Flet këngëtarja e polifonisë Mimoza Kosturi
| E Premte, 05.07.2013, 06:11 PM |

Flet këngëtarja e polifonisë Mimoza Kosturi: Albumi “Polifonia e Zagorisë” realizimi i një ëndrre të bukur

Këngët e vjetra kërcënohen nga rrënimi i vlerave origjinale

Si u gjet në arkivin e tvsh "Të përcollën nënë e nuse, larg për në kurbet''

Nina Mula dhe Suzana Frashëri kanë qenë mësueset e mia perfekte

Albumi “vajzë e valëve” më dha një jetë të dytë

Neço Muka mbetet legjendë e këngës labe

Interpretuese e kolonave zanore të disa filmave

Nga Albert ZHOLI

Së fundi ka realizuar me grupin zagorit albumin “Polifonia e Zagorisë”  me 25 këngë të vjetra, origjinale por tashmë me zëra të rinj.  Ajo  ka mbaruar Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1992 në degën e kantos në klasën e pedagoges Suzana Frashëri. Në vitin 1994 e në vazhdim punon si redaktore e muzikës në redaksinë e muzikës në Radio Tirana. Pjesëmarrëse në festivalet e romancës shqiptare dhe festivalet e këngës popullore të përpunuar. Në vitin 2002 realizon recitalin televiziv “Ti që më rrite që vajzë” me repertor popullor dhe klasik shoqëruar nga orkestra e RTSH. Në vazhdim të koncerteve të saj recitale në vitin 2006 sjell një përzgjedhje të romancave shqiptare në shoqërimin e të mirënjohurve Radoja, Piciri dhe Prosi. Në vitin 2008 vjen koncerti i saj recital “Me dashuri, për dashurinë” me këngë popullore të përpunuara për vokal dhe trio instrumentale. Karriera e saj përfshin dhe angazhime jashtë kufijve: në Zvicër 2002, Itali 2003, si soliste e korit “Pax Dei” në Korsikë më 2004 dhe Marsejë më 2007 në festivalin ndërkombëtar të polifonisë.

Si jeni ndjerë në realizimin e albumit "Polifonia e Zagorisë"?

Përgatitja e albumit "Polifonia e Zagorisë " ishte një nga punët që më dha shumë kënaqësi, por u realizua jo pa emocion,  pasi kam qenë e motivuar mjaftueshëm qoftë si muzikante, por edhe si zagorite.

Për të gjithë ata që duan të dinë si u realizua kjo CD me 25 këngë polifonike të Zagorisë , si dëshmitare e asaj nate "të shenjtë " them se e tillë do të mbetet në memorien e të gjithë atyre që ishin pjesëmarrës.

Kë do të veçoje në këtë album për përkrahje?

Doktor Dhimo Shitunin (lindur në fshatin Andon Poci) jetoi si mjek në Zagorie dhe për të gjithë ata që e njohën  e dinë sa zagorit e ndjente ai  veten. Në bisedat me miqtë e tij pas vitit ‘90 , shprehte keqardhje për largimin e Zagoritëve për në Greqi, ndoshta e parandiente se së shpejti edhe ai do ta merrte atë rrugë...

Në këtë atmosferë, i prekur shpirtërisht, erdhi në shtëpinë tonë dhe shprehu dëshirën për t’u mbledhur për të kënduar për kënaqësi , por edhe për të regjistruar një kasetë (koshient për ta pasur me vete për t'u çmallur me këngët dhe miqtë e tij).

Kaq i apasionuar ka qene pas polifonisë sa shpesh mblidhte në shtëpinë e tij miq, me sebepin për të pirë një gotë raki, por ajo natë kthehej  thjesht në  gosti të këngës ... Dhe vërtet ashtu ndodhi. Një mbrëmje i lajmëroi të gjithë ata që njiheshin në Sheper si solistë të këngës Teftën, Çomen, Tushin, Landën, Marianthin, Llikon, Valin, vendosi një magnetofon në mes të grupit vendosur në formë rrethi dhe nuk priti, ja mori vetë këngës "dola more shokë dola, në një mal pa shkrirë bora" të cilën ja ktheu me po aq pasion Llikua, më pas s'ishte nevoja për udhëheqës artistik, natyrshëm ku udhëheq intuita e artistit, të qetë, të sigurt, të mençur, shtruar- vijoi Tefta me këngën  ''në lëmë-o , te arrë e madhe" ashtu shtruar ëmbël si nënat e  gjyshet tona. Më pas Landa me këngën '' Kur mbushje ujë në gurrë, drulle moj leshverdha drulle " po aq lirike, plot ëmbëlsi si në të gjitha këngët e dashurisë, e vazhdon Tushi me këngën "O bilbil e bilbil-o , ç'ka thëllëza që s'të do" me vokalin e ngrohtë, të plotë, si përfaqësues tipik i të kënduarit të burrave të Zagorisë për të vazhduar Marianthi e sigurt në frazën plot dhimbje të këngës "Ç'ka bari qe s'mbin në qafë" për t'u kthyer tek Valentina si përfaqësuesja e brezit më të ri, ku ndjehet fort dëshira për të kënduar bukur këngën "O trëndafili në qelqe, pa ngrehu se sado fjete" deri tek vargjet ''Të gjitha këngët i thamë, të mirën për pas e lamë" për t'ja lënë vendin këngës së fundit në renditje "Të përcollën nënë e nuse, larg për në kurbet''.varianti origjinal i kësaj kënge ( i cili u gjet nga arkivistja e tvsh-së Fatbardha Kraja) dhe u bashkëngjit në album, nisur nga dëshira e gjithë zagoritëve për ta pasur e dëgjuar  pas 40 vjetësh, interpretuar nga  Tefta Haxhi Duda dhe grupi.

A jeni e kënaqur me këtë album dhe si ka qenë muzikaliteti i kthyesit?

Për të  gjithë ata që do të dëgjojnë këngët e këtij albumi do të çmallen me zërin e rrallë, energjik, të palodhur  të kthyesit  Thoma Stani, mbështetja me e sigurt në një grup shumëzërësh, për çdo solist, hedhës sapo iso. Ky përshkrim jam e bindur se do të ndikojë emocionalisht për mirënjohje të pafund për doktor Dhimon dhe interpretuesve të këtyre 25 këngëve të bukura zagorite. Ikëm të gjithë atë mbrëmje me një kasetë me vete...

Dhe çfarë u bë me atë kasetë dhome?

Unë, që atë natë druhesha të mbaja iso, se më dukej sikur do ta prishja atë  magji. E ruajta kasetën në sirtar për 20 vjet derisa  dëshira e natyrshme për të dëgjuar e njohur më mirë këngët e vendlindjes sime më bëri ti dëgjoj por, sapo dëgjoj të parën këngë emocioni më mposhti, zëri i  Dhimos dhe kthyesit Thoma Stani të drithëronin pasi ata nuk ishin me midis nesh ... Pasi mblodha veten  ideja ime më tingëlloi si egoizëm, prandaj vendosa t'i bëj shërbimin e duhur  teknikisht që gjithçka të përfundonte në një CD, si dëshmi e gjallë e këngëve, kënduar nga bartësit origjinalë të polifonisë zagorite.

Për të gjithë ata që do të dëgjojnë këto 25 këngë, nëse përqendrohesh, ndjesia që përjeton të sposton virtualisht në majën e Çajupi, Krerit apo Dhëmbelit dhe si në film përfytyron gjithë jetën në Zagori, gjithë procesionin jetësor që nga lindja deri tek vdekja me vargjet e famshme të Çajupit  "Që ditën që vdiqe, që kur s'të kam parë...."

Ç’përbëjnë këto 25 këngë?

Pikërisht, këto 25 këngë përfaqësojnë një pjesë të asaj pasurie të madhe shpirtërore që bart kjo krahinë, që vazhdon të  ruhet e të pasurohet me karakteristikat individuale të bartësve brez pas brezi por që si kudo, kërcënohet nga rrënimi i vlerave origjinale, prandaj mbrojtja duhet kthyer në mision.

Ç’është për ju kënga polifonike?

Kënga popullore është përjetësi. Një popull që nuk këndon vdes. Pa mushkëritë e këngës popullore shpirti ynë do të ish më i varfër, më i thatë dhe ne do të na dukej ajri më i rrallë. Do të ndjenim vapë pa këtë gurgullimë të përjetshme që na i bën jetën më të butë dhe më me dritë. Në këtë thesar shkëlqen si një margaritar kënga labe, kjo kryevepër e kulturës së popullit shqiptar,  të cilën UNESCO, kjo seli e mendjes që zbulon vlerat e derisotme të njerëzimit, e pikasi, e shpalli monument të rrallë të kulturës botërore dhe e mori në mbrojtje. Ne kemi të drejtë të krenohemi që jemi krijuesit e njërës prej  mrekullive të  kësaj bote. Fan Noli, një nga mendjet më brilante të letërsisë shqiptare, në fund të jetës, duke shkruar testamentin e tij  la amanet ta varrosin me një këngë labe të kënduar nga lebër safi. Sepse e di që ajo të bën të përjetshëm... Në këngën labe, e lashtë deri në mjegull, njerëzit përpara se të bashkojnë zërat, duhet të bashkojnë njëherë zemrat, frymën e tyre, të këndojnë si një mushkri e vetme e një njeriu. Me këtë këngë janë krijuar disa prej monumenteve më të ndritur të kulturës sonë shqiptare, duke filluar nga “Legjenda e urës”, ku muroset një grua e deri tek “Vajza e valëve”

Kush ndikoi në rrugën tuaj drejt artit?

Ambienti zagorit, historia e këngës së kurbetit, pasioni i prindërve të mi për këngën i ndërprerë padrejtësisht dhe veçanërisht ndikimit që pati gjyshja ime Zoicë, interpretuese e rrallë e folklorit Zagorit, përcaktuan rrugën time drejt artit. Fakti që studiova për kanto, por prej 18 vitesh punoj në redaksinë e muzikës në Radio Tirana , interpretimi mbetet çështje pasioni dhe kënaqësie.

Por ju jeni interpretuese e kolonave zanore të disa filmave. Mund të na përcillni disa?

Krahas  koncerteve recitale  kam marrë kënaqësi të veçantë nga bashkëpunimet si interpretuese e kolonave zanore të filmit  "SHQIPTARI"  me kompozitorin ENDRI SINA, filmi " Një ditë e mrekullueshme " e regj IBRAHIM MUCA  kompozitor HAXHI DALIPI , dramën " GOMONE" E Mihallaq Luarasit një vepër skenike, ku kam interpretuar së bashku me aktorët e Teatrit Kombëtar në 15 shfaqje . Së fundi, me shumë kënaqësi, por dhe me emocion interpretova kolonën zanore të dokumentarit të Pirro Milkanit për jetën e shkrimtarit  Isamil Kadare me kompozitor Aleksandër Lalo. Por, ajo që nuk mbetet vetëm kënaqësi shpirtërore pasi ka ndikuar  padiskutim rritjen e pjekurisë vokale dhe interpretuese,  është të kënduarit  çdo të diel në meshën e kishës ortodokse , nën drejtimin e Mjeshtrit Milto Vako..

Në gjithë këtë rrugë 20-vjecare, ku e keni gjetur mbështetjen?

E gjithë kjo rrugë 20- vjeçare në kërkim të emocioneve të interpretimit  më ka pasuruar jo vetëm profesionalisht por edhe  shpirtërisht.   Gjatë punës në bashkëpunim me artistë profesionistë,  të cilët mbajnë gjallë skenën koncertore sot brenda dhe jashtë vendit, kam patur ndihmën dhe mbështetjen e duhur dhe mbas çdo angazhimi kemi mbetur miq të mirë. Ata janë disa dhe mua më takon të mbetem gjithmonë mirënjohëse.  Koncertet janë pritur shumë mirë nga publiku, por është për të ardhur keq që gjithë ajo punë  dhe investimi mbetet peng i një koncerti të vetëm. Do  doja të shkoja të jepja koncerte në ç'do qytet të Shqipërisë, por problemi financiar e bën të pamundur këtë dëshirë.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: