Ajshe Leka: Shfrytëzimi i internetit dhe rrjeteve sociale nga të rinjtë dhe varësia prej tyre
| E Diel, 14.07.2013, 12:48 PM |

Shfrytëzimi i internetit dhe rrjeteve sociale nga të rinjtë dhe varësia prej tyre

Nga Mr. Sci. Ajshe LEKA

Bota sot jeton në epokën e informacionit, ku dija është fuqi. Procesi i globalizimit është duke u shtrirë në të gjitha skajet e globit, përfshirë edhe Kosovën. Teknologjia e informimit sot ofron mundësi të shumta të mësimit/informimit, të cilat çdo ditë janë unike dhe kanë sjellë ndryshime të mëdha në përfitimin e njohurive nga lëmenj të ndryshëm. Por, këto mundësi duhen përdorur mirë, sepse përndryshe ato mund të sjellin pasoja dhe rreziqe për përdoruesit, në mënyrë të veçantë për të miturit. Të rinjtë janë në gjendje për të gjetur më shumë informacion në lidhje me çështjet dhe gjërat që atyre u vjen shumë turp të pyesin mësuesin apo prindërit. Shumë të rinj preferojnë të kërkojnë informacion në internet mbi seksin dhe sëmundjet seksualisht të bartura si dhe çështje të tjera shëndetësore. Interneti nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë ndërveprimin e njeriut ose marrëdhëniet mes njerëzve, por as të marrë vendin e aktiviteteve të tilla, si ndarja e bisedave verbale apo duke lexuar së bashku. Megjithatë, nëse përdoret siç duhet, interneti mund të shërbejë si një medium për ndërveprim social të pranueshëm (Scoter&Railsback, 2001). Sipas Agjencisë për mbikqyrjen e tregut “Nielsen” në SHBA, 38% e fëmijëve nën 12 vjeç janë të kyçur në facebook. Një studim i fundit, i fillimit të muajit prill 2012, tregoi se faqet më të vizituara nga fëmijët 9-10 vjeç janë në facebooku. 4% janë fëmijë nën moshën 6 vjeçe, 14% janë të moshës 13-14 vjeç, 29% janë të moshës 15-16 vjeç dhe 19% janë të moshës 18-19 vjeçe. Minor Monitori, përgatiti një program kontrolli në internet që ndihmon prindërit të vëzhgojnë aktivitetet e fëmijëve të tyre në facebook publikoi këto shifra në muajin prill të vitit të kaluar. Në total ishin 20 milionë fëmijë në SHBA që në mënyrë aktive ishin futur në facebook. Në vitin 2010, një milion fëmijë ishin bërë viktima të agresionit, kërcënimeve ose objekte të bulizmit në internet.

Përdorimi i internetit në Kosovë

Vitet e fundit, shfrytëzimi i internetit ka zënë vend në çdo kënd të Kosovës. Sipas shumë hulumtimeve, shfrytëzimi i tepruar dhe i pakontrolluar i internetit mund të shfaq disa ndryshime në personalitetin e njeriut, ku këto ndryshime tek të rinjtë janë më të paparashikueshme dhe më të vrullshme. Qëllimi kryesor i këtij punimi është hulumtimi i shfrytëzimit të internetit dhe rrjetit social nga  të rinjtë dhe fëmijët në komunën e Gjilanit dhe ndikimi i tij në shëndet, sjellje dhe mësim si kuptimi i  disa prej aspekteve më të rëndësishme të kësaj dukurie të re dhe shumë aktuale kohëve të fundit në Kosovë, sidomos tek të rinjtë e shkollave fillore dhe  të mesme:

-     Sa iu ofrohet momentalisht nxënësve mundësia për përdorimin e internetit në shkollë

-     A ka dallime në shkallën ose mënyrën e përdorimit të internetit në mes të nxënësve sipas gjinisë, moshës, statusit social, vendbanimit apo ndonjë kriteri tjetër

-     Për çfarë qëllimi përdoret interneti nga nxënësit

-     Si po reflektohet përdorimi i internetit në procesin e të mësuarit

-     A ndikon përdorimi i gjatë i internetit në shëndetin e tyre

Hulumtimi është kryer me nxënësit e shkollës së mesme ”Zenel Hajdini” dhe të shkollës fillore ”Selami Hallaqi” në Gjilan.  Hulumtimi është realizuar përmes pyetësorit gjysmë të strukturuar, ku qasja ka qenë kualitative. Metodat të cilat janë përdorur janë: metoda analitike, deskriptive dhe metoda statistikore. Sipas rezultateve të fituara të hulumtimit nga 202 të anketuar në pyetjen “A e përdorin internetin” vetëm një (1) është përgjigjur se nuk e përdor internetin, ose 0,5 %, ndërsa 201 ose 99,5% e përdorin internetin. “A ju pengon interneti në mësime”, deri diku janë përgjigjur 87 ose 43%, 62 ose 30.6% deklarojnë se nuk ju pengon ndërsa 53 ose 26% pohojnë se ju pengon në mësime. Me X2-test nuk kemi fituar dallim me sinjifikancë të rëndësishme statistikore në numrin e të hulumtuarve sipas vendbanimit. Sa janë të kontrolluar fëmijët nga prindërit e tyre në vendin tonë, del se 140 ose 69.3% janë të kontrolluar, 48 ose 24% - ndonjëherë dhe 13 ose 6.4%  nuk janë të kontrolluar fare dallim ky me sinjifikancë të rëndësishme statistikore (X2-test=17.6,  P<0.01), ku moshat më të reja kontrollohen më tepër. Nga përgjigjet në pyetjen “A kanë qasje në ueb faqet që nuk  preferohet për moshën e tyre”, del se 154 ose 76% nuk kanë qasje, 20 apo 10%  - ndonjëherë, 27 apo 13%  tregojnë se kanë qasje.  Me X2-test nuk kemi fituar dallim me sinjifikancë të rëndësishme statistikore në numrin e të hulumtuarëve sipas moshës, për ata që janë pëgjigjur me “jo”. Ndërsa  dallim me sinjifikancë statistikore (X2-test=7.34, P=0.007 pra, P<0.001) paraqitet te ata që shiqojnë ueb faqet e” ndaluara”, sipas moshës.

Për çka përdoret më tepër interenti ?

Nga ky rezultat shohim se një përqindje e fëmijëve kanë qasje në ueb faqe të cilat nuk janë për moshën e tyre dhe këta fëmijë mund të përballen me imazhe që ushqejnë jetën seksuale, një pjekuri e shpejtë seksuale e cila mund të rrit edhe numrin e aborteve te femrat, rrezikun nga shkarkimi i fotove të paligjshme, të parregullta,me përmbajtje seksuale nga pedofilët e cila mund të shkatërrojë frymëzimin e fëmijëve sepse fëmijët nuk janë të përgatitur psikikisht për atë që shohin apo dinë. Rreziku nga shikueshmëria e skenave të dhunës mund të sjellë te fëmijët agresivitet. Shumë studime tregojnë se përdorimi i platformave sociale si Facebook e Tuitter po ulë vetëbesimin e njerëzve dhe po shkakton ndjenjën e të qenit pavlerë. Kjo rrjedh si pasojë e krahasimit te individeve me miqtë e tyre dhe me postimet e tyre në platformat e ndryshme. Kjo shpeshherë i qon deri tek të menduarit se të tjerët po janë më të suksesshëm dhe po jetojnë një jetë më të lumtur e më interesante, prandaj dhe kjo mundë të jetë shumë shqetësuese, për fëmijët. Nxënësit internetin e përdorin për të marrë njohuri, lojëra të ndryshme, facebook - 144 ose 71% , për facebook - 30 ose 15%, për të marrë njohuri -  21 ose 10%  dhe 8 ose 4% e përdorin për lojëra të ndryshme, facebook. Nga ky rezultat shihet se pjesa më e madhe e përdoruesve janë në facebook, ku nga kjo paraqitet frika se fëmijët mund të jenë të rrezikuar të bëhen viktima të abuzuesve seksualë, zënka në mes të fëmijëve përmes facebookut, njohje me persona të panjohur përmes facebookut, ndërkohë që fëmijët janë shënjestra më e mirë dhe më e lehtë për t`u arritur nga pedofilët. Nje program kontrolli i quajtur Minor monitor mbikëqyri 1000 prindër, për të testuar sjelljen në raport me fëmijët që përdorin facebook. 74% e prindërve treguan  se ishin të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve, 56%  ishin të shqetësuar për mundësinë e ndonjë abuzimi seksual, 49% - për faktin se shpërndajnë shumë informacione, 41% ishin të shqetësuar se fëmijët e tyre ishin viktima të bulizmit, 38% e tyre i druheshin pornografisë së fëmijëve dhe abuzimit seksual. Përgjigjet lidhur me kohëzgjatjen e përdorimit të internetit nga nxënësit, na japin të kuptojmë se 149 ose 73% qëndrojnë disa orë në internet, 24 ose 12% - deri 1 orë, 24 ose 12% qëndrojnë gjatë natës dhe 5 apo 2.5%  qëndrojnë tërë ditën. Përqindja më e madhe e qëndrimit në internet është disa orë dhe kjo mund t`u shkaktojë fëmijëve efekte anësore, si në shëndet, ashtu dhe ne mesime.Një studim i kryer ne SHBA te 238 fëmijë të moshës 13-16 vjeçe, i publikuar në gazetën “Zemra Amerikane” tregon se shoqata gjeti se fëmijët që flinin më pak se 6,5 orë në natë, kishin tre herë më shumë gjasa të kenë presionin e gjakut të ngritur dhe mundësia për sulmet e ardhshme të zemrës të jetë më e mëdha.Hulumtuesit argumentojnë se aktivitetet e teknologjike në dhomën e fjetjes së adoleshentëve pushtojnë gjumin, përderisa atyre iu duhet të bëjnë 9 orë gjumë. Përgjigjet e dhëna nga nxënësit lidhur me pengesat që ndiejnë gjatë përdorimit të internetit tregojnë për djegie të syve - 76 apo 33%, dhembje shpine - 57 apo 28%, kokëdhembje - 18 apo 8.9%, nervozë - 12 apo 6%, ndërsa 19 apo 9.4%  i kanë dy nga simptomat, 25 apo 12% -  asgjë, relaksim - një pjesëmarrës dhe 1 apo 0.5% - asgjë. Nga rezultatet e hulumtimit shohim se përpos 12 të anketuarve, të cilët nuk ndiejnë asgjë, të gjithë përdoruesit tjerë të internetit kanë efekte negative, si djegie të syve, dhembje shpine, nervozë, kokëdhembje si pasojë e qëndrimit të gjatë pa lëvizur, koncentrim të gjatë në internet, mbingarkesë apo lodhje psikike nga marrja e informacioneve të cilat nuk janë për moshën e tyre. Sa i përket moshës së fëmijëve të tjerë në familje që e përdorin facebookun, del se nga 202 të anketuar ,12 ose 6%  janë të moshës 4-6 vjeç që e përdorin internetin, 50 ose 24.7% janë 7-10 vjeç, 43 ose 21%  - të moshës 10-13 vjeç, ndërsa 97 ose 48%  nuk e përdorin internetin.

Edhe 4-vjeçarët përdorin internetin

Përqindja më e madhe është ajo e moshës 4-13 vjeç, moshë kjo e cila është më e ndjeshme dhe jo e lejueshme për të hyrë në facebook, sepse qasja në materiale traumatike, të dhunshme ose thjesht, nuk janë për një audiencë të mitur siç është mosha e tyre dhe mund të kenë efekte negative te këta fëmijë.

Në bazë të rezultateve të fituara nga ky hulumtim del se:

     Të gjithë pjesëmarrësit (respondentët) në anketim, me përjashtim të një të anketuari, janë shfrytëzues  të internetit.

     Qasja më e madhe në rrjetin social është më e theksuar në qytet se sa në fshat.

     Përdorimi i internetit është më i madh te grupmoshat 16-19 vjeç se sa te grupmoshat 12-15 vjeç.

     Në bazë të hulumtimit shohim se ekziston edhe një numër i madh i përdoruesve të internetit të moshës 3-13 vjeç.

     Marrë parasysh pengesat në mësime, numri më i madh i nxënësve na tregon se nuk u pengon në mësime.

     Hulumtimi na tregon se një numër i nxënësve kontrollohen shumë pak ose nuk kontrollohen fare nga prindërit e tyre.

     Nga të dhënat e pjesëmarrësve në hulumtim shohim se fëmijët kanë qasje në web faqe të cilat nuk janë për moshën e tyre.

     Krahasuar fëmijët sipas klasave shkollore, shihet se përdorimi më i madh i internetit është te klasat 8, 9 dhe 11.

     Sa i përket ndikimit negativ gjatë përdorimit të tepruar të internetit, përpos një numri shumë të vogël, të tjerët janë të vetëdijshëm për këtë ndikimin negativ.

     Opinionet e nxënësve lidhur me kohëzgjatjen e përdorimit të internetit na tregojnë se shumica e tyre internetin e përdorin disa orë.

     Nxënësit internetin e përdorin për të marrë njohuri, për lojëra të ndryshme, facebook.

     Krahasuar kohëzgjatjen e përdorimit sipas moshës, del se përqindja më e madhe e përdorimit disa orë është e moshës 12-15vjeç dhe 16-19 vjeç dhe qëndrimi në internet gjatë natës është te moshat 16-19 vjeç.

     Nga pyetjet hulumtuese kemi ardhur në përfundim se fëmijët kanë pengesa shëndetësore gjatë përdorimit të internetit

Është rritur në mënyrë dramatike qasja në internet dhe kjo u lejon fëmijëve të përfitojnë nga një edukim “online”, po kjo nënkupton edhe sfida shumë të mëdha, pasi që fëmijët kanë një qasje të madhe në përdorimin e internetit, ndaj duhet të ndërmerren hapa për të nxitur përdorimin e ndërgjegjshëm të internetit pasi edhe fëmijët janë përdorues të tij.

Rekomandimet

Duke pasur parasysh shfrytëzimin e internetit dhe rrjetit social nga ana e rinisë dhe fëmijëve, kryesisht për lojëra, rrjete sociale, me kontroll të vogël të prindërve, rekomandojmë:

     Që në kurikula shkollore, te lënda e Edukatës Qytetare të parashihen tema të veçanta për dëmet dhe rreziqet nga shfrytëzimi i internetit për kohë të gjatë, rrjeteve sociale joadekuate për moshën e tyre.

     T`u tregohet për keqpërdorimin/abuzimin e fëmijëve nga të rriturit.

     Të organizohen debate në shkolla, qendra rinore me tematika rreth kësaj problematike.

     Të ketë më shumë tema në media (shtypi dhe elektronike) për përdorimin e tepruar të I-netit.

     Intensifikimi i dedektimit të përmbajtjeve të papërshtatshme dhe kriminale nga strukturat relevante të faqeve që instalohen.

     Shkolla, mësuesit dhe autoritetet lokale (aty ku ka internet) duhet t`i kontrollojnë dhe parandalojnë fëmijët të futen në këto faqe pornografike.

     Te njoftohen prindërit për iniciativën e ndërmarrë nga Microsoft për shpërndarjen e një aplikacioni që quhet “Parental control”. Përmes tij, prindërit mund të kontrollojnë kohën e përdorimit në internet të fëmijëve të tyre, por dhe faqet ku ata lexojnë apo marrin informacione. Kjo është një platformë që ofrohet falas dhe mund të instalohet lehtësisht në çdo kompjuter. Ky aplikacion është pjesë e investimeve të bëra nga Microsoft për sa i përket përmbajtjes, sigurisë digjitale dhe rritjes së kontrollit.

(Autorja  është  Infermiere e lartë profesionale, Menaxhment spitalor dhe shëndet publik)



(Vota: 42 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: