Entela Binjaku: Vetëvlerësimi në vendin e punës
| E Marte, 13.08.2013, 09:10 PM |

Vetëvlerësimi në vendin e punës

Nga Entela Binjaku

Pas viteve ´90 zhvillimet shoqërore në vendin tonë njohën shumë risi të lidhura me tregun e punës. Profesione të reja, profesione drejt humbjes, papunësia gjithashtu krijuan një tjetër tablo jete për të cilën shoqëria shqiptare ishte thuajse e papërgatitur. Megjithatë, modelet e vendeve të emancipuara duhet të mbeten udhërrëfyese për të trajtuar shumë prej situatave të krijuara, pasi ato kanë kaluar nëpër situata të tilla, kohë më parë. Panorama aktuale në vendin e punës tek ne, është e trishtë. Njerëzit vetëmjaftohen me gjetjen e një vendi pune, çështje të lidhura me vetëvlerësimin as nuk trajtohen si shqetësim, përveçse në biseda private e informale.

Në psikologji është një fushë e veçantë që merret me mënyrën sesi sillen njerëzit në vendin e punës, psikologjia e punës.  Ndërkohë që në vendet e emancipuara kjo fushë ka njohura sfida të reja të progresit, tek ne është tërësisht e panjohur. Me fjalë të tjera,  për aq kohë sa nuk e kemi një degë të posaçme kushtuar studimit të sjelljes së njeriut në punë, mirëqënies së tij në vendin e punës, do t´i referohem  vëzhgimit sociologjik, apo intervistave që zhvilloj me njerëz të ndryshëm.

Kështu në cilindo vend pune qoftë, dihet se vendosen përballë psikologjia, personaliteti, rrethanat dhe kultura vetjake e të angazhuarve, për këtë arsye hera-herës vetëvlerësimi i lartë është shumë i nevojshëm pasi mund të lehtësojë shumë prej barrierave që mund të krijohen mes aktorëve. Vetvlerësimi në punë tregon se njerëzit janë më të motivuar dhe më të përkushtuar ndaj aktivitetit që kryejnë dhe vetë ata nuk i dëshirojnë situatat e krijuara për hir të dallimeve që përmendëm.

Kultura e vetëvlerësimit në punë është shumë e nevojshme, por kjo kërkon padyshim investim të madh nga ana e aktorëve. Në kushtet kur pagat janë të ulta, mungon stimuli moral, promovimet janë selektive apo preferenciale të pajustifikuara aspak, vështirë të nxisësh vetvlerësimin në punë. Në shumë prej kontakteve të mia të përditshme, zor se gjej njerëz kaq të motivuar dhe vlerësuar ne vendin e punës, edhe për arsyet e sipërpërmendura.

Në shoqëritë moderne të qenët në punë është e rëndësishme për ruajtjen vetëvlerësimit. Edhe kur kushtet e punës nuk janë të dëshiruarat dhe detyrat që duhet të kryhen  janë larg atyre që preferohen,  puna ka prirjen të jetë faktor strukturues në ndërtimin psikologjik të njerëzve. Por këto shoqëri punojnë shumë në drejtim të ndërtimit të një atmosfere pune të atillë që të shërbejë si motivuese për vetëvlerësimin e njerëzve në vendin e punës. Tek ne ka shumë punë për të bërë në këtë drejtim dhe kërkon një seriozitet të lartë në trajtimin e dukurive që lindin nga mungesa e vetëvlerësimit në punë.

Puna është një ndër aktivitetet e rëndësishme të jetës së njeriut  dhe për të gjitha kulturat shoqërore është baza e sistemit ekonomik.  Ajo duhet të jetë burimi i mirëqënies, i dinjitetit dhe prestigjit social për këdo. Por kjo kërkon një nivel të caktuar të besimit tek vetja për të kryer më së miri angazhimin si punëdhënës apo dhe punëmarrës. Kurajoja, durimi, drejtësia, kujdesi ose maturia së bashku e bëjnë një njeri të virtytshëm profesionalisht, por në kushtet e mungesës së besimit tek vetja, ky virtyt zor se mund të arrihet. Cilado punë qoftë, kur kryhet në mënyrë ciklike ndikon dukshëm edhe në vetë formatimin psikologjik të njeriut, por dinamizmi i jetës shoqërore e ka vënë shoqërinë tonë përballë situatave të reja të gërshetuara me kërkesa dhe problematika të panjohura që kërkojnë latimin e disa tipareve  të veçanta  të personalitetit, siç është vetëbesimi, kurajoja, devotshmëria etj.

Në një mjedis të caktuar pune, mungesa e ekuilibrave apo dhe prishja e tyre midis pjesëve mund të ndikojë mjaft në uljen e besimit tek vetja, ashtu sikundër vetëvlerësimi tek punonjësit e këtij mjedisi mund të ndikojë në ruajtjen dhe vendosjen e këtyre ekulibrave.

Parë në këtë këndvështrim, vetëvlerësimi do të ndihmonte shumë në krijimin e një profili shumë të dobishëm nga ana e kolegëve në një vend pune. Por edhe pa e trajtuar në këtë mënyrë një individ me një nivel të lartë të vetëvlerësimit për aq kohë sa është në ekulibër dhe nuk shkon në sjellje delirante, mund të kontribuojë edhe vetë shumë në drejtim të vlerësimit nga ana e kolegëve. Rëndësia e vetëvlerësimit rritet në rastet kur ajo reflektohet në efikasitet në punë i njohur edhe nga kolëgët. Puna nënkupton përpjekje mendore dhe fizike që çojnë në prodhimin e të mirave dhe shërbimeve për plotësimin e nevojave tona shoqërore; besimi tek vetja, vetëvlerësimi do t’i  bënte të angazhuarit shumë  më produktivë . Në konceptin që kemi ne, me punë ne njohim vetëm atë që paguhet, por të mos harrojmë që punët e shtëpisë dhe ekonomia jozyrtare janë elementë të rëndësishëm të punës së papaguar me rrogë, por që japin një kontribut të konsiderueshëm në të ardhurat e përgjithshme. Në këtë këndvështrim duke parë këtë shkallë të lartë të njerëzve të papunë, ose të grave të paangazhuara në punë jashtë familjes, do të thoja që vështirë të flasësh për vetëvlerësim. Në Kushtetutën e vendit tonë nëpërmjet nenit 49, sanksionohet e drejta për t'u punësuar: “Çdo njeri ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme qe e ka zgjedhur ose pranuar vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës si dhe sistemin e kualifikimit të vet profesional ”.  E pavarësisht kësaj në vendin tonë papunësia është në shifra shumë të larta dhe vështirësitë për gjetjen e një vendi pune gjithashtu janë shumë të mëdha. Në këto kushte, puna dhe vlerësimi në vendin e punës merr një rëndësi edhe më të madhe. Përvoja ka treguar që njerëz me besim të lartë tek vetja, e kërkojnë më shumë suksesin në vendin e punës;  shpesh herë kjo mund të përkthehet në të ardhura më të mira dhe një mënyrë të jetuari më të mirëqenë.

Nga ana tjetër, për shumë prej nesh mënyra kryesore e nxjerrjes së burimeve të nevojshme për  jetësën mbetet puna e paguar, kështu që sa më të suksesshëm të jenë në nivelin e të ardhurave, aq më të mirëqenë e kanë jetën.  Në kushte të  tilla,  edhe vlerësimi për veten është i më i lartë.  Shoqëritë moderne e çmojnë të qenët në punë si një ndër mundësitë e njeriut për të qenë i vetëvlerësuar. Për këtë arsye hartohen politika të tëra dhe vizionare që synojnë punësimin apo arsimimin e vazhdueshëm.  Analizat tregojnë se  pa të ardhurat që njeriu i siguron nga puna, jeta është e pasigurtë dhe vetëbesimi është më i ulët.  Dihet se shumë prej aftësive të njeriut mprihen falë ushtrimit në një vend pune të caktuar. Pa këto mundësi punësimi, pa këto shance të ushtrimit, edhe energjia që posedojnë njerëzit mbetet e pashfrytëzuar dhe niveli i vetëbesimit mbetet sërish i ulët. Punësimi rrit mundësitë për jetën sociale, e bën jetën më të larmishme dhe më aktive dhe ju jep mundësinë njerëzve të rrisin identitetin e tyre personal.  Shoqëritë e emancipuara vënë në veprim strategji të vetëkontrollit të cilat bëjnë të mundur stabilitetin e tyre.  Këto strategji ushtrohet mbi individët përmes një presioni të vazhdueshëm derisa të garantohet rregulli dhe mbarëvajtja në fusha të caktuara. Vetëkontrolli shoqëror  dhe presioni ynë qytetar për cështje që lidhen me aktivitetin e punës, përfshirë këtu edhe mirëqënien në vendin e punës, do të ndryshonte shumë panoramën aktuale. Shoqëritë  të emancipuara e kanë nxitur këtë mirëqënie  falë ruajtjes së stabilitetit në vendin e punës, rritjes së kontrollit shoqëror ndaj gjërave që nuk shkojnë, stimulimit të meritokracisë dhe vlerësimit për më të virtytshmit profesionalisht.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: