Lutfi Alia: Kunavia (II)
| E Hene, 19.08.2013, 09:00 PM |

KUNAVIA – 2

Peshkopata e Kunavisë (Chunaviense), në antikitet dhe në mesjeten e herëshme

- Formimi i arbërve të hershëm, mbi bazën e substratit etno-kulturor ilir, u ndikua fuqishem dhe nga krishterimi. Ky proçes i zhvillimit te bashkesive ilire, lidhet me faktin, se kisha e hershme e krishtere, i bashkonte komunitetet territoriale, ne bazë te përkatësisë etnike.-

EKSKLUZIVE NGA PROF. LUTFI ALIA

Në Iliri, krishterimi u perhap me Apostullin Pal, si deshmohet ne letren e tij te vitit 58, ku shkruan: "nga Jeruzalemi dhe nëper Ilirik, kam predikuar ungjillin e Krishtit". At Daniele Farlati, ne “Illiricum Sacrum” shkruan se bashkesia kristiane e Durresit, eshte me e vjetra e Ilirise, e themeluar nga Shen Pali ne vitin 58 pas Krishtit. Peshkopi i pare i Durresit dhe i Epirit te Ri ishte Çezari, ndersa i dyti Asti. Te dy peshkopet e Durresit u martirizuan nga romake dhe jane shpallur shenjetore.

Shen Pali vizitoj dhe Nikopojen, kryeqendra e Epirit te Vjeter dhe gjate misionit apostolik, predikoj ungjillin, si shkruan ne letren qe i dergonte dishepullit Titi. Nga Nikopoja, Shen Pali ndoqi rrugen qe kalonte ne Butrint, ne Apolloni dhe pasi mori rrugen Egnatia arriti ne Klodiana e ne Durres.

Në vitin 380 pas Kr, Shën Gregori i Nazianzeno, i quajturi teologu, tregon se dhe Shen Andrea ka predikuar ungjillin ne Epirin e Vjeter. Këto burime historike konfirmojnë se krishterimi ne Iliri, e mori zanafillen dhe u perhap me apostujt dhe dishepujt e tyre, pra kisha e jone eshte apostolike.

Perandori Kostantin, në vitin 313 pas Kr, nxorri Dekretin e Milanos, që garantoj liri fetare dhe e shpalli krishterimin fe zyrtare. Dekreti i Milanos, favorizoj perhapjen e besimit te krishtere ne antikitetin e hershem dhe sidomos ne antikitetin e voneshme, qe perkon me shekujt IV – VI pas Krishtit.

Ne vitin 395 pas vdekjes te Perandorit Teodosio, Perandoria Romake u nda ne te Perendimit dhe te Lindjes (Bizanti). Provinca Epirus Novus, kaloj ne juridiksionin e Perandorise Bizantine. Kryeqendera adminsitrative dhe kryepeshkopale ishte Durresi.

Kunavia (Canovia, Canovium, Canovienses etj), ishte njesi adminsitrative e Epirus Novus nder trevat e para, qe perqafoj krishterimin. Kunavia ishte e lidhur me Durresin me rruge, qe kalonte neper fushen e Tiranes, ngjitej ne Qafe Priskë, pershkonte luginen e Tomadhea (Shengjergji) arrinte ne Kunavia, vazhdonte ne Dibren e poshteme dhe zbriste ne Struge, si e pershkruan M. H. Hecquard, konsulli i Frances ne Shkoder ne vitin 1858 ne “Haute Albanie, ou GaugariaShqiperia e eperme ose Gegeria”.

Ne shekujt II – III, ne Provincen e Epirit te Ri u themeluan shume kisha paleokristiane ne qytetet dhe ne fshatrat e thella malore. Ne kete kohe, Kunavia ishte dioqeze sufragane, ne varesi te Metropolit te Durresit. At Daniele Farlati, ne “Illirum Sacrum” shkruan se kishat e treves se Kunavise jane te hereshme (paleokristiane), por peshkopet e parë te Dioqezes mbeten te panjohur, pasi kjo dioqeze e te tjerat rreth saj, fillimisht ishin ne varesi te Kostantinopojes.

Ne shekujt e IV - VI, qe perkojne me antikitetin e vonshem, Prefektura e Ilirise u karakterizua nga ndryshime te rendesishme, sidomos ne perhapjen dhe fuqizimin e krishterimit.

Sipas arkeologut dhe historianit Neritan Ceka, “Periudha e anikitetit te vonshem (shek IV – VI pas Krishtit), është koha kur ndodhi kalimi gradual nga ilirët tek arberit dhe jo mesjeta e hershme, si ka qene menduar përgjithësisht nga historianët dhe arkeologët shqiptarë”.

Formimi i arbërve të hershëm, mbi bazën e substratit etno-kulturor ilir, u ndikua fuqishem dhe nga krishterimi. Ky proçes i zhvillimit te bashkesive ilire, lidhet me faktin, se kisha e hershme e krishtere, i bashkonte komunitetet territoriale, ne bazë te përkatësisë etnike.

Ndonese liturgjia ne kishat ilire zhvillohej në gjuhen greke antike dhe latinishte, katekizma, mësimi i parimeve themelore të doktrinës se krishtere, ishte i detyruar të zhvillohej në gjuhën amtare (iliro-albaneze), pasi vetem kesisoj, mund te kuptohej nga njerëzit e thjeshtë. Pra gjuha ishte faktori qe lidhi komponentët etno-kulturore me ato shpriterore - fetare, duke kontribuar ne formimin e individualiteti kombetar te arberve.

Dëshmitë e hereshme te kësaj praktike kane humbur, por disa prej tyre jane trasheguar dhe mbeten aktive deri ne mesjeten e vonë, si formula e pagëzimit (1462), Meshari i Gjon Buzukut (1555), nje rregullore e katekizmes e shkruar ne gjuhen shqipe ne shekullin e XV ( Arkivi i Vatikanit) si dhe shume vepra ne gjuhen shqipe ne shekujt XVII e me pas, si veprat e At Pjeter Budi, Imzot Pjeter Bogdani etj.

Ne keto proçese progresi, Kunavia luajti rol te dores se pare. Ne fillim te shekullit te XII, ne Kunavia u themelua manastiri cistersen i Shen Trifonit, i pari dhe i vetmi i ketij lloji ne trojet Shqipatre. Ne kujtesen e popullit te kesaj treve, Shen Trifoni ruhet me nderim ne toponimin Shentrina, qe asht shkembi, qe lartesohet aty ku dikur ndodhej manastiri. Ne shekujt e me vonshem, turqit e shkaterruan nga themelet, por ne sheshin qendrore prane Krojit te Kishes, deri ne vitin 1960, u ruajt nje fragment i i gjere dhe i bukur kalldremi, i punuar ne mozaik me gure te vegjel zalli.

Dihet se murgjit cistersenë, perpos propogandimit te ungjillit, organizuan teknologjinë e prodhimit të librave të shkruara me dorë. Ata ishin të parët, që zhvilluan skriptorum monasticum (dhoma e veçantë ku shkruheshin libra) e nderkohe shpikën indekset alfabetike dhe faqosjen e librave.

Murgjit cistersene ishin të parët që prodhonin libra në masë e nuk duhet te nenvlehtesojme kete fakt, sepse dhe ne Manastirin e Shen Trifonit, murgjit cistersene kane shkruar libra ne gjuhen latine, pse jo dhe ne gjuhen shqipe. Nuk duhet te harrojme dhe deshmine e Kryepeshkopit te Tivarit, Gulielm Adae, i cili ne vitin 1324 shkruante per ekzistencen e librave ne gjuhen e vendasve, pra ne gjuhen shqipe. Ne kete periudhe kohe, Dioqeza e Kunavia ishte shume e lidhur me Peshkopaten e Tivarit e nuk duhet te çuditemi se librat fetare te asaj kohe shkruheshin nga murgjit e Manastirit te Shen Trifonit ne Kunavia.

Një dëshmi e tërthortë e kultures fetare te popullit tone, asht transformimi i emrave të krishterë, nga format latine ne format e shqiperuara. Kesisoj shume emera te liturgjisë u shqiperuan e perdoren dhe ne ditet tona, si

Presbiter – prifti,

evangelium- ungjilli,

chiesa - kisha,

missa - mesha,

messario - meshari,

monastirum - manastir,

conventum - kuvend,

monachus - murg,

batesimus - pagezim,

benedictus - bekim,

suora – motra,

campanillum – kembanore etj...

E njejta dukuri ndodhi dhe me emerat e shenjetoreve, qe u shqiperuan me shume delikatese ne te gjitha trojet iliro-arberore si p.sh emeri Paulus ne Pal, Stefanus ne Shtjefen, Andrea ne Ndre, Nikolla ne Kola. Kjo praktike vazhdoj dhe me shenjetoret e shekujve te mesjetes se voneshme, si psh Shen Antonio, u quajt nga arberit Shen Ndoj, Shen Ndou, Shen Noj (Snoj) etj.

Gjate antikitetit te vonshem dhe ne mesjete, ne trojet ilire - arberore u krijua nje toponomi e lidhur me emerat e martireve dhe te shenjetoreve te krishterimit, te cilet u shqiperuan dhe u perdoren si emera fshatrash, krahinash e malesh, nder te cilet po rendis:

Shtish e mori emerin nga Sanctus Matheus,

Shirgj dhe Shirgjan nga Sanctus Sergius,

Shijak nga Sanctus Joachinus,

Shëmri nga Sancta Maria,

Shupal e Shpal nga Sanctus Paulus,

Shijon dhe Shengjun - Gjon nga Sanctus Johannes,

Shiroka nga Sanctus Rocco (Roko),

Shënlli dhe Shendellia nga Sanctus Ilia,

Shmili nga Sanctus Mehilli,

Shubak nga Sanctus Bakus,

Shënkoll, Shinkoll dhe Shën Nik nga Shën Nikolla,

Shëndekla nga Sanctus Tekla,

Shenandoj - Snoj dhe Ndoj nga Shen Antonio etj.

Gjithashtu, parardhesit tane iliro-arberor, përkthyen dhe ne gjuhen shqipe ndonje emer shenjetori, qe e perdoren si emer qendre te banuar, si eshte rasti i fshatit Shkallnur, qe eshte emer me origjine nga Shën Kallnuri, pra perkthimi nga latinishtja i Sanctus Januarius.

Kjo shpeshtesi dhe shtrirje e gjere e tipike e toponimise se krishtere në trevat shqiptare, teper e rralle ne vendet e tjera ballkanike, deshmon se populli yne, qe ne antikitet e ne mesjete, besimin e krishterë, e perceptoj dhe e zbatoj në gjuhën amtare.

Si u tha me siper, ne qender te dioqezes se Kunavia ngrihej Katedralja e Shen Gjon Pagezorit, nje ndertese madheshtore e ndertuar me mermer. Kronikat e vjetra tregojne se Shen Gjon pagezori nderohej shume nga malesoret e treves, madje me emrin e shenjetorit, populli e emertoj Shen Gjon, njerin nga fshatrat, qe me pas banoret e quajten me formen e shkurtuar Gjon - Gjoni. Shume familje malesore edhe aktualisht mbajne mbiemrin Gjoni.

Kunavia ka qene Peshkopate sufragane deri ne shekullin e XVIII e kete rrethane historike, populli i kesaj treve e ka vleresuar dhe e ka nderuar, duke i dhene fshatit qendror emrin Peshk, qe eshte vendi ku ka qene katedralja Shen Gjon Pagezori (Peshk – shkurtim i Peshkopata).
Kjo praktike asht ndjekur dhe ne treva te tjera, si ne Diber, ku emeri i qytetit Peshkopia, deshmon se ka qene qender Peshkopate, ashtu si emeri i fshatit Peshkepia ne Vlore dhe Peshkepi ne Pogradec.
Keto fakte historike, pra emertimi i qendrave te banimit me emera shenjetoresh (Shen Maria, Shen Gjergji, Shen Gjin, Shen Vlashi etj.), lidhen me emerat e kishave respektive, qe ishin aq shume te njohura dhe aq shume te frekuentuara nga besimtaret, sa zevendesuan emerin e fshatit.
Po keshtu emerat Peshk - Peshkopia - Peshkepi, kane zevendesuar emerin e qendres se peshkopates, p.sh emeri Peshk, pa dyshimin me te vogel ka zevendesuar emerin e Kunavia. Pra eshte e kuptueshme, perse me vone, nuk rastiset emeri Kunavia as si qytet, as si treve dhe as si mal.
Keto ndryshime toponimie, por te pa mbeshtetura me dokumenta, kane nderlikuar interpretimin e shume ngjarjeve historike te Arberise, qe jo rralle kane nxitur fantazine e studiuesve, sidomos te te huajve, qe per t’u treguar origjinal, bejne percaktime topografike pakuptim e jasht realitetit historik, gjeografik dhe fetar te vendit tone. Madje shume prej tyre as nuk e kane vizituar vendin tone, por pasi gjejne nje dokument te lashte, bejne interpretime nga me te çuditeshmet.

Gjate shekujve IV-VI, fiset iliro-arberore u tronditen nga valët e paprera te dyndjeve barbare. Per te stabilizuar situaten, perandoret e Bizantit rindertuan fortifikimet ekzistuese e ndertuan disa keshtjella te reja ne trojet arberore. Në sejcilin nga keto fortifikime dhe në qendrat fshatare, u ngriten kisha te shumta paleokristiane dhe u konsoliduan shume famulli.

Ne vitin 476 pas Krishtit zbriten gotet e vizigotet e me pas hunët, ostrogotet, antët, herulët, gepidët, avarët dhe se fundi sllavët. Dyndjet barbare sollën kaos dhe shkretime. Pas dyndjes gote e vizigote, iliria u inondua nga ostrogotet, qe e tronditen dhe vete ekzistencën e Perandorisë Bizantine ku bënin pjesë arberit, qe ne kronikat e bizantit te antikitetit te vonshem, cilesohen si Commynitas Arbanensis (bashkesia arberore). Kronikat e pershkruajne me shqetesim dyndjen barbare: “Ata kaluan nëpër Arbana, ashtu si derdhet një llavë vullkani nëpër lugina gjelbëroshe, duke shkatërruar çdo gjë. Më 478 morën Skampa dhe synuan Durresin, duke iu shmangur rrugës së bregdetit e duke i rënë nga Qaf-Krraba”. Shkatërrimi i kështjelles romake të Skampa dhe Tyrros, janë tregues i atij rrebeshi.

Me marrjen e Durresit nga barbaret, Bizanti u trondit, por perandori Zenon nuk mund t‘ua linte gotëve Epirus Novus, pasi kjo e ndërlikonte keq Rrugën Egnatia dhe lidhjen e Romes me Kostantinopojën.

Sipas M. Šuflai, luftimet ndermjet Bizantit dhe barbareve ostrogote, te zhvilluara ne trojet iliro -arberore, perfunduan ne 487 pas Krishtit, me marrveshjen e armepushimit, te firmosur ne keshtjellen e Petreles (Tirane) nga Adamanti, komandant i ushtrise bizantine dhe Teodoriku, mbreti i ostrogoteve, qe u detyrua te largohej e t’i linte te lira trojet e arberit dhe te kalonte ne Itali.

Qendrat kryesore ushtarako-administrative si Dyrrahium, Scodra, Butrinti, Bylisi etj, ishin dhe qendra të selive peshkopale, çka tregon rolin drejtues që mori kisha e krishtere në shpëtimin shpirtëror dhe fizik të popullsisë ilire, ndaj kercenimeve te vazhdueshme te dyndjeve barbare.

Pavarësisht nga pasiguria qe krijoj kriza politike e sociale e Perandorisë Bizantine dhe nga shkretimet e krijuara nga barbaret, ne pjesen më te madhe e trevave iliro-arberore, gjate periudhës së antikitetit të vonë nuk mungoj shkëlqimi i artit dhe zhvillimi i kultures, që u kufizuan brenda hapësirës së kishave, qe sot i admirojme ne mozaikët e Durresit, Arapaj, Brarit, Bylisit, Mesaplikut, apo të Butrintit.
Antikiteti i vonshem ishte koha e qëndreses, e kohezionit te strukturave të hereshme iliro-arberore,  e konsolidimit te komunitetit arberor, por ishte dhe koha e risive, e shpreses te iluminizmit të krishterë, në të cilën e ka fillesën formimi i arbërve në popullaten e trevave më të kulturuara ilire të antikitetit, sidomos te Epirit te Ri, qe mbante ne qender trashëgimine e emerit te albanëve - arberve, fisit te madh ilir, qe banonte ne trojet në shpinë të Durresit e qe me historine e vet i dha emerin vendit tone.

Ne kete kontekst adminsitrativ, etnokulturor dhe religjioz, bente pjese dhe popullata e Kunavise.

Burimet historike te shekullit IV (pas Krishtit), flasin për një strukturë të konsoliduar te kishes iliro-arberore. Ajo ishte e organizuar mbi bazën e provincave administrative të epokës së Dioklecianit.

Në qendrën e provinces ndodhej kisha metropolitane dhe selia e kryepeshkopit.

Nën juridiksionin e kryepeshkopit ishin peshkopët e dioqezave vartëse (sufragane).

Ne Provincen e Prevalit, kryepeshkopata ishte ne Shkodër, nga e cila vareshin 3 peshkopata sufragane.

Ne Provincen e Dardanise, kryepeshkopata ishte Justiniana Prima e Ohrit, me 5 peshkopata sufragane.

Ne Provincen e Epirit te Ri, kryepeshkopata ishte ne Durrës dhe kishte 8 peshkopata sufragane, nder te cilat dhe e famshmja peshkopata e Kunavia.

Ne Epirin e Vjeter, kryepeshkopata ishte ne Nikopoja dhe kishte 9 peshkopata sufragane.

Keto 4 provinca përfaqësojne hapësirën gjeografike, etno-kulturore dhe fetare, e cila ne antikitetin e hershem u banua nga bashkesite e fiseve ilire, ndersa ne antikitetin e vonshem e gjate gjithe mesjetes u banuan nga albanezet (arberit) dhe në vazhdim nga shqiptaret.

Kunavia ishte Peshkopate sufragane, e cila kishte ne varesi disa kisha dhe famullite perkatese, ne qendrat me te populluara te kesaj treve. Peshkopi e kishte seline ne Kunavia, ku ishte katedralia e Shen Gjon Pagezorit. Per fat te keq, ende nuk i njohim te gjitha famullite, as emerat e peshkopeve dhe as emerat e prifterinjeve dhe murgjeve iliro-arberor, qe i kane sherbyer popullit ne kishat e shumta dhe ne manastiret e kesaj treve.

Kalimi nga antikiteti në mesjetën e hereshme, u karakterizua me ndryshime dhe përmbysje të mëdha politike, social-ekonomike, kulturore dhe etnike të botës se vjetër. Ne kete kohe, Epiri i Ri ishte i ngujuar midis dy gjigandëve, ne nje ane vasaliteti administrativ nga Bizanti e nga ana tjeter varesia e disa Peshkopatave nga Roma. Ne kete konflikt të gjatë midis Kostantinopojës dhe Romës, Epiri i Ri u be viktima e intrigave të tyre të panumërta.
Kete periudhe historike na e spjegon me shume kompetenca historiani Pellumb Xhufi, i cili thote: “Arberit, qe ne mesjeten e hereshme, perqafuan te njejtin besim fetar me Bizantin. Krahas deshmive te perhapjes te fese se krishtere ne trojet tona, konfirmohet me faktet, se duke filluar nga shekulli i IV, prania e selive Peshkopale ne Arbanon si te peshkopatave Skampa, Stefaniaka, Kunavia, Kruja, te cilat vareshin nga Metropoli i Durresit, jane shenjat e nje kishe te mirestrukturuar. Vlen te theksohet se, ne ndryshim nga provincat fqinje (Praevalis, Dardania, Epirus Vetus), kleri i provinces Epirus Novus dhe Peshkopatat e Arbanon, jane te lidhura me Kostantinopojen, kesisoj ne momentin kur ndodhi “kriza akaciana” me Romen, u arrijt deri ne perplasje te hapura per te fituar kishen Ilirike”.
Ne dokumentat e Vatikanit, qe pasqyrojne krishterimin ne shekujt V – VI, rezulton se Kunavia ishte seli peshkopale (diocesi Chuanviense), e lidhur me Bizantin. Shih: “Indice generale alfabetico delle materie del dizionario di erudizione storico-ecclesiastica. Cav. Gaetano Moroni Romano, aiutante di camera dei sommi pontefici Gregorio XVI e Pio IX. anno 1878. Candavia o Canovia già sede vescovile d'Epiro. Vol VII, pag. 198”.

Ne vitin 491, perandori i Bizantit ishte Anastasi I - durresaku (430 - 518), i quajturi Dikoro (pasi kishte njerin sy te kalter e tjetrin te zi dhe i pari perandor i lindjes pa mjeker). Anastasi i I e fuqizoj Epirin e Ri dhe sidomos Durresin. Prefektin e Ilirise, e zgjodhi nga gjindja ilire, bashkqytetarin dhe mikun e tij Johannes Epidamnus. Perandori Anastasi i I forcoj lidhjen, ose me sakte varesine e Mitropolise te Durresit me Patriarkanen e Kostantinopojes. Ne relacionin e viti 519, i deleguari i Papes Hormisdas, qe kishte vizituar trojet iliro-arberore, shkruan se ne shekullin e VI, kryepeshkopi i Durresit dhe peshkopet e dioqezave sufragane te Stefaniaka, Kunavia, Krujes etj, vareshin nga Kostantinopoja, ndersa Dioklea, Lezha, Skampa, vazhdonin te ishin te lidhura me Papen e Romes. Nga ky relacion kuptojme se Epiri i Ri kishte dioqeza te lidhura me Romen, dioqeza te lidhura me Kostantinopojen, por dhe  dioqeza “te perziera”, si ajo e Kunavise, e cila permbante kisha te lidhura me Romen dhe disa te lidhura me Kostantinopojen.

Perandori pasardhes me origjine iliro-arberore Justiniani i I (527 - 565) e njohu juridiksionin e Romes mbi kishen iliro-arberore. Gjate sundimit te Justinianit te I, u krijua nje vikariat i dyte ne Shkup, i quajtur Justiniana Prima, qe mori ne varesi provincat kishtare te Dardanise dhe Pervalit, ndersa Epiri i Ri (perfshi Kunavia) dhe Epiri i Vjeter, vazhduan te ishin nen vikariatin e Selanikut.

Ndryshimet politike gjate shekujve VI – VII, u shoqeruan me ndryshime te rendesishme ne kuadrin e riorganizmit kishtar. Ne perfundim te dyndjeve barbare, disa qendra peshkopale u rrenuan si ajo e Onkezmit, Skampa, Amantia etj, por nderkohe shfaqen te reja si Peshkopata e Cernikut (u shkeput nga Kunavia), e Dejes, e Krujes, e Dibres, e Himares, e Devollit e Kolonjes etj.

Ne shekullin e VII, dyndjet masive sllave e ndryshuan strukturen etnike te Dakise, Maqedonise, Thrakes dhe Peloponezit, ndersa bota e madhe pësoi rrudhje të ndjeshme.

Fiset sllave inonduan Ilirinë Veriore, kurse në provincat ilire të Prevalit, të Dardanisë, të Epirit të Ri dhe të Epirit të Vjetër pati infiltrime grupesh të vogla sllave, që krijuaan enklave te izoluara, por me kohë u tërhoqën, ose u asimiluan.

Burimet e shumta historike dhe gjetjet arkelogjike ne trojet tona, deshmojne se popullsia autoktone iliro - arberore përbënte një masë kompakte, qe e ruajti perberjen homogjene iliro - arbrore.

Ne shekullin e VIII, peshkopatat shqiptare te Epirit te Ri (perfshi peshkopaten e Kunavia), te Epirit te Vjeter dhe te Dardanise, u vunë në varësi të Patrikanës të Kostandinopojës, por perjashtim beri peshkopata e Dioklesë, sepse princërit e Dioklesë, në përpjekjet për pavarësi nga Bizanti, munden te shkëputen nga Kostantinopoja dhe te lidhen me Papatin.

Ne shekujt IX - X, ne listen dioqezave ne varesi te Patriarkanes te Kostantinopojes, te hartuar nga perandori bizantin Leo VI Sapiens (886 - 912), renditet dhe eklezia Chonubiensem (Kunavia), e cila ishte sufragane e Peshkopates se Durresit, ne provincen e Epirus Novus.

Nga keto dokumenta rezulton se ne kete periudhe, Arcidioqeza e Durresit ishte zgjeruar dhe kishte ne varesi disa peshkopata sufragane si Stafaniaka, Kruja, Kunavia, Elizoni (Lezha) etj.

Kjo eshte arsyeja pse At Daniele Farlati dhe At Jakopo Koleti, autoret e vepres madhore “Illiricum Sacrum”, kur flasin per Kunavine e kesaj periudhe (shek IV – X), thone se Arkivi i Propogandes Fide, nuk ka dokument te plota e te hollesishme, pasi kjo dioqeze ishte ne varesi te Kostantinopojes.

Kjo eshte arsyej pse nuk i njohim emerat e peshkopeve, te kesaj periudhe, te cilet duhen kerkuar ne arkivat e bizantit ne Kostantinopoje.

Historia e Kunavise pasurohet me ngjarje dhe me dokumenta te shumta nga shekulli i X e ne vazhdim, madje prelatet e kishes katolike dhe populli i treves se Kunavise, behen protagonista te historise te vendit tone.

----------------------

Cikli vazhdon.

-Per ZSh-në, Gusht 2013-

__________

Shenim i redaksisë

NDJESE PER NJE LAPSUS

Ne shkrimin "Kunavia - 1", kam bere nje lapsus, nje ngaterrim emeri, andaj ne hyrjen e shkrimit te dyte, prezantoj kete korigjim, duke i kerkuar ndjese se pari mesuesit Kujtim BALLA, por dhe te gjithe lexuesve dhe redaksise te zemrashqiptare.

Saktesoj se zbulimi i materialeve arkeologjike (çekiç guri, fibula nga kocka kafshe dhe vegla prerese e maja shigjetash prej stralli), ne kopshtin e shkolles te fshatit Gjon, i perket Kujtim BALLA, mesuesit te kesaj shkolle dhe jo personit qe kisha shkruar me pare. 

Sinqerisht, autori I shkrimit dhe njekohesisht Drejtor i Revistes ZemraShqiptare,

Prof  Lutfi Alia



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: