Avzi Mustafa: Mësim-besimi në funksion të shqipes
| E Premte, 30.08.2013, 09:05 PM |

Mësim-besimi më 1942-1944 ishte në funksion të gjuhës shqipe

Nga Prof. Dr. Avzi Mustafa

Lufta e Dytë Botërore solli edhe disa pamje të reja për shumicën e shqiptarëve të Maqedonisë Perëndimore, Kosovës dhe Malit të Zi. Kjo ndodhi 17 ditë pas kapitullimit të Mbretërisë Jugosllave. Shqiptarët të bashkuar, por pa kushte për ndonjë konsolidim, ishin të detyruar që të kërkojnë ndihmë nga shtetet fqinje dhe të huaja. Duke u mbështetur në ndihmën e huajve, vendet shqiptare, që kishin qenë nën okupim të Mbretërisë Jugosllave, u ndanë në zona. Zona më e madhe që përfshinte shqiptarët de fakto i takonte Italisë, ndërsa tjetra i takonte Gjermanisë dhe Bullgarisë. Zona që i takonte Italisë de jure ishte zona ku qeverisin shqiptarët dhe quhej Mbretëria Shqiptare. Shqiptarët, të përkrahur nga pushteti italian, për një kohë shumë të shkurtër ngritën administratë e pushtetit të tyre. Për të pasur sa më shumë sukses, ata i përdorën të gjitha mjetet materiale dhe shpirtërore që sa më tepër të ngjallin admirim ndaj tyre, duke dhënë të drejta që shqiptarët e këtyre viseve kurrë nuk i kishin gëzuar. Si detyrë parësore ishte sa më shpejt të ngrihet arsimi. Ata menjëherë i hapën shkollat laike dhe sollën mësuesit më të ditur dhe më të ngritur, si në aspektin didaktik, ashtu edhe në aspektin moral dhe profesional. Ata zhvilluan një rrjet shumë të gjerë shkollash dhe arritën që të grumbullojnë një numër të madh të nxënësve shqiptarë në këto shkolla.

Mbretëria Shqiptare ishte shumë e vetëdijshme se ndjenjat fetare në viset e liruara ishin një faktor vendimtar në përfshirjen e nxënësve dhe hapjen e shkollave. Kjo ishte një ndër arsyet që sa më shpejt, nëpërmjet prefekturave dhe nënprefekturave, që të përgatiten planet dhe programet dhe të jepej leja që edhe mësim-besimi të jetë pjesë përbërëse e plan-programeve mësimore në shkollat shqipe. Komiteti Islam në Tiranë, në krye me Kryetarin, Behxhet Shapati, dhe me Kryetarin e Ylemave, Sherif Langun, u ngarkuan që sa më parë të përgatisin elaboratin mbi lejimin e mësim-besimit ndër shqiptarët e viseve të lira. Në bazë të një qarkoreje, që mban nr. 447, Kryesia e Këshillit t’Ylemave të Komitetit Mysliman njofton Kryemyftinjtë, Myftinjtë e Nënmyftinjtë në Shqipëri që me dekret të posaçëm të ngarkojë Kryetarin dhe Këshillit e Ylemave të Komitetit Mysliman në gjithë Shqipërisë për projektimin e një Statuti të ri për Komitetin e gjithë Myslimanëve”. Në Statutin e ri një prej detyrave ishte edhe futja me dekret e mësimit fetar për të gjitha shkollat shtetërore. Njerëzit që do të angazhoheshin për mësim feje duhet të ishin së pari shqiptar dhe të kishin kryer ndonjë shkollë fetare, ndërsa si detyrë parësore parashihej që të gjitha ata që do të angazhoheshin, të kenë për qëllim “rrënjosjen e ndjenjave fetare, bashkimit e dashtunimit vllaznuer fetarë e kombëtarë shqiptar”.

Pas aprovimit të statutit të ri dhe marrjes së lejes për mbajtjen e mësimit të fesë, caktimi i mësueseve të mësim-besimit bëhej me përgjegjësinë e udhëheqësve të shkollave dhe të inspektoratit për arsim. Kryetari i Ylemave i pranonte të gjitha lutjet dhe propozonte se cili mund të ishte mësues feje. Përparësi kishin ata të cilët shiheshin se u janë zgjuar ndjenjat kombëtare nacionaliste. Kështu, sipas dokumentit nr. 19 të datës 3. XIII/41 së pari lajmërohet shkolla e Ulqinit me propozim që mësues mësim-besimi në këtë qytet të emërohet Izet Zejnuni, i cili njëherazi ishte edhe imam zyrtar për myslimanet dhe njeri i dëshmuar i çështjeve shqiptare, kurse për besimin katolik, Dom Nikol Tusha, i cili pa ashtu kryente detyrën e famullitarit të kishës në Ulqin, ndërsa për ortodoksët thuhet në dokument se nuk mund të gjejnë njeri të përshtatshëm “se asnjë nga popat nuk zotërojnë gjuhën shqipe”. Por, që të mos ketë padrejtësi ndaj komuniteti ortodoks, për mësim-besim angazhohet mësuesi i shkollës, Mina Nikolla Gega.

Prej vitit shkollor 1942, gjegjësisht prej fillimit të vitit shkollor, varësisht nga personi dhe rregullimi i dokumentacionit, fillohet me dekret të emërohen mësues të mësim-besimit në të gjitha vendet e Mbretërisë Shqiptare, përfshirë edhe Maqedoninë, Kosovën dhe Malin e Zi. Sipas dokumenteve arkivore, mësues të mësim-besimit emërohen sipas përkatësive fetare të shqiptareve. Kështu, sipas dokumentit të AQSH f. 195 v. 1942 d. 263, n. 8 gjendet një listë e personave që propozohen të emërohen mësues besimi në Kosovë dhe në Maqedoni, si: Ahmet Haxhi Vehabi mësues besimi në Tetovë, Rexhep Ferati në Tetovë, Sali Abdyrahmani në Prishtinë, Et-hem Tahir Pishnjari në Reçiçë të Tetovës, Zulfi Naziri po ashtu në Reçicë, Hafiz Nexhat Veseli në Xhepshitë të Tetovës, Hafiz Shaban Halili në Zhelinë të Tetovës, Jahja Baftir Mënjaku në Shipkovicë të Tetovës, Shefki Ademi në Gajre të Tetovës, Iljaz Idrizi në Pallçishtë të Tetovës, Ramadan Osmani në Gradec të Gostivarit, Nixhmi Abdullahu në Zhelinë, Haki Selmoni në Reçicë, Ajet Kamberi në Strimnicë të Tetovës dhe Zeqir Teufik Lazami në Kamjan të Tetovës.

Kryetari i Komunitetit Mysliman, Dr. Bexhet Shapati, me shkresën nr. 851/1 i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar leje që të emërohen të gjithë ata që kanë shprehur dëshirë dhe që i plotësojnë kushtet. Në shkresën nr. 50 të datës 19.02.1942 thuhet se në viset e Lirume si kandidatë për mësues besimi kanë shpreh dëshirë: Emshi Ismail Rexhepi për shkollën e katundit në Dobërdoll të Gostivarit e Hafiz Ymer Spahija në një shkollë të qytetit të Prizrenit. Për Shkollat e Pejes, Myftinija e Pejës propozon që për mësues të mësim-besimit, sipas cilësive të duhura, të jetë Hafiz Sulejman Pajaziti dhe z. Beqir Mulla Zeqa, pasi këta të dy e “dinë mirë shqipen në të folme e ne të shkruar dhe se është (janë) të aftë për mësim”.

Në Dibër për këtë kurs të mësim-besimit emërohet Devish Jahja, i cili ngarkohet me 7 orë në shkollën fillore “Skenderbej” dhe me nga dy orë në shkollën fillore “Lirija” të Dibrës për klasat e dyta dhe të treta. Meqenëse numri i shkollave edhe i nxënësve po shtohej, Kryesia e Komitetit Mysliman e ndjek me vëmendje këtë gjendje, duke kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që të angazhojë mësues të fesë edhe në vendet me më pak nxënës, me shpresë se numri do të rritet. Kështu në Pallçishtë të Tetovës, për shkak të numrit të madh të nxënësve, Kryesia e Komitetit Mysliman detyrohet ta pranojë Sherif Sherifin nga i njëjti katund, kurse Abdyl Qerimin në fshatin në Ladorishtë të Strugës.

Në bazë të dokumentacionit që disponojmë, shihet se disa mësues të mësim-besimit janë shumë të ngarkuar mje orë mësimore, si për shembull Ali Hamidi nga Qarku i Prishtinës, i cili është i ngarkuar me 17 orë në javë dhe mban mësim në tri shkolla të qytetit të Prishtinës. Edhe mësuesit e fesë, si Rexhep Ferhati nga Tetova, jep mësim në klasën I, II dhe III, kurse Ahmet Vehapi në klasën IV dhe V në Tetovë. Abdyl B. Mehmeti mbante katër ore në javë në Kamjan, kurse Ahmet Hasani që nga viti 1932 punonte si mësues besimi në nënprefekturën e Kërçovës. Ai mbante pesë orë në javë në të pesë klasat në fshatin Sërbicë (Kastriot) të Kërçovës, ku u mbante mësime 138 nxënësve. Detyrën e mësuesit e kishte marrë më 9 mars 1941 me një pagesë prej 60 frangave shqiptare. Po ashtu kemi edhe pasqyrën e të ngarkuarve me mësime në kursin e besimit në Prizren, si: Pjetër Berisha me 9 orë për elementin e besimit katolik, Sami Xhemaili me 26 orë në shkollën “Bajram Curri” dhe “Adyl Frashëri”, Maksut Spahiu me 22 orë në javë në shkollat: “Stjefan Gjeçovi” dhe “Haxhi Ymeri” në Prizren, ndërsa Ali Hamiti i punësuar në shkollën nr. 1 në Prishtinë me 14 orë dhe Islam Emini në shkollën nr. 2-femërore po në Prishtinë me 12 orë në javë, ku shërbimi pagesor kapte shumën prej 84 franga shqiptare. Nga dokumentet mësojmë se, për shkak të vonesës së pagesës, disa nga mësuesit e mësim-besimit në disa vende të Shqipërisë janë larguar nga detyra, kurse nga vendet e Lirueme asnjë nuk e kishte vënë këtë çështje në diskutim. Përkundrazi, në Vendet e Lirueme kemi kërkesa për angazhim. Kështu, në bazë të një dokumenti shohin se Baftjar Fazliu nga Prishtina njoftohet se dokumentet e tij ende nuk kanë arritur në Inspektorinë e Arsimit që të mund të angazhohej për mbajtjen e mësim besimit.

Është mjaftë interesante që të përmendet se në këtë kohë kemi edhe kërkesa nga ana e femrave, si p. sh. Lutfije Zejnullahu dhe Xhevrije Ali Hysejni nga Prishtina. Mirëpo, të dyja zonjat nuk pranohen, “sepse nuk ka nevojë” thuhet në dokument për shtesë të personeli. Ata të cilët kishin biografi të mirë, njohje të mirë të gjuhës shqipe dhe dëshmonin patriotizëm, nuk i largonin, por i angazhonin në kurse të ndryshme, si p.sh mësuesin Baftjar Fazliu, i cili kishte konkurruar për lëndën e mësim-besimit dhe i plotësonte kushtet që ta ushtrojë këtë detyrë.

Dëshira për lëndën e mësim besimit nga ana e prindërve dhe e nxënësve ishte e madhe. Në bazë të letrës protokolluar me nr. 668 të 28. 7. 1942, të lëshuar nga Dibra, drejtuar Ministrisë së Arsimit, vërehen ankime të shumta pse në shumë shkolla fëmijët nuk marrin mësim feje dhe pse nuk angazhojnë mësues të fesë se “popullsija e këtyre vendeve janë tepër të dhanun mas fejet një trashëgim në ketë pikë sjell një mos kënaqësi në popull dhe len vend thash e themeve të shumta”.

Ndërkohë të gjithë mësuesit e mësim-besimit gjatë vitit 1942 ishin në sprovë. Ata ndiqeshin nga Inspektori i Arsimit dhe nga përgjegjësit e shkollave. Qëllimi kryesor i përgjegjësve ishte të ndjekin te të gjithë se si e flasin dhe shkruajnë gjuhën shqipe dhe sa e lidhin fenë me traditat e vendit tonë. Në një Raport të lëshuar nga Drejtoria e shkollës fillore “Skenderbeg” të Tetovës jepen sqarime për punën e A. Vahapin, R. Feratin dhe Abdylbaki Memetin. Nga shkresa nr. 153/16 e datës 3.3.1942 shihet se për Abdylbaki Memetin kërkojnë që të pushohet nga puna, sepse ai shumë pak e njeh gjuhën shqipe ose të dërgohet në “katundet Pirok, Çolopek apo Kamjan ku nxënësit janë të gjithë shqiptar qe nuk dinë me fol tjetër gjuhë veç asaj shqipe. Atje Bakiu do të shtërgoheshte me mësue mirë shqipen”.

Nga dokumentacioni i shumtë shohin se ka shumë kërkesa nga hafëzë, hoxhallarë e myderrizë për t’u inkuadruar në mbajtjen e mësim-besimit. Kështu, nga deponimi i dokumentacionit me biografitë dhe ixhazetnametë e tyre, të përkthyera në gjuhën shqipe, dalin në shesh të dhënat për lëvizjet e punës së tyre, kurse atyre që u mungonin ixhazetnametë merrnin dëshmi nëpërmjet njerëzve të firmosur para kompetentëve, si imamëve njerëzve të bashkisë dhe të gjykatës.

Nga biografitë e tyre shihet edhe shkalla e kualifikimit dhe e punësimit të tyre. Kështu, Ali Hamiti, myderriz nga Prishtina, thuhet se ka dhënë mësim në gjimnazin turk në Prishtinë në vitin 1911. Punën e këtij myderrizi e dëshmojnë Mahmut Rexhepi, imam në xhaminë e Prishtinës dhe Mehmet Shabani, polic në Bashkinë e Prishtinës, vërtetuar nga Kryetari i Bashkisë së Prishtinës, Salatin Kelemendi. Por, Inspektorati i Arsimit kërkon sqarime për kandidatin se sa e njeh gjuhën shqipe dhe se a ka nevojë për mësues të fesë në këtë qytet. Sipas shkresës nr. 153/82 të 16.5.1942, ky mësues feje ngarkohet me detyrë në tri shkolla me 17 orë mësimi në javë me një rrogë prej 80 franga shqiptare. Ka edhe të tillë të cilët nuk pranohen, sepse nuk e njohin gjuhën e folur dhe të shkruar shqipe. Kështu ndodh me Abaz Selam Kabashin, të cilin e drejtojnë dhe e udhëzojnë “që të mësojë mirë gjuhën shqipe në të shkruem e në të folur dhe rishtazi të bejë kërkesë”. Po kështu kemi edhe kërkesën e Azem Dalipit nga fshati Tuhin i Kërçovës, i cili dëshiron të mbajë mësim-besimin në shkollën e Tuhinit dhe të Jagoll-Dolencës. Në biografinë e tij shkruan: Azem Dalipi i lindur në katundin Tuhin të Nën/prefeturës së Kërçovës. Në vitin 1902 ka mbarur Ruzhdijen në Kostur të Greqisë. Pastaj ka ndjekur mësimet në gjuhën arabe në medresenë e Kërçovës. Pas mbarimit të mësimeve 6-vjeçare vazhdon shkollën Normale në Manastirë ku edhe është diplomuar. Emërohet mësues në fshatin Veleshtë të Strugës. Me ardhjen e fuqise Jugosllave është detyruar që ta lëshojë punën dhe merr rrugën për në Turqi. Atje emërohet mësues praktike pranë shkollës Normale të Kostamanit. Pas 6 vjetëve shërbimi ai emërohet Drejtor i shkollës fillore në Bolli në këtë post qëndron deri në vitin 1923 ku thotë se u ktheva në Atdheun tim dhe punova si mësues feje dhe detyrën e mbajta deri në shembjen e regjimit barbar Jugosllav. Gjithashtu thotë se “dinë mirë me shkrua e me këndue gjuhën amtare (Shqipen). “Tash që lumnisht që vendi im u bashkue me Nënën Shqipni, dëshiroj të emnohem mësues besimi në shkollën e Tuinit e Dolencit....Me nderime Azem Dalipi”. Lutja biografike si duket është shkruar nga mësuesi i mirënjohur Petref Therrepela, mësues nga Shqipëria, ngase me ndihmën dhe rekomandimin e tij ai emërohet mësues feje në Tuhin dhe Dolencë.

Nevoja për mësim-besim ishte e madhe tek elementi ortodoks. Në bazë të një shkrese kuptojmë se si Kryesia e Ylemave i drejtohet Sinodit të Shenjtë për emërimin e mësuesve të mësim-besimit ortodoks. Kërkesat më të mëdha ishin në Tetove, Dibër e, sidomos, në fshatrat e Rekës së Epërme dhe në prefekturën e Prizrenit. Edhe pse pagesa ishte 150 franga shqiptare, përsëri kuadër nuk mund të gjendej. Në Tetovë arrihet të emërohet Dimitri Risto nga ky qytet, i cili thuhet se e “zotëron gjuhën shqipe”. Më vonë vjen edhe Kiço Panidhi si mësues shtetëror në Tetovë.



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: