Albert Zholi: Polifonia zagorite
| E Marte, 11.06.2013, 06:11 PM |

Polifonia zagorite, mburojë e kulturës tradicionale

Nga Albert ZHOLI

Në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave Shoqata Patriotike, Atdhetare, Kulturore “Zagoria” organizoi promovimin e një CD-je me 25 këngë polifonike të kënduar nga grupi polifonik “Zagoria” me marrëse këngëtaren e mirënjohur Mimoza Kosturi, bijë e denjë e kësaj krahine. Në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm merrnin pjesë akademikë, shkencëtarë, këngëtarë popullorë, kompozitorë, dirigjent, anëtarë të kësaj shoqate me një veprimtari shumë të veçantë, miq e dashamirës të artit. Drejtues i këtij aktiviteti ishte Akademiku Jorgo Bulo, një ndër gjuhëtarët më të spikatur shqiptar. Ndërsa si një rast i veçantë nderimi ishte pjesëmarrja e Prof. Agron Fico, i cili në fjalën e tij u shpreh se është ndër më të nderuarit në këtë aktivitet për shumë arsye. E para se miqtë e tij më të ngushtë janë nga Zagoria, por dhe se Gjirokastra dhe Zagoria janë pjesë e një kulture dhe tradite në historinë e Shqipërisë. Në fjalën e tij poeti popullor i mirënjohuri Lefter Çipa, theksoi se, kënga polifonike është si fosforin, ajo ndriçon në çdo kohë dhe mban të ndezur patriotizmin e pastër të pa trazuar me asnjë ndjenjë tjetër. Akademiku Vaso Tole bëri një pasqyrë të veçantë të polifonisë Zagorite duke e cilësuar atë të bukur, specifike dhe me ngjyrime të spikatura. Me interes u prit dhe fjala e Kryetarit të Akademisë së Shkencave z. Gudar Beqiraj, i cili shprehu konsideratat më të mira për këtë CD, duke theksuar se, zagoritët janë njerëz me kulturë dhe me dije të gjerë, patriotë, pasi dhe një nga pedagogët e tij ka qenë nga kjo krahinë, ku ai prej tij ka mësuar shumë gjëra. Diskutantë të ndryshëm në këtë aktivitet shprehën idetë, mendimet, kërkesat e tyre për këngët polifonike zagorite e cila dhe pse bën pjesë në të ashtuquajturën këngë labe, ka një timbër të veçantë që mund të dallohet nga çdo specialist i mirëfilltë. Efgjen Peri, mësuesi 82-vjeçar, njeriu enciklopedi i Zagorisë, që i ka pasur nxënës të gjithë të pranishmit në atë sallë, solli pranë të pranishmëve tekste të ndryshme këngësh polifonike, që askush nuk i dinte. Ai me një kujtesë fenomenale, e cilësoi këngën polifonike zagorite si një perlë delikate që duhet ruajtur me kujdes pasi brenda ka një histori të madhe. Shkrimtari Pirro Loli midis të tjerave tha se vetëm kënga polifonike është mburoja më e mirë, e kulturës së kësaj krahine, e cila duhet ruajtur si një thesar i rrallë. Pa këtë mburojë (pra këngën polifonike), kultura zagorite do ishte e pambrojtur dhe në betejat e kohës do të asgjësohej lehtë. Vetë këngëtarja Mimoza Kosturi e quajti nderin më të madh që i është bërë asaj me këtë aktivitet, duke shprehur se pa shoqatën “Zagoria” edhe rezultatet e saj nuk do kishin këto përmasa. Ajo falënderoi në mënyrë të veçantë drejtuesit e shoqatës, Akademinë e Shkencave, që organizuan një aktivitet të tillë në shërbim të këngës së bukur polifonike që është shpallur Monument i mbrojtur nga UNESCO. Ajo përgëzoi dhe të gjithë grupin zagorit të polifonisë që me përkushtimin, profesionalizmin, e ndihmuan dhe ishin promotorët për realizmin e këtij albumi kaq të veçantë. Në fund, kryetari i shoqatës “Zagoria” z. Andon Pango, falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen, duke e vënë theksin se shoqata që ai drejton, do të jetë gjithmonë aktive në ruajtjen dhe përhapjen e vlerave kulturore si një mision i veçantë intelektual dhe patriotik. Sipas tij, vetëm me aktivitete të këtij lloji, vetëm me të tilla këngë, që janë thesare të folklorit shqiptar, kultura shqiptare do të përparojë dhe vendin që zë polifonia shqiptare në kulturën botërore do të justifikohet plotësisht, pasi kudo që këndohet ajo ka ngritur në këmbë platetë e të gjithë botës. Polifonia shqiptare, sikundër dhe ajo zagorite do të mbetet një thesar, një visar i rrallë që Shqipëria do të krenohet, por dhe do të motivohet në shekuj.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: