Halil Matoshi: Soraya, klerikët bastard dhe etika
| E Shtune, 15.06.2013, 12:03 PM |

Mirëmëngjesi Kosovë: Soraya, klerikët bastard dhe etika

Nga Halil Matoshi

Hoxha Irfan Salihu nga Prizreni ka të drejtë të predikojë mbi moralin, pra edhe amoralitetin duke interpretuar Kur’anin – në një shoqëri sekulare, siç është shoqëria kosovare. Qytetari Irfan Salihu nga Prizreni nuk ka të drejtë të fyej e të denigrojë askënd në emër të fesë dhe në emër të asnjë Zoti.

Ekziston një kod obligues islam që njohësit e Kur’anit e interpretojnë si fjalën e Zotit, e sipas të cilit “zinaqaren (laviren) dhe zinaqarin (lavirin) t'i rrahni, secilin prej tyre me nga 100 të rëna”!?

Këtë mesazh e ka dhënë këto ditë përmes një videoje hoxha nga Prizreni Irfan Salihu.

Ai thjeshtë ka thirrur në dhunë!

Një cenim aq i rëndë i grave por edhe burrave ka ndodhur në Kosovë në mileniumin e tretë. Një fyerje kaq e pështirë ndaj vajzave të reja, ndaj rinisë përgjithësisht nuk ka ndodhur së voni as në Iranin e Ahmadinexhadit dhe as në Afrikën nënsharaiane si në Somali etj., ku për çdo vit sipas statistikave reth 150 000 femra bëhen synet pra gjymtohen përjetë.

Ndaj kësaj thirrjeje patetike e të turpshme s’e besoj të mbetët dikush normal indiferent. Secili do të protestojë në mënyrën e tij.

Soraya Manutchehri ka vdekur në vitet 1980, në një fshat të Iranit.

Ka vdekur pasi është futur në dhe në mes e poshtë, kurse nga mesi e sipër i është ekspozuar gjuajtjes me gurë, në emër të Allahut e kinse për tradhti bashkëshortore të supozuar nga dikush e të dëshmuar rrejshëm nga disa të tjerë, sipas traditës islamike!

Freidoune Sahebjam, i biri i një ish ambasadori iranian, ka udhëtuar përgjatë Iranit dhe ka raportuar lajme për krime monstruoze në emër të fesë islame e me verdiktin e një ajatollahu apo një kleriku lokal dhe me bekimin e një familjeje thellësisht injornate!

Një nga krimet e raportuara nga Sahebjam ishte ai për Sorayan.

Gjatë udhëtimit të tij, ai takoi hallen e Sorayas, Zahranë nga e cila incizoi rrëfimin mbi ngjarjen që kishte ndodhur vetëm një ditë më parë.

Para se të vendoste kaseten për incizim, gazetari thotë: ‘’... e pse duhet që të incizoj zërin tënd kur Zëri i femrës nuk çon peshë në këtë shtet?’’.

Zahra përgjigjet: ‘’Dua ta marrësh zërin tim më vete, dua që ta dëgjojë e gjithë Bota.’’

Ky është lajtmotivi i filmit ‘’The Stoning of Soraya M.’’ (Gurimi i Soraya M. bazuar në një ngjarje të vërtetë. Pra filmi është bazuar në librin e gazetarit iraniano-francez Freidoune Sahebjam (1933-2008).

Hoxha Irfan Salihu, me një përgjithësim të paluhatur i ka bërë kurva vajzat dhe gratë e reja shqiptare. Ai do ta nxjerrë tërë këtë duf prej të mallkuari pasi të ketë lexuar një sondazh i cili flet se në Shqipëri 92% e vajzave të shkollës së mesme nuk qenkan virgjine! E Kosova është afër, prandaj sipas predikimit të tij – të gjitha vajzat shqipatre qenkan thjeshtë putane – kurva, sipas gjuhës së shplarë të hoxhës.

Ai duke mbajtur një kinse ligjeratë për moralin e ka cënuar rëndë moralin publik qytetar!

Ai ka bërë thirrje: “Lëshoni gratë kurva lë të mbesin sokaçeve si meçka...” etj. duke lënduar përgjithësisht vajzat dhe gratë e reja kosovare, por edhe shumë djem adoleshent dhe burra të rinj, duke shkelur rëndë thirrjen prej kleriku në një vend sekular.

Ai pos që ka thirrur në dhunë (që është vepër e dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës) ka cënuar rëndë privatësinë - pra fjalori i këtij hoxhe është një synim që të depërtohet në privatësinë e individëve, femra për ta bastisur jetën e tyre dhe për të zbuluar nëse ato vajza dhe gra janë virgjine apo jo dhe për të vendosur pastaj se ku e kanë vendin në shoqëri ato? “Meqkat duhet lënë në sokak” – është përgjigja e Salihut.

Me këtë fjalor janë cenuar rëndë të drejtat elementare të njeriut të te gjithë besimtarëve (xhematit) në atë lutje, i cili, nga sikleti po qeshtte.

Irfan Salihu është hoxhë me profesion dhe si i tillë ai ka të drejtë të interpretojë atë që thuhet në Kur’an edhe për imoralitetin, (arabisht: zina) për virgjinitetin tek femrat e reja dhe për respektin që gëzon “hymeni i ruajtur” deri në martësë të ligjshme në disa kultura tradicionale, pra deri vonë edhe në kulturën shqiptare.

Mirëpo Salihu nuk ka të drejtë të fyej e përdhosë të gjitha femrat shqiptare (dhe ato kosovare) si “kurva dhe meqka” që duhet të lihen sokaçeve, sepse kjo është thirrje për linç publik, kjo mund të cenojë rendin publik, konstitucionin shpirtëror dhe juridik të kësaj shoqërie, jetën dhe shëndetin, si dhe reputacionin shoqëror të shumë femrave të reja që mund të bëhen caqe të lehta sulmesh e etiketimesh, pra ato mund të shndërrohen në viktima të këtyre predikimeve hipokrite.

Ky hoxhë që është bërë i popullarizuar në rrjetet sociale si një Show Man kur flet mbi amoralitetin e femrave shqiptare, ai harron se jo të gjitha femrat shqiptare i përkasin islamit dhe jo të gjitha femrat shqiptare besojnë në mitin e virgjinitetit, që në thelb është një absurd.

Hoxha nga Prizreni në një farë mënyre është shndërruar në “inxhinier të moralit fetar e shoqëror” dhe po kujdestaron mbi moralin publik të grave dhe burrave në një shtet kushtetues-laik, me fatvatë e tij aq të pështira dhe të egra duke e kapërcyer kështu shumëfish etikën e predikuesit fetar, pra duke u shndërruar në njeri përgojues e potencialisht të dhunshëm, të paskrupulla, thjesht në një njeri të rrezikshëm për ambientin mental.

Irfan Salihu e ka përçmuar, fyer dhe denigruar publikun kosovar.

Nëse në "publik" përfshihen njerëzit e feve, etnive dhe kulturave të ndryshme, pra në ‘publik’ përfshihen edhe ateistët, agnostikët dhe fetarët joritualistë ose pasivë, si dhe të painteresuarit për fenë, atëherë ky “inxhinier” i moralit shoqëror e ka ndotur ambientin me fjalë erërënda e me përmbajtje toksike.

Ai vet duhet të jetë moralisht përgjegjës për shkatërrimin e mjedisit mental.

Dilema që shtron miti i virgjinitetit pos një nomosi fetar po shtrohet edhe nga disa filozofë të moralit, ose thënë më mirë, nga disa sociologë etikë.

Shumica e njerëzve në kultura të caktuara, p.sh. në Islam, tek hebrenjtë dhe Hinduizëm, e kanë një fiksim të ngjashëm - duan që partnerja e tyre të jetë e virgjër. Për ta thënë ndryshe, ata nuk duan që individët të kenë marrëdhënie seksuale para-martesore.

Por niveli i kostos sociale dhe privimet njerëzore në islam janë tepër të larta.

Puritanizmi është pretendimi i pafajësisë pa pafajësi dhe kjo pafajësi është e vetmja gjë që mund të fisnikërojë mungesën e arsimimit të gratë dhe burrat në disa kultura, thoshte Friedrich von Schlegel. Ndërsa Simone de Beauvoir thotë se virgjëria femërore nuk është integritet që magjeps njeriun, por admirimi i tij për integritetin është ajo që që bën të çmohet virgjëria.

"Folklori ynë" në lidhje me hymenin – është fundësisht mit dhe mosdije, mosemancipim dhe mosarsimim.

Madje të nxitura nga ky folklor mjedisor dhe nga interpretimet si të Irfan Salihut, shumë gra bien viktima duke iu nënshtruar riparimit kirurgji të cipës së virgjërisë, që luhat integritetin e njeriut.

Ato gra thjeshtë e lëndojnë integritetin personal për t’i kënaqur egot e burrave të tyre.

Etike do të ishte sikur Salihu të jepte opinionin e tij se si të pajtohet liria e zgjedhjes dhe sjellja e lirë individuale me moralin publik dhe si të shmanget dhuna, si të mbijetohen presionet seksuale në shoqëri, si të rehabilitohen viktimat e dhunës etj.

Por ai ka zgjedhur një ligjerim joetik.

Pra ai ka shpifur, si ai kleriku iranian që shpif për Sorayan!

Studjuesja Virginia Haussegger shkrun se virgjëria është ferri i një dhurate, pra virgjëria nuk është kurrfar dhurate, është thjesht një absurd fëmijëror.

Virgjëria merr vëmendje siomos me rritjen e fondamentalizmit islamik - dhe tani Irfan Salihu e vuri përsëri në agjendën kombëtare!?.

Thua se kjo shoqëri e ka të vetmin problem madhor këtë çështje.

Shkrimtarja muslimane dhe ish-deputete holandeze Ayaan Hirsi Ali ishte një nga të parat për të sjellë këtë çështje në vëmendjen tonë me librin e saj ‘Virgin Caged.’

Ajo argumenton se për shumë muslimanë, morali ''e shpreh vetveten përmes një obsesioni me virgjërinë'' dhe se “virgjiniteti është një zotërim i burrave mbi seksualitetin e grave''.

Nderi i familjes dhe i mashkullit qëndron me virtytin e grave të tyre, në virgjërinë e nuseve të tyre. Turpi që sjell humbja e virgjërisë femërore është i pandreqshëm në këto kultura, në qoftë se marrëdhënia ka ndodhur jashtë martese.

Ndërsa sulmi seksual dhe përdhunimi i mundshëm nuk siguron alibi për mbrojtje!?.

Irfan Salihu pos që shan e pështynë nuk ka zgjidhje për këtë kategori!

Hirsi Ali argumenton se një mënyrë e fuqishme dhe efektive për ruajtjen virgjërisë së një vajze brenda islamit radikal është duke i mbajtur gratë ''nën arrest shtëpiak, duke kufizuar rëndë lirinë e tyre të lëvizjes”.

Ky çmim i virgjërisë, gjithashtu ka detyruar disa gra myslimane që të provojnë mënyra të dhimbshme dhe të rrezikshme për t’u shtirur si të virgjëra në natën e tyre të dasmës, vetëm për të kënaqur maninë e familjeve të tyre. Hirsi Ali e ka përshkruar një praktikë të shëmtuar të te rejave që janë detyruar të fusin trupa ose objekte të huaja në organet e tyre gjenitale, për të përmbushur gjakderdhjen dhe për ta dëshmuar sidoqoftë virgjërinë.

Virgjëria nuk është shuma e virtytit e një gruaje. As nuk është kjo dhurata më e madhe e saj. Kjo është një gjë private dhe kalimtare.

Kulturat e ndryshme i sugjerojnë një gruaje që të ''jep'' virgjërinë e saj për dikë si dhuratën më të madhe, që në thelb i sugjerojnë nënshtrimin seksual dhe nënshtrueshmërinë në jetë.

Kjo është skëterra e një dhurate.

Feja, është plot me hipokrizi, veçanërisht rreth seksit.

Ali vëren se virgjëria është e vlerësuar sepse gratë trajtohen si pronë.

Ato janë vlerësuar më pak nëse nuk janë virgjëresha.

Irfan Salihu e krahason një vajzë jo të virgjër me një gomë të përdorur makine!

Aq i paskrupull që është.

Këto kultura primitive si puna e mjedisit kulturor të Irfan Salihut zhvlerësojnë gratë e vjetra, që janë nënat.

“Njeriu blen një gomë të re e të papërdorur për makinën...” - thotë Hoxha.

Kjo është fyerja më e madhe që dikush ndonjëherë i ka bërë gruas ose nënës së tij.

“Që virgjëria do të mendohet si një virtyt dhe jo pengesë që ndan injorancën nga dija, kjo është një bestytni infantile e shpirtit të njeriut” – ka shkruar Voltaire.

Prokuroria e shtetit ex officio do të duhej ta padiste Irfan Salihun dhe ta penalizonte për thirrje në dhunë...

Kështu do të ndodhte në secilin vend ku sundon ligji.


Koha Ditore, 4 qershor, 2013

(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: