Marjan Sebaj-Sopi: Intervistë me Don Izidor Lukiq (Shoqëria e Salezianëve)
| E Marte, 13.08.2013, 06:00 PM |

Intervistë me Don IZIDOR LLUKIQ (Shoqëria e Salezianëve)

Ekskluzive nga Marjan Sebaj-SOPI

U lind me 14 shkurt të vitit 1966 në familjen pesë antarshe, katër vëllezër e një motër në Kabash afër Vitisë në Kosovë. Qysh kur ishte i vogël si nxënës i shkollës fillore ishte ministrant në famullinë e vendlindjes. Në vitin 1980., shkoi në seminar, në Suboticë, si kandidat për prift i ipeshkvisë Shkup-Prizren. Pas gjimnazit klasik të kryer në Suboticë regjistron fakultetin teologjik në Institutin Filozofik-teologjik te Jezuitët në Jordanovac në Zagreb vetem per një vitë, dhe vitin e dytë kalon në Fakultetin e Teologjisë në Kaptol. Si seminarist, pastaj edhe si student i teologjisë lexonte jetëshkrimet e Shën Gjon Boscos ku u entuziazmua me punën dhe kujdesin e tij për të rinjë. Dëshiroi t`i takonte salezianët. Erdhi në Knezhi në Zagreb dhe u lidh me salezianët. Me 8 dhjetor të vitit 1984 vendos të shkojë te ta dhe të vazhdojë studimin e teologjisë. Kur erdhi në vitin 1989., në Knezhi për vizitë provinciali nga Roma Don Ilario Spera, i cili e kishte mbajtur konferencën për studentët salezianë të teologjisë, ky e kishte shprehur nevojën e veprimtarisë misionare në Madagaskar. Izidori menjëherë u lajmërua se dëshironte të shkonte. Në Madagaskar i kaloi tri vjet duke punuar me fëmijë dhe të rinjë të braktisur. Atje u pranua shumë mirë. Vitet e kaluara në Madagaskar i mbetën në kujtim të mirë. Nga Madagaskari u kthye në vitin 1992., në Zagreb në Knezhi për të kryer studimin e teologjisë pas tre vjetësh. Me përfundimin e studimit u shuguruar për xhakon në vjeshtë të 1994., dhe u caktua për veprimin baritor në Famullinë e Shën Anës në Rudesh (Zagreb). Pastaj vijoi thirrja nga Shtëpia gjenerale nga Roma për nevojat saleziane në Shqipëri. Don Izidori iu përgjigj pozitivisht dhe në vitin 1994., u nis për Shkodër, pastaj në Tiranë ku ishte udhëheqës i oratorit dhe qendrës rinore »Don Bosco«. Gjatë pesë viteve në Shqipëri u bind se sa pa besim e shpresë në jetë ishin të rinjtë e atjeshëm. Shumë prej tyre që vijuan shkollën saleziane përnjëmend me zemër të sinqertë e pranuan sakramentin e pagëzimit. Mendimi i Don Izidorit është që komunizmi askund nuk kishte bërë atë çfarë kishte bërë për 50 vjet në Shqipëri. Provoi për ta shkatërruar fenë në Zotin, por populli i qëndroi besnik Zotit dhe Kishës edhe me çmim të persekutimit, mundimit dhe burgjeve. Torturën e këtij regjimi e përjetuan shumë intelektualë, shumë meshtar dhe ipeshkvij. E pra feja në Shqipëri u ruajt dhe filloi të ringjallej. Atje ekzistojnë nevoja të mëdha, njerëzit kanë dëshirë të lusin dhe të vijnë në meshën shenjte. Kishat janë plot me besimtarë. Po punohet në katekizimin e madh të Shqiptarëve dhe Kisha gjatë pesë vjetëve ka bërë shumë. Salezianët janë të pranishëm në Shkodër dhe Tiranë, kurse në Shqipëri i kanë 6 studentë të teologjisë dhe 17 përgatitorë. Në Shqipëri dhe në Kosovë salezianët i përkasin provincës së Napolit. Don Izidori më në fund erdhi për të shërbyer në Kosovë.

Në Prishtinë kah mesi i viteve të shtatëdhjeta të shekullit XX është ngritur kisha katolike e Shën Ndout. Don Zef Gashi, salezian, ishte si anëtar i provincës së Sllovenisë famullitar në Prishtinë. Tani është argjipeshkëv i Tivarit. Prishtina e ka vetëm një famulli dhe kisha është gjithmonë plot gjatë meshës. Përveç kremtimeve të meshëve në famulli ekzistojnë edhe aktivitete tjera: këndimi me kor, katekizimi, grupi i lutjes, takime katekistike të të rinjve dhe katekumenati. Famullitari është Don Nosh Gjolaj, kurse Don Izidori është katekist i nxënësve katekistikë dhe të rinjve. Në Prishtinë po ndërtohet qendra e madhe »Don Bosco«. Në përbërjen e saj do të jetë oratoriumi, shkollat profesionale, gjimnazi, terene sportive, salla dhe qendra për të rinjtë. Vlera e kësaj qendre vlerësohet diku 5 deri 7 milion euro. Një gjë e madhe dhe shumë interesante. Investitor i këtij projekti është Shoqëria Saleziane në bashkëpunim me organizata humanitare dhe me qeveritë evropiane nga Gjermania, Spanja dhe Italia. Provinciali i Napolit e emëroi Don Izidorin drejtues të këtij projekti. Prania saleziane shquhet mjaft me arsimimin publik dhe për këtë arsye është vendosur për atë projekt të madh.

Marjan Sebaj-SOPI: Don Izidor, nga biografia e juaj mësojmë shumë gjëra, shohim se keni patur një jetë të bujshme, mirëpo paraprakisht na thuani diç mbi fëmijërinë, mbi rininë tuaj. Kur hetuat apo ndiejt zërin që të merrni rrugën e meshtarisë?

Don Izidor Lukiq: Rrjedh nga një familje kroate që kanë zbritur (jemi shpërngulur) para shumë vitesh në Kabash të Vitisë nga fshati Vërnakollë afër Letnicës. Prindërit e mi janë marrë me bujqësi, kanë punuar tokën dhe babai ka punuar në koperativat e atëhershme. Atëherë varfëria ka qenë e madhe sepse pikërishtë atëkohë ishe edhe Lufta e Dytë botërore e cila përveq dëmëve në njerëz që bëri, varfëroi me të madhe edhe popullatën e këtyre trojeve. Pranë të gjithave prindërit e mi si dhe të tjeret nuk janë dorezuar dhe ajo çfarë i ka mbajtur gjallë ka qenë feja e gjallë, besimi në Zot. Në rend të pare ata janë mbështetur në Zotin dhe në Nanën tonë qiellore Zojën e Bekuar apo siç njihet në popull Zoja Crnagore. Në kët frymë të besimit, fesë së gjallë, mbështetje në Zot, jam rrit edhe vetë unë. Qysh sa mbajë mend unë në familjen tonë ka mbizotrua lutja, lutja e Rruzares dhe lutjet tjera, kurse pjesëmarrja e jonë (familjes) në meshë shenjte ka qenë jo vetem ditëve të Diell, por për çdo ditë. Në familjen tonë ka  mbizotrua fryma e fesë dhe dashurisë, mirkuptimit ndaj antarëve të familjes dhe më gjerë. Kam pas fatin të rritëm dhe edukohem në një familje të devotshme siç ishte familja ime. Edhe sot si meshtar dëshiroj ta imitoj baban tim i cili ka jetuar prej fesë dhe nënën time e cila edhe sot në moshën e saj 85 vjecare nuk e le asnjë ditë të kaloj pa marrë pjesë në Meshë Shenjte dhe e cila gjithmonë mbanë (ka) rruzarën në dorë ku lutet në çdo moment. Në këtë familje kam marrë gjithçka që sot jetoj dhe praktikoj në jetën time meshtarake. Lutja, besimi, dashuria ndaj të tjerëve dhe besimi i gjallë në Zotin. Unë si fëmijë gjithnjë kam pas dëshirë të ministroja (të shërbej meshtarit afër Altarit) e kështu edhe të marrë pjesë në Meshë Shenjte. Çdo ditë unë kam marrë pjesë në meshë me prindërit e mi, dhe aty dalngadal me ka lind interesimi, kam ndie thirrrjen meshtarake e cila ka zgjuar në mua gjithnjë e më shumë një dëshirë të madhe për ta ndjekur Krishtin, rrugën e Tij. Kështu kur isha në klasën e VII,. ka lindë në mua thirrja e fuqishme për t’i shërbyer Zotit kuptohet duke i shërbyer të tjerëve e veçanarisht atyre që kanë më së shumti nevoj, të varfërve.

Marjan Sebaj SOPI: Nga biografia e juaj mësuam rrugën tuaj të shkollimit, si në vendlindje Kabash-Viti (shkolla fillore), pastaj Suboticë (gjimnazi Klasik), Zagreb (fakulteti), mirëpo neve na intereson; Ju si i ri ndiejt nevojën apo ma mirë ta quajmë siç thot e  Lumja Nënë Tereza “thirjen mbi thirrje”. Por, para se të shuguroheni ndërmorët një udhëtim, shkuat në Madagaskar të largët, çka ju shtyri të ndërmerrni këtë hap, dhe na përshkruani atë kohë sa qëndruat atje? Përvojat tuaja?

Don Izidor Llukiq: Po, isha në Zagreb dhe isha në vitin e dytë të fakulltetit të filozofisë dhe ne si rregulltar salezian e kemi si detyrë (obligim) t’i kryejmë dy vite praktikën pedagogjike. Në atë kohë, viteve 1989., pati ardhë një superior nga Roma në vizitë bashkësisë saleziane ku na foli për misione dhe ofroi mundesinë që kush dëshiron të bëjë një esperiencë të jetës misionare dhe se këtë Ispettoria e Romës iu mundëson. Kështu që gjatë kësaj Konference, në mbrendësinë time ndjeva një zë të fuqishëm ku më tha; „Duhesh të shkosh..“ dhe pa hamendje u qova në këmbë dhe kërkova nga drejtori im të më përkthen nga gjuha kroate në gjuhën italiane ku shpreha dëshirën time të  bëjë këtë përvojë misionare. Ishte një çudi e madhe për krejt sivëllezërit e mi salezian për kët vendim të shpejt dhe të sigurt. Dhe nga e gjithë kjo mund të them se kjo përvojë misionare më ka përforcuar në thirrjen time. Ishte një përvoj e paharueshme e cila ka lënë një jetën time kujtime të pashlyera e që nuk harrohen askurrë. Ishte një përvoj që më ka bërë më të mirë, më të fortë dhe më të përshpirtshem, si dhe me një kulturë më të gjerë e të cilën e kam marrë duke mësuar gjuhët dhe  kultura të ndryshme. Falë kësaj përvoje unë sot i flas pesë gjuhë rrjedhshëm dhe dy tjera i kuptoj. Përvoja në Madagaskar të largët më ka mësuar me i dashtë më të varfërit, të braktisurit. Në qendrën tonë në Madagaskar kemi pas mbi 150 fëmijë të vobektë e pa prindër. Në këtë qendër ata janë rritë dhe edukuar, kanë mësuar zanate dhe kanë vijuar shkollën, dhe kur kanë mbushë moshën 20 vjeçare ata kanë qenë të aftësuar me zanatin e marrur në Qendrën „Don Bosko“ dhe të aftë, të përgaditur të ballafaqohen me sfidat e jetës. Pikërisht për këta të rinjë, unë isha në një mënyrë baba, nënë, motër e vëlla i tyre. Aty e kam përjetuar atë çfarë do të thot mos ta kesh askënd nga familja, të jesh i braktisur dhe se çka do të thot të jesh i varfër! Në këto rrethana është dashur të rinjëve t`ju dhurosh shpresën për një jetë më të mirë, për një të ardhme shpresëdhënse  dhe prosperuese. Ishte një mision shumë i mirë edhe pse e pranoj se i vështirë, por që më ka mësuar se si duhet me u ballafaquar por edhe me i luftuar sfidat e jetës. Fëtyrat e tyre edhe sot i kam parasysh dhe të gjithë ata më qëndrojnë në zemrën time, sepse isha në mesin e tyre por edhe njëri prej tyre, mik dhe vëlla, me të cilët për tre vjet rresht ndamë gjitha përvojat por edhe kafshatën e gojës. Isha bërë pjesë e tyre, më kanë pranuar dhe dashur së tepëri, mirëpo dëtyrat dhe nevojat tjera më ftuan për misione tjera. Kështuqë pas lirisë së pritur të shqipërisë Superiori im më ftoi dhe dha dëtyra e obligime tjera. Ai më tha se nga Zagrebi pasi isha kthyer nga Madagaskar tanimë të ateroi dhe të vazhdoj misionin tim në trojet e stërvuajtura shqiptare, dhe siç na obligon edhe premtimi dhe betimi i dhënë, unë kësaj ftese me dashuri të madhe iu përgjigja. Kështu fillimisht veprimtarinë time e fillova në Shkodër, pastaj në Tiranë dhe ja sot gjindëm në Prishtinë. Por, mund të them se pa atë përvojnë e fituar në Madagaskar vërtetë shumë më vështirë e kisha patur t’i përballoj vështirësitë e jetës. E them se mua gjithmonë më kanë përcjellë padyshim lutjet e Juaja, vet Jezu Krishti, Zoja e Bekuar dhe don Bosko.

Marjan Sebaj-SOPi: Pasi u kthyet vazhduat studimet dhe më pas u shuguruat meshtar, por jo për dioçezën tonë, të Kosovës. Çka ishte vendimatare që të kaloni në rregullin apo shoqërinë Seleziane, një rregull mjaftë aktiv dhe i përhapur në botë, veçmas i njohur në edukimin e brezave të rinjë?

Don Izidor Lukiq: Pasi jam kthyer nga qendrimi im tre vjeçar pa vizituar vendljindje mbrenda këtyre tre viteve asnjëherë, unë më të kthyer menjëherë vazhdova studimet e ndërprera. Me ndihmën e Zotit gjithçka shkoi mirë, mund të them më mirë se siç e kam menduar edhe vet unë. Vitet studimore kaluan shpejt dhe erdhi koha e xhakonatit dhe më pas koha e shugurimit meshtarak. Vitin 1994., në vjeshtë i kam dhënë kushtet e përjeshtme si e kërkon rregulli ynë si salezian rregulltar. Kështuqë menjëherë mbas dy muajve jam shugruar xhakon në Zagreb, në Katedralën e Zagrebit. Vitin në vijim saktësisht me 25. 06. 1995., jam shuguruar meshtar së bashku me 36 kandidat tjerë në Katedralen e Zagrebit dhe shugurimin meshtarak e kam marrë nga kardinali i Kroacisë tanimë i ndjerë Franjo Kuhariq. Në mesin e 36 të shuguruarëve tre ishim selezian kurse të tjerët meshtar të argjiipeshkvisë së Zagrebit, kuptohet se në mesin e tyre kishte edhe rregulltar tjerë siç ishin françeskan, Jezuit e dominikan.

Ajo çfarë më ka tërhjek që të bëhem salezijan ka qenë pikrisht  përshpirtëria  Saleziane e Don Boskos, pastaj kujdesi i madh, përkushtimi ndaj të rinjëve e veçmas kujdesi ndaj të varfërve. Dëshira ime gjithmonë ka qenë të punoj me rininë dhe kështu duke lexuar biografinë, jeten e Don Boskos, ajo edhe më shumë më ka frymëzuar dhe entuziazmuar ta përqafoj atë dhe të jetoj  jetë rregulltare në shërbim të Zotit dhe të rinjëve. Gjithmonë në zemrën time ka qenë brengë e madhe jeta e të rinjëve ku as shteti dhe shumë pak institucionet tjera si ato fetare dhe jo fetare bëjnë për rininë. Rinia ka nevoj për më shumë kujdes, mirëkuptim e në veçanti dashuri të sinpertë. Dhe pikërisht dashuria ndaj të rinjëve ka qenë ajo çfarë më ka shtyrë të bëhem salezian.

Marjan Sebaj-SOPI: A mund të na thoni diç mbi historikun apo veprimtarinë e Selezianëve në përgjithësi (themeluesi, qëllimi i themelimit të shoqërisë etj…) e në veçanti veprimtaria e Selezianëve në shoqërinë tonë, në mesin e popullit tonë?

Don Izidor Lukiq: Don Bosko ka lindur me 16. 08. 1815., në Bechi afër Torinos.  Rrjedh nga një familje fshatare dhe shumë e varfër. Ai qysh në moshë të vogël dyvjeçare e humbë babain i cili vdes nga sëmundja e TBC (tuberkulozit) që atëherë ishte sëmundje e pashërueshme. Nga ai moment jeta e familjes Bosko ishte edhe më e vështirë meqë e gjithë barra tanimë i binte mamas së tyre që së bashku me tre fëmijë të vegjël ishte e dëtyruar të punoj (tokën) shumë për të mbijetuar. Gjonit qysh si fëmijë i vogël I pëlqente libri saq qysh në moshën nëntë vjeçare ai lexonte libra e literaturë të autorëve të mëdhenjë botërorë. Shkaku i varfërisë së madhe që mbretëronte në familjen Bosko, dëshira e madhe e Gjonit të vazhdoi shkollimin e të bëhej meshtar nuk u realizua e shkoi siç e dëshironte ai, por u dërtyrua të kërkoi një vendstrehim dhe vendpune për të fituar dhe vazhduar shkollimin e ultë e më vonë edhe atë të lartë. Kaloi një jetë të rënd, përvoj të hidhur por e gjitha kjo ishte edhe një lloj parapërgaditje për te dhe jetën e tij. Gjithë këtë kohë sa e kaloi jashtë gjirit familiar e kaloi duke punuar lloj-lloj pune edhe nga më të rëndat, mirëpo nga kjo u pasurua meqë mësoi zanate të ndryshme e që më vonë do i shërbejnë shumë në mësim  dhe edukim të të rinjëve. Gjoni i vogël, më pas edhe si i ri gjithnjë kishte mbështetjen e nënës së tij Margarita e cila ishte në gjendje të bëjë gjithçka për te por në tend të pare duke e edukuar në sjellje të mirë, në virtyte të krishtera, në fe, shpresë dhe dashuri ndaj Zotit dhe të afërmit.  Nëna apo siç e quajmë Mama Margarita ka lujtur një rol të rëndësishem gjatë gjithë jetës së tij.

Marjan Sebaj-SOPI: Ku gjindët sot ky rregull, na thuani sa meshtar apo rregulltar ka në botë, me çka mirrën në përgjithësi, apo shkurtë mbi strukturën e shoqërisë?

Don Izidor Lukiq: Shtëpia amë e rregullit tonë fillimisht ka qenë në Torino, Itali. Mirëpo me kalimin e kohës dhe sot shtëpia gjenerale është në Romë. Struktura e rregullit tonë përbëhet nga kjo: Kryesori është Superiori ynë që ne e quajmë Rettore Maggiore apo në shqip Rektori Madh, Vikar gjeneral. Ekonom gjeneral për gjithë Kongregaten (Rregullin). Rektori Madh i ka këshilltarët e tij, janë (ministrant e tij) që ndahen me regjione dhe që mbulojnë tërë kontinentet dhe punë dhe veprimtari dhe këta janë thuajse gjithmonë në udhëtime ku më pas e kanë për dëtyrë, obligim, që njëherë në gjashtë vite për sa janë të zgjedhur, mandatuar, t’i vizitojnë të gjitha prezencat saleziane nëpër botë dhe më vonë atij (Rektorit të Madh) t’i raportojnë.

Struktura është shumë mirë e organizuar. Stuktura gjenerale më pas ndahet në shumë dikastere si; dikasteri i misioneve, dikasteri për rini, dikasteri për ekonomi, dikasteri për mass-media dhe dikasteri për familjen saleziane. Këto dikastere funkcionojnë shumë mirë dhe bashkëpunojnë njëra me tjetrën dhe në gjithçka janë në harmoni dhe kordinim.

Sot Kongregata (Rregulli selezian) jonë numron afër 19 mijë rregulltar në botë. Jemi të pranishem në të gjitha kontinentet e botes që dua të them në mbi 130 shtete të ndryshme anë a mbarë botës shtrihet veprimtaria jonë saleziane. Qëllimi i veprimtarisë tonë është edukimi dhe formimi i të rinjëve, përgaditja dhe aftësimi i tyre për jetë.

Marjan Sebaj-SOPI: Diç mbi veprimatrinë e Shoqërisë (Kongregatës) Seleziane në mesin e popullit Shqiptarë sot? Dimë se Selezianët kanë qendra të njohura edukative, më saktësisht me çka mirrët shoqëria Seleziane e cila më duket se edhe në popullin tone gëzon një respekt?

Don Izidor Lukiq: Qendrat tona në troje shqiptare sic e that edhe ju vet vërtetë gëzojnë shumë respekt, një për arsye sepse janë qendra të cilat mirren eskluzivisht me rininë. Qendrat tona i ofrojnë rinisë tonë alternativa të ndryshme jetësore si ato kulturore, shkencore, sportive dhe  më e rëndësishmja i ofron rinisë ngritje në aspektin shpirtërorë e për të cilën gjë rinia shqiptare dhe ajo e përgjithëshme më së tepëri edhe ka nevoj sot. „Qendra Don Bosko“ në Tiranë, „Qendra Don Bosko“ në Shkodër, përfshinë një numër të madhë të rinjëve të cilët frekuentojnë ambientet tona e ku ushqehen me përshpirtëri dhe edukimin sipas shembullit të Don Boskos që është Sistemi parandalues. Ky system bazohet  ARSYE, BESIM DHE DASHURI. Shoqëria jonë mirre me Oratorin ku të gjithë të rinjët kanë të drejtë të frekuentojnë atë dhe të jenë pjestarë të Oratorit ku zhvillohet edukimi i tyre nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme artistike-kulturore, sportive dhe fetare siç është katekizmi. Shoqëria jonë mirret me trajnimet profesionale, si kurse të gjuhëve të ndryshme e kurse tjera të ndryshme për aftësim profesional të të gjitha lëmive. Kongregata apo Rregulli ynë mbanë nën përkujdesje të saj duke filluar që nga çerdhet (kopshtet), shkolla profesionale dmth gjimnaze dhe shkolla tjera profesionale deri tek fakultetet e ndryshme. Prezenca e të rinjëve në qendra tona është e madhe. Falë punës dhe angazhimit të salezianëve dhe bashkëpuntorëve salezian shoqeria jonë ka bërë themelet e mira për një edukim të shëndosh, të mirë dhe të mirfilltë. Shkollat tona, mësimet, pra qendrat tona shkollore janë shumë të kërkuara dhe të preferuara si nga ana e të rinjëve poashtu edhe nga ana e prindërve. Shkollat tona janë të hapura për të gjithë të rinjët pa dallim feje, gjinie, nacionaliteti...

Marjan Sebaj-Sopi: Mendimi apo vlerësimi i Juaj mbi rininë tonë, ku gjindët ajo sot? Apo shkon kah përparimi apo degjenerimi? A ka perspektivë rinia e jonë Shqiptare e në veçanti ajo Kosovare?

Don Izidor Lukiq: Sipas mendimit tim rinia e jonë, e Kosoves, ende gjindet në një udhkryq. Unë jam i bindur se akoma është një rini e gjallë, e shëndosh, dhe mund të punohet me ta për ta shpëtuar nga globalizimi apo nga një shoqëri e cila është profane dhe mundohet të ndërtoj njeriun pa Zot. Nëse secili meshtar në famullin e vet apo vendin e tyre ku jetojnë do të angazhoheshin edhe më shumë për shpëtimin e rinisë ky do te kishte me qenë një signjal i fort për udhëheqësit e shtetit tonë që edhe ata të mirrën më shumë me çështjet rinore. Rinia është e ardhmja e Kishës tonë, e ardhmja e kombit. Prandaj, duhet të investojmë shumë në rininë tonë sepse rreziku është i madhë që rinia jonë të braktisë vlerat dhe traditat e familjes  dhe të bashkohet ofertave jo të mira e të dëmshme të cilat mund të ofrojnë shoqëritë e ndryshme të cilat mund të jenë të rrezikshme dhe shkatërrimtare të rinisë së pafaj. Rreziku që kërcnon rininë janë dukurit negative si: droga, alkoholi, prostitucioni dhe shumë dukuri tjera të cilat shfaqën në shoqërit në tranzicion.

Marjan Sebaj-SOPi: Folët mbi aktivitetet Tuaja në Kosovë? Çka tutje, planet për të ardhmën?

Don Izidor Lukiq: Aktivitet tona në Kosovë janë të shumta sidomos ato që ne bëjmë në qendrën tonë në Prishtinë dhe besoj se këto aktivitete së shpejti do të vazhdojmë ti aplikojmë edhe me hapjen e Qendrës tjetër në ndërtim e sipër të don Boskos në Gjilan, e cila qendër ka po të njejtin mission. Ne siç cekëm edhe më lartë merremi kryesisht dhe ekskluzivisht me edukimin e rinisë. Nëpërmjet shkolles sonë rinia pasurohet me dituri, ajo këtu tek ne merrë edukim dhe vlerat të mirëfillta të cilat duhet të ket një i ri i kohës së sotme. Rinia ka nevoj dhe e meriton një kujdes të veçant, ka nevojë ndoshta më tepër se kurrë më parë për mirëkuptim, për mbështetje dhe përkrahje. Me rininë tonë në Kosovë e cila ende është e shëndosh neve mund të bëjmë gjëra të mëdha, por gjithësesi që neve duhet asaj ti përkushtohemi me tërë qënien tonë. Ne këtë mision e bëjmë çdo ditë në Qendrën don Bosko në Prishtinë. Kjo qendër që tanimë vepron vite me radhë në Prishtinë ka marrë emër dhe vlerësohet lartë si qendër edukativo mësimore sipas parimit të don Boskos; gjithçka për rini! Shkolla jonë, mësimet tona, edukimi ynë të tërë bazën e ka në sistemin parandalues e cila i ofron shoqërisë e në veçanti të rinjëve atë se si duhet të vlerësojnë dhe logjikojnë e me këtë edhe të marrin përgjegjësi në jetën e përditshme. Plani ynë në një të ardhme të afërt është të rrisim sa më shumë kapacitetet e qendrës me aktivitete dhe me struktura siç janë palestra sportive, internati për të rinjë të cilët dëshirojnë të vijnë te ne, në shkollat tona e sidomos ajo shtresë që ka gjendjën më të rënd ekonomike e që nuk kanë mundësi të paguajnë qera.

Marjan Sebaj-SOPI: Porosia e Juaj, si meshtar me një përvoj të madhe i cili mirret me edukimin e rinisë, çka do e porositni  rininë tonë?

Don Izidor Lukiq: Kisha për të thënë se edukimi rrjedhë nga zemra apo siç thoshte edhe edukatori i madh dhe ati i të rinjëve shën Gjon don Bosko; „Mjaftoni të jeni të rinjë e unë ju dua!“ Don Bosko i ka pas për zemre e në zemër të gjithë të rinjët, kështuqë edhe unë mundohem t’i përngjaj don Boskut me jetën dhe shembullin tim, me angazhimin tim. Rinia e ditëve tona ka nevojë për meshtarë dhe edukatorë të mirë, shembull, të cilët e shpenzojnë jetën e tyre dhe gjithë energjinë për ti edukuar sa më mirë të rinjët, dhe për t’i drejtuar ata në rrugë të drejtë dhe vërtetë, drejt Zotit.

Marjan Sebaj-SOPI: Ju falemnderit që gjetët kohë për këtë intervistë shumë të hapur dhe shpresoj edukative dhe në të mirë e dobi të rinisë dhe ardhmërisë së popullit tonë të stërvuajtur shqiptarë. Ju urojmë shëndet e suksese në të ardhmën.

Don Izidor Lukiq: Edhe juve nga zemra ju falenderoi për këtë intervistë apo më mirë ta quajt bashkëbisedim i përzemërt dhe shpalosje të përvojave tona jetësore. Shpresoj se shumë të rinjë do te frymëzohen e do të nxjerrin diç të mirë për jetë nga pyetjet dhe pergjigjejet e bëra këtu, nga përvoja e jonë. Suksese dhe punë të mbarë edhe Juve!

Intervistoi:

Marjan Sebaj-SOPI

Binçë, Gusht ’ 2013



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: