Speciale Euro 2008
| E Diel, 18.05.2008, 03:36 PM |

Stadion Arena e finales

Në 31 ndeshjet që do të luhen në Evropianin 2008, i cili do të zhvillohet në Austri dhe Zvicër, vetëm një prej 16 përfaqësueseve pjesëmarrëse do të arrijë të fitojë trofeun. Ky është një prezantim i 8 stadiumeve ku do të zhvillohen ndeshjet, natyrisht duke filluar nga impianti më i madh, "Ernst Happel Stadion" i Vjenës:

Ernst Happel Stadion - Stadiumi "Ernst Happel", i cili ndodhet në Leopoldshtadt, distriktin e dytë të kryeqytetit të Austrisë, Vjenës, deri në vitin 1992 njihej si stadiumi "Prater" (Praterstadion). Ai u ndërtua ndërmjet viteve 1928 dhe 1931 për Olimpiadën e Dytë të Punëtorëve dhe është dizajnuar nga arkitekti gjerman Oto Ernst Shvaicer. Emri i stadiumit ndryshoi në "Ernst Happel", pas vdekjes së tij në vitin 1992. Në fushën e këtij impianti do të luhet edhe finalja e "Euro 2008" më 29 qershor. Ai është stadiumi më i madh i futbollit në Austri dhe njihet ndryshe si shtëpia e përfaqësueses së këtij vendi. Në "Ernst Happel" ndeshjet që zhvillohen nga skuadrat vendase janë ato për Kupën e Austrisë dhe aktivitetet ndërkombëtare, ku mund të luajnë dy klubet kryesore të Vjenës, Austria e Vjenës dhe Rapidi i Vjenës, duke qenë se fushat e këtyre dy skuadrave nuk i plotësojnë parametrat për të luajtur në Ligën e Kampioneve apo në Kupën UEFA. Aty luhet edhe derbi lokal ndërmjet dy skuadrave të kryeqytetit, që tërheq një numër të madh tifozësh. Edhe pse kapaciteti i tij ishte vetëm 49825 vende, stadiumi u vlerësua nga UEFA si një prej impianteve me pesë yje (normalisht jepet për stadiumet me mbi 50 mijë vende), duke i lejuar që të presë edhe finalen e Ligës së Kampioneve. Në prag të "Euro 2008", kapaciteti u rrit deri në 53008 vende të ulura: aty do të luhen 7 ndeshje të aktivitetit madhor (3 ndeshje në grup, 2 çerekfinale, 1 gjysmëfinale dhe finalja e madhe). Audienca rekord në këtë stadium është regjistruar në vitin 1960, plot 92706 bileta të shitura në një ndeshje kundër ish-Bashkimit Sovjetik, por që prej asaj periudhe kapaciteti është zvogëluar.

Tivoli-Neu - "Tivoli Neu" (Tivoli i Ri) është një stadium multifunksional në Insbruk të Austrisë. Më së shumti aty zhvillohen ndeshje futbolli dhe i përket klubit të Vaker Tirol. Impianti është ndërtuar në vitin 2000 dhe kapaciteti i tij ishte 17400 vende. Për fazën finale të "Euro 2008", "Tivoli-Neu" është përshtatur për të pritur plot 30 mijë tifozë. Emri i stadiumit u vendos duke u bazuar te stadiumi i mëparshëm "Tivoli", që ndodhet pranë lumit Sill. Ai u mbyll në vitin 2004, katër vjet pasi "Tivoli-Neu" hapi dyert për sportin më popullor në botë.

Hypo-Arena - Edhe "Hypo-Arena" (deri më 30 qershor 2007 njihej si "Vortherse stadion") është edhe ai një stadium multifunksional në Klagenfurt, Austri: "shtëpia" e Austria Karnten. Impianti i vjetër, "Vortherse stadion", u ndërtua në vitin 1960 dhe mbante 10900 tifozë. Në vitin 2005 ai është shembur dhe u zëvendësua nga stadiumi i ri, "Hypo Arena", i ndërtuar për "Euro 2008", me kapacitet 32 mijë spektatorë. Hapja zyrtare e tij u bë më 7 shtator 2007, në miqësoren që Austria luajti me Japoninë, në praninë e afro 26500 spektatorëve. Pas Kampionatit Evropian, kapaciteti i stadiumit do të reduktohet në 12500 vende.

Vals Siezenheim Stadion - "EM Stadion Vals-Siezenheim" është municipali në Salzburg, që u hap zyrtarisht në mars të vitit 2003. Në këtë fushë, Salzburgu zhvillon ndeshjet në shtëpi, si në kampionat ashtu edhe në kupat e Evropës. Kapaciteti i mëparshëm i stadiumit ishte 18200 vende, por së fundmi ai është rritur në 30 mijë vende, duke bërë të mundur zhvillimin e ndeshjeve të "Euro 2008". "EM Stadion Vals-Siezenheim" është i vetmi në Bundesligën austriake që përdor bar artificial.

St. Jakob Park - "St. Jakob Park" është stadiumi më i madh i Zvicrës, bashkorganizatore e "Euro 2008". "Jogeli", ashtu si e njohin vendasit e Bazelit, është ndërtuar fillimisht me kapacitet 38500 vende të ulura. Përpara fillimit të evenimentit, impianti u rinovua dhe tashmë mund të presë 42500 tifozë në ndeshje. Stadiumi ka një moshë mjaft të re. Ndërtimi filloi më 13 dhjetor 1998, ndërsa ndeshja e parë zyrtare e luajtur aty daton më 15 mars 2001. Kosto totale e impiantit të menaxhuar nga Bazel Junajted ishte afro 220 milionë franga zvicerane dhe në tre katet e tij gjenden 32 dyqane dhe dy restorante. Stadiumi ka 680 vende parkimi për makina në dy kate të ndryshme, por tifozët mund të shkojnë aty lehtësisht edhe duke përdorur mjetet e transportit publik. UEFA e ka vlerësuar "St. Jakob Park" me 4 yje dhe aty do të luhen gjashtë ndeshje: 3 sfida në grup (duke përfshirë edhe takimin hapës Zvicër-Republika Çeke), dy çerekfinale dhe një gjysmëfinale.

Stade de Suisse Vankdorf - "Stade de Suisse Vankdorf" ndodhet në Bernë dhe është stadiumi i klubit BSC Jang Bojs. Momentalisht është stadiumi i dytë më i madh në Zvicër, me kapacitet 32 mijë spektatorë, ku të gjithë stolat janë të mbuluar. Ai u hap zyrtarisht më 30 korrik 2005, pavarësisht faktit se ndeshja e parë në tapetin e gjelbër është luajtur më 16 qershor 2005: Jang Bojs humbën 3-2 me Marsejën përpara 14 mijë spektatorëve, por sfida u cilësua si "test i infrastrukturës". Stadiumi është përdorur në vitin 2005 nga Thun, për tri ndeshje të Ligës së Kampioneve dhe përpara 32 viteve për një ndeshje në Kupën UEFA.

Letzigrund - "Letzigrund" është stadiumi i Zyrihut, që shërben edhe si "shtëpia" e mitingut vjetor të atletikës, "Veltklasse Zyrih", e cila është pjesë e Golden Ligës. Gjithashtu në këtë stadium zhvillohen edhe shumë koncerte. Në janar 2005 UEFA aprovoi planet për rindërtimin e këtij stadiumi, pasi ai ishte parashikuar të ishte një prej impianteve ku do të luhen ndeshjet e "Euro 2008". "Letzigrund" do të presë vetëm tre ndeshje në evenimentin madhor kontinental. Stadiumi i ri u hap më 30 gusht 2007 dhe kapaciteti është 30 mijë vende.

Stade de Geneve - "Stade de Geneve" (stadiumi i Gjenevës) ka një kapacitet prej 30084 vende. Ai është përfunduar në vitin 2003 nga "Zshoke Construction S.A.", pas pothuajse tre vjetësh punime. Normalisht fusha ku luan skuadra e Gjenevës, Servete, ka pritur edhe miqësore ndërkombëtare, si ajo ndërmjet Argjentinës dhe Anglisë në vitin 2005 (e fituar 3-2 nga "Tre Luanët") dhe ndërmjet Zelandës së Re dhe Brazilit, në qershor 2006, ku përfaqësuesja amerikano-latine fitoi 4-0. Gjatë "Euro 2008", impianti do të përdoret për zhvillimin e tri ndeshjeve në Grupin A. Fusha është shfrytëzuar edhe për ndeshje regbie, ku në edicionin 2006-‘07 të Kupës Heineken janë përballur Burgoin dhe Munster.

Somario Ernst Happel Stadion

Ndodhet në Leopoldshtadt, distriktin e dytë të kryeqytetit të Austrisë, Vjenës dhe deri në vitin 1992 njihej si stadiumi "Prater" (Praterstadion). Ai u ndërtua ndërmjet viteve 1928 dhe 1931 dhe është dizajnuar nga arkitekti gjerman, Oto Ernst Shvaicer. Emri i stadiumit ndryshoi në "Ernst Happel", pas vdekjes së tij në vitin 1992. Audienca rekord në këtë stadium është regjistruar në vitin 1960, plot 92706 bileta të shitura në një ndeshje kundër ish-Bashkimit Sovjetik, por që prej asaj periudhe kapaciteti është zvogëluar

Kuriozitete

Avionë gjermanë ruajnë Evropianin

Avionë ushtarakë gjermanë do të patrullojnë qiellin mbi Austri dhe Zvicër gjatë zhvillimit të EURO 2008. Dy vendet organizatore të turneut kanë bërë një kërkesë zyrtare për mbështetje ajrore nga Gjermania, pasi nuk kanë në dispozicion shumë skuadrone avionësh luftarakë. Ndonëse Austria ka në dispozicion disa avionë "Eurofighter", ata nuk janë pajisur ende më armë, duke bërë që të jenë thuajse të pavlefshëm për misione ku kërkohet të ruhet siguria ajrore e dy vendeve që organizojnë aktivitetin. Në një situatë të tillë, Gjermania ka pranuar të vërë në dispozicion disa nga skuadronet e saj ajrore për të garantuar sigurinë.

400 "Kobra" do të sigurojnë Austrinë

Rreth 400 pjesëtarë të forcave antiterroriste austriake "Kobra" do të jenë në gjendje gatishmërie gjatë zhvillimit të EURO 2008. Lajmi u dha nga komandanti i këtij grupi, Bernhard Traibenraif, i cili shpjegoi edhe misionin që do të kishte reparti "Kobra" gjatë aktivitetit. Sipas planit, janë organizuar 10 deri në 15 misione shoqërimi në ditë, ku do të garantojnë sigurinë si në tokë, ashtu edhe në ajër. Forcat speciale "Kobra" janë krijuar në vitin 1972 dhe cilësohen si një nga më të mirat në botë. Vetëm gjatë vitit 2007, ato kanë zhvilluar 131 kontrolle shtëpie, 863 misione të mbrojtjes personale dhe 497 arrestime.

Policia tajlandeze vë rregulla për bastet

Drejtuesit më të lartë të policisë në Tajlandë kanë bërë të qartë se do të marrin masa ndaj atyre që nxitin të rinjtë të vënë baste gjatë EURO 2008. Gjeneral Lejtnanti Asauin Kuanmuang shpjegoi se policia do të kontrollojë të gjitha pikat e basteve dhe faqet e internetit, të cilat menaxhohen nga tajlandezë, ndërsa bankat do të monitorojnë shumat e parave që qarkullojnë në këto pika. Sipas rregulloreve të reja do të ketë masa shumë të ashpra ndaj atyre pikave të cilat pranojnë më shumë se 100 baste në ditë, ose që kalojnë një shumë të caktuar. Kuanmuang bëri të ditur se kjo ishte mënyra e vetme për të minimizuar këtë fenomen shqetësues.

Alarmi i mjekëve: Kujdes nga sëmundjet!

Profesori Mikael Kuntze ka paralajmëruar të gjithë tifozët që dëshirojnë të udhëtojnë drejt Austrisë dhe Zvicrës të vaksinohen për të shmangur infeksionin e njohur si TBE. Sipas statistikave, rastet e kësaj sëmundjeje në Evropë janë rritur me 30% gjatë vitit 2007, për shkak të ngrohjes globale që ndihmon shpërndarjen e saj. TBE-ja mund të shkaktojë paralizë, koma dhe në 1-2% të rasteve edhe vdekjen. Sipas doktor Kuntze, simptomat e saj janë të njëjta me gripin, ndaj do të jetë e vështirë të dallohet. "Ne mund ta parandalojmë me vaksina, por nuk mund ta kurojmë këtë sëmundje", u shpreh ai, duke saktësuar se Austria shënonte 70 raste të tilla në vit.

Tifozët në radhë për biletat e stërvitjes

Për tifozët evropianë kanë filluar ethet e EURO 2008, si dhe radhët e gjata për të siguruar bileta. Por tani nuk bëhet fjalë për biletat e ndeshjeve, por për ato të seancave stërvitore të kombëtareve të ndryshme. Në qytetet zvicerane dhe austriake, tifozët kanë filluar të krijojnë radhë të gjata në sportelet e qendrave stërvitore, të cilat do të përdoren nga kombëtaret e ndryshme. Në fshatin e vogël Chatel-St-Denis në Zvicër, aty ku do të grumbullohet kombëtarja franceze, 4500 biletat për një seancë stërvitore kanë "avulluar" brenda 15 minutave, pasi ishin vendosur në sportelet e stadiumit.

Stadiumet në Austri

Ernst Happel Stadion

Në prag të Euro 2008, kapaciteti u rrit deri në 53,008 vende të ulura: aty do të luhen 7 ndeshje të aktivitetit madhor, ku më e rëndësishmja është finalja e 29 qershorit

Tivoli-Neu

Tivoli i Ri, një stadium shumëfunksional në Insbruk të Austrisë. Për fazën finale të Euro 2008, "Tivoli-Neu" është përshtatur për të pritur plot 30 mijë tifozë

Hypo-Arena

Stadiumi u ndërtua në vitin 2005 për Euro 2008. Kapaciteti është 32 mijë spektatorë, por menjëherë pas mbylljes së evenimentit, ai do të reduktohet në 12,500 vende

Vals Siezenheim Stadion

Ky stadium është i vetmi në Bundesligën austriake që përdor bar artificial. Për fazën finale të Evropianit, kapaciteti i tij është rritur në 30 mijë vende

Stadiumet Zvicër

St. Jakob-Park (Bazel)

Stadiumi më i madh në Zvicër do të presë tri ndeshje në fazën e grupeve, dy çerekfinale dhe një gjysmëfinale. Në të do të luajë ndeshjet e saj kombëtarja zvicerane

Stade de Suisse Wankdorf (Bernë)

Stadiumi prej 32 mijë vendesh ka vetëm një karrige të kuqe, e cila është e para që u vendos në impiant gjatë ndërtimit të tij dhe i rezervohet një personaliteti

Stade de Genève (Gjenevë)

Në këtë impiant, që ka një kapacitet prej 30084 vendesh, është luajtur ndeshja mes Zvicrës dhe Shqipërisë në vitin 2003, e përfunduar me rezultatin 3-2 për helvetët

Letzigrund (Zyrih)

Stadiumi i përuruar në vitin 1925 është rimodeluar 7 herë deri tani, duke rritur gjerësinë e fushës, kapacitetin e tifozëve apo edhe panelet që e ndriçojnë atë


Gazeta Shqip

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: