Ukshin Zajmi: Impotenca dhe arroganca e Hitlerit në Gjilan
| E Marte, 09.07.2013, 09:03 PM |

Teatër: Impotenca dhe arroganca e Hitlerit në Gjilan

Nga Ukshin Zajmi

Aktorët, tashmë të dëshmuar në skenën e Teatrit profesionist të Gjilanit: Muharrem Sylejmani, Mejreme Berisha e Ali Demi shfrytzuan të gjitha aftësit e veta interpretuese për të realizuar temën e tekstit të Miro Gavranit “Pacienti i Dr. Frojdit”. Përvoja e gjatë në skenë e aktorëve, synimet e realizuara regjisoriale të Erson Zymberit , teksti i klasikut kroat që ende jeton dhe përsonazhet e njohura për publikun, bënë që publiku gjilanas të ndahet i kënaqur me inkorporimin e këtyre komponeneteve, në premierën e tretë për këtë sezon, të këtij teatri, që u shfaq të dielën me 7 korrik 2013.

Autori i skenarit të kësaj komedie-grotesk, duke ditur se Adolf Hitleri është gjerman austriak dhe udhëheqës në Gjermani e Sigmund Frojdi, mjek e psikolog, gjithashtu austriak por me prejardhje hebreje, të cilët më te madhe i luftoi Hitleri, vuri në veprim pikërisht këto personalitete. Dhe në këtë kontekst, ai përdori teorinë e Bahtinit për groteskun, duke smadhuar negativitetin deri në kufi të çmendurisë.

Themeluesi i psikoanalizën Sigmund Frojdi, një të diele në Vjenë, ndërsa sistematizon hipotezat e veta shkencore, në studio i hyn pacienti, që është i traumatizuar nga mosmundësia e realizimit të akteve erotike me të dashurën e tij, pas shtatëmbëdhjetë tentimeve, për të kërkuar ndihmë, por, që gjithnjë, synim ka që fajin ta largon nga vetja dhe ta bartë tek e dashura. Ai e ka studiuar Frojdin, e din se IDI, një nga tre faktorët në strukturën psikologjike të përsonalitetit, është burim i veprimit të libideve në psiqikë, e që kryesisht  shprehen si energji seksuale. Frojdi, i habitur me këtë njohuri të pacientit, ai vendos që të studion pacientet, të dashuruarit, veq e veq, dhe, perderisa Kristina është e sinqertë dhe shprehet realisht, Hitleri është përsonalitet tjetër dhe realitetin tek ky, Frojdi e zbulon, vetëm kur e hipnotizon. Duke mos e ditur këtë veprim të Frojdit, Hitleri, mbetët i habitur, kur dëgjon realitetin, duke kaluar edhe në katarsë, kur e merr vesh se ai vet i ka treguar: se nuk ka pasë asnjë dashnore, se askend nuk e pranon për të barabartë me te dhe se ai don që vet të jetë mbi të gjithë, si në aspektin fizik e psikologjik.

Gjithë këtë, në skenë me mjeshtri të rallë, për afro 6o minuta, e interpretuan Muharrem Sylejmani (Hitleri), Ali Demi (Frojdi) dhe Mejreme Berisha (Kristina) sipas konceptit të Erson Zymberit-regjisor, në skenën e Teatrit profesionist të Gjilanit, shfaqje këtë që e finansoi Ministria për kulurë, Rini dhe Sport e Kosovës. Muharrem Sylejmani, kësaj radhe u transformua në dysh: në Hitlerin që dëshiron çdo herë të jetë mbi të tjerët dhe në Hitlerin impotent dhe të pasuksesshëm në të gjitha punët që i ka filluar si ushtarë, këngëtar e piktor. Përvoja e tij në skenë (është një ndër aktorët më me pervojë në teatrin e Gjilanit), favoriti i tij për të interpretuar rolet komike, fiziku i tij vital që iu përshtat rolit të Hitlerit ishin premisa që roli i tij të jetë në nivelin e duhur. Pos kësaj, aftësia për të menagjuar me lëvizjet minzaskenike, gjestet, mimika dhe serioziteti i çasjes së rolit bënë që, Hitleri  si rol, në opusin e tij aktoresk të jetë një ndër më të suksesshmit. Mejreme Berisha (aktorja më e vjetër në këtë teatër), në rolin e Kristinës, u dëshmua si aktore me përvojë që zotëron hapsirën skenike, komunikon me partnerin e publikun, transformohet sipas situatave të krijuara prej një dashnorje subtile deri te një akuzuese shpërthyese. Diksionin dhe të folurit e përdori me mjeshtri, duke iu përshtatë situatave si dhe u hetua gjeturia në eleminin e gafeve skenike që rastisin gjatë ndryshmit të skenave. Kjo bëri që, roli i saj të pelqehet, jo vetëm nga rrjedhat e ngjarjeve sipas skenarit, por edhe nga interpretimi i suksesshëm i saj. Ali Demi, në rolin e Frojdit që mjaft i mirë (megjithë kohën e shkurtër për ta përgatitur këtë rol, nga se e zëvendësoi Ramadan Kurtin, i cili, për shkaqe përsonale u detyrua ta braktis rolin). Krijimi i dramës dhe konflikteve në te i takoi Aliut, andaj, me sukses qoftë në pjesën kur shkencërisht shpjegonte shkaqet e sëmundjes së Hitlerit, apo kur ate e thumbonte terthorazi, ndikonte në rënien dhe shpërthimin e tij. Profesionalizmi i tij u dëshmua kësaj radhe gjatë tërë kohës së shfaqjes, qoftë atëherë kur ishte vetëm në skenë, kur punonte vetë e vështrohej nga pacienti i paftuar apo edhe atëherë kur ishte në bashkëveprim me “qiftin e dashuruar” Hitleri.

Treshja aktoreske: Sylejmani, Berisha e Demi u dëshmuan si partner të mirë skenik duke krijuar plasticitet në lojë e veprime, duke kombinuar për mrekulli bashkëbisedimin dhe konfliktet duke luajtur kështu me plot humor temën e seksualitetit me stereotipe që korrespondojnë me përsona të njohur historik. Aktrimi i tyre i ofroj  kënaqësi publikut, i cili qeshi dhe i duartrokiti gjatë, edhepse këtu e  hetoj tragjizmin e nacizmit.

Mungesa e skenës rrotuelluese në Teatrin e Gjilanit, e detyruan skenografin Bekim  Korça dhe asistentën e tij Venera Ramadanin, që të skicojnë dy dhoma të ngjitura shpindë për shpinde e ato të sillen rreth nji boshti, mbi të cilin edhe u ngrit ballkoni prej nga Hitleri i drejtohej masës. Këtë skenografi me sukses e realizuan Medi Hoti, Haki Aliu e Fehmi Hoti, që është fleksibile edhe për skenat tjera, duke krijuar mundësi të ambientimit të ngjarjes, të përkufizimit e precizimit të hapsirës vepruese dhe krijoj mundësi të përdorimit adekuat të rekuizitave të Suad Berishës. Efektet dhe ilustrimi muzikor të Florim Gagicës i dhanë ngjyrime dhe gjeografi ngjarjes dhe ecnin krahas ritmit të shfaqjes. Dritat e Fatmir Halilit, kësaj radhe, pos që kontribuan në paraqitjen vizuele të aktorëve, ato edhe fiksuan karakteret e përsonazheve në momentet më karakteristike të tyre. Kostumografinë e ideuar nga Bekim Korça e Venera Ramadani e realizoi garderobierja Bahrije Kurtalani, e cila ishte mjaft funksionale dhe e lehtë për manipulim, ngase, shpesh dëtyrohej të përdorej e ndërrohej atypëraty në skenë. Raif Haziri, ndonëse është pritur që të ketë punë më të madhe në rolin e inspicientit, ai më shumë u përqëndrua në organizim.

Nga krejt kjo mund të themi se kjo shfaqje është një surprizë skenike, që fascinon dhe argëton përmes groteskut komik, por jo në fazën e karikatures, që bazohet në një tekst të mirë e me regji të guximshme. S’do të ishte e habitshme pjesëmarrja e saj e suksesshme nëpër festivale të teatrove në trojet shqiptare, mbase edhe më gjërë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: