Martesë apo bashkëjetesë?!
| E Diel, 30.06.2013, 04:43 PM |

Bashkëjetesa, flasin: Besim Zekthi, Alida Hisku, Vitore Leka, Frederik Ndoci, Ilia Terpini, Violeta Banushi dhe Sazan Guri

Nga Albert ZHOLI

Ç’është bashkëjetesa? A është ajo më e pëlqyera në këtë kohë? Cilat janë mendimet e artistëve të moshave të ndryshme për këtë fenomen të ri të shoqërisë shqiptare, por shumë të vjetër në shoqëritë me demokraci të vjetër? A po thyhet tradita shqiptare e martesave me dasma. Mendimet janë nga më të ndryshmet, por asnjëherë nuk japin një zgjidhje përfundimtare.

Besim Zekthi (koreograf, valltar, “Mjeshtër i Madh”

Unë kam ngelur ende me tradicionalen, pra jam për një martesë tradicionale. Por kjo s’do të thotë që e përjashtoj bashkëjetesën. Çdo njeri ka mendimet dhe dëshirat e veta në demokraci. Unë flas në bazë të eksperiencës time, jetës time, kohës që kam jetuar, ku nuk mendohej për bashkëjetesë. Sot shoqëria ka evoluar, njerëzit janë më të emancipuar. Mendimi im përfundimtar është që njeriu që do të krijojë familje, ta bëjë sipas mënyrës që i përshtatet më mirë.

Alida Hisku (këngëtare)

Bashkëjetesa s’ka asgjë të keqe, përkundrazi bën që njeriu me të cilin  do të lidhësh jetën të njihet më mirë. Unë jam martuar në Gjermani dhe kam aq vite që jetoj këtu sa kam pas dhe në Shqipëri. Pikërisht këtu ku jetoj, bashkëjetesa është shumë normale. Madje do të thosha që bashkëjetesa është shumë e përhapur. Ne jemi një vend pak tradicional, të lidhur me konservatorizmin, ku bashkëjetesa sidomos në zonat rurale na duket tabu, por në fakt nuk duhet të jetë ashtu. Bashkëjetesa në vendet me demokraci është e lashtë.

Vitore Leka (poete)

Unë jam 65 e kusur vjeç, por me thënë të drejtën bashkëjetesa është zgjidhja më e mirë për çiftet e reja. N.q.s do shikojmë divorcet e shumta sidomos në Tiranë, janë pjesë edhe e asaj mosnjohje mes të rinjve. Bashkëjetesa sot është një proces i domosdoshëm për kohën që jetojmë, pasi njohjet e imta në përditshmëri nuk mund të realizohen, ndaj them që është koha më e mirë për tu njohur. Kam vite që jetoj në Itali dhe shumë të rinj bashkëjetojnë.  Tradita mbetet traditë, por dhe koha mbetet kohë.

Ema Koja stiliste

Tani besoj se pranoj....dhe pse jam shqiptare dhe mundohemi të hiqemi ende tradicional. Për këtë fjalë nuk e them të evidentohem.  Sot me gjithë zemër besoj që ne jemi një racë shume speciale, të zgjuar e të talentuar, të bukur e të fuqishëm. Unë besoj që kësaj here “Ditë të mira paskëtaj vijnë” me të vërtetë për kombin tonë. Ndaj se mohoj atdheun tim.

Frederik Ndoci-këngëtar

Për mua të dija janë njëlloj. Secili bën si ndihet më mirë. Gjithashtu mund të them se secila mënyrë jetese ka të mirat dhe të këqijat e saj. Nuk mund të quash asnjërën perfekte. Në Shqipëri ende ruhet tradicionalja ku martesa është thelbi i jetës së një dashurie. Prindërit e quajnë lehtësim shpirtëror n.q.s vajza e tyre martohet. Martesat janë gëzimet më të mëdha në jetën e një familjeje tradicionale. Thuhet se sot lidhjet me bashkëjetesë janë më pak të qëndrueshme, pasi duke mos pasur përgjegjësinë e martesës edhe lejohet gabimi, por nga ana tjetër martesat sot kanë momente që nuk bëhen me dashuri, por dhe me mblesëri. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Vetë them që njeriu të bëjë çfarë i do zemra. Nuk jap receta fikse. Të bëhet ajo që mund të sjellë lumturi.

Ilia Terpini

Unë jam për lidhjet tradicionale, jo se jam pak i moshuar, por nuk e di dasmat më japin shumë emocion. Një dasmë është një festë në shtëpi. Kam filmuar qindra dasma. Kam qenë në dasma, ku të rinjtë kanë qenë nga veriu, nga jugu, nga Shqipëria e mesme, nga lindja dhe jam befasuar me gëzimin familjar dhe fisnor. Bashkëjetesa e shmang këtë rit hyjnor, ku tradita përcjell mesazhe respekti të ndërsjellë mes të rinjve por edhe të afërmve të tyre.  Ka emocione, ka  virtyte, ka imazhe, mesazhe dasma. Nuk thotë populli bëmë qejf si në dasmë. Dasma tek ne, dasma tradicionale, është një nga ritet më të vyera, më interesante, më sinjifikative. Kur i sheh të dy të lumtur ata që shkëmbejnë unazat thua me vete, kjo është jeta. Dasma, pra tradicionalja, ka një trashëgimi mijëravjeçare, ndaj mbetet e bukur, ndaj dhe unë e pëlqej më shumë se bashkëjetesa.

Aktorja dhe pedagogia Violeta Banushi (Trebicka)

Bashkëjetesa është një hapi më i mirë që një çift mund të bëjë për t”u njohur më mirë me njëri tjetrin përpara se të zhvilloj një celebrim zyrtar. Nëse bashkëjetesa vazhdon “në infinit” atëherë mendoj se këtu kemi shmangie ndaj përgjegjësive, sepse  e dimë që nëse je i martuar e nëse ti nesër ndahesh ke dhe disa detyrime dhe përgjegjësi që duhet të mbash. Kjo përbën dhe dallimin midis bashkëjetesës dhe martesës. Se në fund të fundit ç’është martesa? Një bashkëjetesë e zyrtarizuar me ligj, ku palët kanë të drejta dhe detyrime.

Violonçelistja, moderatorja, pedagogia Keti Bashhysa

Mendoj se, dashuria nuk mund të përkufizohet dhe të përcaktohet. Dashuria është ndjenjë. Dashuria na bën më të bukur, më të mirë, më të ndjeshëm, më të lirë, më të mençur. Të gjithë duhet të dashurojmë dhe të ndjehemi të dashuruar, ne jemi lindur nga dashuria. Më pëlqen të perifrazoj një shprehje përsa i përket dashurisë në një raport më të ngushtë: “...sa më shumë takohem me ty, aq më shumë më merr malli për ty...”. Dhe ën dashuri më pëlqen bashkëjetesa. Njeriu tërhiqet pas ndjenjës jo pas interesit. Kjo e bën më të bukur jetën, më interesante njohjen, më të ndjeshme kohën e bashkimit.

Sazan Guri-ekologjist

Jam me të renë, jam me bashkëjetesën. Jam me atë që njeriu të njihet ta ambientohet dhe pastaj të lidhet. Bëhet më e pastër dashuria kështu edhe në lidhje me ambientin. Ku ka pastërti, ka dashuri të bukur. Tradita mbetet traditë, por edhe e reja mbetet e re. Jeta ecën para nuk kthehet pas.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: