Indrit Fortuzi, goleadori që dominoi për gati dy dekada
| E Enjte, 15.05.2008, 07:35 PM |

Indrit Fortuzi
Vështirë që, atij burri paksa të thinjur, teksa po largohej nga kompleksi sportiv “Dinamo”, ku kishte lënë të birin 14 vjeçar të luante me top në atë fushë shtufi me një grup moshatarësh (nën drejtimin e Artur Krantjes, të cilit duke përfituar nga njohja i kishte kërkuar t’i plotësonte dëshirën e djalit), t’i ketë shkuar nëpër mend që futbollit shqiptar shumë shpejt do t’i vinte një sulmues i shkëlqyer, i cili falë virtuozitetit do ta shndërronte këtë sport magjik në spektakël. Veçse, personi në fjalë, zooteknik i lartë në profesion, i quajtur Shaban Fortuzi, nuk e kishte marrë rrugën për atje thjesht për plotësimin një kapriçioje të të birit, Indritit, të cilit që së vogli me përkëdheli i thirrnin “Zogu”, por edhe ngaqë kishte konstatuar se atij, veçmas dëshirës e pasionit për t’u marrë me futboll, nuk i mungonte prirja. Pa harruar se, në krijimin e atij talenti, që mori rrugë atë pasdite të largët shtatori të vitit 1987, kishin ndikuar jo pak faktorë, pa thënë edhe genetikë të familjes. Fisi i njohur tiranas, Fortuzi, falë ekzistencës të të cilit rruga kishte marrë të njëjtin emër (sot quhet “Asim Vokshi”), për nga shumëllojshmëria e sportistëve në shumë disiplina, gjason me një “maternitet” të sportit. Dhe me të drejtë, në të dy krahët e përzgjatimit të saj, nëpër sheshet mes rrugicave, që derdhen tek ajo, në oborret e shkollave “Hasan Vogli” (bëhet fjalë për shkollën e vjetër në rrugën “Sulejman Pasha”), “10 Korriku” (sot “Sinan Tafaj”), gjimnazi “Sami Frashëri” (në sheshin ku është ndërtuar ka qenë parku sportiv “Spartak”), “Lidhja e Prizrenit”, “Migjeni” etj, u kultivuan ndër vite me dhjetra sportistë cilësorë, mes të cilëve shumë futbollistë. Vetëm ekipit kombëtar, rruga e “Fortuzit” i ka dhënë pesë. Dhe bëhet fjalë për yje. Nuk është e tepërt të etiketohen kështu emrat sugjestionues: Skënder Halili, Panajot Pano, Gani Merja, Blendi Nallbani dhe Indrit Fortuzi. Një “konstelacion” i vërtetë. Vezullues. Dhe i tillë do të mbetet përjetësisht në hapësirën qiellore të yllësisë së futbollit shqiptar.

Kanë kaluar njëzet e një vite nga ajo ditë, kur djaloshi 14?vjeçar “mbeti” në atë fushë tërë pluhur. Ndërkohë që, në këtë hark kohor, “Zogu” ka përshkuar një “trajektore” të vezullueshme mbushur e tëra me shtatëmbëdhjetë vite futbolli të cilësisë së lartë, të cilin në mënyrë të padiskutueshme brezi, që pati fatin ta përjetojë do ua përcjellë pasardhësve, pse jo, si një legjendë.

...

Edhe pse familja Fortuzi, pinjoll i së cilës ishte Indriti, njihej në Tiranë si familje futbollistësh dy xhaxhallarët e tij, Ismaili (Moja) dhe Agroni, kishin veshur fanellën e Tiranës ? ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë, futbollin Indriti e ka filluar vonë. “Faktikisht kështu ka ndodhur; ? thotë ai ? isha në vitin e parë të gjimnazit te “P.N.Luarasi”, kur jam inkuadruar në ekipin e të paratërinjve të Dinamos me trajner Artur Krantjen. Ndodhi kështu ngaqë në shkollën “7 Marsi” ku unë kam kryer tetëvjeçaren, klasat sportive ishin specializuar për volejboll. Gjatë orës së mësimit të fizkulturës, sa herë më jepej rasti, xhongloja me topin e volejbollit. Shpesh herë, mësuesi më tërhiqte vëmendjen, por gjithsesi unë e kisha mendjen vetëm tek futbolli. Një zgjim i vonshëm vërtet, por mua më tundonte fort. Në mësime isha nxënës i shkëlqyer, kështu që kur mbarova tetëvjeçaren, edhe pse në atë kohë të gjithë bashkëmoshatarët ngulmonin të bënin shkollën e mesme të mjeshtrisë sportive, prindët më sugjeruan që do të qe më mirë të vazhdoja gjimnazin, pas përfundimit të të cilit do të më jepej mundësia të vazhdoja studimet në një fakultet më autoritar. Por, veçmas kësaj, im atë duke parë pasionin dhe talentin tim në futboll, më premtoi se do të bënte të pamundurën të më ingranonte në një ekip futbolli. Dhe kështu ndodhi. Ai kishte njohje me Xhorxhi Pukën, ish?futbollist i Dinamos, në atë kohë trajner i të rinjve të Dinamos. Dhe kështu, një ditë me tim atë shkuam tek klubi Dinamo dhe mua më çuan tek ekipi i paratërinjve, që stërvitej nga Artur Krantja”.

...

“Nuk do të harroj kurrë atë ditë, kur kam zhvilluar seancën e parë stërvitore. Isha i lodhur, por i kënaqur, ngaqë kisha mësuar gjëra të reja dhe kisha nisur të kuptoja që rruga për t’u bërë futbollist nuk do të ishte aq e lehtë. Dhe pikërisht, sepse arrita ta kuptoj shpejt këtë gjë, i dhashë “urdhër” vetes që të sakrifikoja. Ndaj iu përkushtova me gjithë forcën e pasionit tim këtij sporti të magjishëm. Kam sakrifikuar vërtet: më duhej të ngrihesha herët në mëngjes, të bëhesha gati për në shkollë, vendndodhja e së cilës ishte në skajin tjetër të Tiranës; pas 6 orë mësimi shkoja në stërvitje tek kompleksi “Dinamo”, më pas sërish në lagje luaja futboll me shokët. Luaja aq shumë, sa në një periudhë pata rënie në mësime. Por, gjithsesi gjërat u normalizuan sërish dhe kur nisa vitin e tretë të gjinmazit e ndieva se kisha misur të ecja në futboll, pra kisha një lloj perspektive. Ndërkohë luaja rregullisht me ekipin e të rinjve dhe qe trajneri Bejkush Birçe, që më afroi tek ekipi i parë i Dinamos. Pa thënë që më parë ai kishte mundësuar për mua, si lojtar i talentuar, trajtimin në ekipin e parë”.

...

Ka një herë të parë. Ka ndodhur në vitin 1990 në finalen e Kupës së Shqipërisë, midis Dinamos e Flamurtarit. “Nuk kam se si ta harroj atë ditë, ? thotë Indriti ? ishte hera e parë që zija vend në pankinën e “Qemal Stafës”, nën peshën e një numri rekord shikuesish. Nuk i kisha mbushur ende 17 vjeç dhe isha në përbërje të një skuadre ku luanin emra të njohur si: Demollari, Canaj, Bozhiqi, Briza etj. U luajt një finale vërtet dramatike. Edhe pas shtesave, rezultati mbeti i barabartë 1?1. Pas 11?metërshave, Dinamo bëri të sajën trofeun e dymbëdhjetë të Kupës së Shqipërisë. Nuk e harroj atë ndeshje, sepse pas saj u bëra pjesë e ekipit të parë dhe vetëm pak kohë më vonë, më 7 nëntor të atij viti, pra vetëm pak ditë para se të festoja 17? vjetorin e ditëlindjes, kam zbritur për herë të parë në fushë që nga minuta e parë, në takimin Dinamo?Tirana (1?1). Kështu nisi rruga ime sportive, ndërkohë që ekipi i Dinamos, pasi fitoi titullin kampion në sezonin 1989?1990 nën drejtimin e Bejkush Birçes, kaloi në dia trajnerë: Vasillaq Zëri, Neptun Bajko e Faruk Sejdini.

...

Në vitin 1991, ngaqë Sulejman Demollari kishte kaluar tek Dinamo e Bukureshtit, Dinamo e Tiranës u ftua për një takim miqësor me këtë skuadër në Bukuresht. “Në atë ndeshje, ? tregon Indriti ? kam shënuar golin tim të parë ndaj një skuadre të huaj. Nuk e harroj kurrë, jo sepse shënova unë, por faktikisht ka qenë një gol shumë i bukur, nga ata që në karrierën time njihen tipikë. Brënda zonës, pasi e zotërova topin, kam depërtuar mes mbrojtësve dhe në çastin që jam shfaqur përballë portierit kam shënuar”

...

Në verën e vitit 1993, vetëm pak kohë pasi kishte përfunduar kampionati, fituar nga Partizani, Indrit Fortuzi, ende pa mbushur njëzet vjeç gjendet i grumbulluar me ekipin kombëtar në hotel “Apolonia” në plazhin e Durrësit. “Aty, ? tregon ai ? kanë ardhur enkas nga Tirana, Skënder Hyka, sekretari i FK Tirana në atë kohë, dhe trajneri Fatmir Frashëri, që sapo kishte marrë “timonin” e skuadrës bardheblu. Më kanë takuar dhe kanë qëndruar gjatë me mua. Përfundimisht, në atë takim u dhashë fjalën se atë sezon do të shkoja tek Tirana, tek e cila ishte zgjedhur president Metush Seferi. Kështu e ndava mendjen të luaja tek Tirana, skuadra e qytetit tim, edhe pse prej kohësh drejtuesit e Partizanit, që në atë kohë klubi më i fuqishëm, ngaqë financohej nga italiani De Simone dhe trajner kishte Sulejman Starovën, këmbëngulnin të më kishin në radhët e tyre. Dinamo e asaj kohe kishte mbetur pa financë, madje ky qe edhe shkaku kryesor që prej saj u larguan të gjithë lojtarët. Bashkë me mua, te Tirana erdhën edhe Sokol Prenga, Afrim Tole, Saimir Malko e Nordik Ruhi”.

Dhe vjen një ditë...

Natyrisht që kjo ditë, aspak e dëshirueshme, vjen me dhembje. Madje, me shumë dhembje. Edhe pse mundohesh të ruash ekuilibrin e duhur, kur sheh se pas kësaj dite nuk do të jesh më mes gjelbërimit të këtij katërkëndëshi gjigand dybrinjënjishëm, mes të cilit është një top, dhe drejt tij je vërsulur me mijëra herë, për ta bërë “zap” me këmbët e tua e për ta dërguar në rrjetën një prej portave vendosuar në dy ekstremet e fushës, teksa i ke ngazëllyer pafundësisht shikuesit në shkallët e stadiumit, ndien në brëndësi një cimbim. Por, kur gjykon se në çastin e duhur ke marrë vendimin e duhur, natyrshëm gjithçka shkon siç duhet dhe aty ku duhet.

Indrit, e di që pas këtij çasti nuk do të kesh të lehtë?

Sigurisht, ditët e javët e para, pa thënë ndoshta dhe një muaj. Them kështu, sepse do të vijë koha e drekës, orari i stërvitjes, përgatitja. Prishet steriotipia...

Të duket e pabesueshme?

Absolutisht, po. Madje, do të ndiesh edhe dhembje. Janë shumë vite të një jete intensive, mbushur plot me mbresa e emocione. Një lëvizje e vazhdueshme, të cilën, pas një vendimi vetiak, je i detyruar ta ndalësh. Gjithsesi, jam i përgatitur shpirtërisht dhe shpresoj shumë që të arrij ta amortizoj mirë këtë situatë, si në stopimin e një topi ardhur nga larg.

Ç’ju ka mbetur peng?

E kam thënë në konferencën për shtyp, ngritja edhe e një trofeu.

Pas kësaj?

Do të pushoj ca kohë, më pas do të vendos për të ardhmen time.

Presidentët - “Ndaj të gjithëve ruaj respekt ? thekson Indriti ? duke filluar nga Metush Seferi, El Sajedi, katër donatorët e tanishëm të Tiranës: Shefikat Ngjela, Agron Papuli Avni Nuri e Refik Halili, sepse i janë përkushtuar dhe kanë bërë shumë për futbollin. Më vjen keq që, ata financojnë jashtëzakonisht, por përfitimi i tyre është ende shumë i paktë”.

Për çfarë ka nevojë Tirana? - “Mbi të gjitha, në këto çaste kur stina futbollistike po bëhet gati të ulë siparin, Tirana ka nevojë për qetësi dhe vetëm për qetësi. Nëse arrihet që ajo të vendoset e plotë, rregullimi i gjërave më pas do të jetë më i lehtë”

Baba Indriti për Rajanin dyvjeçar - “Natyrisht, ? thotë ai ? do të kisha shumë dëshirë të bëhej futbollist. Por, kurrsesi nuk do t’ia imponoja. Nëse e zgjedh vetë, do ta nxis e udhëzoj për të patur ecuri sa më të mirë”.

Trajnerët shqiptarë - Eshtë shumë e gjatë lisrta e trajnerëve, që kanë punuar me Indritin. Madje, edhe ai vetë, kur nis e u rendit emrat, me dëshirën e mirë për t’i përmendur të gjithë, fillimisht kërkon falje nëse do të harrojë ndonjërin. “Kam nisur me Artur Krantjen, ? thotë ai,? i cili sot është drejtor i shkollës së mjeshtrisë së futbollit “Loro Boriçi”, më pas me Xhorxhi Pukën, Bejkush Birçen, Neptun Bajkon, Faruk Sejdinin; kam vazhduar te Tirana me Fatmir Frashërin, Shkëlqim Muçën, Enver Shehun, Ali Memën, Sulejman Memën, Sulejman Starovën dhe Astrit Hafizin.

Trajnerët e huaj - Gjatë karrierës, “Zogu”, si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë, ka punuar me trajnerë nga vende të ndryshme të botës. “Janë të shumtë, ? thotë ai ? dhe e kam të vështirë t’i kujtoj të gjithë me emra. Kanë qenë grekë, austriakë, holandezë, serbë, gjermanë. Kurse tek Tirana kam punuar me hungarezin Miklosh Temeshvari dhe boshnjakun Enver Haxhiabdiç. Por, unë do të veçoja Temeshvarin, sepse ishte pikërisht ai që vuri bazat e profesionizmit të vërtetë në futbollin shqiptar. Rregulli, disiplina e respektimi i të gjithë orareve e normave, si në stërvitje, në ndeshje dhe në kohën e lirë u futën tek ne falë këmbënguljes së hungarezit. Ishte një punë, që nuk i takonte atij ta bënte, por kur pa që puna çalonte pikërisht aty, ngulmoi dhe ia arriti”.

Mbrojtësi, që e ka kënaqur - “Në mënyrë të padiskutueshme, Ilir Shulku, thotë Fortuzi, jo vetëm sepse bëhej fjalë për takimet derbi me Partizanin, por mbi të gjitha ishte mbrojtësi, që nuk dinte të të ndërhynte kurrë rëndë. Gjithmonë mes nesh kemi rivalizuar burrërisht dhe ndershëm”.

Portieri i “vështirë” - “U kam shënuar shumë portierëve thotë “Zogu” por në katërkëndorin e ruajtur nga Ilion Lika i Dinamos, në atë kohë dhe këtë sezon i Elbasanit, e kam patur gjithnjë shumë të vështirë për ta dërguar topin në rrjetë”.

Ndeshja e paharruar - “Nuk është një, ? thotë Indriti ? janë dy. Me Fandok të Bjellorusisë në vitin 1994, edicionin e Kupën së Kupave të Europës, kur kam shënuar golin e tretë, atë të nokautit për bjellorusët në minutën e tretë shtesë. Tirana fitoi 3?0 (tripletë e Fortuzit) dhe kaloi në turin tjetër tjetër ngaqë ndeshjen e parë e pati humbur 1?4. Dhe më 2003 në Champions League, ndaj Dinamos së Tbilisit ? pas gjuajtjeve të penalltive kaluam në turin tjetër ? kam shënuar golin e dytë në atë ndeshje deçizive”.

Tifozët - Indrit Fortuzi e ka tejet të vështirë t’i radhisë të gjithë. “Po kurrsesi ? thotë ai ? nuk mund të lë papërmendur Eros Vokopolën, plakun e urtë, njeriun e mirë e fjalëpak por, me zemër të madhe e shumë dashuri për skuadrën e Tiranës, së cilës nuk i ndahet në stërvitje e në ndeshje, në Tiranë e nëpër rrethe. Po kështu edhe “ultrasët”: Metin, Nardin, Ilirin, Bajramin, Ardin, Gentin etj; “Fanatics”? it”: Rezarin, Erlin, Benin, Edvinin, Erblinin, Blendin etj”.

Shokët më të ngushtë - Sokol Bulku, ose Lakja, siç e thërret gjithnjë ai, sot futbollist i Kastriotit të Krujës. Në të gjithë udhëtimet kur Bulku i vogël luante me Tiranën, si brenda, ashtu edhe jashtë shtetit, nëpër hotele do të ishin të dy në një dhomë. Takimet me të i ka të përditshme.

Krenar Alimehmeti, ose Nari, aktualisht trajner i Elbasanit. Para dy sezonesh kur Alimehmeti drejtonte Tiranën, në një ndeshje kampionati që kishin me Skënderbeun e Korçës, Indriti udhëtoi enkas që nga Selaniku me autoveturën e tij për ta takuar.

Rituali - Te “My baby”, një nga lokalet e para ngritur në zonën e ish?bllokut, aty ku e pinin kafenë zakonisht futbollistët e Tiranës, ka qenë “rezidenca” e tij. Më pas, në vitin 2000, grupi i djemve bardheblu kaloi pak më tej, tek “REX”, për t’u vendosur përfundimisht të “Capriccio”, ku vazhdojnë ende edhe sot. Ndonëse “Zogu”, kafenë e parë, jo pak herë e pi tek bar “Nju Jork”, në katin e dytë të pallatit ku banon tashmë bashkë me prindët, gruan dhe dy fëmijët: Ketlin, vajza 4 vjeçe dhe Rajan, djali 2 vjeç. Por, nuk mbarojnë këtu kafetë e Indrit Fortuzit. Të mbasdites e pi gjithnjë në lokalin në skajin jugor të fushës së “Skënder Halilit”. Në stërvitje shkonte gjithnjë një orë para, vishte uniformën dhe shkonte e zinte vend tek tavolina e tij e preferuar. Kohët e fundit i bënte shoqëri Bakja (Enger Bakalli) e Adrian Mema. Të fundit kafe e ka pirë aty të martën mbasdite në shoqëri të “Tatës” e “Xofit”. Futbollistët e rrugës së “Fortuzit”, në ditën e fundit të stërvitjes së “Zogut”, instiktivisht janë bërë bashkë. Bujari, pronari i lokalit nuk ka pranuar, që Indriti të paguajë. “Kafenë e sotme e keni nga unë, ? ka thënë ai ? dhe dua të mos jetë e fundit. Të më vish Indrit edhe herë të tjera. Të na vish mos na harro, është tavolina jote kjo”, dhe nuk ka mundur të qëndrojë më gjatë. Lotët kanë bërë që të “fshihet” pas banakut. Dhe Indriti ka premtuar, që do të vijë sërish për të pirë kafe në atë tavolinë.

Kartoni 50 000 dollarë - Ishte viti 2000, Tirana sapo ishte shpallur kampione me ish?presidentin, El Sajed. Egjiptiani nuk e njihte fare Indrit Fortuzin, ndërkohë shumë vetë i thonin që të bënte të pamundurën për ta marrë te Tirana. Pikërisht për këtë kërkoi ta merrte nga Apolon i Athinës. Vetëm për kartonin e “Zogut”, Alemano, presidenti i klubit grek Apolon, i kërkoi 50 000 dollarë, çka e bëri El Sajedin që për momentin të ngurrojë. Po kur i thanë që Tirana kur kishte Fortuzin në formacion normalisht e fillonte lojën me një gol në avatazh, vendosi menjëherë. Madje, i vuri përpara për të firmosur kontratën trevjeçare për shumën 180 000 dollarë, që për kohën ishte vërtet rekord.

Ata që do t’i mungojnë - Vendi në sediljen pranë Bujar Lugës, shoferit t?_tobuzit të skuadrës, në të cilin është ulur në të gjitha udhëtimet. “Bisedat e këndshme me Jar Lugën ? thotë ai, ? humori i këndshëm i Hamdi Zhegut, drejtor i “Selman Stërmasit”. Shakatë me punëtorët e fushës: Andrean, Xhemalin, Xhafën, Hajdarin, Rikun, Titin, Saimirin për ujin nxehtë, apo të ftohtë të dusheve. Nuk mund të rri pa përmendur Kajo Karajn, punëtorin e palodhur të fushës në “Skënder Halili”, që ishte aq i dashur me të gjithë. Nuk e harroj kurrë atë ditë kur u nda nga jeta. Lajmi kishte ardhur, por neve ngaqë kishim një ndeshje shumë të rëndësishme na e dhanë pas fitores. Dhe mbaj se, atë ditë që në dhomat e zhveshjes së “Selman Stërmasit” kemi qarë të gjithë. Kajo ishte me të vërtet njeri i mirë”. 


Sport Expres

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: