Besnik Dizdari: Dinamoiada…
| E Hene, 19.05.2008, 06:03 PM |

Besnik Dizdari
Dinamoiada…

Nga Besnik Dizdari

1.

Në 58 vjet të jetës së saj, Dinamo e Tiranës, apo e Shqipërisë, apo e Ministrisë së Punëve të Brëndshme, siç është quajtur dikur, në të shumtën ka marrë shumë fitore të bujshme. Kjo e së shtunës së 17 majit 2008, është megjithate ndër më të bukurat, ndër më të rrallat. Ndonëse nuk është ndër më të fuqishmet dhe doemos as ndër më “ushtaraket”. Për fat është ndër më civilet. Në 16 titujt e mëparshëm, prej të cilëve deri në orën 18.25 të 17 majit 2008 në gjithë 17 vjetët e përmbysjes së diktaturës komuniste dhe bashkë me te edhe të përmbysjes së kulturës dikasteriale dinamase dhe vendosjes së sistemit demokratik, ajo kishte fituar vetëm 1 titull të Kampionit të Shqipërisë (2002). Në jetën e saj ajo ka pasë triumfe të paharrueshëm, tejet më të fuqishëm dhe më madhështorë se ky i 60 orëve më parë. Megjithate ky është ndër më të veçantët, madje ndër më shpërthyesit, ndër më dramatikët, ndër më gjakuesit (pasionantët).

Eshtë një dinamoiadë e vërtetë, që vjen mbas 58 vjetëve të themelimit të saj të pandalshëm. Sepse “Dinamot” e shumta janë në shuarje e sipër në gjithë ish- Lindjen Komuniste, kur kujton edhe një herë se prej 73 “Dinamo”-ve që kanë qenë, sot kanë mbetur vetëm 12: Dinamo e Tiranës, Dinamo e Tbilisit, Dinamo e Batumit, Dinamo e Zagrebit, Dinamo Bender, Dinamo e Bukureshtit, Dinamo Budwais, Dinamo e Kievit, Dinamo e Moskës, Dinamo e Minskut, Dinamo Brest, të gjitha në Ligat e para të Shqipërisë, Gjeorgjisë, Rusisë, Kroacisë, Rumanisë, Çekosllovakisë, Ukrainës, Biellorusisë! Para pak vitesh pat rezistuar e famshmja Dinamo e Berlinit, tash e kthyer në FC Berlin, diku e zhdukur në kampionatet e kategorive të ulta të Gjermanisë. Ka mbetur e famshmja tjetër megjithate, Dinamo e Drezdenit– e fundosur në Ligën e tretë gjermane thjesht si një kujtesë muzeale. U patën përpjekur të ndërronin edhe dy prej këtyre: Dinamo e Zagrebit në Croazia dhe Dinamo e Tiranës në Olimpik. Qenë jetshkurtër nën këta emra të rinj. Kështu edhe Olimpiku i Tiranës, sepse pati një çast kur papritmas u rikthyen fanatikët e komprometuar keqas me Regjimin. Dhe me ta u rikthye edhe Dinamo e jonë.

Ato kanë qenë të gjitha Dinamo të themeluara prej kampit të dikurshëm komunist i të ashtuquajturave “demokraci popullore”. Të varuna prej Ministrive të Punëve të Brëndshme dhe madje të zyrave të errta të Policive Sekrete apo Sigurimit të Shtetit. Në Kampionatet e Shqipërisë kanë arritur të marrin pjesë deri katër Dinamo: Dinamo e Tiranës, Dinamo e Shkodrës, Dinamo e Durrësit, Dinamo e Vlorës.

Madje një herë, tre prej tyre kanë qenë së bashku në një Kampionat të vetëm Kombëtar, atë të vitit 1955. Dy të tjerat, ajo e Shkodrës dhe e Vlorës, punonin për Dinamon e ashtuquajtur Qendrore, atë të Tiranës…

Kjo është historia, ose kujtesa kombëtare edhe në sport, pa njohjen e së cilës nuk mund të bëhet gazetaria e Shqipërisë demokratike. Për fat, nuk po arrijmë t’ia mëkojmë këte histori sidomos një pjese të mirë të gazetarëve të brezit të ri, të cilët vrapojnë duke iu marrë fryma mbas pagesës dhe me një nxitim të pashembullt jorrallë shkruajnë ashtu siç nuk duhet. Nuk ka fyerje më të madhe për Dinamon e Tiranës, që në ditët e titullit të saj të 17-të ta quash “nëndetëse”, siç pamë të dielën disa tituj a nëntituj gazetash. Kur dihet mirë se mbiemërimin “nëndetëse” ia pat vënë i paharrueshmi Myslym Alla përmes ironisë së tij të hollë, për të tregur forcën e tmerrshme të Sigurimit të Shtetit, i cili me mënyrat e tij kërcënonte majtas e djathtas “armiqtë” e Dinamos për t’i lëshuar rrugë fitoreve të saj me çdo kusht. “Kujdes, nëndetësen”, thoshte Myslym Alla, duke nënkuptuar prapaskenat e frikshme në fshehtësi të plotë që mund të bënin jerarkët dinamas asokohe. Historia na tregon ndërkaq, se përmes stilit të “nëndetëses” dy herë Dinamo ia ka rrëmbyer titullin Partizanit falë rregullit absurd të pjesëtimit të golave të pësuar me ato të shënuar, ndonëse golaverazhi i Partizanit ka qenë dukshëm më i mirë (1950 dhe 1955).

Duke qëndruar për një çast te ky introdukt i ynë historik, shënojmë se tash nuk mund të themi siç thamë para pak javëve se Kampionati i 69-të zyrtar i Shqipërisë, ka vetëm dy mëtues: Dinamon dhe Partizanin. Ndreqim: tash ai ka vetëm një: Kampionen Dinamo, sot të Tiranës, njërën prej dy skuadrave të hershme ushtarake, të cilat sidomos në vitet ’50, bënin ligjin në futbollin shqiptar. Deri të shtunën ato kishin fituar asisoji, 31 Kampionate së bashku, 16 Dinamo dhe 15 Partizani! Por vetëm 2 në 17 vjetët e fundit: 1 Partizani më 1993 dhe 1 Dinamo më 2002! Tash shifra u bë “32”. Dhe papritmas nuk mund të themi se kemi të bëjmë me një histori të mbyllur, të harruar, gati të shuar apo një epokë që është ndrydhur si në një prehistori. Në të vërtetë kemi të bëjmë me një histori që në këte rast shpaloset nga Dinamo e Tiranës, e cila duke u rikthyer te titulli mbrenda gjashtë vjetëve, ka shpëtuar historinë e vjetër të PartizanDinamos së gati 40-45 vjetëve të futbollit shqiptar. Një histori që falë meritës së madhe të Dinamos mori guximin të hynte edhe në Shekullin XXI…

2.

Mund të thuhet pa mëdyshje se Partizani i së shtunës që shkoi ka qenë disi edhe i pafat me Dinamon “dinake”. Disa javë më parë ajo u duk një Dinamo e lëkundur: Besëlidhja – Dinamo 1-0, Kastrioti – Dinamo 1-0! Kështu me dy skuadra të “kategorisë së dytë”! Edhe pse me trajnerin e sapondërruar me emrin Ilir Daja! Mirëpo, çfarë bëri ndërkohë rivali tjetër, Partizani? 0-3 në Vlorë! Kjo humbje ka qenë vendimi i madh i Kampionatit 2007-08. Ka qenë shpëtimi i Dinamos kjo kryevepër vlonjate. Ishte 5 prill 2008 dhe këtu nisi shpërthimi i pandalshëm dinamas. Vështroni! Vetëm një 0-0 me Shkumbinin dhe mandej vetëm fitore të papërmbajtshme: 6-0 Flamurtarit, 3-1 KS Elbasanit, 2-1 SK Tiranës, 2-0 Besës, 3-0 Vllaznisë! Dhe pa asnjë lëshim të kreut. Deri te 90 minutat e së shtunës që rikthyen një histori. Kjo ishte një dinamoiadë.

Të shtunën Dinamo e Tiranës ka siguruar jetëgjatësinë e historisë: dy herë kampione në gjashtë vjet të Shekullit XXI, 17 herë Kampione e Shqipërisë midis dy shekujve, e dyta mbas Sportklub Tiranës së pambërritshme në titujt: 23 herë. Doemos pa i përfshirë kësaj të fundit dy titujt e Kampionateve të Luftës.

Kësaj rradhe Dinamos iu desht që për të 17-tën herë të ndodhej me Partizanin në një duel të këtillë, pra të luftës mbrenda llojit të tyre për të rrëmbyer titullin shqiptar të futbollit. Dhe në këte luftim të drejtpërdrejt Dinamo ia rrëmbeu titullin Partizanit për të 11-tën herë, ndërsa ky i fundit e ka rrëmbyer vetëm 6 herë. Doemos vitet ’50 kanë qenë më tipikët. Në 8 nga 10 kampionatet pa ndalesë të atij dhjetvjetëshi, Dinamo e Partizani kanë qenë duelantë midis védi, dhe 7 herë Dinamo ia ka rrëmbyer titullin Partizanit, ndërsa ky vetëm 1 herë, më 1957 mbas ndeshjes shtesë fundore.

Të shtunën e 17 majit 2008, më në fund u duk se fati do të anonte kah Partizani kur u pa se për 33 minutat e fundit, Dinamo do të luante me dy lojtarë më pak dhe, kur situata ishte në barazim 1-1. Duhej vetëm një gol, një gol i thjeshtë, i vogël apo i madh, i ngadalshëm apo i shpejtë, për gabim apo për meritë, me krye, me trup, me këmbë, me 11-metërsh apo nga loja, i cili do të mjaftonte që mbas 15 vjetëve Partizani të bënte të tijin një titull të Kampionit të Shqipërisë dhe të rifillonte një histori të harruar. Në teori dukej punë e kryer kur praktika e lojës të kujtonte se luftonin 11 kundër 9. E vërteta është se ky gol i vetëm erdhi, erdhi disi vonë në të 93’, por çuditërisht erdhi prej kahut tjetër, kahut të Dinamos me 9 lojtarë përballë 11 të Partizanit. Një gol i rrufeshëm, taktik madje, teknik dhe plot forcë, teksa një gjysmëfushë e tanë qe në duart e dy lojtarëve të vetëm dinamas: Pejic dhe Ferraj. Ishte ky i fundit, 21 vjeç djalë, në ndeshjen e tij të 21-të dinamase në këte Kampionat, ai i cili shénjoi fitoren e 21-të të Kampiones së re, njeriu që mban firmën e parë te titulli: 2-1 (çfarë përkimi të shifrës ”21’) që për rrjedhën e pabarabartë të ecurisë dhe ndodhive të ndeshjes, dukej vërtet sensacional, i papritur, i pamshirshëm, “alogjik”. Në të vërtetë logjik, kur mendon se kjo Dinamo e datuar 2008, deri në këte çast kishte kryesuar 25 prej të 32 javëve në fuqi. E, qysh nga Java 12, ajo e 25 nëntorit 2007, ajo kishte kryesuar plot 21 javë rresht. Nuk do të zbriste as mbas Javës 33, të dramës së Partizanit, “i shuar” nga historia e titujve të Kampionit të Shqipërisë qysh më 5 maj 1993 kur mbasi humbiste 1-2 në Fier prej Apolonisë së Majacit, nën drejtimin e trajnerëve S.Starova, H.Lika, M.Fagu shpallej kampion duke lënë me 5 pikë mbrapa Teutën e Durrësit, ndërsa Dinamon “e tij” në vendin e 6-të me 12 pikë më pak. Të dukej se paralajmëronte rifillimin e ciklit të tij të ri të madh për të hyrë dikur edhe ai krenar në Shekullin XXI për ate çka i kishte dhënë futbollit shqiptar. Për fatin e tij “tragjik” të futbollit, do të provonte të kundërtën, deri dhe zbritjen “vrasëse” për historinë e tij të rënies në Kategorinë e Dytë mu në mbyllje të Shekullit XX që kishte qenë thuajse i tij. Ishte viti 2000!

Dhe Dinamo - Kampione për herë të 17-të, 2 herë prej të cilave në Shekullin XXI. Kaq mjafton për të kuptuar sado pak përfaqësimin gjeopolitik që i bën në futbollin shqiptar PartizanDinamos, klubi ynë Dinamo.

Në 58 vjet të jetës së saj Dinamo e Tiranës, apo e Shqipërisë, apo e Ministrisë së Punëve të Brëndshme, siç është quajtur dikur, në të shumtën ka marrë disa suksese të bujshme.

Titulli i së shtunës është ndër më të mëdhenjtë. Sepse u arrit me meritë të plotë të një sundimi paprecedent deri në sekondat e fundit të Kampionatit, duke rrëmbyer ndeshjen e fundit që me 2 pikët epërsi kurrsesi nuk qe një finale (fundore), por një llogari e shkëlqyeshme dinamase, që nis me këmbënguljen po ”dinake” për të luajtur në Stadiumin “Selman Stërmasi”. Eshtë stadiumi të cilin për t’i përngjâ Stadiumit “Dinamo” të Mokës, më 8 korrik të vitit 1959, Partia e pat ndërtuar posaçërisht për Dinamon shqiptare, madje në kohë rekord, duke shfrytëzuar deri në palcë mundin e të burgosurve politikë. Emërtimin moskovit të përmbi 35 vjetëve do ta mposhtte Selman Stërmasi i madh, ndërrim për të cilin nuk guxuan të bzanin (jo “bëzanin”, sepse “ë” në këte rast është një krim i vogël gjuhësor) jerarkët e frikësuar dinamas të fillimit të viteve ’90 të Shekullit XX. Iu kishte hyrë frika deri në placë, sepse kujtonin që demokracia bën hakmarrje si diktatura e tyre!

3.

U pa kështu, se kjo Dinamo e re e vitit 2008, e kishte fushën e “Selman Stërmasit” si të vetën. Nuk pyeti për publikun, nuk i bëri përshtypje asesi se jashtë tribunave mbetën disa qindra tifozë më tepër të Partizanit. Për çudi, të sajtë kësaj rradhe erdhën më të shumtë se asnjëherë në histori. (Ku i paska pasë gjithë këta simpatizantë kjo skuadër, e cila gjatë gjithë Kampionatit pati numrin më të paktë të spektatorëve, as 1500 për ndeshje?). Dhe e sundoi ndeshjen taktikisht, teknikisht, psikologjikisht. E la Partizanin t’i vinte në fushën e vet, mbasi fati i blatoi një 11-metërsh “italian” të minutës së katërt, të cilin gjyqtari 35-vjeçar Paolo Tagliavento nga Terni, e dha në stilin e hershëm të legjendarit Concetto Lo Bello, por të një shkolle edhe të re të tipit Collina. Mandej mbas këtij kryesimi 1-0 qysh në 360 sekondat e para të lojës, ajo u bë sunduese e madhe taktike e gjithë ecurisë së 90 minutave. Madje edhe kur mbeti me 9 vetë përballë 11 të kundërshtarit.

Ky është episodi vetanak (unikal) jo vetëm i dueleve Dinamo – Partizani, por i të gjithë fundeve të 69 Kampionateve Shqiptare. Dinamo zhvilloi një ndeshje që nga ana futbollistike mund të quhet heroike, përballë një Partizani, i cili me gjithë epërsinë tokësore që pati, nuk sundoi nga ana psikologjike. Me vonimin e barazimit, koha që kalonte gjithnjë e më fort zotërohej prej Dinamos, e cila çuditërisht sa vinte e qetësohej, sigurohej, mbrohej, kundërsulmonte me vetëm një njeri Pero Pejic nga Kroacia, truphijshmi elegant i Kampionatit të Shqipërisë, i cili i vetëm ia arrinte të mbante në tension zonën e portës partizanase. Mbas pak është po shënuesi kroat ai që bëhet intepretuesi i pagabueshëm i minutës 93, krijuesi i golit historik të të riut Ferraj. Këtu u dorëzua përfundimisht Partizani, i cili me gjithë përpjekjet e tij të admirueshme, duhet të bindet se do të mbetej, ashtu si gjatë gjithë një Kampionati të bukur që zhvilloi edhe ai, préja e Dinamos.

Ajo ishte një Dinamoiadë, për të nënkuptuar kësisoji, shndërrimin në një epope shqiptare natyrisht, një histori sa 90-minutshe po aq 17-titujshe të Kampiones dinamase shqiptare.

Ndoshta ndër më origjinalet në gjithë këte histori. Jo vetëm për fundin e paprecedent të mënyrës se si u arrit fitorja e fundit. Mbi të gjitha se në këte Kampionat të varfër të Shqipërisë sonë, ishte Dinamo (dhe mbas saj edhe Partizani) ajo që e shpëtoi prej një dështimi. E shpëtoi veçanërisht me mënyrën se si u përpoq të luante gjatë 33 javëve. Po ta vëresh edhe përimtosh me vëmendje, sheh se ajo ka paraqitur një futboll tipik tradicional të Dinamos: sulm i menjëhershëm, që nuk vjen prej një vrulli, bie fjala partizanas, por prej një pakpasimëshi të mbështetur mu në teknikë, që ngjitet lart te 18 golat e Pero Pejicit dhe mandej të disa gjuajtësve të tjerë periodikë pak golash, po sa vendimtarë, autorë të të cilëve nuk ishin pak por plot 14 djem të tjerë, të cilët kanë shënuar në çastin dhe në vendin e duhur.

Ajo ishte një Dinamo që la 5 pikë mbrapa Partizanin, por pa pikë mëshirë la mbrapa 14 pikë skuadrën e tretë, Besën e Kavajës, 18 pikë KS Elbasanin, 20 pikë Shkumbinin, 26 pikë Flamurtarin. Ishte një Dinamo e cila la mbrapa 21 pikë stërkampionen SK Tirana në renditjen e saj më të ulët të 15 vjetëve të fundit; dhe 25 pikë klasiken Vllaznia e Shkodrës në renditjen e saj më të ulët të 12 vjetëve të fundit!

Edhe për këto, ky titull i 17-të i Dinamos i drejtuar hap mbas hapi deri në hollësi prej presidentit Besnik Sula, emër krejt i ri në historinë menazheriale të futbollit shqiptar, padyshim presidenti më fjalëpakë dhe më kryeulë në Kampionatin e Shqipërisë, suksesi i Dinamos 2008 bën kështu pjesë në ate që ne po e quajmë Dinamoiadë. Natyrisht i nëshkruar prej firmës së butë të trajnerit të plot 21 javëve Agim Canaj dhe e vulosur plot forcë prej trajnerit të 12 javëve vendimtare Ilir Daja, - një kampion i Dinamos në të largëtin 1990…

4.

Për herë të parë në histori Shqipëria ka një kampione në të cilën 8 kampionë nuk janë shtetas shqiptar: Abraham Alechenwy nga Nigeria, Pollozhani, shqiptar nga Maqedonia, Diop nga Senegali, e madje edhe Mauricio Hanuch në 4 ndeshje. Dhe në krye të vendit katërshja kroate: Granic, Bodrusic, Vincetic, Pejic. Kështu nuk kemi kuptuar asgjë po të mos nënvizojmë se 7 prej tyre kanë qenë titullarë të padiskutueshëm gjatë rrugës për te titulli: Abraham, Bodrusic, Diop, Pejic, Granic, Vincetic dhe Pollozhani në gjysmën e dytë të Kampionatit, kohë kur ai erdhi. Na duhet të pranojmë se për herë të parë në historinë e 69 Kampionateve të Shqipërisë, kemi një kampione, ku shumica e titullarëve nuk janë shtetas shqiptarë. Dinamo thellon dinamoiadën e saj duke ecur në rrugën e globalizimit të futbollit shqiptar.

Pa harruar se këta titullarë, shtetas të huaj, nuk mund të bënin asgjë, sidomos pa shqiptarë të tillë si Kotorri e Pisha, Poçi e Ishka, Allmuça e Kuli, Ferraj e Pema, por as pa Plakun e ri, aq vendimtar në 16 ndeshjet e para të Kampionatit. Prej të cilëve vetëm njeri është kampion i 2002-shit: Arian Pisha - regjizori i cili prej larg pati ndër duar gjithë drejtimin dinamas në fushë e blertë. Pa harruar një treshe të rrallë për kah historia, atë Kotorri-Abraham-Ishka vetëm dy vjet më parë Kampionë të Shqipërisë me KS Elbasanin.

Kjo është Dinamo e Dinamoiadës sonë (pa dëshirë për kakofoni) e cila gjithë jetën ka “vjedhur” me zgjuarësi herojtë e të tjerëve për t’i bërë të sajtë. Emrat janë të pafund:

Bakalli, S.Begeja, Teliti, B.Boriçi, Q.Cungu, L.Dashi, Z.Gjinali, Duma, Dh.Gjyli, Halluni, S.Jareci, B.Kavaja, Lubonja, M.Metani, Mirashi, S.Peqini, Rreli, Xh.Shaqiri, Tallushi, Vathi, Verrija, M.Vila, Vogli, Qoshja, Duro, Halili, S.Gjoci, Bushati, J.Saraçi, Hushi, Çeço, Zhega, Dauti, R.Ibërshimi, E. Hafizi, Çiraku, Targaj, Sh.Ballgjini, Strakosha, R. Vata, Canaj, Ahmataj, Driza, Gallo, F.Xhafa, Romanishin, Qorri, Dhëmbi, D.Xhafa, Qose, K.Asllani, Tiko, A.Duro, Pisha, Kotorri, Abraham, Pejic, Vincetic, Ishka, Granic, Poçi, Kuli, Bodrusic, Diop, Pema, Plaku, Pollozhani, Mile, Hanuch, Kotja, Çela.

Nuk i kemi harruar as Pernaskën, as Demollarin, as Zërin as Markon e të tjerë, por këta ne i quajmë dinamas autoktonë. Ndërsa të gjithë kampionët e sipërpërmendur rradhazi të Dinamos, nuk janë prodhim i futbollit të saj, por të rrëmbyer prej të tjerëve dhe të shndërruar në traditën e Dinamoiadës, e sendërtuar përjetësisht me lojtarë të tjerëve, po të cilët ajo me zotësi i ka asimiluar mbrenda stilit të saj dinamas të një teknike e të një qetësie të rrallë psikologjike, që çuditërisht është trashiguar deri më sot. Përherë ajo ia ka arritur t’i shkrijë në harmoninë e një Dinamoiade që si themelim daton më 26 shkurt 1950, ditë kur Dinamo del në fushën e lojës dhe fiton 2-0 me skuadrën e Elbasanit në ndeshjen e saj të parë për Kampionatin. Ndonëse themelimi i saj zyrtarisht nënshkruhet gjashtë ditë më vonë, 2 mars 1950, “në bazë të vendimit të Komitetit Central të PPSH mbi zhvillimin e fizkulturës, e të vetë interesimit të minstrit të p. brendshme e sekretar i PPSH, Gjen. Lejt. Mehmet Shehu”, siç shkruhet fjalë për fjalë. Thotë Fishta; “Historinë e shkruen koha, e koha âsht si deti, që me valë të veta dalkadalë të gjitha bazhgaret e kashtat i qetë m’breg”.

Edhe kjo është një histori pa të cilin nuk mund të gjykojmë asgjë.

Kjo është mbyllja, për çastin, e Dinamos ndaj së cilës Partizani është i detyruar të lëshojë rrugë. T’i lëshojë rrugë mikes dhe “armikes” së tij të vjetër e cila është në epërsi të ngushtë, 17 me 15, por që duket gjigande kur sheh se koha e re që erdhi sa ringjalli Dinamoiadën. pret tash 15 vjet për të ringjallë Partizanoiadën, nëse vërtet do të ketë ndonjëherë një të tillë…


G. Tema

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: