Entela Binjaku: Të jesh rom në Shqipëri
| E Diel, 11.08.2013, 05:03 PM |

Të jesh rom në Shqipëri

Nga Entela Binjaku

Ajo ishte e para studente rome që më takoi rasti të kisha. Kishim të njëjtin emër. Më goditi me zhdërvjelltësinë dhe natyrshmërinë me të cilën prezantoi veten dhe përkatësinë e saj etnike. Ishte një vajzë rome, me rezultate të mira nga shkolla e mesme, të cilat shteti i vlerësoi duke i dhënë mundësinë të studionte në Fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme. Familja e saj kishte sakfrifikuar shumë që ajo të ishte një studente dhe e motra ndërkohë prej vitesh ishte një aktiviste për të drejtat e popullsisë rome. Nëse do të tregohej këmbëngulëse dhe me besim, pas disa vitesh ajo do të jetë edhe mjekja e parë rome.

Ky ishte vërtet një rast fatlum,  por  për mua ishte vetëm “dallëndyshja e parë e pranverës”. Situata e pjesës më të madhe të popullsisë rome është tërësisht e ndryshme nga ky rast.  Historitë e jetës së tyre janë nga të më të trishtat që mund të dëgjosh në radhët e shoqërisë sonë. Ato gjendjen kudo ku gjendet kjo popullsi.

Historia e familjes Elmazi, është ajo e tre djemve që jetojnë të vetëm në kushte mjerimi në një lagje të Tiranës. Të mbetur prej dy vitesh pa prindër, ata janë një ndër 80 familjet që jetojnë në 60 apartamentet e një pallati të rrënuar tërësisht. Në një emision televiziv dy prej djemve  dëshmuan jo vetëm dramën e jetës së tyre dhe përpjkejet për mbijetesë,  por edhe mungesën e shpresës për të ardhmen : “ Jeta jonë... kjo është. Shumë na kanë premtuar por..”..

Ndërkohë në rrugët e një qyteti bregdetar një fëmijë rom ndërsa u afrua të kërkonte ndonjë monedhë, më tregoi se prindërit nuk e lejonin të shkonte në shkollë. Ishin shumë fëmjë dhe kishte nevojë për krahë pune. Kështu ai e kishte braktisur shkollën pasi kishte kryer dy klasa të para dhe prej vitesh ndihmonte familjen duke siguruar jetesën në këtë mënyrë.

Shetësimi për situatën e romëve nuk është  i ri. Kryesisht ai ka ardhur nga radhët e shoqatave që punojnë në këto drejtime por ato kanë mbetur të vetmuara e ndoshta të paafta në misionin e tyre, ndërkohë që shteti edhe pse ka përftuar financime të mëdha në drejtim të identifikimit dhe rregjistritmit të tyre, përmirësimit të kushteve të jetesës, sërish nuk ka mundur të bëjë asgjë në këto drejtime. Ata jetojnë në kushte të vështira dhe varfëri ekstreme.

Të jesh rom në Shqipëri do të thotë të konsiderohesh “dorë e zezë”, të rrosh i veçuar në ndonjë periferi të qytetit, të punosh nëpër kazanë plehrash, tregje rrobash, mbledhje hekurishtesh. Të jesh rom në Shqipëri do të thotë të mos kesh as librezë shëndetësore, të kesh fëmijët të parregjistruar, të jesh analfabet apo i keqarsimuar.

Të jesh rom në Shqipëri mund edhe të trajtohesh në media  por edhe kur ndodh vëmendja nuk përqëndrohet  aspak tek mjerimi, por tek prononcimet e disa institucioneve për masat që do të marrin në të ardhmen. Të jesh rom në shqipëri mund të blihesh me 5000 lekë për votën tënde.

Në këto 20 e ca vitet e fundit si pasojë e orientimit të ekonomisë sonë drejt ekonomisë së tregut, një pjesë e madhe e kësaj popullsie u gjend “në rrugë të madhe”. Për këtë arsye një pjesë e madhe e braktisi shkollën duke mbetur e paarsimuar apo duke e përkeqësuar integrimin në punë.

Niveli i ulët i formimit, aftësia e kufizuar profesionale  popullsisë rome në vendin tonë,  ka bërë që ajo të jetojë në kushte të një varfërie ekstreme që vështirë ta përshkruash.

Në mbajtjen gjallë të kësaj situate edhe qëndrimi diskriminues një rol ka luajtur që shumica ka mbajtur ndaj tyre, duke i lënë tërësisht të veçuar dhe të shpërfillur.  Si rezultat edhe i diskriminimit romët nuk punësohen në tregun formal të punës, përkundrazi  janë të detyruar të punojnë në tregtinë  e  rrobave të përdorura, mbledhjes së  kanaçeve apo hekurishtave ose më keq akoma, kanë gjetur  lypjen  si  burim kryesor të të ardhurave të tyre.

E megjithatë edhe në këto drejtime konkurenca ka ardhur në rritje dhe mundësitë e jetesës për ta po shkojnë drejt shterimit duke i nxitur të lëvizin drejt qyteteve ku mund të gjejnë mundësi,  duke shtrirë dhe përcjellë në të gjithë vendin problematikat që mbartin. Faktorët kulturorë që i karakterizojnë, niveli i ulët arsimor dhe varfëria bëjnë që romët në Shqipëri kanë patur një rritje më të madhe të popullsisë në krahasim me grupet e tjera etnike. Kjo nënkupton se numri i të varfrëve do të vazhdojë të rritet edhe më tej.

Pra, të jesh rom në Shqipëri do të thotë edhe të kërkosh vëmendjen mbarëshoqërore, për disa arsye.

Së pari,  sepse në vendin dhe në kohën tonë jetojmë në shekullin e të Drejtave të Njeriut.

Së dyti, sepse shteti për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, duhet të përmbushë edhe disa kritere politike, ku përmirësimi i kushteve shoqërore e ekonomike të romëve nuk bën aspak përjashtim.

Së treti, varfëria ekstreme dhe në rritje e kësaj shtrese të popullsisë ndikon negativisht në të gjithë stabilitetin shoqëror.  Vlerësimet për numrin e popullsisë rome në Shqipëri janë të ndryshme por  ato shkojnë nga 10.000 në 120.000 vetë  duke përfaqësuar nëpërmjet këtij numri edhe grupin më të varfër dhe më    shpërfillur në vendin tonë.

Së katërti, perspektiva e zgjidhjes së problemeve nuk duket aspak optimiste pasi kjo popullsi dallon për ritme të larta të lindjeve,  duke e bërë atë komunitetin me moshë më të re se popullsia e përgjithshme e vendit. Mosha mesatare e tij është 25,6 vjeç e cila është një kategori aktive  e paarsimuar dhe e papunë.

Nëse shoqëria do të vazhdojë të mbesë indiferente ndaj kësaj popullsie, nëse shteti nuk do të reagojë e nuk do të tregojë aspak përgjëgjësi për ta, ata sërish do të mbeten të pashkolluar, të pastrehë, të papunësuar e analfabetë duke i dhënë mjerimit të tyre tipare edhe më ekstreme.

Në çdo rast shkollimi do të ishte një dritë për të ardhmen e tyre, dhe krijimi i mundësive të punësimit nga ana e shtetit, lehtësimi i praktikave të punësimit edhe nga ana e sektorit jopublik, krijimi i një rregjistri të saktë të të pastrehëve dhe të papunëve do të orientonte më mirë politikat për përmirësimin e kushteve të jetesës. Vetëm në këtë mënyrë rasti i studentes së FM nuk do të mbetej një rast i izoluar dhe historik, vetëm në këtë mënyrë fëjët e familjes Elmazi do të gjenin një shpresë për për të ardhmen e tyre të ndryshme nga e tashmja dhe vetëm kështu fëmnijët lypës në rrugët e qyteteve tona do takishin këtë fëmijëri një të kaluar të largët.

M.A. ENTELA BINJAKU

Sociologe

Drejtuese e Fondacionit “Harriet Martineau”



(Vota: 21 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: