Pëllumb Gorica: Udhëtim nëpër visaret e Sulovës
| E Marte, 09.07.2013, 06:10 PM |

UDHËTIM NËPËR VISARET E SULOVËS

Udhpërshkrim

EKSKLUZIVE NGA PËLLUMB GORICA

Mirseardhjen këtu ta uron dielli me reflekset e rrezeve, ajri, gjelbërimi, konturet e thepisura të malit të perëndive, Tomorrit me kurorën e zbardhur në majë. Madhështia e tij është bukuri dhe krenari. Ndjen një ngacmim për t’u endur më tej këtyre pamjeve.

PAMJE QË KËRKON T’I SHIJOSH THELLË

Një udhëtim drejt Sulovës së Sipërme të Gramshit është një mundësi për ta njohur më mire. Edhe nëse udhëton për herë të parë drejt saj. Ajo shtrihet në të majtë të rrjedhës së mesme të lumit Devoll, nën këmbët e malit Tomorr. Reliev i copëtuar me ulje ngritje, lugina, kodra, lartësi, brigje, përrenj, fshatra, peizazhe magjepëse me ngrohtësinë e stinës e blerimit të harlisur. Është  një përvilegj për çdokush që i viziton. Lumi Devoll rrjedh ndërmjet brigjeve diku rrëmbyer, diku pa u ngutur, diku kumbon mbi zajet. Kjo është ajo çka përbën mbresën e parë sapo shkel këtu dhe të godet bukurisht, por kur krahasohet me pasuritë e tjera atëherë në të vërtetë mund të kuptohet Sulova, e cila mban në gjirin e saj thesare të shumta, histori të lakmueshme dhe dëshmi antike të kulturës së lashtë. Njihet më shumë për traditat, bujarinë dhe mikpritjen. E përmendim këtë fakt si një krenari të tyre se mikpritja, bujaria në sofrat nuk u ka shterur kurrë. Zemrat e tyre si dielli, shëndritin e gufojnë nga respekti për mikun, udhëtarin me muhabetin, këngët e rakinë e fortë.

Do të duhej miku im e i të gjithë sulovarëve, studiuesi Petrit Basha që më bëri të realizueshme këtë udhëtim. Me ne është edhe djali i tij, Isai, që është drejtor i kulturës në bashkinë e Gramshit, Shefit Hysa dhe Hysen Zani. Jemi  bashkëudhëtarë në lartësitë e Sulovës së Sipërme me qetësinë, freskinë, aromat, bisedat, këngët dhe bashkë me shumë foto artistike.

Duke ndaluar herë në një peizazh e herë në tjetër sytë prekin gjelbërimin frymëzues. Një mjegull resh të brishta dhe të praruara notojnë qiellit. Pak nga pak një diell i vakët ngrihej lart në hapësirë. Tutje në faqe të një kodre të veshur me bar e lule, një tufë dele kullosin. Tingëllojnë këmborët si melodi plot emocion. Makina ecën në rrugën plot kthesa që le për të dëshiruar, duke gjarpëruar në peizazhin ngjyra-ngjyra. Ruga herë ngjitet e herë i le fshatrat në krahë e herë kalon afër tyre. Secili paraqitet me karakteristika të veçanta. Është krejt e natyrshme se natyra u ka falur këto vende për të jetuar e zhvilluar  jetën. Shëmriza, Ostenthi, Duzha, Lubinja… .  Emra vendbanimesh që përqasin idenë e origjinës së tyre të vjetër. Duzha e zhytur mes gjelbërimit. Në një hapësirë tjetër përballë nesh Lubinja me shtëpitë çatikuqe rrethuar nga gjelbërimi, të cilat ja shtojnë më shumë hijeshinë e pamjen tërheqëse. Tokat e parceluara, të mbjella me rreshta të drejta e të ndara nga njëra - tjetra me pemë frutore degërënduara nga prodhimet si: arra, dardhë, qershi, mollë, kumbulla. Pak më tej vreshta të sistemuara. Si një lidhje me natyrën e freskët spikat dora e mëndja e banorëve që e duan punën, përpjekjet e tyre për të përballuar jetën, për të punuar e gëzuar frutet e prodhimit.

IMAZHE TRISHTUESE

Teksa  i përjeton mrekullisht peizazhet, të diktohet vetvetiu paqe e kënaqësi në shpirt dhe të gërshetuara me ato historike, që të preken e të shijohen nga adhuruesit, vizitorët vendas e të huaj kërkohen investime. Ahhhhh, psherëtijmë të gjithë. Shteti duhet të mendojë më shumë për rrugët. Mungon ajo për t’i ndihmuar së pari banorët për të lëvizur më shpejt e më mirë  drejt qëndrave administrative, shkollave, spitaleve edhe që të dërguar prodhimet në tregje. Rugët janë damarët ku lëvron jeta, por janë kthyer në gjakun e korrupsionit e mosinteresimi i pushtetarëve dhe pamundësia e përfitimit të projekteve për zonat malore një pengesë, por edhe e mendimit se ç’duhen rrugët atje kur fshatrat po boshatisen. Duhet t'i biem këmbanave të alarmit për shkatërrimet e shumta, si kudo në Shqipëri, që janë bërë e vazhdojnë të bëhen nga dora e njeriut, duke e shëmtuar natyrën nisur nga përfitimi, për të cilën nuk e vret ndërgjegjja askënd. Harrojnë që një veprim të tillë dhe heshtja që e shoqëron këtë fenomen negativ, brezat e ardhshëm do të na e kritikojnë. Shembulli më i keq i trajtimit të natyrës është prerja pa kriter e pyllit, djegja e tij dhe gërryrjet e tokës, një masakër, që ka tronditur ekuilibrin e ekosistemit së kësaj zone.  Ndalojmë paksa për t’u shlodhur. Kemi përballë një pamje të tillë, ku pylli është djegur e diku po dëmtohet nga prerjet. Kur e shikon barbarinë e këtyre peisazheve, ligështohesh ndaj duhen marrë masa, që të mos priten e digjen si në shumicën e rasteve pa kriter e pa menduar thellë, se pyjet janë ajri ynë i paçmuar.

Këtu ndihet edhe vlaga e dhimbjes, e braktisjes. Siç ndodhi me shumë fshatra malorë në Shqipëri edhe në këto anë është përhapur sidroma e hemoragjisë për të zbritur qendrave të urbanizuara, duke lënë pas natyrën e bukur, ajrin, kujtimet, ca gjurëm të jetës, varret e të parëve. Të pikëllon shpërngulja e fshatit Irmaj. Heshtja e madhe i ka mbuluar shtëpitë, arat, pylli e ato e ndjejnë më shumë, braktisjen e vendbanimit të vjetër, diçka të mjerueshme në kufijtë e zbrastësisë. Para shumë vitesh këtu gjallonin zërat e jetës e tani ka mbetur e shkretë. Mungesa e kushteve për të jetuar bëri të rendin drejt fushave, qendrave të mëdha të banimit dhe qyteteve, si uji i lumenjve që rrjedh në det, në kërkim të një jete më të mirë. Atje ku ajo të siguron kushte të volitshme për jetesë. Pas disa vitesh do të kthehet në gërmadhë e ndoshta do të zhduket  fare, gjë që të bën të ndjesh keqardhja për këtë fshat të braktisur nga vëmëndja e papërgjegjshme e pushtetarëve.

HAP PAS HAPI NË GJURMËT E TOPONIMEVE

Dhe, përkundrejt bukurive natyrore, rruga kalon nëpër një truall të braktisur me gjurmë të lashta. Kohërat me luftrat rrënuese, largimet, ndryshimet sociale i kanë fshirë shumë prej tyre. E ç’duan të thonë ato pak gjurmë në këtë territor të braktisur? Petriti i lindur dhe rritur në Sulovë, në rolin e ciceronit ligjëron, për vendet ku kalonim, për fshatrat anës rrugës e për çdo gjë tjetër me një ndjenjë krenarie e një frymë gati mistike të thjeshtësisë dhe aftësisë treguese. -Ajo që të bën përshtypje -të thotë Petriti -është dendësia e toponimeve të shumta, që tregojnë ekzistencën e vjetër të banimit në këto troje. Na e sjell në memorjen tonë, si një një dritare dijesh për këto toponime  emërtimet dhe histori të tyre. Si njohës i mirë i trevës dhe këmbënguljes e pasionit për të evokuar historinë, traditat ka mbledhur një pjesë të kësaj trashëgimie, në një tufë librash për Sulovën, për vlerat e saj, për njerëzit, për virtytet e sulovarit ndër breza. Çdo toponim ka një histori. Liqedhi,  Çuka e Salos, Shëmitra, Qafa e Liqedhit, Çuka e Daulles,… Pa u marrë me etimiologjinë e tyre, kemi të bëjmë me fjalë shqipe të vjetra. Liqelli. Mendohet se në këtë vend ka qenë një liqen i vogël, në pjesën juglindore të arës së sotme. Ky liqen duhet të jetë formuar nga marrja e baltës (Dheut) që përdorej për punishtet e qeramikës në kalanë e Irmajit, (Kodrioni). Me kalimin e kohëve liqeni është tharë dhe mbushur me dhera. Edhe sot në këtë vend ruhet forma në tri anët kryesore të një gropë të stërmadhe.

Le ti lemë këto hulumtime e t’i kthehemi udhëtimit tonë. Një gjurmë rrugë krejtësisht e përpjetë të çon drejt kalasë antike të Irmajt, nëpër një peisazh gjelbërimi të harlisur, si tunel për të arritur në majën e kodrës. Bukuri të tilla të mbërthejnë me pamjet, zhurmat e  pyllit, ujrat që rrjedhin. Ndalemi në një burim i cili na freskon shumë, ashtu si ajri i ngarkuar me aromën e pyllit, luleve. Çifte zogjsh ngrihen me rrapëllimë nga korijet dhe japin koncert me cicërimat e tyre. Kodrat dhe pyjet e Sulovës me shumëllojshmëri drurësh, kanë favorizuar rritjen e shumë shpendëve dhe kafshëve të egra.

SHEKUJT, ARKIVË E HISTORISË SË KËTYRE TROJEVE

Çdo kush përhumbet me ato ç’ka kjo hapsirë me një reliev mahnitës të shfaqet para syve. Nga këtu me vështrimin tënd e rrok Sulovën e Sipërme, Nahijen e Beratit, Vërçën, Shpatin, Tomorricën, shpatet veriore të malit Tomorr. Pamje që të mbeten gjatë në kujtesë. Përtej një kodre shtrihej Tunja me lagjet e saj. Diku më tutje Prrenjasi, Grekani, Saraseli, Lumasi i Beratit.

Në shesh pushimin e kodrës syri të ze fragmente muresh e tjengullash e diku  të mbuluara nga dherat e e ferrat. Këmbët shkelin mbi historinë e me gjurma, që edhe pse janë të pakta tregojnë lashtësi, por që nënkuptojnë ekzistencën e një vendbanimi të dikurshëm, të Dasaretëve të lashtësisë, një vendbanim ilir i identifikuar si qyteti i Kodrionit. Sipas  dëshmive të autorëve antikë, Dasaretët banonin në një trevë të gjërë dhe ishin të përmendur si bujk e blektorë. I shkatërruar, i braktisur në kohëra deri zbrazjen totale nga rrethanat tronditëse të shekujve, Kodrioni ishte  rrethuar me mure dhe i shtrirë në një sipërfaqe  të madhe. Petriti nis e tregon: “Qyteti është themeluar në shek. IV – III p.e. sonë dhe ka vazhduar deri në periudhën e mesjetës. Ka pasur lidhje me Apolloninë, Dyrrahun, Amantian, Antipatrean (Berat), Bylisin, Epirin dhe Maqedoninë.Gjatë gërmimeve janë gjetur: tjegulla kolyptere, amfora, pitosa, pjata, kupa dhe solene, kandila vaji, pasha te vegjëve vertikale.Enë metalike: vegjë enësh, kova, sitë kullese bronzi, fibula bronzi, varëse zbukurimi. Në qytetin antik të  Kodrionit janë gjetur edhe monedha të Apollonisë, Dyrrahut, Aleksandrit të Maqedonisë”.

Kemi arritur në majën e kodrës. Ajo çka të mahnit është forma e saj dhe në krye, kalaja e Irmajt, që shëndrit me sytë e qiellit. Fragmentet e mureve qëndrojnë në këmbë, duke sfiduar rrjedhat e kohës, të rrethuar nga gjelbërimi i thellë i drurëve të lartë e të dendur, që shpojnë qiellin e s’të lenë të shohësh më tej tyre. Prekim lehtë muret e veshur me myshk dhe sikur nuk duam të largohemi nga këtu. Historia e saj humbet në mjegullnajën e kohërave, rrethuar nga pëshpërima historish gojore e legjendash, të cilat janë të shumta. Kalaja e Irmajt ndodhet 980 m mbi nivelin e detit. Shumë është shkruar për të. Fragmentet e mureve janë të stilit cikllopik me gurë gjigand. Si një dëshmitare që tregon për të kaluarën e kësaj treve, ka të bëjë me luftën e shqiptarit për të mbijetur në trojet, që janë lakmuar nga babëzia e pushtuesëve në kohëra. Kala e cila përgjatë kohëve është nënshtruar shkatrrimeve ashtu si qyteti afër saj gjatë luftrave të përgjakshme iliro-romake. Gërmimet arkeologjike kanë vërtetuar se është 2400 vjeçare, ky fakt përmendet nga studiuesit Frano Prendi e Dhimosten Budina. Shkelim në toponimet: Erciros, Hija,Mullezë, Murza, Kunjëza e Madhe,Gropa e Thanës. Kunjëza e Madhe. “Thonë se kur luftonin armikun që ishte brenda mureve të Kalasë, nuk i shihnin dot se sa ishin e punët që bënin. Për t’i parë ata, thonë  se ngritën këtë kodër si kunjë, që të shihnin armikun, brenda në Kala, por nuk ia arritën dot. Kështu thotë legjenda”.Në shpatin e pjesës jugore të kalasë një toponim  tjetër interesant: “Gjurma e mushkës”, ku dy gurë të mëdhenj janë gjurmët e goditjeve të patkoit  të kalit”

Kalaja e Irmajt po shkon drejt shkatërrimit. Të shkatërrosh do të thotë të zhdukësh një vlerë të kohës së largët, një thesar të saj. Dhe nuk ka si të mos indinjohesh, ashtu siç indinjohet çdokush ku gjithnjë e më shumë e mira dhe e drejta po humbasin terren.  Ne duhet të jemi krenar për të kaluarën e lashtë dhe duhet të punojmë për ruajtjen e këtyre gjurmëve të historisë për ta kthyer në një pikë historike e turistike, që harresa historike të mos i mbulojë me pluhurin e saj.

Diku në hapsirën e një sheshi, nën hijen e lisave të moçëm, të joshur nga pamjet, mrekullia e saj, kënaqësia e një dite të kaluar këndshëm, drekuam. Si një provë e bujarisë, gëzimit, kënaqësisë me miq dhe mikpritjes e respektit ndaj tyre edhe kënga krijoi emocionin që rrallë provon. Këto mrekulli të natyrës, muret antike, folëse të gjalla e dëshmisë autentike të historisë së lashtë, që i kanë rezistuar kohës dhe bashkë me këta njerëz të sinqertë e mikëpritjen e tyre proverbiale, Sulova paraqet një vend me një sharm të veçantë.

Ndërsa zbresim nga këto lartësi e ndjejmë se jemi të pushtuar nga mbresa të këndëshme me ngjyrat, simfoninë e zërave të natyrës, shpirtin bujar sulovar, dashurinë e mikpritësve, tokën që ka histori pa mbarim, që të deh me gjurmët e saj, me krenarinë dhe dëshirën të puthësh çdo grimcë dheu e të mbash sadopak çdo peshë të rëndë. Të bukur. Të fortë. Jetëgjatë. Të lashtësisë sonë!

Autori i shkrimit pranë murit të kalasë

Fragmente e murit  të kalasë së Qafës, të stilit cikllopik

Fshati Lubinjë

Kunjëza e Madhe në majën e së vilës gjendet Kalaja e Iramajt

Lubinja e me tutje qyteti i Gramshit

Mali Tomorr

Me  studiuesin Petrit Basha dhe djalin e tij Isain

Me studiuesin Petrit Basha

Një pjesë e territorit ku shtrihej qyteti i Kodrionit

Stivat e drureve të prerë

Toponimi Mullezë

 

 



(Vota: 33 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: