Miran Sadiku: Konsumi i drogave dhe alkoolit
| E Merkure, 26.06.2013, 07:55 PM |

Konsumi i drogave dhe alkoolit në mesin e nxënësve në Prishtinë

Alarmante: Rritet konsumimi i alkoolit dhe drogave në shkollat e Prishtinës

Në 10 vitet e fundit pas lufte në Kosovë, e veçanërisht në Prishtinë raportohet për rritje të kriminalitetit, dhunës si dhe të konsumit të drogave në mesin e fëmijëve dhe të rinjve

Nga Dr. Miran Sadiku

26 Qershori  njihet si dita ndërkombëtare kundër konsumit të drogave dhe tregtisë me të.

Nëse para shumë vitesh konsumi i drogave përbente problem për shoqëritë perëndimore, sot me këtë dukuri ballafaqohet pothuajse çdo shoqëri. Edhe Kosova si vendi me popullsi më të re në  rajon dhe Europë nuk është kursyer nga ky fenomen.

Sipas organizatës së Kombeve të Bashkuara, përkatësisht zyrës për luftimin kundër kriminalitetit dhe drogave, në gjithë planetin tonë raportohet për më shumë se 200 milion njerëz, të cilët janë të varur nga Droga.

Më poshtë do prezantohen disa rezultate nga studimi empirik mbi kushtet sociale të nxënësve në Prishtinë me fokus të  veçantë, “konsumi i drogave ilegale në mesin e nxënësve në Prishtinë”. Studimi është realizuar në vitin 2008 në shkollat e mesme të Prishtinës. Mosha e nxënësve ka qenë nga 15 deri në 19 vjeç. Gjithsej janë intervistuar 535 nxënës.

Ndryshimi i kushteve jetësore paraqet ndikim (përcaktues) të dukshëm mbi sjelljet e të rinjve. Korniza shoqërore dhe kushtet sociale individuale  mund të  shikohen si shkaktar të   rizikëve të ndryshëm, po ashtu edhe si shanse për jetësimin e qëllimeve jetësore në moshën e rinis.  Çka do të thotë, se ka të rinj, të cilët për shkak të kushteve të tyre jetësore përballen më me pak  faktor stresues, si dhe të rinj, të cilët më shpesh ju duhet të konfrontohen me to dhe  pastaj në mas të madhe karshi këtyre vështirësive në fazën problematike reagojnë me sjellje deviante apo me mënyra, të cilat e venë në rrezik jetën e tyre. (Engel/ Hurrelmann)

Posaçërisht në 10 vitet e fundit pas lufte në Kosovë, e veçanërisht në Prishtinë raportohet për rritje të kriminalitetit, dhunës si dhe të konsumit të drogave në mesin e fëmijëve dhe të rinjve. Në shkollat kosovare këto dukuri tashme janë prezentë.

Newcomb/Bentler 1986 dhe sipas (Engel/ Hurrelmann 1994: 25) numërojnë një numër të faktorëve, të cilët shpien në konsumin për herë të parë të drogave, si p.sh. ndikimi i moshatarëve, statusi social- ekonomik, ndikimet familjare, kushtet e sociale, ndryshimet e arsimimit, ndryshimet psikologjike, dispozitat e sjelljes, gjendja emocionale si dhe predikatoret psikologjik.

Nëse vështrohen sjelljet e kohës së lirë në kuadër të Delinkuencës mund të konstatohet ( sipas një studimi (1999) të realizuar mbi (Soziale Lebenslagen und Delinquenz von Jugendlichen), se Delikuenca nuk mund të konsiderohet si një proces i izoluar tek të rinjtë, mirëpo i varur nga ajo, nëse një i ri, i përket apo jo një klike të caktuar, e cila karakterizohet me thyerjen e normave të caktuara (vgl. Oberwittler  2001: 65).

E përmbledhur shkurt, gjatë kalimit në fazën e rritur, të rinjtë ballafaqohen me faza tjera zhvillimore personale si p.sh largimi nga prindërit, ndërtimi i një lidhje partneriteti si dhe ndërtimi i personalitetit (Bender 2004: 12).

Këto kërkesa përcillen shpesh herë me ngarkesë të shtuar. Drogat apo konsumi i alkoolit mundë të shihen në këto raste si mjet ndihmës, pasi që ato përmbushin funksione të ndryshme, të cilat janë të ndërlidhura me kapërcimin e fazave zhvillimore (Oberwittler 2001).

Konsumi i drogave mund të jetë një mjet i shpejt dhe efektiv, nëse  nuk janë të disponueshme mundësi tjera të  kontrollit (vgl. Friedrichs 2002: 64).

Konsumi i Alkoolit (49% e nxënësve të Prishtinës konsumojnë alkool)

Alkooli vlerësohet nga nxënësit  jo aq i rrezikshëm sa drogat. Sipas konsumit aktual (12 muajt e fundit) konstatohet, që 49% e të gjithë të anketuarve konsumojnë alkool, kurse, nëse bëhet fjalë për frekuencën e konsumit të alkoolit, bie në sy, numri i pakët i nxënësve, të cilët konsumojnë alkool, disa herë në javë.

Më së shpeshti konsumohet Birrë (43,9%). Në përgjithësi djemtë konsumojnë më shumë se sa vajzat. Në bazë të korrelacioneve bivariate mund të konstatohet me sa vijon:

Së pari nuk ekziston ndonjë dallim i ndjeshëm në mes të nxënësve nga zona rurale dhe urbane, që ndjekin shkollën në Prishtinë. Çka do të thotë, alkooli konsumohet në mas të njëjtë si ne zona urbane po ashtu edhe rurale.

Tendenca për konsum të pijeve alkoolike më të rënda ndërlidhet me moshën, pra Birra dhe pijet e përziera më shumë përdorën nga nxënësit më të ri dhe vajzat.

Alkooli konsumohet zakonisht për ta larguar stresin apo thjesht për kënaqësi, kryesisht kur nxënësit janë së bashku me bashkëmoshatar. Konsumohet sidomos nga të rinjtë, të cilët më shumë janë pjesë e një grupi problematik bashkëmoshatarësh. E njëjta vlen edhe për nxënësit, të cilët janë anëtar të një OJQ apo Shoqate.

Shumë nga të rinjtë e kanë të vështirë ta refuzojnë alkoolin, kur ata ndodhen me shoqëri duke festuar apo kremtuar.

Nxënësit, të cilët ndjekin kurse fetare apo janë pjesëtar të shoqatave fetare, raportojnë që brenda 12 muajve të fundit shumë më pak ose aspak nuk konsumojnë alkool. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se këta shkollar nuk kanë konsumuar asnjëherë alkool. Në mesin e tyre kishte edhe nxënës, që kishin provuar alkoolin apo edhe e kishin konsumuar alkoolin më herët.

Sipas analizës së regresionit rezultonte, se konsumi i alkoolit tek nxënësit ndikohet fuqishëm nga tensionet sociale. Nga kjo mund të përfundohet, që konsumi i alkoolit ka një varshmëri me gjendjen sociale, përkatësisht me gjendjen ekonomike të familjes.

Në Prishtinë ka familje të pasura ( natyrisht shumë pak sosh) në krahasim me familjet e varfra. Për një familje me të ardhura mesatare shumë rrallë mund të bëhet fjalë, pasi që edhe kuota e papunësisë është shumë e madhe. Për këtë edhe dallimet në mes të familjeve përkatësisht në mes të nxënësve në aspektin ekonomik janë të mëdha.

Sa më i theksuar bëhet ky dallim, përkatësisht ky presion ( tension social), aq më shumë jepen nxënësit në konsum. Shkollarët, të cilët janë pjesëtarë të një grupi (problematikë) të përbërë nga moshatarë, raportojnë më shpesh për probleme me nxënës të tjerë apo me grupe të tjera. E njëjta ndodh edhe me prindërit e tyre. Këta nxënës zakonisht edhe në shkollë nuk kanë rezultate të mira. Kjo është shpesh herë edhe arsyeja, se pse në mes tyre dhe prindërve vjen deri tek zënkat (Brown/ Huang 1995).

Qasje tek alkooli dhe tek cigaret mund të kenë të gjithë nxënësit, pasi që ligji për konsum për të rinjtë nuk zbatohet. Nxënësit mund ta sigurojnë alkoolin çdo kohë, përkatësisht ta blejnë.

Konsumi i Drogave (Motivi: pakënaqësia me prind, shkollë, mungesa e aktiviteteve të lira)

Sipas të dhënave të studimit, mund të thuhet, se substancat ilegale në masë të madhe janë të njohura për nxënësit, në përjashtim të Speed dhe LSD, për të cilat vetëm një e treta e kishin dëgjuar. Për tu përmendur është fakti, se 24% të nxënësve  ju është ofruar Marihuana. Së paku rreth 14% e tyre raportojnë të kenë provuar një apo me shumë droga, qoftë kjo edhe për një herë të vetme. Marihuana duket të jetë Droga me e dëshiruar. Mbi 13% e nxënësve gjatë  intervistimit raportuan të kenë marr Marihuan, së paku një herë.

Në përgjithësi ata i vlerësojnë drogat si substanca shumë të rrezikshme. Afër 8% e tyre raportojnë që brenda 12 muajve të fundit, të paktën të kenë konsumuar Marihuan apo lloje të tjera drogash.

Kuota në mesin e djemve është ndjeshëm më e lartë: 12% e tyre  raportojnë për përvoja me droga, përkundër vajzave me vetëm rreth 4%.

Gatishmëria për të provuar drogat është relativisht e madhe (23%). Shkollarët e rinj shprehen më të gatshëm për të provuar një apo më shumë lloje drogash.

Mosha mesatare e nxënësve kur kanë konsumuar Drogë për herë të parë është 17 vjeç. Megjithëse përdorimi i Marihuanës raportohet nga nxënësit me moshë mesatare 16,3 vjeq.

Konsumuesit e drogave kanë dallime në qëndrimet ( motivet) dhe në mjedisin jetësor të tyre në mënyra të shumta, në krahasim me nxënësit të cilët nuk marrin droga. Ata sinjalizojnë një pakënaqshmeri të theksuar me jetën e tyre si dhe me gjendjen shoqërore. Ata shprehin po ashtu një pakënaqshmeri të madhe karshi prindërve, kundrejt shkollës dhe mësimdhënësve. Aktivitetet gjatë kohës se lirë ( si sporti) kanë një domethënie të madhe tek nxënësit që konsumojnë Droga.

Po të përmblidhet rezultati shkurtimisht, bie në sy, që nxënësit nga zonat urbane, ata të cilët përjetojnë tension social, ata që kanë rezultate të dobëta në shkollë, janë pjesëtar të një grupi problematik, shoqërohen me nxënës të cilët e vlerësojnë pozitivisht konsumin e drogave, raportojnë ndjeshëm më shumë konsum drogash, në krahasim me nxënësit të cilët nuk ju takojnë këtyre kategorive.

Autor

Dr. Miran Sadiku

Johannes Kepler Universität Linz

Departamenti për kërkime empirike



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: