Halit Bogaj: Sinan Gashi - ''Përjetësi artistike''
| E Marte, 16.07.2013, 09:05 PM |

SINAN GASHI ‘’PËRJETËSI ARTISTIKE’’’’, kushtuar Bekim Fehmiut

Nga Halit Bogaj

Sinan Gashi, krahas punës së tij të palodhshme në lëmin e letërsisë (ku arriti t’i botonte 25 vepra letrare), këtë vit na e dhuroi edhe një libër biografik kushtuar aktorit tonë të madh Bekim Fehmiu. Në librin e Sinan Gashit për Bekim Fehmiun, dalin në shesh edhe mendime të shumta të njerëzve të artit dhe letërsisë në mesin e të cilëve është edhe aktori me origjinë serbe Rade Sherbexhia i cili duke mos mundur ta duronte regjimin e satrapit Millosheviq, kishte ikur në perëndim, duke krijuar atje një karrierë mahnitëse. Nga respekti që kishte për Bekim Fehmiun, Rade Sherbexhia e quante legjendë, mit, model dhe vëlla, duke thënë se Bekimi nuk e bëri as gjysmën e asaj që mund ta bënte. Megjithatë bëri më shumë se gjithkush tjetër nga këto hapësira. Përkatësisht kur mendonte se nuk bëri aq sa mund të bënte, Sherbexhia e ka fjalën në kohën kur Bekim Fehmiu në mënyrë demonstrative e kishte ndërprerë punën në teatrin jugosllav, duke mos mundur t’i duronte të gjitha torturat që bëheshin mbi popullin e tij të pambrojtur.

Edhe pas disa vlerësimeve të tjera të cilat i bënë për aktorin tone të shquar, Sherbexhia e përfundon se Bekimi ishte krah për krah me kolosët më të mëdhenj të kinematografisë botërore. Pra dhembja ishte e madhe edhe për një aktor serb që nuk mund ta duronte çmendinë totalitare të një udhëheqësi siç ishte Millosheviqi. Për Bekim Fehmiun shprehet dhe regjisori i madh Piro Millkani i cili na tregon se ëndrra më e madhe e Bekimit ishte ta interpretonte Skenderbeun, duke e shprehur dëshirën e tij gjatë një vizite private që e kishte bërë në Shqipëri në vitin 1972. Madje madje kjo ishte edhe ëndërra kryesore e jetës së tij, por nga Shqipëria e asaj kohe asnjëherë nuk kishte marrë ndonjë afirmin zyrtar. Brus Uilliams thot: ‘’Bekim Fehmiu ishte një nga personalitetet më sfidante të shekullit njëzet që kishin të bënin me çështje të gjuhës dhe të identitetit kulturor. Duke qenë tmerrësisht krenar për rrënjët e tij shqiptare, ai nuk kishte dëshiruar kurrë ta ndërronte mbiemrin, as atëherë kur e aktroi njërin ndër rolet kryesore në filmin ‘’Aventurierët’’.’’ Ndërsa Faruk Begolli e kujton me dashuri dhe respect të madh duke thënë se për një aktor siç ishte Bekim Fehmiu nuk ka nevoj as të flitet.

Milenko Jergoviq thotë se Bekim Fehmiu për më shumë se një dekadë, në shenjë proteste, larg syrit të publikut … dukej se hijshëm ishte plakur, duke na e përkujtuar vetveten si njëri ndër simbolet më të adhuruara në opinionin tonë. Bekimi kishte vendosur së pari në shenjë proteste për aktet e Serbisë ndaj shqiptarve, por edhe për shumë arsye të tjera që nuk do të aktronte më, përfundon Milenko Jergoviq.

Balsha Bërkoviq: Bekimi herën e parë ‘’vdiq’’ para më shumë se 20 vitesh në kohën e historisë anti-shqiptare, të cilën e bënte Beogradi. Aktori i madh u tërhoq nga publiku. Dhe pikërisht nga ajo ditë kur u mor Autonomia e Kosovës, Bekim Fehmiu nuk luajti më në filmin jugosllav.

Marko Kostiq:’’ Madje edhe filmat më të varfër italo-amerikanë, në të cilët ka luajtur, i takojnë ikonografisë që mahnitë regjisorët post-modernë. Ata janë filma me buxhet të ulët, të pa suksesshëm në kohën e tyre, por të cilët njëkohësisht paraqesin pasuri të grupuar të historisë së filmit. Me fjalë të tjera, aty ku ai ka luajtur, ai gjithmonë nuk e ka treguar talentin e tij, as nuk e konfirmonte suksesin e tij, por e mbante statusin e tij të kultit.’’

Pra, sa ishte gjallë, por edhe pas vdekjes, u bë objekt trajtimi i edhe i disa poetëve tanë të afirmuar dhe i atyre që i bënin hapat e parë të poezisë.

E pashë Bekimin të bisedonte (me perënditë Ilire), i cili e arsyeton edhe vdekjen e tij tragjike, kur e kishte zgjedhur vetëvrasjen, thotë Ali Podrimja. Ai thotë se edhe guximi është një hap në jetë (shpërblehet me përjetësi ).

Madhështine e aktorit e sheh dhe e trajton edhe Musa Ramadani, i cili ishte mik i madh i aktorit. Humbja e Bekimit ishte dy here më e madhe për poetin nga se e kishte njohur për së afërmi i cili e quan ‘’maratonist i pafrenuar hapësirash’’, kurse Çun Lajqi na e përkujton se ‘’të nemur mbetën të gjithë ata që s’të deshën, flakë në Romë, shqiptar në Beograd, yll në Holivud.’’

Poeti patriot Sabit Rrustemi sjell vargje të fuqishme duke iu drejtuar aktorit me fjalët : nuk të njohëm sa  të patëm, nuk të deshëm kurrë si sot. Kurse Musa Jupolli e quan i madhi ikonë e kinematografisë etj.. Janë të bukura dhe të prekshme edhe vargjet e Valentina Saraçinit, kurse Faruk Tasholli shprehet: Itaka ime të jetë muji i mesdheut ku prehet dhe bën dritë, shpirti i drobitur i Odiseut. Janë mbresëlënëse edhe vargjet e Nebil Bunjakut: shkëlqimi i plisit në Amerikë, për dikë jetë, për dikë thikë. Pallat zemre ngrite në Kanë, Holivudin kopsht shtëpie, si Zeusi majë Olimpi, ligjerove art magjie.

Gjatë viteve të suksesit të tij opinioni jugosllav, në një anë krenohej me Bekim Fehmiun kurse në anën tjetër e urrenin që e theksonte me aq ngulm origjinën e vet shqiptare të cilën e deshi aq shumë, ashtu si edhe Aleksandër Moisiu në kohën e tij.

Janë kuptimthella edhe vargjet e Sidorela-Doli Kryeziut: kudo që shkove, në zemër dhe në shpirt, shqiptar qëndrove. Duke shkuar kah përfundimi i librit, është e pamundur që të mos na sfidojnë edhe vargjet e Nezir Prokshit: gjithë jetën të lagu shiu, vetëtimat t’i ngrohën damarët, rrebeshet dhe erërat akull, të ndiqnin, dhe kurrë nuk veshe pelerinë, shtatë dekada bëre udhë.

Dhe në fund duhet theksuar se ky libër kushtuar Bekim Fehmiut është një e arritur tjetër  kushtuar jetës dhe veprës së aktorit tonë të shquar, vdekja e të cilit vërtet na befasoi të gjithëve.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: