Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Sociologen Entela Binjaku, kandidate për deputete e FRD
| E Enjte, 20.06.2013, 08:00 PM |

Intervistë me Sociologen Entela Binjaku, kandidate për deputete e FRD

''Programi i FRD-së është realist dhe gjithëpërfshirës.''

Ekskluzive nga Gëzim Marku

Entela Binjaku është një emër i njohur për lexuesit tanë, sic është i njohur për shumë njerëz në nevojë në mbarë Shqipërinë.

Znj. Binjaku ka mbaruar shkollën e lartë dhe magjistraturën në Bukuresht të Rumanisë, e specializuar në Sociologji dhe Asistence Sociale.

Entela Binjaku është pedagoge në Universitetin e Arteve dhe Universtetin e Tiranës, gjithashtu Drejtuese e Fondacionit Social “Harriet Martineau”.

Hyrja e saj në politikën shqiptare ishte një surprizë për shumë prej nesh, miqve dhe lexuesve të saj. Duke parë mungesën e kohëve të fundit në rradhët tona, si pasojë e angazhimit të saj politik, vendosëm t'i drejtohemi me një intervistë të cilën po e botojmë për kenaqësinë e lexuesve të Zemra Shqiptare.

Znj. Entela, jeni kandidate e Frymës së Re Demokratike me kryetar ish presidentin Bamir Topi. Pse vendosët që të hyni në politikë dhe pse zgjodhët pikërisht FRD?

Deri në shtatorin e vitit të kaluar, politika nuk ka qenë fushë interesi për mua. Kam ndjekur zhvillimet politike si qytetare por aspak me kërshërinë apo fanatizmin për të mos humbur asgjë. Ndërkohë si sociologe apo studiuese e zhvillimeve shoqërore e kisha menduar se duhej të kisha një përvojë të tillë. Për këtë arsye zgjodha të angazhohesha pranë një force politike, në mënyrë që konstatimet t´i kisha të drejtëpërdrejta, dhe përvojën ta prekja nga afër. Në memorjen time të viteve më parë ishte ngulitur se në rrethe studiuesish, konferencash, apo simpoziumeve ndërkombëtare, figura e politikanit që më kishte dhënë më shumë krenari e dinjitet kombëtar ishte ajo e ish-presidentit Topi.

Nga ana tjetër, zgjodha FRD-në edhe sepse më jepte më tepër besim, në dallim nga partitë e tjera të vendit, për të cilat për shumë arsye kisha rezerva dhe pakënaqësi. E zgjodha FRD-në, ndër të tjera edhe për ideologjinë, mentalitetin dhe frymën e re që reflektonte, duke mos mohuar edhe impresionin nga figura të tilla të saj si Gazmend Oketa, Aleksandër Biberaj, Afrim Krasniqi, znj. Edlira Gjoni e kryesisht z. Bamir Topi. Më pas pata fatin të njoh edhe shumë drejtues dhe anëtarë të tjerë të cilët më kanë befasuar për kulturën, dinjitetin, përkushtimin dhe mentalitetin e tyre të ri.

I jam bashkuar kësaj force në të njëjtën ditë që zoti Topi mori drejtimin, dhe që ditën e parë në selinë e FRD-së e ndjeva veten pjesë të ekipit.

Ku është ndryshimi mes FRD dhe PD?

FRD është një forcë e qëndrës së djathtë, e moderacionit, shtëpia e vërtetë e së djathtës. Nuk ka në përbërje të saj aspak figura të dyshimta të së shkuarës komuniste, është tërësisht e ndarë prej asaj të kaluare, dhe ka në program mbështejten ndaj çështjes së pronës dhe kauzës së ish të përndjekurve të regjimit. PD është tashmë një realitet i shkuar, e drejtuar nën presionin e dhunshëm të kryetarit të saj,kauza e të cilit nuk dihet më cila është, për të mos folur edhe për përfshirjen në këtë parti të shumë figurave emblematike të së shkuarës dhe të së majtës tradicionale.

Dallojnë në moral, dallojnë në përbërje, me siguri do të dallojnë dhe në produktin e tyre!

Cilat janë pikat kryesore të programit të partisë Fryma e Re Demokratike?

Programi i FRD-së është realist dhe gjithëpërfshirës. Ai u ndërtua nga 19 departamentet e FRD-së, si frut i punës së e ekspertëve, dhe u miratua në Kuvendin E parë Kombëtar në 30 Prill.

Ai përmban në thelbin e vet angazhimin për një demokraci funksionale dhe shtet të së drejtës, të jetësuar përmes vullnetit për reforma të thella, si dhe përmes ruajtjes, respektimit dhe mbrojtjes së vlerave dhe cilësive më të vyera të shoqërisë shqiptare. Në respekt me Kushtetutën, FRD premton se me politikat dhe reformat që parashikon, do të realizojë dhe do të garantojë të gjitha të drejtat universale të njeriut, shumë prej të cilave kanë qenë e janë ende të cënuara, të kontestuara apo të privuara përgjatë tranzicionit. Në qendër të politikave të FRD janë shtyllat kryesore të platformës së qendrës së djathtë: individi, familja, shteti i së drejtës, prona dhe qeverisja institucionale. Duke vlerësuar se jetës politike dhe institucionale në Shqipëri i mungojnë shumica e këtyre elementëve, FRD prezantohet përpara opinionit publik me një paketë të gjerë reformash institucionale, qëllimi i të cilave është kalimi nga tranzicioni demokratik në fazën e demokracisë së qëndrueshme dhe funksionale.

Si e gjykoni qeverisjen 8-vjeçare të Berishës?

Qeverisja aktuale është një çështje e prekshme për të gjithë. Nuk ka qytetar që nuk mund të flasë për të, pavarësisht përkatësive politike apo interesave të lidhura me politikën. Në këto 8 vite sipas meje vendi nuk ka njohur aspak progresin e premtuar, përkundrazi është ruajtur një status-quo duke mos i dhënë qytetarve një alternativë perëndimore, dhe ku kultura e pandëshkueshmërisë është në modë.

Objektivat për integrimin e vendit nuk u arritën, statusi i vendit kandidat u refuzua sërish, duke mos përmbushur këtë aspiratë të të gjithë shqiptarëve, për të mos folur për rritjen e borxhit të vendit në kufijtë e panjohur më parë, shembulli që politikanët qeverisës i dhanë vendit në këto 8 vite ishte ajo e konfliktualitetit dhe humbjes së konceptit të llogaridhënies. Në rrafshin e çështjeve shoqërore, sot pas 8 vjetësh qeverisje, një qytetar shqiptar nuk ndjehet më i përfshirë, më i mbështetur apo pjesë e politikave sociale të vendit.

Pse vendosët që të mos i bashkoheni njërit prej koaliconeve të mëdha por të përfaqësoheni më vete në zgjedhje?

Përfaqësimi si të vetëm ishte një zgjedhje e kushtëzuar nga rrethanat.

Me parti të së majtës FRD e ndan programi dhe me parti të së djathtës morali politik. Por ajo çfarë kam vënë re në ditët para dhe pas deklarimit si të vetëm, ishin reagimet e mbështetësve tanë, të cilët e mbështetën këtë zgjidhje. Dukej që edhe dëshira e tyre ishte për një përballje të tillë të paangazhuar në një ndonjë koalicion, dhe për këtë jam ndjerë mirë që aleanca me qytetarët kishte funksionuar. Populli kërkonte një frymë të re.

Vihet re që femra vazhdon të mungojë në politikën tonë. Edhe kur vendoset në lista për të ''plotësuar përqindjen'' renditet aty ku nuk fiton dot...

Me kohën, janë bërë disa hapa cilësorë në drejtim të rritjes së përfshirjes të gruas në politikën shqiptare. Kjo ka ardhur edhe si rezultat i rritjes së nivelit arsimor të gruas që ka bërë të mundur edhe zgjerimin e botëkuptimit të saj për rolin në shoqëri, por edhe ka shtuar mundësitë që gratë e shkolluara të japin kontribut në shoqëri edhe përmes politikës.

Tridhjetë përqindshi në lista, i kërkuar kryesisht prej faktorit ndërkombëtar, në legjislacionin e kaluar nuk u përkthye në 30% përfaqësim në parlament, gratë arritën vetëm 16.4% të vendeve në parlament. Të shpresojmë që këtë vit do të kemi rezultate më të mira në këtë drejtim. FRD i është përmbajtur frymës së nevojës për përfaqësim të gruas duke e vendosur në pozicionet e para në listën e saj të përfaqësimit. Në Tiranë p.sh. numri 2 është një grua. E megjithatë të gjithë e kuptojnë që mentaliteti shoqëror ende është frenues, klima politike është agresive dhe terreni politik shqiptar është i ashpër dhe nuk e bën kaq ftuese për gruan. Mentaliteti tradicional shqiptar nuk e ka kuptuar realisht sa e rëndësishme është për shoqërinë që gruaja të përfshihet aktivitisht në politikë. Me intelektin, formimin dhe edukimin, përkushtimin dhe devotshmërinë, sigurisht aspektin femëror do të ndihmojë shumë në zbutjen e klimës politike aktuale.

Sapo përfunduat fushatën, mund të na flisni pak për këtë eksperiencë?

Përvoja e fushatës është ndër më komplekset që mund të kem provuar ndonjëherë në aktivititein tim disa vjecar në fushën shoqërore. Për hir edhe të motos së FRD kontakti me qytetarin ishte udhërrëfyes i aktivitetit të fushatës. Kam njohur shumë më pranë jetën tonë në krahasim me atë që njihja më parë, kam takuar shumë njerëz, kam prekur shumë problematika sociale dhe mendoj se padyshim, politika mund të ndryshojë jetët e tyre. Për këtë nevojitet të ndryshojë kryekëput sistemi, me përparësi  mardhënjet pushtet – shtet. Padyshim edhe kontaktet me ekipin e ish presidentit si një ndër njerëzit më me përvojë në politikën shqiptare, puna pranë tij, më ka dhënë një përvojë të pakrahasueshme dhe të admirueshme për këdo studiues qoftë.

Pse shqiptarët duhet të votojnë Entelën dhe FRD-në?

Fryma e Re Demokratike është një bashkim qytetar vlerash dhe përkushtimi për vendin, njerëzish që synojnë të punojnë për shtetin dhe qytetarët, për ti dhënë fund këtij tranzicioni që vetëm zgjat...

Duke votuar FRD i japim sëbashku vendit një mundesi të munguar, një alterantivë që e meritojmë të gjithë.

FRD tashmë është një dukuri e vërtetë!!!



(Vota: 135 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: