Gani Mehmetaj: Kur periferia dikton politikën kombëtare!
| E Hene, 17.06.2013, 11:26 AM |

Kur periferia dikton politikën kombëtare!

Mendësia e shpirtit të skllavit, apo ata që iu shiten djallit, ish- Jugosllavinë e zëvendësuan me Turqinë, kurse nga komunist u bënë islamik të skajshëm.

Nga Gani MEHMETAJ

Kur një hoxhë islamik preku në sedrën e femrave shqiptare, duke i fyer e moralizuar me kutin e mesjetës islamike, reaguan më në fund edhe qarqet zyrtare e publicistike të Kosovës. Kur kolegu i tij –hoxhë i periferisë së Prishtinës para disa vjetësh preku në emrin e figurës më të madhe shqiptare të shekullit XX, pos një grupi intelektualësh, pak kush e ngriti zërin kundër tij. Ai mbajti edhe predikime-udhëzime për burrat kur duhet ta rrahin gruan dhe primitivizma të tjera mjerane, që mendja e shëndosh nuk t’i kap. E paditën në gjyq disa shkrimtarë, por nuk kam informacion për fundin e procesit. Por e di që pas fyerjes ndaj Nenës Terezë nga një hoxhë periferie të varfër, ai u bë i njohur: një seri intervistash vërshuan gazetat tona, ndërsa një ditore prishtinase e angazhoi për analiza politike. Kështu, “eksperti” që i mëson myslimanët kur duhet ta rrahin gruan, tash u jep mend lexuesve shqiptar të Kosovës se si duhet ta mbështesin qeverinë e Erdoganit, se si duhet t’i dënojnë demonstruesit turq, të cilët sipas tij janë cytur nga Perëndimi. Sipas  “analistit politik” me çallme, Perëndimi është ai që nxit trazira në botën islamike, megjithëse ne Perëndimin e kemi aleatin më të fuqishëm dhe shpëtimtarin e kombit.

A e do hoxha Stambollin më shumë se Orhan Pamuku?!

Hoxha i periferisë së varfër pretendon t’u jep mend emrave më të mëdhenj të kulturës turke, ai përpiqet t’i bind lexuesit shqiptar se e do Stambollin më shumë se sa shkrimtari i famshëm turk, Orhan Pamuk që ia ka kushtuar disa romane këtij qyteti. Dhe gazeta prishtinase e boton këtë “nasihat” të hoxhës.

Një hoxhë tjetër në “youtube” u drejtonte shigjeta të helmëta intelektualeve shqiptar pse janë kritikë ndaj Perandorisë Osmane dhe, pse nuk po e quajnë çlirimtare Turqinë, ashtu sikurse këmbëngulin zyrtarët e Ankarasë. Ai nuk fliste si hoxhë, ai fliste si militant mesjetar turk me një urrejtje të çartur kundër shqiptarëve, ai e thoshte atë që po ua kërkojnë zyrtarëve tonë. Askush nuk ia tërhoqi vërejtjen hoxhës, askush nuk i tha se kjo nuk është punë e tij, askush nuk ia bëri me dije se ai xhaminë po e keqpërdorë mizorisht. Qeveritarët dhe opozitarët heshtin, sepse edhe ata po flirtojnë me qarqet turke pro islamike. Prandaj s’pati asnjë reagim të zyrtarëve e të publicistëve.

Sikur të ishin vetëm dy –tre hoxhallarë, as që do t’ia vlente të merreshim me ta, zërat e vetmuar janë pikë uji në shkretëtirë. Mirëpo, ende nuk kam takuar hoxhë që të flas me simpati për SHBA-të, madje shumë prej tyre kanë gjuhë të helmët, të dënueshme sipas ligjeve të shteteve demokratike. Ata flasin kundër shtetit mik si të ishin paguar nga Serbia apo Irani. Ndërkaq  SHBA-të i kemi shpëtimtarët e kombit, SHBA-të e NATO i nxorën nga kthetrat e Serbisë edhe këta hoxhallarë me familjet e tyre. Pse janë kaq mos mirënjohës? Kush i paguan?

Zërat e tillë mercenarë po bëhen gjithnjë e më agresiv. Gazetarët shpirt shitur e “kolumnistët ” e jashtëkohshëm ta kujtojnë vjershën “Përmbi vorr të Kajmekamit” të Filip Shirokës.  Janë kjo kategoria me shpirtin e skllavit, apo më shpirtin e shitur të djalli, të cilët jo shumë kohë më parë ish- Jugosllavinë e propagandonin si shtetin më të mirë në botë. Të njëjtit çirreshin në kupë të qiellit për komunizmin si shpëtimtarë të shqiptarëve. Kur u shpartallua Jugosllavia me të njëjtën aparaturë propaganduese e zëvendësuan Jugosllavinë me Turqinë, ndërsa nga komunizmi më lehtësi të habitshme kaluan në islamizëm militant, madje përpiqen të na bindin se islamizmi i shpëtoi shqiptarët! Por as atëherë dhe as tash nuk e bënë këtë kot. Edhe tash e bëjnë për para.

Është vështirë të kuptohet struktura e cila s’ka asfare interesi material, pos mungesës së identitetit kombëtar, ndërsa përpiqen të gjejnë strehë morale të ish-pushtuesi. Dy qendrat shqiptare ( Tirana e Prishtina) fare s’kanë punuar në ngritjen e vetëdijes kombëtare, që është temë në vete, prandaj edhe hoxhallarët injorantë bëhen faktorë në rrëmujën e Kosovës së pasluftës. Nga periferia e varfër përpiqen të diktojnë politikën dhe strategjinë kombëtare!

Modelet e kombit

Shqipëria dhe Kosova duhet ta kenë model e fanar orientimi Bashkimin Evropian. Çdo përpjekje tjetër është dështim më pasoja të paparashikueshme. Asnjë shtet dhe asnjë asociacion i shteteve nuk mund ta zëvendësoj Bashkimin Evropian, ashtu sikurse që është iluzion, donkishotizëm dhe kriminale t’i shkoj mendja dikujt se miqësinë e përhershme më SHBA-të mund ta zëvendësojmë më Turqinë apo me ndonjë shtet tjetër të lindjes. Lindja po ngulfatet në çrregullimet kaotike, lindja s’mund të merret model për asgjë. Para më shumë se 100 vitesh rilindësit tonë na thoshin se, për ne dielli lind atje ku perëndon.

Në kundërshtim më interesat tona kombëtare strategjike, ka zëra të mykur të cilët thonë se nëse s’do të na pranojë BE-ja, do të futemi nën ombrellën e shteteve islamike! Nuk e thonë këta çakej se Turqia bën përpjekje titanike të futet edhe vet në BE, por BE-ja nuk e pranoi.

Evropa Perëndimore është e gatshme ta pranoj Shqipërinë e Kosovën, (një shtet apo dy shtete, të shohim) po patën mend e sinqeritet elitat shqiptare. Shqipëria është afër, po të mos e pengonte opozita me kaprice! Kosova është ca më larg, sepse ka një veprim kaotik e konfuzion, por po u këndellen pozita dhe opozita, po nuk lakmuan ende bakllavatë e Bosforit, mund të jenë para Maqedonisë. Bëmë shumë gabime në dhjetëvjetëshin e fundit, i toleruam në mënyrë të pafalshme grupimet fundamentaliste islamike, por po u këndellem ende nuk është vonë.

Edhe në planin e strategjisë kombëtare më e përshtatshme për bashkëpunim është Turqia liberale, laike, jo islamike, ndërsa pos presionit të jashtëzakonshëm Turqia islamike s’na e dha ndonjë ndihmë.

Edhe ne sikurse demonstruesit turq kemi arsye të shtrojmë me forcë kërkesën: “Nuk duam xhami, duam shkolla!”



(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: