Drita Lushi: Baticë dhe Zbaticë
| E Marte, 13.08.2013, 09:09 PM |

DRITA LUSHI

Baticë dhe Zbaticë

Imagjinatë në ecje…

Nuk jam puhiza e pranverës, që na pëlqen t’na përkëdhelë mbrëmjeve, ku i gëzohemi vështrimit të fshehur nën këmishën e natës, ndërkohë që imagjinata jonë këndon me zërin e fshehtë të shpirtit, e koha s’kërkon asgjë si shpërblim duke na ruajtur sekretin e ëndrrës.

Nuk jam ditët e bardha, të cilat zvarriten e mbushen me minuta të njëjta, të pandryshura e të gjata, që koten në të gjitha orët, duke na përçuar  përgjumjen shijekeqe.

Nuk jam orët e mbushura me fjalë shumëngjyrëshe komplimentash pa vlerë, “them e thashe” që të thumbojnë veshët, si në ditët zhegnxehta kur  gjinkallat plasin, pasi kanë kënduar këngën zhurmuese të tyre.

Nuk jam netët e zakonshme, ku yjet, të pozicionuar qysh kur Galaktika njohu Tokën, na kujtojnë se jeta ështe një spirale që përsëritet.As orët e gjumit-“vdekje e përkohshme”

Nuk jetoj në dhoma veshur me orendi të shtrenjta, ku s’pipëtin as miza, e ku nuhatja kërkon edhe pluhurin.

Nuk jetoj as në ato shtëpitë me dritat e përhershme  që të verbojnë, me tavolinat  ku shandanët, pjatat e takëmet prej argjendi të shoqërojne deri në kafshatën e fundit, ku vera shumëvjeçare është uji i ditës tënde,e mirësjellja është binjakja e hipokrizisë.

 

***

Jam qetësia e mosqetësisë sime dhe mosqetësia e qetësisë.

 

Nje krater, e llavë që rrjedh.Me tutje formëzohem në një lëndinë të gjelbërt ku aroma e barit, e dheut, më bëjnë të ndihem bijë e Tokës.

Bri saj, një lumë i rrjedhshëm, i pastër, ku unë mundem të shoh dhe gurët pas së cilëve lakohen puthjet e ujit.

 

Bëj një pasqyrë të tejdukshme…

Marr disa gurë nga lumi,të cilët herë-herë më rrëshqasin nga duart  prej myshkut shumëvjeçar, e arrij të formoj një hurdhë uji dhe mendimesh:

Shihem: Jam unë!

Pak krater,llavë e nxehtë, e ndonjë fije barblertë mbetur kurmit, kur hapat me trok rilindës, puthnin barin e oazit, të lindur mes llavës.

Në breg të rrjedhës së lumit,ulem e marr frymë me çdo ind.

 

Qetësohem e shqetësohem.

Shqetësohem e qetësohem…

***

Një ngjitje…

Shkurre,rrëpirë pa rrugë, e lart, xhadja.

Këpucët të rrënuara e të lodhura, vazhdojne të mbajne këmbët e mia që s’epen. Mbahem një çast pas një shkurreje  gati të tharë e cila këputet, e une bie, rrëshqas në atë dhé përvëlues, mbushur me gurishte si zall.

Më mbushen këpuckëmbët e lodhura me dhé.

Ngrihem.

Mbahem në një shkurre tjetër më të fortë dhe “op”- a, arrij të dal deri në… xhadé.

Marr fryme thellë…

 

Dita thyhet nga nata.

Nata thyhet nga dita.

 

Në atë thyrje, një tis skuq horizontin e shpitit tim ku në kapilarë ndiej t’më vërshojë si lumë gjaku, që mu dha që në embrion nga ime më. Marr kepucët, i shkund nga dheu, shtriq gishat e këmbës, që me dhëmbin nga rrugëtimi,e shtrihem me fytyrë nga qielli.

Ndoshta kam dremitur pakëz. Tashmë, gishtat jashte këpuce kanë fytyrën e tyre origjinale e ndihen më të lehtë për të ecur drejt…

Këpucët grisur aty- këtu e shtrembëruar i mbath përsëri e eci.

Një shkreptimë në ag të ditës ma zë diellin.

Nga dueli i reve, bubullimat e zhumëshme lindën shiun.

Por …

Nje ylber më vizaton sytë.

Harroj shiun dhe dua ta ledhatoj atë shtatëngjyrësi të brishtë, që rritet, e forcohet e më bëhet një qiell jete mbi krye.

Eci…eci, eci.

Deti…

Kaloj vështrimim dhe gishtat, në buzet e tij  blu e të kripura.

I qetë i ngrohtë, dallgëlehtë.

Ndihem e mikluar brenda tij, aq, sa më duket se rëra murrëtohet nga ky flirtim yni.

Tani s’kam nevojë për këpucë…

Eci zbathur në breg, me rërë e ujëdet e s’ndiej lodhje.

Përtërihem.

Deti tërhiqet.

Zbaticë.

Gjurmet e mia duken qartë mbi rërë edhe në kthim, gjatë bregut ku eci përsëri.

Shoh diellin që puth detin.

Kam kaq dëshirë, të shoh përqafime e dashuri të zjarrta mbi këtë botë pa dashuri…

Përpiqem të gjej përsëri gjurmët qe lashë mbi rërën e lagur…

S’janë.

Batice…Më ka marrë brenda saj, hapat,ecjen.

Por nesër, do ti lë përsëri…

 

Trazim trupi dhe shpirti, lodhje, dihatje e frymëmarrje.

 

Kështu, ndijimet e mia, hedhin lastarë të rinj rrugës me tatëpjeta e të përpjeta.

Unë s’do të fle mbi shtrat të jetës.

Vazhdoj…

 

 

 

@ Drita Lushi

Gusht/2013

 

 



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: