. Ose i kuptuan për t'i lartësuar. Ishin të lartësuar për të jetuar gjithnjë. Nuk planifikuan aspak jetëgjatësinë. Arti i tyre mahnit bukuritë e virgjërisë endacake së gadishujve. Pse unë të citoj këtë thellësi. Pse unë të jem pjesë e saj? Pse unë të komentoj këtë? Sa mirë sikur të mos isha asnjëherë. Nuk do njihesha, nuk do dëgjojë zërat e tyre. Do isha një asgjë. Ai asgjë as që do shkruaj, as që do përmendej. As këta nuk do përmendeshin. Le të vazhdojnë. Lumë që rrjedh asnjëherë njëjtë. Heraklit për ta zbuluar. Pse duhet të shkruaj? Pse duhet të komentoj? I programuar, ndoshta i paaftë për të zgjedhë. Sinqeriteti shumë bukur shpalos vetëdijen, e cila gëlltitet nga çdo gjë. Ndjenja shkrin, shpirti udhëheq. Trupi servil. Kështu duhet. Prapë duhet. Pse të duhet? Ndoshta nuk është dashur. Në konflikt me çdo varg. Çdo pjesë e kundërshtoj. Hapat që lënë gjurmë i shkel i korrigjoj, mirëpo ata lënë gjurmën e pafajësisë. Bie borë, unë shkel mbi të. Sëmundje, armik i përbetuar, i përbuzjes që nuk mund të luftoj, jo veç unë, por askush. Sëmundja fitimtare na bënë skllav, edhe armik, por t'i fiton. Përse të na endësh? Vazhdo, duhet të vazhdosh. Duhet edhe ne të bindemi. Loz me neve. Tamam teatër, që mungon publiku i sinqertë. Publik duartrokitjesh që në premierë veçon të sëmurin. Nuk e di përse e shkruaj. Nuk di përse këngëtari këndon aq bukur. Nuk di përse shkrimtari thellon vargun dhe më tërheq. Përse piktori është aq ngjyror, konceptual.

Jemi të lashtë, gjithmonë të vetëdijshëm

Përse Orhan Pamuk punon dhjetë orë për gjysmë faqe? Pse shumë për pak? Ndoshta ajo pak është që duhet të jetë. Ajo shumë vetëm skllav për t'u sakrifikuar. Truri është i shtrirë, i shfrytëzuar për aq sa duhet. Ajo sa duhet kontrollohet nga frymëmarrja. Le të vazhdojë. Unë aspak nuk planifikoj, asnjë shkronjë që e vendos. Nuk e di pse e vendos. Ndoshta as që duhet. I huaji i Kamysë doli me një frymë. E ktheu veten në një jetë të ftohtë, zero. Nga aty u nis. Embrioni nënë. Ajo fiton, ajo udhëheq. Ajo gjenetikisht na trashëgoi. E duam dhe do ta duam. Nuk është lëvozhgë e vjetër që na mban. Ne jemi ajo. Kompleks i jetës përjetësi - nënë. Vështirësi , përballje e sizifit, dy krijesa në të njëjtën kohë. Secili duhet të kuptojë. Nëse nuk të kupton është i paaftë për të vazhduar. Ai vazhdon kështu dëmton botën, ndoshta edhe kjo duhet. Le të duhet. Tamam rreth i çdo gjëje. Matematikë pa zgjidhje. Nuk kemi faj. Sikurse të kishim faj, do të ishim fajtorë që në lindje, në lindje jemi të bardh. Të pavetëdijshme na quajnë. Jemi të lashtë, gjithmonë të vetëdijshëm. Nuk dalim nga absolutja. Vdesim fëmijë sikurse qysh lindim. Kjo është kënaqësi. Artistët le të merren me zbukurim, korrigjim dhe mesazh. Ajo vazhdon. Le të vazhdojë se duhet. Dy apo tri vija, nuk ka rëndësi sa. Mjafton ato të jenë të thella nga shpirti i pafajësisë artistike, e cila duhet të dalë. Pa vetëdije. Vetëdija edhe arti ekzistojnë. E unë mendoj për të dyja. Njerëzit zgjatin jetën aq sa munden. Por, nuk dinë se jeta mban kurorën me aq sa është.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: