Frank Shkreli: Fjalët e Nënë Terezës gjithnjë aktuale
| E Hene, 26.08.2013, 08:00 PM |

FJALËT E NËNË TEREZËS TINGËLLOJNË  GJITHNJË AKTUALE

(Në kujtim të 103-vjetorit të lindjes)

Nga Frank Shkreli

Anë e mbanë botës, përfshirë edhe në kryeqendrën e urdhërit të Nënë Terezës në Kalkuta, u festua me lutje të posaçme 103-vjetori i lindjes së Nënë Terezes, në përkujtim të mësimeve dhe trashëgimisë së saj dhe njëkohsisht për të kërkuar bekimet e saj.

Age Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza, bija e kombit shqiptar, e njohur anë e mbanë botës për punën e saj të palodhur në shërbim të varfëreve, të sëmurve dhe atyre në prakë të vdekjes, lindi në Shkupin shqiptar 103 vjetë më pare, më 26 gusht, 1910.   Me  shembullin e veprës së saj dhe të dashurisë personale për të afërmin sa ishte gjallë,  -- megjithse ka ndërruar jetë 16 vjetë më parë --  ajo nepërmjet  veprimtarisë të motrave të  Kuvendit të saj në më shumë se 120-vende të botës, vazhdon misionin e saj edhe sot duke  u ngjallë shpresat  të pa shpresëve.   Ajo  gjithnjë vazhdon të frymëzojë botën, ashtu që besimin në diçka më të madhe se ne, ta përdorim për punë të mira dhe për një dashuri më të madhe për njëri tjetrin.  Vepra dhe fjalët e sajë vazhdojnë të tingëllojnë gjithnjë si udhëzim dashurie për të gjithë njerërzit, si për katolikët ashtu edhe për jo katolikët, pa marrë parasyshë besimet ose dallimet e tjera anë e mbanë botës.   Bija e kombit shqiptar, edhe në këtë 103 vjetor të lindjes së saj vazhdon të konsiderohet nga bota si një shembull altruizmi, bazuar në punën e saj dedikuar më të varfërve të botës.  Ajo ishte shembull i dashurisë së njeriut për njeriun, në veprim!  Për këto kontribute ndaj botës, Nënë Tereza kishte marrë disa çmime prestigjoze, përfshirë edhe Çmimin Nobel për paqë për punën dhe veprimtarinë e urdhërit të saj për shërbimet humanitare ndaj shoqërisë dhe njerëzimit.

Ky mesazh i Nënë Terezës, dashuria për njërin tjetrin, është sot më i nevojshëm se kurrë – në çdo nivel të jetës së njeriut -- ndërkohë që bota po përballet me probleme të mëdha ekonomike dhe politike si dhe me ndasi, kryengritje shoqërore dhe ndasi fetare.  Në këtë pasiguri botërore, njerëzit kanë nevojë për diçka më tepër, për diçka më me vlerë, për diçka me një substancë më të theksuar shpirtërore, për një objektiv e qëllim më të lartë për ta bërë ekizstencën tonë në këtë tokë më të lehtë dhe më të lumtur.   Nënë Tereza me trashgëminë saj dhe me fjalët e saja të pasqyruara dhe të dokumentuara në qindra libra e artikuj e intervista, na mëson të duam njëri tjetrin, me qëllim jo vetëm të mbijetojmë por edhe si pjesëtarë të shoqërisë ku jetojmë, të kontribojmë në këtë botë, që sado pak të ndihmojmë në përmirësimin e jetës për të gjithë, e sidomos për ata që janë të "varfërit e më të varfërve" --sipas sajë, gjithmonë me dashuri  për të gjithë dhe nepërmjet dashurisë për njëri tjetrin, si krijesa me të drejta dhe obligime të barabarta para Perendisë.

Ndërkohë që bota, për arsye ideologjike, materiale dhe ndasive të ndryshme,  përballet me terrin e shpirtit dhe me mungesën e dashurisë për njëri tjetrin, Nënë Tereza gjithnjë qëndron para botës si një simbol i një shprese të qëndrueshme, për një jetë më të mirë dhe si simbol i mundësisë së ndryshimeve pozitive përballë sfidave personale dhe shoqërore të njeriut dhe të shoqërisë ku ai jeton.

Kjo shpresë dhe besimi në mundësinë për të kryer vepra të mira në shërbim të tjerëve të cilët kanë nevojë për mbështetjen tonë, rrjedhë nga fakti se ajo besonte se çdo njëri prej nesh posedon aftësinë, mirësinë dhe dashamirësinë për vepra të mëdha.  Vetë Nënë Tereza nuk besonte se ajo ishte unike ose e veçantë dhe nuk kishte ndonjë sistem shtetëror ose të ndonjë organizate botërore që të mbështeste veprimtarinë e saj, ndaj për këtë arsye, trashgëmia e kësaj murgeshe katolike me origjinë shqiptare mbetet edhe sot e respektuar anë e mbanë botës, nga pothuaj të gjithë njerëzit e ideologjive dhe feve të ndryshme, përfshirë edhe ata që nuk besojnë.

Nënë Tereza e shihte misjonin e vet në këtë botë si një thirrje për të ndihmuar më të varfërit, dhe për të dashur më të afërmin, si një doemosdoshmëri këjo e nevojshme për paqë  jo vetëm në familje, por edhe në shoqëri dhe në botë.   Për veprimtarinë e saj në këtë fushë, në vitin 1979 ajo mori Çmimin Nobel për Paqë, "Për punën e sajë në përpjekjet për të mposhtur varfërinë, vuajtjet dhe mjerimin, të cilat gjithashtu përbëjnë një kërcënim ndaj paqës në botë."

Për një kohë të gjatë, Nënë Tereza kryente misjonin e saj në vetmi dhe larg interesimit dhe vëmendjes së medias botërore.  Por më 1967, gazetari i njohur i BBC-së Malcolm Muggeridge, mori në intervistë Nënë Terezën, për të cilën deri atëherë, bota nuk kishte dëgjuar shumë.  Pas kësaj interviste, media ndërkombëtare, sidomos ajo perëndimore filloi t'i kushtonte vëmendjen personit dhe punës së Nënë Terezës.  Mediat amerikane e trajtuan atë si një "super-star''.  Ndër të tjera, në atë kohë, gazeta Nju Jork Tajms e deklaroi atë në faqen e parë, si "Një shënjtëreshë të gjallë", dhe revista Tajms e cilësoi Nënë Terezen si "lajmëtaren e dashurisë dhe të lumturisë" në botë.   Fillimisht, e gjithë këjo famë nuk i pëlqente Nënë Terezës, por me kohë ajo mësoi ta përdorte mjeshtërisht interesimin e medias për punën e sajë, për të përqendruar vëmendjen ndërkombëtare mbi gjendjen e mjerueshme të të varfërve të kësaj bote dhe si një mjet për realizimin e misionit të saj për të ndihmuar më të varfërit dhe të mjeruemit anë e mbanë botës.  Nepërmjet medias, ajo mundi të tërhiqte vëmendjen e personaliteteve më të njohura botërore politike, kulturore e të tjera, si edhe të qeverive dhe enteve ndërkombëtare, përfshirë edhe organizatën e  Kombeve të Bashkuara, para të cilës ajo ishte ftuar të fliste disa herë.

Duke e parë rëndësinë që kishte media si dhe rolin pozitiv që ajo mund të luaj në një shoqëri, Nënë Tereza, me një rast  është shprehur kështu duke iu drejtuar përfaqsuesve të medias: "Shkruani të vërtetën......Mos shkruani vetëm me qëllim për të bërë bujë ose për të provokuar reagime.  Njerëzit do të bëhen produkt i asaj që lexojnë.  Dikush ka thënë se, 'më thuaj se çka lexon dhe të tregoj se kush je’.  Ata të cilëve Perëndia u ka falë fuqinë, aftësinë dhe talentin, duhet t'i përdorin ato vetëm e vetëm për të adhuruar Atë, dhe për të mirën e të tjerëve.”

Media ndërkombëtare në përgjithësi e ka trajtuar Nënë Terezën dhe punën e saj me respektin që ajo meriton.  Nuk jam i sigurt nëse këjo mund të thuhet edhe për median shqiptare dhe shqiptarët në përgjithësi.  Në një kryeartikull të ditëve të fundit, me titull, “Dy skaje të Krishtërimit që nisën nga trojet tona”, Ruben Avxhiu, kryeredaktor i gazetës shqiptaro-amerikane, Illyria shkruan mbi Konstandinin e Madh dhe mbi Nënë Terezen, si“figura globale dhe historike” të kombit tonë.  Ruben Avxhiu,  shkruan ndër të tjera se, “Nënë Tereza u bë një nga simbolet e epokës sonë për shkak të shembullit të saj të shërbimit humanitar e vetëmohues në një periudhë të shpërthimit materialist….murgesha me prindër shqiptarë ndikoi personalisht te udhëheqësit më të njohur botërorë të kohës.”  Ruben Avxhiu thotë se të dy këto figura historike të kombit tonë lakmohen nga fqinjtë tanë në Ballkan “për arsyen e imazhit publik dhe të rëndësisë së simbolit historik” dhe me të drejtë shpreh habi, si edhe shumë vërejtës të tjerë kohët e fundit, se si  “disa myslimanë shqiptarë, sidomos të moshës së re, kanë filluar gjithashtu t’i quajnë këto figura si “sllave”, dhe shpreh keqardhjen  e tij për “urrejtjen ndaj Nënë Terezës”, duke përfunduar se, “në fund të fundit, ajo për çfarë ka pasur më shumë nevojë kjo tokë e ky komb ka qenë dhe mbetet gjithmonë një dimension i plotë tolerance e lirie.”  Nënë Tereza do ishte dakort!

Në një njoftim për median, Kuvendi i Nënë Terezës tha se 103 vjetë më parë, “Zoti i fali botës Nënë Terezën, ashtuqë bota ta dijë se është e dashur për Të dhe se të gjithë jemi fëmij të Perendisë, vëllëzër e motëra me njëri tjetërin….Në botën e sotëme, Nënë Tereza, ashtu siç bëri edhe gjatë jetës së saj, na mëson që të duam njëri tjetërin…”, pa dallim feje, besimi ose ideologjie.  Mesazh ky për të gjithë njerëzit pa dallim, dhe për të gjithë epokat.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: