Dinamo shpallet kampione e Shqipërisë për të 17-en herë
| E Diel, 18.05.2008, 11:56 AM |

Kampionet
Fitore heroike e Bluve 2-1 ndaj Partizanit me nëntë lojtarë

Nga Gazeta Shqip

Ora 18:35 e pasdites së të shtunës. Pas një përqafimi me Presidentin Bamir Topi, kapiteni i Dinamos, Arjan Pisha, ngre titullin kampion. Trofeu u mungonte bluve që prej sezonit të largët 2001/‘02, por skuadra kishte zgjedhur mënyrën më të mirë për ta fituar: në javën e fundit të kampionatit, përballë kushërinjve-rivalë të Partizanit. Në një garë dyshe, që i ka mbajtur të gjithë në ankth, Dinamo thyen 2-1 të kuqtë dhe shkruan për të 17-ën herë emrin në Librin e Artë të kampionatit shqiptar. Në tribunën VIP shpërthen shampanja: drejtuesit ngrenë dolli, ndërsa tifozët freskohen pas 90 minutave të kaluara në ankth. Ankth për një trofe që dukej se do të rrëshqiste nga duart pikërisht në fund, puna e një sezoni që për një moment rrezikoi të shkatërrohej plotësisht. Kjo për faktin se për më shumë se gjysmë ore, kampionët e saposhpallur kanë luajtur përballë Partizanit në inferioritet numerik: madje, me dy futbollistë më pak, pas daljeve me karton të kuq të Pollozhanit (minuta e 55-të) dhe Kulit (minuta e 57-të). Rezultati ishte në barazim 1-1. Blutë kishin zhbllokuar rezultatin me Kulin, që vetëm pas 4 minutave lojë shndërroi në gol një penallti të fituar nga Pejiç. Për të risjellë baraspeshën mendoi mbrojtësi Tefik Osmani, që devijon saktë në rrjetë një harkim të Muzakës. Por vetëm kaq, edhe pse luanin 11 kundër 9, të kuqtë nuk ditën të gjenin rrugën e fitores. Përkundrazi, ishte Dinamo ajo që shënoi golin e dytë: në minutën e fundit shtesë Pejiç nxjerr të vetëm të riun Ferraj, që nga fare pranë portës nuk kishte si të gabonte.

Me këtë paraqitje heroike, blutë treguan se e meritonin të shpalleshin kampionë pas shumë javëve në krye të klasifikimit. Polemikat për stadiumin u harruan, e ndërkohë që lojtarët e Partizanit futen në dhomat e zhveshjes me kokën poshtë, në fushë festa kalon deri në kufijtë e euforisë. Mes gjithë këtij gëzimi vetëm dikush mundohet të kontrollojë emocionet dhe nuk harron të tregohet xhentil. Pasi falënderon skuadrën, drejtuesit dhe stafin teknik, trajneri Ilir Daja bën një dedikim special. "Emocionet janë shumë të mëdha për faktin se ky kampionat u zgjidh me ndeshje finale. Ekipet ishin të denja për t‘u shpallur kampion, si ne edhe Partizani dhe meritojnë një bravo. Bukuria më e madhe qëndron në faktin se ne luajtëm me lojtarë më pak dhe futbollistët e mi u treguan heronj për të mbrojtur atë që kishin siguruar gjatë kampionatit, tha trajneri, që dy sezone më parë ishte shpallur kampion edhe me Elbasanin. Kjo fitore është për futbollistët, klubin, presidencën dhe natyrisht paraardhësin tim, Agim Canaj. Çelësi i suksesit ishte mentaliteti i punës së bashku, mendoj se sot fitoi futbolli".

Reagimet

Eufori në kampin blu pas fitores së titullit kampion në ndeshjen e fundit

Presidenti Sulaj: Kjo Dinamo filloi një cikël fitues

Emocionet e fitores së titullit kanë qenë të papërmbajtshme në kampin dinamovit, ku drejtues e lojtarë kanë festuar me tifozerinë e tyre. Suksesi pas një ndeshjeje plot emocione duket se ia ka shtuar më shumë bukurinë këtij suksesi ndaj rivalëve të Partizanit dhe një gjë të tillë e ka vlerësuar edhe presidenti i bluve, Besnik Sulaj. "Ndjehem i gëzuar pasi ky sukses u arrit në ndeshjen e fundit. Por jam i gëzuar edhe për diçka tjetër, pasi kjo ndeshje mori përmasa të mëdha dhe në çdo ambient flitej vetëm për të. Është kënaqësi që kthyem interesimin për futbollin dhe i përgëzoj djemtë dhe stafin për atë që bënë në këtë sezon. Dinamo e re do të ketë disa përforcime cilësore për të përballuar Ligën e Kampioneve, por edhe për të nisur një cikël që do të fitojë titullin për disa vite radhazi", ishte premtimi i Sulajt menjëherë pas fitores së titullit kampion. Ndërkohë, kapiteni Pisha është shfaqur tepër i emocionuar, ndonëse ka fituar edhe më parë titullin kampion, si me Dinamon, ashtu edhe me Tiranën. "Është një emocion shumë i madh. Nuk mund ta krahasoj me asnjë gjë tjetër. Përveç të gjithë kampionatit që e merituam, lamë pas thashethemet dhe fjalët dhe të gjithë e kuptuan se e meritonim, pasi arritëm të fitonim edhe me 9 lojtarë", tha ai. Edhe portieri Kotorri i ka cilësuar si të papërshkrueshme emocionet e këtij titulli të fituar në minutën e fundit. "Çdo titull është i bukur, por si rrodhën ngjarjet sot, mendoj se një sukses i tillë do të jetë i papërsëritshëm dhe i paharrueshëm për të gjithë. Kishim përballë një Partizan të madh, por Dinamo është më e madhe", theksoi ai. Një tjetër lider i bluve, mesfushori Artion Poçi, i ka thurur elozhe skuadrës për mënyrën sesi e siguroi këtë sukses të rëndësishëm. "Ishte një fitore më se e merituar pas një loje heroike ku ishim me dy lojtarë më pak. Por çdo gjë shkoi në mënyrën e duhur dhe ne fituam duke e merituar titullin", u shpreh ai.

Partizani

Skuadra hesht, Lika i zhgënjyer

Humbja në derbin me Dinamon që përcaktoi edhe titullin kampion ka sjellë një zhgënjim të madh në radhët e Partizanit, duke bërë që të kuqtë të largohen me nxitim nga stadiumi pa bërë asnjë koment. Presidenti Xhani është larguar i pari, pasi nuk ka dashur të ishte në tribunë në momentin kur Dinamo kurorëzohej kampion. Vetëm trajneri Hasan Lika është ndalur para mediave duke komentuar shkurtimisht këtë ndeshje, të cilën skuadra e tij e humbi edhe pse me dy lojtarë më shumë në fushë. "I uroj suksese Dinamos. Për ndeshjen tonë mund të them se nuk vepruam mirë faktikisht. Është e hidhur ta humbasësh titullin në ndeshjen e fundit. Do të ulemi e të bisedojmë me presidentin për përforcimet që do të marrim për vitin tjetër", u shpreh ai para se të largohej ashtu si skuadra e tij nga stadiumi "Selman Stërmasi", ku humbi shansin për t‘i kthyer titullin Partizanit pas 15 vitesh.


Superiore

REZULTATET

Dinamo-Partizani 2-1

Kuli 5‘ (11m), Ferraj 90‘+3‘ / Osmani 33‘

Besëlidhja-Vllaznia 4-2

Gruda 74‘, Da Silva 82‘, 90‘+1‘, Miçiç 85‘ / Sukaj 1‘ (11m), Rraboshta 64‘

Teuta-Besa 3-5

Mile 25‘ 35‘, Gashi 85‘ / Roshi 7‘, Okshtuni 22‘, Mancaku 37‘, 50‘, Alikaj 89‘

Kastrioti-Tirana 1-2

Tali 35‘ / Çapja 8‘, Mohalebi 73‘

Flamurtari-Elbasani 2-2

Alvish 57‘ (11m), Shabani 80‘ / Nenaj 63‘ (11m), Begaj 67‘ (ag)

Skënderbeu-Shkumbini 1-3

Kokona 89‘ / Mustafaj 44‘, 66‘, K.Dalipi 51‘

KLASIFIKIMI

Skuadra N P

1. Dinamo 33 70
2. Partizani 33 65
3. Besa 33 56
4. Elbasani 33 52
5. Shkumbini 33 50
6. Tirana 33 49
7. Vllaznia 33 45
8. Flamurtari 33 44
9. Teuta 33 35
10. Kastrioti 33 35
11. Besëlidhja 33 34
12. Skënderbeu 33 11


Verdiktet e sezonit

Liga e Kampioneve

Dinamo


Kupa UEFA

Partizani

Vllaznia


Kupa Intertoto

Besa


Playout

Kastrioti

Teuta


Kategoria I

Besëlidhja

Skënderbeu


"Këpuca e Artë"

Vioresin Sinani (Vllaznia)

"Libri i Artë"

1930 SK Tirana
1931 SK Tirana
1932 SK Tirana
1933 Skënderbeu
1934 SK Tirana
1936 SK Tirana
1937 SK Tirana
1945 Vllaznia
1946 Vllaznia
1947 Partizani
1948 Partizani
1949 Partizani
1950 Dinamo
1951 Dinamo
1952 Dinamo
1953 Dinamo
1954 Partizani
1955 Dinamo
1956 Dinamo
1957 Partizani
1958 Partizani
1959 Partizani
1960 Dinamo
1961 Partizani
1962/63 Partizani
1963/64 Partizani
1964/65 17 Nëntori
1965/66 17 Nëntori
1966/67 Dinamo
1968 17 Nëntori
1969/70 17 Nëntori
1970/71 Partizani
1971/72 Vllaznia
1972/73 Dinamo
1973/74 Vllaznia
1974/75 Dinamo
1975/76 Dinamo
1976/77 Dinamo
1977/78 Vllaznia
1978/79 Partizani
1979/80 Dinamo
1980/81 Partizani
1981/82 17 Nëntori
1982/83 Vllaznia
1983/84 Labinoti
1984/85 17 Nëntori
1985/86 Dinamo
1986/87 Partizani
1987/88 17 Nëntori
1988/89 17 Nëntori
1989/90 Dinamo
1990/91 Flamurtari
1991/92 Vllaznia
1992/93 Partizani
1993/94 Teuta
1994/95 SK Tirana
1995/96 SK Tirana
1996/97 SK Tirana
1997/98 Vllaznia
1998/89 SK Tirana
1999/00 SK Tirana
2000/01 Vllaznia
2001/02 Dinamo
2002/03 SK Tirana
2003/04 SK Tirana
2004/05 SK Tirana
2005/06 SK Elbasani
2006/07 SK Tirana
2007/08 Dinamo

Artikujt e meposhtem jane huazuar nga ''Sport Ekspres''. Vizitoni: www.sportekspres.com

Nendetsja siluron Partizanin me ekuipazh te reduktuar
 
Shënues: Kuli 4'(p), Ferraj 90'+2/Osmani 32'

E shtunë, 17 maj 2008, ora 16:30,

në stadiumin “Selman Stërmasi”

Nga Fatmir Mëneri, Gjergj Vyshka

Dinamo: Kotorri, Bodrusiç, Graniç (87’Ferraj), Pisha, Abraham, Vincetiç (63’Diob), Allmuça (56’Ishka), Poçi, Kuli, Pollozhani, Pejiç Tr.I.Daja

Partizani: Shehi, Beqiri, Pinari, Osmani, Hallaçi, Muzaka (74’Tafaj), Babamusta (63’Abilaliaj), Shkëmbi, Gjyla (63’Karapici), Bakaj, Dhëmbi Tr.H.Lika

Gjyqtarë: P.Taljavento, Xh.de Santis, F.Lançiani (Itali)

Vëzhgues: P.Kotherja (Tiranë)

Kartona të verdhë: Vincetiç, Pollozhani (2), Pejiç/Osmani, Beqiri

Kartona të kuq: Pollozhani, Kuli

Golat

4' Kundërsulm i shpejtë i Dinamos, Pollozhani e ka hedhur topin pas shpinës së mbrojtjes së Partizanit, atje ku Pejiç ka fituar një duel shpejtësie me Pinarin dhe i vetëm i është drejtuar portës së mbrojtur nga Shehi; në momentin që bëhej gati të gjuante i ka ndërhyrë nga prapa qendërmbrojtësi i të kuqve dhe Taljavento ka vërshëllyer për penallti për Dinamon. Nga pika e bardhë ka gjuajtur Kuli, që ka shënuar në të majtë të Shehit. 1?0

32' Goditje këndi për Partizanin, në të djathtë të sulmit të të kuqve; ka krosuar Muzaka, Osmani, i ardhur nga radhët e mbrojtjes, ka gjuajtur fort me kokë e ka shënuar në të djathtë të Kotorrit. 1?1

90'+2 Kundërsulm i shpejtë i Dinamos; Pejiç ka shpërthyer nga e djathta e sulmit blu, nuk ka gjuajtur vetë, por ka pasuar për Ferrajn, që ka goditur fort dhe topi ka pushuar në rrjetë. 2?1

Episodet

13' Shkëmbi ka gjuajtur në ecje e sipër, nga rreth 20 metra, Kotorri është hedhur dhe në imazhin e parë të tifozëve të Partizanit është krijuar ideja se topi ka hyrë në rrjetë, ndaj dhe kanë brohoritur për gol, por gjithçka ka përfunduar në pjesën e jashtme të portës dinamovite.

21' Muzaka ka krosuar rrezikshëm nga e djathta e sulmit të të kuqve drejt zonës së rreptësisë së bluve, Kotorri mezi e ka larguar topin.

23' Beqiri, që nga e majta e sulmit të të kuqve, ka pasuar për Gjylën, i cili ka gjuajtur fort, por Kotorri ka pritur i sigurt.

24' Eshtë kundërpërgjigjur shpejt Dinamo me Allmuçën, që ka gjuajtur në ecje e sipër, nga rreth 20 metra, por Shehi ka pritur.

45'+1 Goditje dënimi për Partizanin, në të majtë të sulmit të të kuqve, pasi topi është harkuar nga të kuqtë, Osmani ka gjuajtur me kokë, por Kotorri ka pritur.

48' Allmuça e ka nxjerrë të lirë Pejiçin përballë portierit të të kuqve, por Shehi është më i shpejtë dhe e ka larguar rrezikun, godet dy herë përsëri Allmuça, por pa rezultat.

55' Dinamo me dhjetë futbollistë, sepse Pollozhani, pas një ndërhyrje të rrezikshme ndaj Shehit, ka marrë të verdhën e dytë, që është kthyer direkt në të kuqe.

57' Dinamo me nëntë futbollistë, kur Kuli ka ndërhyrë rëndë nga prapa ndaj Bakajt dhe Taljavento ka dhënë direkt kartonin e kuq për kavajasin e bluve.

85' Pinari ka goditur fort në pozicion diagonal me portën blu, por Kotorri ka grushtuar dhe Partizani nuk e ka shijuar dot golin e fitores.

90'+1 Momenti më deçiziv për Partizanin, Abilaliaj i vetëm me Kotorrin nuk ka shënuar dot, teksa ka gjuajtur dhe topi ka rënë në trupin e elbasanasit të portës blu.

Korridor për Abilaliajn, që del i vetëm para Kotorrit. Rast ideal për të kuqtë, për të fituar ndeshjen e bashkë me të edhe kampionatin. Eshtë minuta e parë shtesë. Por, portieri dinamovit kërcen “më keq se një mace” dhe topi largohet. Jo kuturu: në të djathtë është peshkuar Pejiç, që, edhe pse i vetëm, nis një galopim ngjitur me vijën anësore. Do të jetë thjesht për të humbur edhe disa sekonda? Dinamo me nëntë vetë në fushën e lojës, ka konsumuar shumë e nuk ka luksin të sulmojë. Por, është dhe një djalosh që ka hyrë si zëvendësues, ka freski e për më tepër iniciativë. Eshtë Ferraj. Sheh që qendra është e boshatisur dhe sprinton për në hyrje të zonës së kuqe. Kroati e ka parë dhe i shërben mrekullisht. Dhe Ferraj, me një sallake nokatuese, përplas topin në rrjetën e pas shpinës së Shehit. Eshtë përmbysur gjithçka. Dinamo është kampione!

* * *

Edhe pse përmasat e fushës së “Selman Sërmasit” janë të njëjta me ato të “Qemal Stafës”, drejtkëndëshi i gjelbërt duket i “ngushtë” në atë fillim loje. Nuk është iluzion optik. Si Dinamo, ashtu dhe Partizani, kanë vendosur ta luajnë si finale të vërtetë përballjen mes tyre. Me të gjitha “ngjyrat”. E “prek” këtë kur sheh se më tepër se për topin, luftohet për të qenë në pozicionin e duhur, për të mos lejuar asesi hapësirë boshe. Sinkron me këtë panoramë, edhe italian Taljavento: që në momentet e para ? një rast i Beqirit e një i Pejiçit ? bilbili u jep të kuptojnë futbollistëve në fushë se nuk i “ha” simulimet.

Prishja e ekuilibrit

Duket një ekuilibër që do të jetë tepër i veshtirë për t’u prishur. Por, ashtu siç ndodh rëndom në jetë, kur ke kujdes më tepër se ç’duhet dhe pikërisht atëherë vjen “thyerja”, kështu ndosh edhe në fushë. Një pas i gjatë, e gjen Pejiçin gjysmë të zbuluar, duke patur fare pranë Pinarin. Por, kroatit, që do të jetë realisht pika themelore e bluve, i mjafton edhe kaq. Shtatlarti turret drejt zonës dhe hapin e gjatë të tij, mbrojtësi i të kuqve nuk mund ta frenojë veçse në mënyrë të parregullt. Taljavento nuk ka pikë dyshimi. Bilbili i tij është i prerë dhe dora e djathtë i shënjon pikën e bardhë brenda zonës. Një stadium i tërë mban frymën, por Kuli nuk mendohet dy herë. Ka goditur rrafsh me tokën, duke mashtruar dhe portierin Shehi. 1?0 dhe për Dinamon nuk kishte si të niste më mirë.

Përgjumja blu

Nuk është se goli do të ndryshojë ndonjë gjë të madhe te Partizani. Nga Dhëmbi në fushë dhe nga Lika në pankinë, vjen sinjali: Ruani qetësinë, do t’ia dalim. Eshtë kohë kur mund të shohësh me qetësi se ç’po ndodh. Nuk ka asnjë të papritur: skuadrat janë rreshtuar siç i kemi parë mjaft herë kohët e fundit dhe kjo të bën të mendosh se dallimin do ta bëjnë individualitetet. Por, nuk është vetëm kjo. Dinamo, me një mesfushë më të konsoliduar, ia del të përgjumë edhe ndonjë shkëndijë që përpiqet të japë Shkëmbi, apo Bakaj. Të kuqtë, duke parë se muri i mesfushës blu është vështirë të kapërcehet, përdorin topin e gjatë. Pa efikasitet. Shkurt, duket si një “ditë jo” për Partizanin. Pa vrullin që pritej, me një ritëm të imponuar nga kundërshtari dhe me fare pak ide. E vetmja zgjidhje mbeten goditjet standarte, ku në fakt edhe shpërblehet. Në një goditje këndi, Osmani është vjedhur nga prapavija e tij dhe çohet fuqishëm pranë zonës së vogël. Shënjestra është e saktë dhe shifrat barazohen. Por nuk është se kjo do të ndezë të kuqtë. Ndoshta ideja për të mos u çbilancuar e për të mos kaluar në aventurë, apo mungesa e orcës te ta, e rifusin lojën në të njëjtat ujra.

“Kosë” te blutë

E dyta nis “fiks” me të parën. Po të njëjtët lojtarë, po e njëjta vendosje, po i njëjti ritëm, po i njëjti kujdes. Por ekuilibri do të prishte sërish. Këtë radhë më rëndë. Në një kundërsulm, Pollozhani zgjat keq këmbën kur është përballë Shehit. Nuk ka llogaritur kohën dhe ajo që “prodhon” është një faull. Plus një të verdhë. E ka një. Sulmuesi detyrohet të lërë fushën. Daja përpiqet të riparojë: fut Ishkën e del Allmuça. Por Dinamo “e ka pas qafe”: Kuli ndërhyn nga prapa në nerva e sipër dhe nga xhepi i Taljaventos del sërish kartoni i kuq. Eshtë 56' dhe Dinamos i duhet të luajë me nëntë vetë për mëse 30 minuta.

Pafuqia e njërës anë...

Likës i ka ardhur “zogu në dorë”. Del Babamumsta dhe futet një tjetër sulmues, Abilaliaj. Më tej do të futet dhe Karapici për Gjylën dhe më në fund, edhe Tafaj për Muzakën që “nuk mban më”. Partizani është i tëri në gjysmëfushën e bluve. Lika bën thirrje që skuadra të hapet deri në anësore e prej krahëve të synohet qendra e zonës blu. Por ka një hendek gati të pakuptimtë mes gjashtë vetëve që janë përpara dhe një katërsheje mbrojtëse që rri prapa e nuk dihet se ç’bën me një Pejiç të vetëm. Ndërkohë, me kalimin e minutave, vihet re gjithnjë e më shumë pafuqia e të kuqve. Kaotikë në veprimet e tyre, të pasaktë në krosime, topa që devijohen e mezi shkojnë në duart e Kotorrit. Me të vetmin moment të Abilaliajt që s’është në gjendje të përfitojë.

...qëndresa e anës tjetër

Të mbledhur rreth Pishës, shtatë lojtarë të Dinamos (vetëm Pejiç ishte disi “jashtë”) kanë qëndruar përballë sulmeve të Partizanit. Nuk është e tepër të thuhet, heroikisht. E vërteta është se nuk kanë menduar tjetër veçse të largojnë topin, por a nuk ruhej kështu barazimi, që do të thoshte titull? Dhe kur e bën mirë këtë, edhe shpërblehesh. Goli i Ferrajt ka qenë “qershiza mbi tortë”. Dinamovitët janë në ekstazë, ndërsa të kuqtë “bien” në fushë. Taljavento vërshellën fundin e ndeshjes dhe fillimin e festës blu.

Daja: Lojtarët e mi janë heronj

“Të dy titujt kampion janë specifik për jetën time. Por e kanë një gjë të përbashkët, sepse kanë patur brenda bashkëpunimin me të gjithë. Në momentin që mbetëm me nëntë futbollistë dhe unë kam qenë i tensionuar. Por futbolli edhe kur je me gjashtë lojtarë në fushë të jep sukses. Sepse po të mbrohesh mirë, siç bënë lojtarët tanë, arrin këtë që morëm ne sot. Por ajo që dua të them unë është: futbollistët e mi u treguan heronj. Dhe e meritojnë ata trofeun. Edhe kur kam drejtuar Elbasanin, por dhe kur kam drejtuar Dinamon, ajo që kam thënë është fakti se gjithçka arrihet e bashkëpunim, aty ku secili bën punën e vet. Futbollistët në radhë të parë, presidenca më pas që ka investuar aq shumë për të bërë një ekip kampion, publiku që është mbështetës, ndonëse në numër të pakët janë të gjithë aktorët e këtij suksesi. Nuk duhet harruar Agim Canaj, që meriton një bravo të madhe për punën që ka bërë. Por në mënyrë të veçantë dhe stafi im bashkëpunues. Partizani meriton një bravo të madhe, sepse ka bërë një kampionat shumë të mirë, duke qenë ndjekësi ynë kryesor. Mund ta fitonte dhe ai kampionatin, por ne këtë nuk do ta toleronim. Në një ndeshje mund të ndodhë gjithçka, por unë them një bravo të madhe për kampionatin që kanë bërë. Kampionati ka qenë shumë i pastër, madje më i pastër se çdo gjë në Shqipëri. 
 
Lika: Tani në merkato, duhen sulmues

Trajneri i Partizanit, pas daljes nga dhomat e zhveshjes, kur është drejtuar për të dalë, ka patur edhe insistimin e gazetarëve për të folur, teksa ai është treguar i gatshëm për ta komentuar këtë humbje, ose më mirë këtë dështim. “Çfarë të them? Ju e patë vetë. Në pjesën e parë u ndëshkuam falë një penalltie që për mendimin tim ishte e paqenë, edhe pse kam përsëri dyshime për këtë. Por, arritëm të barazonim rezultatin shpejt dhe skuadra doli nga ai shok psikologjik i minutave të para dhe e mori veten. Pjesën e dytë skuadra e nisi shumë mirë, madje krijuam disa raste për shënim. Pas daljes së dy lojtarëve të Dinamos me karton të kuq, ne nisëm të kontrollonim ndeshjen, por lojtarët nuk u treguan aq agresivë përpara portës kundërshtare. Ndoshta mendoj se këtu ka ndikuar edhe ana psikologjike, sepse dihej që nëse shënonim, atëherë ne fitonim”. Po stadiumi? “Edhe ai mendoj se ka patur ndikimin e tij, megjithatë ne mund të kishim fituar edhe këtu”. E ardhmja? “Duhet të pushojmë pak dhe të hyjmë në merkato për të marrë përforcime. Mendoj se na duhen sidomos në repartin e sulmit. Do të flas me presidentin Xhani për këtë në vazhdim”, ka përfunduar Lika.

Sulaj me trofeun e dytë: Eshtë fryt i të gjithëve

Besnik Sulaj është presidenti më i suksesshëm i Dinamos, sepse ka ngritur dje trofeun e dytë të kampionit, të parin më 2002 në Shkodër. E ka ndërtuar këtë skuadër për të qenë kampione dhe ka besuar deri në fund. Mes shumë emocionesh do të deklaronte: “Eshtë fryti i punës njëvjeçare. Kemi korrur atë që kemi mbjellur që në verë. Kam patur besim të madh te kjo Dinamo dhe futbollistët tanë e vërtetuan se cilët janë me të vërtetë. Ishte e vështirë të luhej me nëntë futbollistë, por të tjerët u mobilizuan më shumë me idenë që të zëvëndësonin ata që nuk ishin në fushën e lojës. Kjo ishte përgjigja më e saktë për Partizanin, i cili nëse vazhdon të flas, atëherë duket se e ka të kot. Sepse nuk ka se çfarë të thotë”. Por Sulaj ka premtuar se do të marrë të tjera përforcime, pa lëvizur gjë në këtë skuadër, për Champions League.

Pronoconcimet e stafit

18 Maj   Artan Mërgjyshi (ndihmëstrajneri i bluve) ? Ishte shumë e mundimshme, shumë e lodhshme për ta kaluar me sukses këtë sezon. Kemi besuar deri në sekondat e fundit, sepse ishte e vetmia mënyrë që ta kurorëzonim me sukses këtë sezon kaq të stërmundimshëm. këto janë vendimet e futbollit, kur u detyruam të luanim me nëntë futbollistë deri në fund. Por loja i ka këto, e rëndësishme është që fituam dhe jemi kampion.

Gjergji Ruli (shef i klubit Dinamo) ? Eshtë e njëjta situatë si më 2002?in. Jemi ekip më i madh se i Partizanit. Jemi ekip kampion dhe ia kemi shpërblyer të gjithë tifozëve, të cilët besuan deri në fund për këtë trofe të bluve. Tifozët do të vijnë duke u shtuar, sepse ne do të jemi dinjitoz dhe kur të luajmë në Champions League. Për mua kjo skuadër është 26 herë kampion, duke i shtuar këtu dhe medaljet e mia si sportist.

Avni Braçe (zëvendëspresidenti i Dinamos) ? Kënaqësia erdhi në minutat e fundit, atëherë kur ekipi lojtari me tetë lojtarë dhe diti të fitonte. Tregoi sakrificë dhe vërtetoi se kush është Dinamo përballë rivalit të drejtëpërdrejtë si Partizani, të cilin se e kemi patur nga prapa gjatë gjithë sezonit. E kemi merituar këtë trofe dhe i urojmë suksese dhe në Champions League. Si më 2002?in, ashtu dhe më tani, kampionatët ishin cilësor. Të dy kanë qenë të bukur, sepse çdo kupë është e bukur. 

Prononcimi i Lojtarëve

Maj   Artim Pollozhani ? Nuk kam qenë ndonjëherë kaq i gëzuar, sepse ky është titulli i parë kampion për mua në karrierën time sportive. Kam qenë shumë i tensionuar, sepse e tillë ishte ndeshja. Por gëzimi në fund është i ligjshëm. Të them të drejtën kartonin e kuq nuk e meritoja dhe nuk ka gjyqtarë që ta japi në atë mënyrë. Megjithatë janë pjesë e lojës dhe Dinamo është kampion.

Elvis Kotorri ? Titulli i parë me i Elbasanin ishte historik, por ky me Dinamon është më i bukur. Nga mënyra se si rrodhën ngjarjet, ky trofe ishte me të vërtetë i bukur. Për më tepër që metëm me nëntë lojtar. Partizani me të vërtetë është i madh, por Dinamo është dhe më e madhe. Ishte shumë e vështirë të përballoje Partizanin me nëntë lojtarë. Dhe po kaq e vështirë është të përballosh Partizanin dhe kur je me formacion të plotë. Treguam forcë karakteri, sepse kjo është Dinamo, kur dhe me shtatë futbollistë do ta merrnim titullin kampion.

Sokol Ishka ? Eshtë një gëzim i madh që kam dalë kampion sot. Eshtë trofeu i dytë i kampionit, por ky ka një të veçantë shumë të madhe. Ka qenë një ndeshje shumë e vështirë, por ne treguam që kur jemi të mobilizuar nxjerrim ndeshje të mira me të vërtetë. Jo vetëm kaq, por i mundim të gjithë. Ka qenë shumë e vështirë, kur me nëntë futbollistë të dalësh kampion do të thotë të hysh në histori. Por dua të falënderoj të gjithë lojtarët për atë çka dhanë në fushën e lojës.

Goran Graniç ? Falenderoj Zotin që bëri të mundur të shpallte Dinamon kampion. Jemi më të mirët, më të fortë, ndaj dhe ditëm të dilnim fitues dhe duke qenë me nëntë lojtarë. Nuk ka gjë më të bukur se ky trofe...

Arjan Pisha (kapiteni) ? Unë e kam thënë që në fillim të kampionatit, te Dinamo lojtarët nuk kanë ndonjë diferencë të madhe. Njohin lojën e njëri?tjetrit ndaj dhe janë kampion sot. Ky ishte kyçi i suksesit, që u kurorëzua në fund me trofeun e kampionit. Ky trofe shuajti të gjitha “gojët e liga”, sepse Dinamo e meritoi trofeun. I vuri kapakun gjithçkaje. E them me gjithë shpirt, që e kemi merituar trofeun. Duhet të na besojnë të gjithë ata që e kanë parë këtë ndeshje, por dhe të gjithë ecurinë tonë.

Artion Poçi ? E kemi kryesuar kampionatin nga fillimi deri në fund dhe kjo është meritë e të gjithëve. Urime të gjithë dhe ndjehem mirë që u shpallëm kampion, sepse e kemi merituar këtë trofe.

Goran Vincetiç ? Ndihem mirë, sepse ky ishte trofeu im i parë. Jam i kënaqur, kemi zhvilluar një sezon shumë të mirë. Ishte e vështirë të luanim me nëntë futbollist, por në fund fituam dhe kjo nuk është pak për një skuadër kampione.

Eleandro Pema ? Jam i kënaqur që kemi dalë kampion. Më kanë ndihmuar të gjithë në momentin më të vështirë të karrierës sime, por më e vështirë për mua ka qenë që nuk i ndihmova dot aq sa duhet. Megjithatë jemi kampion dhe jam i lumtur. Besoj gjithmonë te zoti dhe shpresat i mbaj te ai. Ndaj jam i kënaqur.

Igli Allmuça ? E kemi merituar këtë trofe. I hodhëm poshtë të gjitha fjalët që u hapën, i cili ishte thjesht një sulm psikologjik ndaj skuadrës sonë. Jemi më të mirët dhe ai që vazhdon të nxjerrë fjalë tani duhet të ulë kokën. Në radhë të parë falënderoj zotin, sepse është mundi dhe djersa jonë në këtë titull kampion. Ia dedikoj të gjithë njerëzve të mi që më kanë mbështetur.

Abraham Alechenu ? Nuk di si ta them, por jam shumë i gëzuar. Falënderoj zotin për gjithçka që ka bërë. Nuk e prisja që do të ndodhte kështu dhe titulli kampion të ishte kaq i vështirë për ne. E vështirë, por edhe me nëntë lojtarë ishte shumë e bukur për ne. Por jam i kënaqur sepse kam dalë tre herë kampion në Shqipëri. Do të jem në Champions League, për vazhdimin shohim.

Nertil Ferraj ? Ishte meritë e të gjithë grupit e shokëve. Kemi udhëhequr që nga fillimi i kampionatit ishte gjynah ta linim në fund këtë trofe. Jam shumë i lumtur me golin, por shyqyr që fituam kampionatin. Ne mendonim të ruanim barazimi 1?1. Shyqyr q- shënuam një gol në fundin e lojës dhe fituam. Eshtë meritë e grupit, ne luajmë të gjithë si skuadër. Nuk ka rëndësi se kush shënon. 

Festë e madhe, dinamovitët edhe nëpër rrugët e Tiranës

Si asnjëherë tjetër, 2500 tifozë kanë qenë në mbështetje të Dinamos në stadiumin “Selman Stërmasi” dje përballë Partizanit. Të pajisur me shalla, flamuj të vegjël, por dhe me fanella, ata e kanë mbështetur fort ekipin. Madje kanë brohoritur më fort edhe atëherë kur i ka kërkuar ndihmë pankina e Dinamos, sidomos trajneri i portierëve Ilir Bozhiqi, trajneri i parë Ilir Daja dhe administratori Ismet Saliaj. Sapo ka rënë vërshëllima e fundit e Taljaventos, të vendosur në tribunën kryesore kanë festuar gjatë me lojtarët derisa kapiteni Pisha ka ngritur trofeun e kampionit. Më pas kanë zbritur në fushën e lojës, kur kanë bërë fotografi dhe kanë festuar përsëri me idhujt e tyre. I kanë pritur jashtë stadiumit e më pas të gjithë së bashku kanë shkuar përpara Hotel “Tirana?Internacional” për të festuar më shumë. Tirana është veshur blu, kurse dinamovitët sot e kanë zyrtarisht festën e tyre. 

Pikantet për Dinamon

* Realizoi për herë të parë numrin më të lartë të pikëve (70) në 33 javë. Më 2001?02 kishte fituar (63 pikë), por në 26 ndeshje

* Për golat e shënuar mbeti larg rekordit të saj unikal të vitit 1951 (108 gola), kur mbylli këtë kampionat me 56 gola dhe mesataren 1.69 gola për ndeshje.

* Për suksesin e 17?të kontribuan 22 futbollistë, që kanë luajtur, kush më shumë e kush më pak, përgjatë 33 javëve. Spikat portieri Elvis Kotorri me 32 ndeshje e gjysëm, pasi vetëm në javën e 26?të (Kastrioti?Dinamo 1?0), ka luajtur në 45' e para këtë takim.

* Pas tij vijnë me nga 31 ndeshje secili Alecenu Abraham dhe Pero Pejic. Asnjë lojtar tjetër nuk e arriti shifrën e 30 takimeve por mbeten nën të.

* Në fazën e tretë, Dinamo qe e papërmbajtjehme për pikët e fituara (25) ndërsa në fazën e dytë kishte marë 24 dhe në të parën 21.

* Marshimi për te titullli kaloi me 4 javë starti si e para, pastaj rifitim i kësaj pozitve në javën e 12?të dhe mos lëshim e “saldim” me kreun nga java e 14?të deri në 33?tën.

* Kampionët e rinj janë të vetmit që fiksuan 6 fitore me tre e mbi 3 gola diferencë. Dinamo regjistroi rezultatin më të thellë të kampionatit (7?0) ndaj Skëndërbeut, në javën e 17?të, më 29.12.2007. Një tjetër fakt është se kampionët nuk pësuan asnjë humbje të thellë me tre e mbi tre gola.

* Ciklin më të gjatë, pa njohur humbje, përgjatë 33 jave e pati nga java 10?të deri në 20?të ku në 11 javë rresht arriti 7 fitore, 4 barazime.

* Ndaj dy skuadrave Teutës dhe Skënderbeut arriti t’i fitonte maksimalisht pikët (9) të të tre ndeshjeve direkte. Me durrsakët 1?0 e dy herë nga 2?1 dhe me korcarët 2?1, 7?0 e 3?1.

* Dinamo ishte rekordmene në fitoret shtëpiake (12), në transfertë (9). Më pas e golave të shënuar në fushën e vet (38) dhe pësimit të më pak golave për 33 javët (13 gjithsej). Edhe diferencën gol e pati mjaft të lartë (+42 gola) në raport me gjithë ekipet e tjerë.

* Kroati Pero Pejic, jo vetëm ishte futbollisti i huaj që shënoi më tepër gola, por dhe i vetmi që në javën e 17?të, në fitoren 7?0 me Skëndërbeun, realizoi të vetmin “poker” të këtij kampionati. Ka dhe një tripletë në javëne 3?të në fitoren 4?0 ndaj Kastriotit. Vec Pejicit dopieta provuan edhe Sabino Plaku (dy) dhe nga një secili Igli Allmuca e Artim Pollozhani.

* Nga 22 futbollistët e aktivizuar, 14 prej tyre firmosën për 56 golat. Spikati Pejic (me 18 gola). Kavajasi Bekim Kuli me penalltinë e djeshme shpallet dhe ekzekutuesi më i mirë nga pika e bardhë e 11?metërshit (5 gola), të gjithë në 11 ndeshjet e fazës së tretë.

* Dinamo është skuadra e dytë pas Besës (10 të huaj) që preferoi të aktivizonte një numër të madh futbollistësh të tillë (8 gjithsej). Konkretisht Abraham, Vincentic, Diob, Pejic, Granic, Bodrusic dhe Pollozhani që pavërësisht origjinave të tyre tashmë janë kampionë të Shqipërisë.

Xhani: Zoti nuk ishte me ne!

Dhe ai ka pasur një arsye shumë të fortë për të mos besuar më. Në Zot. Në një perëndi, të cilës i është lutur prej 15 vitesh. Për një gjë. Që të ndihmonte Partizanin të dilte kampion. Në mos i ka humbur besimi te ky Zot ka vendosur të mos i dalë kurrë kundër. Të pranojë verdiktet e tij. Sespe, sipas tij, Partizani i 17 majit ka pasur vetëm një kundër. Zotin. Domethënë gjithçka. “Në këtë moment që po flasim (është 19:30 e mbrëmjes) po u dërgoj një sms gjithë lojtarëve të mi. Është i njëjti sms, pa asnjë dallim. Partizani sot kishte kundër Zotin, një fuqi e madhe hyjnore na dënoi. Nuk kemi ç’bëjmë”. Kështu është jeta. “Unë besoj se në momentin tonë më të mirë, kur Dinamo mbeti me 9 vetë, një fuqi hyjnore u mbylli gojën tifozëve tanë dhe u lidhi këmbët lojtarëve tanë. Të dalësh kundër këtij Zoti është e pamundur. Ai dje ishte veshur blu. Shpresoj që pritja jonë e pafundme një ditë të ndalet. Jam i bindur se kjo skuadër nuk ka asgjë më pak se sa ajo që fitoi titullin. Përkundrazi”.Me besimin e humbur te Zoti Xhani po përgatit Partizanin e vitit të ardhshëm. Është një ndjekje drejt një titulli që nuk paska të mbaruar. Ishin kaq pranë dje, dhe tani të gjithë ndoshta mendojnë se është një trofe që nuk vjen më kurrë. “Unë besoj se djemtë e mi, të gjithë, askush nuk largohet, do të dinë të fitojnë vitin e ardhshëm. Kemi blerë katër lojtarë dhe shpresoj që me këta të katërt të jemi edhe më të fortë, që do të thotë kampionë”. Ndoshta Xhani duhet të blejë kartonin e Zotit që të synojë sërish një titull. Të flasësh për fitim kampionati të ardhshëm dje është paksa ironike. Partizani dje ka humbur gjithçka.

Derbi i tifozëve, “ndeshja” tjetër në Selman Stërmasi”   

Altin Shordi

Derbi, ndeshja më e rëndësishme e kampionatit shqiptar, ka filluar të ndjehet dje fizikisht aty rreth orës 12:00. “Pre” e tij ishin fillimisht shoferët që kishin parashikuar të parkonin në zonën e qetë rreth stadiumit “Selman Stërmasi”, për të gjerbur më pas, ndonjë kafe në ndonjë nga lokalet e shumta aty rrotull. Makina policie dhe kordonë me forca të rendit, kanë bllokuar hyrjet në të gjithë anët e stadiumit, përfshirë edhe sheshin rreth tij. Pak më vonë, kanë nisur të duken tifozët e parë. Fillimisht atë më të “thekurit”, apo thjesht ndonjë fëmijë i paduruar për të parë idhujt e tij. Mbajnë shalle të skuadrave të zemrës dhe i kanë lidhur rreth kokës, ose te kyçi i njërës dorë. Duke qenë se është kohë dreke, shumë prej tifozëve e mbajnë frymën në ndonjë nga lokalet fast?food që në këtë zonë të Tiranës, janë me shumicë. Mund të shohësh gjithnjë e më shumë tifozë me ndonjë hamburger në dorë. Shishja e birrës, largqoftë nuk mund të mungojë. Në orën 14:00, dy orëm e gjysëm para vërshëllimës së fillimit të ndeshjes, mund të shohësh një numër gjithnjë e më të madh fansash të të dy skuadrave, të rrethuar nga policia, para hyrjes së vetme në tribunën “karshi” të stadiumit Dinamo. Dyert nuk janë hapur ende dhe tifozët duhet të presin në vapë. Por kjo racë e çuditshme e gjinisë njerëzore, që lë me kënaqësi divanin e shtëpisë dhe ajrin e kondicionuar, për të parë në kushte të vështira skuadrën e zemrës, është zakonisht e durueshme. Shumë e durueshme. Me ndonjë kor që dëgjohet periodikisht, që nga larg apo ndonjë batutë me zë të lartë (për skuadrën kundërshtare apo për policët), koha ecën shpejt. Tifozët e Partizanit, janë më të organizuar dhe rrjedhimisht ata dëgjohen më shumë. Në orën 15:00, përballë hyrjes së tribunës “karshi” ka më shumë se dy mijë vetë që presin. Policia vendos që tifozët mund të hyjnë tashmë në stadium. Por këtu fillojnë vuajtjet e vërteta. Duke qenë se çdo tifoz kontrollohet dhe rradha është bërë e gjatë, kjo do të thotë se duhet të qëndrosh nën një mizëri njerëzish që shtyjnë ç’njerëzisht drejt hyrjes. Në vapën e orës 15:00, është me të vërtetë e tepërt. Rreth gjysmë ore më vonë, tribuna në fjalë është e mbushur plot. Në krahun e majtë ata të Dinamos. Me flamuj të vegjël bardheblu me D m’u në mes të tyre. Në krahun e djathtë të Partizanit, me shallet e tyre karakteristikë. Në pjesën më të madhe të tyre, janë zverdhur nga koha Nuk ka asnjë ndarje të vërtetë mes tifozëve të dy skuadrave, përveç atij njerëzor, të përbërë nga policët. Një uniformë blu, pasi kalon tunelin të pyet: “tifoz i Dinamos apo i Partizanit”. Në vartësi të përgjigjes edhe qëndrimi në stadium. Për numër ilete as që bëhet fjalë.

Tribuna kryesore, mbushet shumë më ngadalë. Klubi dinamovit i ka shpërndarë biletat aty për “fanatikë” të saj, si dhe për lojtarë të moshave të klubit, të futbollit kryesisht, por edhe për sporte të tjera. Sidoqoftë, në mes të stadiumit nuk është ndonjë tifo çarmatosëse. Të paktën, jo ajo që ke pritur. Stadiumi “Selman Stërmasi” nuk ka kurrfarë akustike dhe zërat “vuajnë” të dëgjohen qoftë edhe 20 apo 30 metra larg. Kur dikush fillon të këndojë himnin e Dinamos, në tribunën “karshi” nuk dëgjohet asgjë. Por nuk është edhe aq e nevojshme. Tifozeritë, kanë filluar të hedhin e të presin kundër njëra?tjetrës. Siç mund të merret me mend, në kësi rastesh, komentet për kundërshtarin janë ofenduese. “Spiunë, spiunë” dëgjohet në njërën, “morr i kuq” në tjetrën. Në fillim të ndeshjes, tribuna “karshi” është e mbushur edhe mbi kapacitetin e tij, ajo kryesore ka ende vende bosh. Tifozeritë e dy skuadrave, shpalosën nga një flamur të madh.

Ndeshja fillon e nxehtë. Sidomos për ata dinamovitë. Penalltia e fituar nga Pejiç u’a ka mbyllur gojën kolegëve “të kuq”. Sidoqoftë, jo të gjithë janë dakord me vendimin e italianit Tagliavento. Kështuqë ndonjërit prej tyre i shpëton një “Peppino di merda”. Deri në golin e barazimit të Osmanit, gjithçka është e qetë. “Të kuqtë”, që janë më të zëshëm, pamvarësisht se jo më të shumtë në numër, kanë marrë zemër. Dylyftimi Muzaka?Abraham, në tribunën karshi, përjetohet në mënyrë të veçantë. Për afrikanin ka edhe ndonjë “buuuu”, por është i izoluar. Pushimi i ndeshjes ka sjellë sërish qetësinë. Ky është edhe rasti për të blerë ndonjë shishe ujë, përmes rrethimit të stadiumit.

Fillimi i pjesës së dytë, është sigurisht i kuq. Jo vetëm në lojë, por sidomos me nxjerrjen e njëpasnjëshme me karton nga loja të Pollozhanit e Kulit. Tifozët e Partizanit, nuk përmbahen më. Te ata të Dinamos, ka ndonjë “arbitro, arbitro vaffanculo”. Në tribunën kryesore, aty ku mes dinamovitëve janë infiltruar edhe shumë tifozë të Partizanit nis një sherr i papritur. Policia, e stërmadhe në numër, nuk ka të vështirë t’a izolojë incidentin. Kalimi i minutave, ka shtuar nervozmin te të kuqtë. Daja, trajneri i Dinamos, fton tifozët e tij që të mbajnë gjallë atmosferën. Dhe në fakt ata e bëjnë këtë. Te të kuqtë, ka vetëm të shara. Kryesisht për lojtarët e skuadrës së zemrës. Si dhe për trajnerin, i cili për ta nuk po bën zevëndësimet e duhura, për të shënuar atë gol magjik. Atë gol me vlerë titulli. Në momentin që Dinamo ka shënuar golin e dytë, në mes të tifozerisë kuqe askush nuk mund t’a besojë. 35 minuta me 2 lojtarë më shumë dhe vetëm dy raste tipike

“dëshpërimi”. Është kjo arsyeja që, pas vërshëllimës së Tagliaventos, kur kapiteni Beqiri vjen në tribunën përballë për të përshëndetur tifozët, këta të fundit, përfundojnë duke e ofenduar atë. Dinamovitët kanë nisur festën e ligjshme. Pjesa më e madhe e të kuqve, ndërkohë është larguar. Ata që kanë mbetur, ndjekin festën blu me dy duart në kokë. As që mund t’a besojnë. Ceremonia zgjat rreth 20 minuta. Forcat policore nuk lejojnë tifozët të bëhen bashkë me skuadrën. Por kupa e kampionatit, shëtit sa në njërën anë të stadiumit në tjetrin, duke bërë që të gjithë ta shijojnë sadopak atë. Policia, që ka tashmë mbi 6 orë në stadium, i fton tifozët të lënë stadiumin. Dinamovitë largohen të zhurmshëm. Është e qartë se një “ZUK” i kohës së komunizmit nuk i nxë më të gjithë... 



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: