Ndue Ukaj: Karagjozët e mendimit shqiptar
| E Marte, 18.06.2013, 08:52 PM |

Karagjozët e mendimit shqiptar

Nga Ndue Ukaj

Qenies shqiptare, i janë vërsulur karagjozë të shumtë, e me sjelljet e tyre prej palaçove, na kanë bërë gazi i botës. Si palaço që dinë të jenë e të përshtatën kudo, ata duke mos zgjedh mënyra e as mjete për t’i realizuar synimet e tyre shëmtuese, ngjiten shkallëve të karrierës. Gjithë këtë e bëjnë, pa ndonjë përgatitje të shëndoshë kulturor, shkencor a intelektualë, po duke qenë karagjozë e palaço.

Viteve të fundit, e kemi pa e përjetuar sesi kulturës e historisë shqiptare, i janë vërsul karagjozë të brendshëm e të jashtëm. Të brendshëm janë ata të cilët për agjenda personale, janë në gjendje të bëjnë çmos, vetëm e vetëm që t’ju ecë kungulli mbi ujë. Këta karagjozë të brendshëm, për t'i realizuar ambiciet e tyre, shpeshherë të sëmura, zakonisht shkojnë e gjejnë aty këtu edhe ndonjë figurë të jashtme, të çekuilibruar dhe dështak, e me ta mundohen m’i mbush me mend shqiptarët për historinë dhe figurat e tyre.

Këto ditë, kemi parë e lexuar në media dhe rrjete sociale, sesi karagjozë të mendimit dhe politikës shqiptare,  sulmojnë në mënyrë më të pështirë, banale e primitive, figurën themelore të kombit shqiptar, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe s’duan ta kuptojnë se pa atë figurë, rrënohen themelet e kombit shqiptar. Këta karagjozë, si palaço që dinë të jenë, dinë të vërsulen kundër qenies shqiptare, sepse ndjekin agjenda personale sepse  në objektivat e tyre, s’kanë për bazë interesat e përgjithshme të kombit. Prandaj, s’ të habit fakti kur sheh sesi nga kontingjentet e tyre, dalin të tillë karagjozë që sulmojnë edhe Nënë Terezën, para së cilës përkulet e gjithë bota, pa asnjë dallim etnik, racor a fetar. Të tillët e sulmojnë edhe Pjetër Bogdanin, Faik Konicën, Gergj Fishtën, Fan Nolin, e shumë e shumë të tjerë. Këto sulme i bëjnë nganjëherë shqiptarë të shpifur, e ndonjëherë gjinden aty këtu edhe albanologë e historianë të stisur, që ju vijnë në ndihmë këtyre karagjozëve tanë, që kanë vetmëm një qëllim: shkombëtarizimin e shqiptarëve dhe futjen e tyre në një ombrellë religjioze, pa rrënjë kombëtare. Ka disa kategori shqiptarësh që punojnë me shumë zell kundër agjendës europiane të shqiptarë. E këta i hasim kudo jetës shoqërore, mirëpo më së shumti në politikë. Madje, në moçalin e mjerimit, ka disa media që s’përfillin asnjë kriter profesional dhe çdo gjë që u servohet nga jashtë, e marrin si të mirëqenë. Këto ditë, na ka rastisur të lexojmë në portalet e Kosovës, një publicist halabak e mediokër, i quajtur Stephen Schwartz, i cili, në një intervistë e merr nëpër koturu gojë figurën brilante të Ismail Kadaresë, me një gjuhë vulgare e primitiv. Sulmi i tij pa përmbajte, ishte i pështirë, sulm prej sharlatani. Gjuha e pështirë, të bën të kuptosh se një inxhiniering i rrezikshëm, i menduar dhe i orkestruar mirë, në mënyrë kontinuele po e atakon qenien shqiptare dhe identitetin europian të shqiptarëve.  Në këtë kamp, natyrisht ju prish punë më së shumë Ismail Kadare, ky flamurtari i identitetit europian, siç e pat vlerësuar  drejt nga At Zef Pllumi. Këta karagjozë na mbajnë leksione të ulëta dhe na tregojnë si duhet t'i trajtojmë e respektojmë figurat tona kombëtare. Diletantë e mediokra si puna e këtij Stephen Schwartz-it ka me bollëk.

Jeta shqiptare nën këtë tranzicion të stërzgjatur vazhdon të jetë e mjerë, ndërkohë që perspektiva e kombit ende duket e zbehtë, për shkak të një politike egoiste që ndjekin partitë dhe politikanët shqiptarë, që para interesave kombëtare tash e sa vite në tranzicion, kanë vu interesat e tyre egoiste e klienteliste. Maja e ajsbergut në gjithë këtë jetë mjerimi, janë debatet e pështira për identitetin shqiptar dhe vërsuljet e panumërta që i bëhen identitetit europian të shqiptarëve.  Këtu prijnë sidomos disa karagjozë që në mënyrë të paskrupullt, përpiqen të tjetërsojnë të vërtetat për historinë shqiptare dhe për figurat të tij identitare. Populli i rraskapitur s’i kupton mirë krekosjet ogurzeza që i sillen vërdallë, e duan t’ia shartojnë identitetin etnik, për ta farkëtuar një identitet të ri, pa rrënjë, pa kulturë e pa histori.

Kështu si sillemi, duke i ushqyer këta karagjozë, jemi bërë gazi botës, ngase çdo kujt që di dy fjalë shqip, ia marrim mendimet për historinë tonë, për të kaluarën tonë, për kulturën tonë, për figurat tona kombëtare. Kështu i lejojmë të tjerët të tallen me ne dhe me kulturën tonë.

Është koha që shqiptarët të vihen në shërbim të së mirës, të së drejtës. Këtë mund ta bëjnë, vetëm duke e nxjerrë të vërteten historike të bazuar në fakte dhe logjikë shkencore e jo simpati fetare.  Në këtë holli ku jemi katandisur, megjithatë ka elemente shpresëdhënëse, që janë vu në kamp të fuqishëm kundrës së keqes dhe po marshojnë me vetëdije të qartë drejt aspiratave të ligjshme shqiptare, për një shoqëri të lirë, të ushqyer me ndjenja lirie dhe përgjegjësie. Mirëpo, ndaj të keqes, çfarë do qoftë ajo, s’duhet të vërsulet më gërvallej, se kush po e çon zërin më shumë. Kundër të keqes duhet të marshohet me vetëdije e me dashuri për të mirën dhe të vërteten. Kjo bëhet më së miri me qëndrime konsistente.

Ka disa analistë e banalistë, intelektualë e pseudointelektualë, të cilët të mbet në sipërfaqe, s’ hezitojnë të ndërrojnë petkat e tyre intelektuale, të përkulin gjurin para çdo tempulli, vetëm e vetëm që kungulli i tyre të ec mbi ujë. Kështu s’i shërbehet së mirës. Kështu ngrehin krye vetëm karagjozë, që në një moçal mjerimi, të vetmen punë që e bëjnë mirë është zhurma. Është koha për qetësi e reflektime racionale, e jo për zhurmë.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: