Qazim Shehu: Në Kërçovë, satirë dhe shqiptarizëm
| E Hene, 12.08.2013, 09:08 PM |

NË KËRÇOVË, SATIRË DHE SHQIPTARIZËM

NGA QAZIM SHEHU

1.

Ndërsa udhëtoj drejt Kërçovës me poetët Pandeli Koçi dhe Vladimir Muça, shfaqja e pyjeve të pafundme zhytur në një magji të blertë, ma sjell ndjesinë e mirë se ky udhëtim është prologu i bukur i një aktiviteti-në hullinë e tij me një finalizim të pritshëm. Kjo parandjesi  krijuar instiktivisht për një vend ku s`ke qenë ndonjëherë,do të vërtetohet plotësisht ndërsa në hotel Kërçova takojmë Kalosh Çelikun, , një nga shkrimtarët më në zë të trojeve etnike, organizatori dhe pritësi i takimeve të Kërçovës :”Xha Dërrallla”. Jemi të parët që mbërijmë, ndërsa më vonë do të vijnë Nikolla Spathari, Agim Bajrami,Skënder Rusi, Skënder Demolli, Dhimitër Orgocka ,grupe- grupe si dasmorë në një dasmë të largët. Organizatorët nuk ndjehen të bezdisur, përkundrazi ,në sytë e tyre, ndihet një gëzim dhe dashamirësi, kjo shprehet, hetohet qartë tek poeti Xhelal Ademi, Ibrahim Koça, këshilltar për kulturë në komunën e Kërçovës drejtuar nga Fatmir Dehari. Edhe pse nuk jemi njohur më pare, duket sikur vërtet diku jemi takuar, sepse poetët zakonisht takohen në gazeta, internet, libra, ndaj edhe një shpjegim në bisedë e heq vetiu drojen e njohjes. Askush në botë nuk mund të çlirojë një rrymë miqësie më shumë se poetët, kjo miqësi e ka aftësinë të përcillet fuqishëm veçmas tek ata poetë të cilët gjithnjë jetojnë intensivisht me poezinë, jo vetëm duke e shkruar, po edhe duke e lexuar .  

Takimet e Kërçovës ndihmohen finaciarisht nga komuna dhe janë të karakterit të humorit dhe satirës. Ato mbajnë emrin Xha Dërralla, të një humoristi popullor që ka jetuar në këto anë, që ka lënë emër dhe identifikohet me bëmat e tij, zgjuarsinë dhe mençurinë e madhe, që ka ditur të ulë gjakrat e të mësojë njerëzit përmes humorit dhe satirës së tij të mprehtë. Anekdotat dhe shprehjet e tij, përcilen gojë më gojë nga njerëzit në dasma ,takime, në rrugë, biseda rastësore, duke shprehur njëkohësisht edhe atë përvojë, histori, vështirësi, kryeneçësi të popullit të këtyre anëve për të mbrojtur dinjitetin dhe karakterin burrëror përballë vështirësive të panumërta.  Xha Dërrall a mbetet kështu artisti i dalë nga shpirti dhe mendja e popullit, një artist emblematik, me një portret sa real aq enigmatik, ku fantazia dhe trilli rrethojnë figurën e tij, që ecën nëpër vite e dekada në tehun e një satire thumbuese. Një popull që bën humor ka zgjuarsi dhe qytetari të vjetër, siç janë në të vërtetë kërçovarët, dhe njerëz të tillë dalin si sintezë kulmore e shperthimit të gjenisë së popullit në momente të veçanta. Xha Dërralla nuk është vetëm një emër-po më shumë se kaq-një emblemë qëndrese kundër së keqes ,për ta kaluar këtë të keqe duke e goditur në shëmtinë e saj jo me skërmitje dhëmbësh e rrudhje buzësh ,por me buzëqeshjen e hollë ironike. Në revistën “Zekthi” të Kalosh Çelikut , mund të lexosh me dhjetra anekdota, thënie të Xha Dërrallës.

Këto vërtet janë takime të humorit dhe satirës-po ato e zgjerojnë përmbajtjen dhe tematikën-zgjerojnë kuptimet dhe vlerat-referojnë dhe nuancojnë në disa dimensione të jetës shqiptare-dimensione sa turistike të një guiditimi turistik,historike-dramatike , folklorike etnografike,kur duhet ta njohësh etninë tënde brenda njështeti tjetër. Dhe këtu ndërvartësohen disa vlera dhe përvoja të cilat dikur kanë qenë të ngrira, po sot po e fitojnë një farë shkrirje ,ndërsa edhe në këto anë shpresohet të fryjnë erërat e ngrohta të europianizimit për t`i shkrirë ngricat e nacionalizmave. Kjo nuk do të thotë që këto erëra të bëjnë lëmsh e li nocioin e ndasisë, përkundrazi ky nocion ekziston,sepse kur vjen fjala për shqiptarët e Maqedonisë e gjej një seriozit të habitshëm në kryerjen me kujdes të disa punëve, një vetëdijësim të mrekullueshëm për etninë , një përkushtim që mysafirët e thirrur të ikin sa më të kënaqur,të plotësuar me të gjitha kushtet e akomodimit, gjë e cila nuk është vërejtur në ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm në Shqipëri. Kjo sjellje serioze, natyrisht është tipar i traditës së vjetër të shqiptarit jashtë çdo romantike të sajuar të konceptit mikpritës. Natyrisht kjo është meritë e organizatorëve,po edhe refleks i ngulitur i një kulture perëndimore të cilën ata e kanë marrë para nesh për arsye që dihen. Çdo poet do ta recitojë një satirë, fabul, e humori herë herë do marrë ngjyra më të thekura përmes recitimeve dhe rrëfimeve të Nikolla Spatharit, këtij shkordrani pasionant,po edhe Sënder Demolli, satirist i kultivuar nga Korça, nuk mbetet pas, as Kalosh Çeliku, ndaj satirës së të cilit duhet të jeshë i vëmendshëm që ta kuptosh, por kur e kupton bindesh për hollësinë e saj dhe forcën goditëse që ajo mbart.

Nuk mund të kuptohet satira dhe humori shqiptar pa u përmendur gjigandët Çajup e Gjergj Fishtë dhe gjigandi tjetër Ali Asllani poezia e të cilit “Hakërrim “është një krijim unikal e denjë për ta pasur zili çdo poet. Ibrahim Koça që ka shkruar një poezi sipas gjedheve proceduese të Fishtës ndërsa reciton poezinë e famshme të Asllanit,e sjell edhe një herë atë përfytyrim të poetit të madh, i cili me vargun e vet profetik i bën një përshkrim të pamëshirshëm klikës bastarde të shqiptarëve, lolove dhe trutharëve, sepse “vërtet është koha e maskarenjve, po atdheu është i shqiptarëve”, do të përfundonte me një dhimbje sokratike vlonjati i madh.

Ditë e humorit dhe satirës nuk mund të kuptohen vetëm me recitime. Organizatorët janë kujdesur  që gjithçka t`i nënshtrohet një variacioni të mundshëm aq sa lejojnë mundësitë, ose aq sa ata kanë mundur dhe menduar. Kështu të nesërmen do të turremi si drejt një enigme për të shkuar në një kodër prej nga zotërohet një lartësi për të parë Kërçovën, po në këtë lartësi rrethuar me pyje dhe pyje, gjendemi përballë një vile, në pronësi të Vladir Tolevskit, që është edhe pronar i hotel Kërçovës, po edhe që ka qenë dikur edhe kryetar komune në Kërçovë. Kësaj vile na i thonë Shtëpia e Artit. Në oborr busti i Don Kishotit, skulptura të tjera, rrinë pranë një bredhi,pranë një druri tjetër, mes gjelbërimit.  Ndërsa në katin e dytë mund të shohësh një galeri të tërë me piktura, të piktorëve nga Europa, Ballkani. I zgjuar ky Vladimiri, na i ftoka piktorët, ata mund të akomodohen dy javë në vilën ë tij falas, të pikturojnë , të shetisin por në fund duhet të lënë si kusht një pikturë si dhuratë.  Përfitimet janë të dyanshme, po mbi të gjitha ,përfitohet art, përfitohet një mundësi turistike për Kërçovën.  Ndërsa e vizitoj këtë Shtëpi Arti, mendoj se nëse mund ta bëjë ndonjë pasanik në Shqipëri këtë, jo një, po disa.  Por, s`është kohë e artit, është koha e biznesmenëve,mendoj dhe e ndjej një bezdi pse s`mund të ndodhë tjetërsoj. Freskia,ajri i pasër malet që rrinë pranë ndërsa s`mund t`ua dalosh konturet mirë për shkak të gjelbërimit, pikturat, ngjyrat e ndezura të tyre,rrymate ndryshme të pikturimit, bisedat e çiltra, numrat e piktorit dhe prestigjatorit Vesel Çeliku që e fut një gozhdë të madhe në hundë, e krijojnë vetiu një dëshirë për të mos ikur më prej këtu, por duhet ikur…

2.

Një veprimtari e tillë e mbart përmasën e artit kombëtar dhe të artit në tërësi, një veprimtari që zhvillohet në Uskanën e lashtë ilire, ose Kërçovën e sotme. Studiuesi dhe gazetari Safet Hyseni e ka shkruar një libër komplementar për Kërçovën, historinë,traditat e vjetra, vuajtjet e kësaj popullsie nën raprezaljet e sllavëve, qëndresën heroike për të ruajtur etninë dhe dinjitetin, këmbënguljen e vazhdueshme për të ndërtuar jetën edhe pse shteti i huaj nuk u afronte asnjë mundësi. Ndërsa Xhelal Ademi vazhdon të shkruajë poezi, po edhe romane,po kështu Ibrahim Koça ka shkruar një libër me novela që të kujton stilin kutelian. Shaban Dalipi nje libër me publicistikë .  Po krijuesit e Kërçovës do t`ua lënë radhën në promovime mysafirëve. Diskutohet libri i Skënder Rusit ,botuar nga “Asdreni”, Shkup, një libri të Vahit Nasufit nga Struga dhe një vellimi me poezi –hajku të Besnik Lenës. Promovimi i ndërfutur si një seancë që krijon variacion , e sjell edhe një herë endimin kritik për këta poetë, ku diskutojnë Kalosh Çeliku, Pandeli Koçi, Nikolla Spathari, Vladimir Muça,Agim Bajrami, etj. Pa sjellë hollësisht mendimet e diskutantëve, sot, mund të themi se mendimi kritik është një shqetësim në rrahjen e debateve të munguara, ku më së shumti artikulohen vlera në një shtrat elozhesh dhe përcjelljesh ditirambike,pa prekur thelbin e lëngatës të problemeve letrare.  

Sidoqoftë, kemi diçka që lëviz, kemi një mendim që rrihet në qarqe të ngushta dhe impostohet herë herë edhe më ngushtë, kemi veprimtari, siç është kjo e Kërçovës që e sjell në vëmendje këtë gjë, dhe jep një model të mirë , sepse diskutime të tilla marrin një karakter më të gjërë.  Recitimet e natës së fundit nuk do ndalojnë. Aktori regjizori dhe artisti i njohur Dhimitër Orgoocka do na befasojë me interpretimet e tij nga poezia e Skënder Rusit po edhe e poetëve të njohur.  Dhe ai hap një debat , poetët duhet të dinë të përcjellin poezinë e tyre në auditorium. Por shumica e poetëve nuk dinë të recitojnë.  Në të vërtetë a duhet të jetë poezia e recitueshme, a shkruhet ajo për këtë punë, këto janë pyetje që kërkojnë herë herë një shpjegim të ndërmjetëm pa kufij të prerë ku mund të vendoset saktë ideja se poezia duhet patjetër të recitohet. Mbrëmjen e shoqëron një padurim i lehtë ,kush do ta fitojë çmimin e madh:Xha Deralla:”Dardha dhe gorrica”? dhe atë e fiton poeti dhe satirist korçar Skënder Demolli, ndërsa të dytin e merr poeti, piktori nga Kërçova Vesel Çeliku. Po kjo veprimtari shoqërohet edhe nganjë çertifikatë mirënjohjeje për të gjithë nga kryetari i komunës, Fatmir Dehari. Çertifikatë si një kujtim, si një letër dashurie, si një ftesë për herë tjetër, po edhe si një premtim se ky aktivitet po e vazhdon dhe do ta vazhdoje ritualin e tij të përvitshëm.

Natyrisht ndarja s`është e thjesht, kur dy ditë i ngjajnë një takimi magjie, dhe ndërsa shikon që çdo poet ngutet të dhurojë një libër. Kjo ngjet me Fadil Currin,Rrahim Ganiun, Vahit Nasufin, Begzad Rrahmanin, e  poetë të tjerë.  Tekasa i shfletoj këto libra nga padurimi, vë re se shumica janë ndihmuar nga ministria e kulturës së Maqedonisë, dhe menjëherë më vete mendja tek ministria jonëe kulturës dhe ministrat e saj famozë,e cila për hir së vërtetës e ka ndihmuar ndonjë shkrimtar të persekutuar, e ndonjë poet të traditës, po kurrë kjo ministri nuk është kujtuar ndonjëherë të ngrinte një komision ku shkrimtarët dhe poetët të aplikonin dhe konkuronin sipas kritereve të vlerave në mënyrë që veprat e tyre të prisnin donacionin e duhur. Me siguri që do ndreqet kjo, një shembull i mirë vjen nga Maqedonia fqinje.  Takimet e Kërçovës e mbartin një vlerë të madhe njohëse, kulturore artistike, sepse ato organizohen nga një grup shkrimtarësh pasionantë me në krye Kalosh Celikun, për të cilin jashtë çdo elozhi që nuk do i shkonte atij,ne mund të themi se është një promotor, një bard i palodhur i fjalës shqipe, një shkrimtar serioz, anakreontik dhe ezopik, po njëkohësisht që e do zhvillimin e artit dhe fjalës shqipe, cilësi që u shkojnë vetëm persoanaliteteve të shquara.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: