Zeqir Lushaj: ''Xhelozi''... për vend-vdekjen
| E Shtune, 17.08.2013, 08:55 AM |

Shokët nuk mund të harrohen

“XHELOZI”… PËR VEND-VDEKJEN

-Ose: “Ai, zgjodhi vendin për të vdekur”-

(Ri-botohet, ekskluzivisht në ZSh, në 20 vjetorin e vdekjes së Zijajt)

Nga: Zeqir Lushaj

-Në vend të një nekrologjie, për shokun tim të bankës, të klasës së parë fillore, Zija Halil Hasa-

Vdekja vjen pa të pyetur. Atë, nuk mund ta zgjedhësh as ta përcaktosh. Në këtë pikë, të gjithë, që nga mbreti deri te qeniet njëqelizore, jemi të barabartë në pafuqishmërinë tonë. Por, në këtë botë, tek njeriu, si qenia më e ndërgjegjshme e saj, ka një parandjenjë. E besoj parandjejnjën edhe në rastin e vdekjes së shokut tim të fëmijërisë, shokut tim të bankës së klasës së parë fillore Zija Hasa, i cili u varros dje, në fshatin tonë të lindjes,n ë Gri të rrethit të Tropojës. Vdekje tepër e parakohshme, në moshën më të mirë,44 vjeçare. E dhimshme sa s’ka më. Një jetë, në luftë me sëmundjen, luftë e papërkulur deri në çastin që ajo, (sëmundja), bëri të veten përfundimisht.

…Kur mbaruam klasën e parë, këtu e 37 vjetë të shkuara, shoku im i bankës Zijaj, shtrohet në spitalin e Tiranës. Kishte dhimbje të vazhdueshme në këmbë. E mbaj mend që e ka mjekue, me shumë pasion e kujdes, mjeku shumë i degjuar për kohën, Fadil Spahia. Plot dy vjet spitaleve. Baba, Halil Coli, nuk la gjë pa bërë për shëndetin e të birit. Dhe Zijaj,u  bë pak më mirë. Rikthehet në klasë të dytë, kur ne, moshatarët ishim në klasë të katërt.

…Vjen në pedagogjiken “Shejnaze Juka” në Shkodër, kur Unë, isha ne vitin e tretë. Bashkë e kalonim kohën e lirë, fundjavat në liridalje ,bashkë shkonim e vinim me leje në Tropojë, bashkë, (ortakë stani), në pushimet verore në bjeshkë, në Shtyllë të Grisë.

Student, po në Shkodër, mbaron studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik, në degën Histori –Gjeografi, ku edhe njihet, dashurohet e martohet me shoqen e kursit, me Uraninë, nga Dhërmiu i Vlorës. Mësues në Geghysen, burrë e grua, hynë në zemrat e fshatarëve e të femijëve malsorë.

Por, vazhdimisht këmba e sëmurë rëndë nga ostromeliti e ngacmon, nuk e len të qetë. Disa operacione radhazhi, por… keq e më keq !

Para dy vjetësh, arrinë të stabilizohet në Athinë, me gjithë gruan dhe të dy djemtë. Më shumë se çdo gjë tjetër, në Athinë e çoj shpresa për ndonjë ndërhyrje më të suksesshme në këmbë. Një vit e sa, në spital. Disa ndërhyrje të mjekëve grek të cilët bënë të pamundurën por, përmirësimi qe shumë i përkohshëm. I djegur nga malli për të parë nënën e babain, Fatimen e Halilin, të dy në moshë të thyer, erdhi para pak ditësh me pushime në Atdhe. Dhe, pushimet do t’i bënte në bjeshkë, në Alpe, në Shtyllë të Grisë, atje ku, bashkë e kemi rritur trupin, në flladin e pishave e të ortigjeve të borës…!

Por, aaah (!), duket se, e parandjente vdekjen. Aq kishte në dorë, të zgjidhte vendin e saj! Fare papritur, si një pushues i përmalluar në bjeshkën e vendlindjes, duke soditur Shtyllën që aq shumë e deshi tërë jetën, duke dëgjuar zilet e këmborët në Maje të Keqe e në Maje të Dhive, në Qafë të Epër  e në Shteg të Dashit, ulur në lëndinë, tu Guri i Burrave, fare papritur, duke ndërruar stacionet e radios, ndërron edhe jetë, duke na lënë pas, një trishtim e mall të madh.

…Lamtumirë, o shoku im i bankës i klasës së parë, o shoku im i mirë e i paharruar Zija Hasa! Lamtumirë, o mësuesi i dashur i qindra nxënësve malsorë!

Vdekjen askush nuk e ka në dorë. Por, Ti, bashk-fshatari, bashk-moshatari e miku im, edhe vdekjen e sfidove, sepse, të paktën arrite të zgjedhësh vendin e saj. Vdiqe, aty ku jetove, aty, ku do ta zgjidhje me dhjetra herë  edhe sikur të të pyesnin! Vdiqe, në vendin më të bukur, në bjeshkë, në mes të Alpeve, në këmbët e Jezercës, shtrirë në barin e njomë–jeshil-llek, në Shtyllë të Grisë. Nuk besoj, deri në “xhelozi”, se, kur të vijë ajo minutë, mund të ketë ndonjë vend-vdekje më të bukur.

Veç për të mirë, do të të kujtojnë, të gjithë ata që të kan njohur.

Lamtumirë, vëlla i dashur Zija Hasa!

Le të jenë këto fjalë nga larg, në vend të një nekrologjie shumë të sinqert për Ty.

Me shumë dhëmshuri e mall, shoku yt i fëmijërisë, shoku yt i bangës së klasës së parë,

Zeqir Lushaj (Tiranë, gusht, 1993)

Shënim:  Ky shkrim, u është lexuar prindërve, gruas e djemve të të ndjerit, miqve e shokëve të shumtë në  ceremonitë mortore, nga (shoku im dhe i Zijat), bashk-vendasi i nderuar, Ramë Muja (Ndresha).



(Vota: 54 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: