Kujtim Mateli: Turizmi kulturor përparësia kryesore për zhvillimin e trevës së Përmetit
| E Merkure, 05.06.2013, 05:19 PM |

Turizmi kulturor përparësia kryesore për zhvillimin e trevës së Përmetit.

Nga Kujtim Mateli

Një nga vlerat e veçanta e të rralla që i ofron Shqipëria botës së qytetëruar është historia e saj që dëshmohet në disa mijëvjeçarë para lindjes së Krishtit. Shqipëria është ndoshta nga të paktët vende (për të mos thënë i vetmi) të kontinentit tonë që nuk i kushton kujdes historisë së saj. E ndërsa historia jonë me origjinë  ilire  datohet nga historianët e akademikët tanë aty nga fillimi i mijëvjeçarit të parë para erës sonë, dëshmitë arkeologjike datojnë në disa mijëvjeçarë para erës sonë, aty nga fillimi i epokës së gurit. Kjo ka bërë që kjo pjesë e historisë para mijëvjeçarit të dytë të shihet si e huaj për shqiptarët, por që në të vërtetë është pjesë e historisë sonë autoktone, e cilësuar nga albanologët më të mëdhenj europianë si popullsia më e vjetër e kontinentit.

Kjo ka bërë që të lihen jashtë vëmendjes qendrat arkeologjike që datojnë hershmërinë e qytetërimit të popullit tonë. E konkretizojmë çfarë thamë më lart me një nga nga vendbanimet më të hershme që shënon dhe fillimet e qytetërimit tonë në këto troje, siç është lugina e Përmetit që përbëhet nga  Lugina e Sipërme e Vjosës dhe ajo e Dëshnicës.

****

Gjurmët më të vjetra, Lugina e Sipërme e Vjosës i shënon me vendbanimin e Dedejanit, në veri-perëndim të fshatit Draçovë, rrëzë malit të Nemërçkës,  vendbanim që datohet të paktën 15 shekuj para erës sonë. Ndryshe nga vendbanimet e Shpellave, siç është dhe vendbanimi i Shpellës së Bënjës në rrethin e Përmetit  që daton që koha e Bakrit, vendbanimi i Dedejanit tregon për një shoqëri të zhvilluar. Njerëz të grupuar në një qytetezë që respektonin njëri-tjetrin dhe krijonin marrëdhënie fqinjësie dhe me qendrat e tjera të banuar përreth tyre.

Ndërsa dëshmia më e vjetër historike, vjen po për banorët që shtrihen në rrëzë të maleve Dhëmbel e Nemërçkë dhe që në antikitet quheshin Parauej, për të cilët Stefan Bizantini thotë se e morën këtë emër ngaqë banonin pranë Lumit Aoos ( Vjosa e sotme).

Thuqididi, duke përshkruar formacionet luftarake të Epirit që hynë në Akarnani për ta shkëputur Akarnaninë nga Athina, na thotë se midis fiseve më të rëndësishme, ishin dhe Parauejt. “Parauejt i udhëhiqte mbreti i tyre Oroidi. Një mijë orestë, mbret i të cilëve ishte Antinohu, merrnin pjesë në ekspeditë bashkë me parauejt dhe nën komandën e Oroidit,{Tuqididi (Thucididis) Historitë Libri I, 80 (5,6)}.

Që në shekujt V-IV para erës sonë, Përmeti kishte formuar mbretërinë e tij, çka tregon për shkallën e lartë të organizimit të shoqërisë në trevën e Përmetit.

****

Nëse do të flasim për turizëm kulturor, ky është i lidhur pazgjidhmërisht me botën e antikitetit. Është vështirë të tërheqësh turistin perëndimor me objekte të bukurisë natyrore  apo objekte  të mesjetës e të kohëve të mëvonshme deri në ditët tona. Të gjitha këto i ka turisti i Europës perëndimore, madje i zbukuron dhe i mirëmban në mënyrën më të përsosur. Ajo që i mungon turistit perëndimor dhe që kërkon ta njohë është antikiteti, e veçanërisht nëse ka gjurmë të periudhave parahistorike. Pikërisht këto i ka Lugina e Sipërme e Vjosës. Dëshmi të një qytetërimi të vjetër, që zhytet në thellësitë e mijëvjeçarëve para erës sonë

Lugina e rrethit të Përmetit  me drejtim juglindje-veriperëndim, që përbëhet nga Lugina e Sipërme e Vjosës dhe nga ajo e lumit të Dëshnicës, ka dëshmitë më të rëndësishme të antikitetit. Janë tri kala antike pranë njëra-tjetrës, muret e të cilave datojnë aty nga shekulli IV-III para erës sonë. Dhe këto janë: kalaja e Këcyrës, e Kuqarit dhe ajo e Limarit. Për ironi të atyre që janë përgjegjës, në të tri këto kala nuk është bërë asnjë gërmim arkeologjik. Duke filluar nga mesi i shekullit që kaloi  e deri më sot, nuk ka shkuar asnjë ekspeditë arkeologjike. Po të tri këto kala, u përkasin tre qyteteve të rëndësishme të antikitetit. Cilat janë këto qytete?

Nëse kërkon të zhvillosh në rrethin e Përmetit turizmin kulturor, duhet të ekspozosh para turistëve këto vlera që qëndrojnë të heshtura e flenë nën tokë.  Përmeti do të zgjohet nga zërat e turistëve, kur të zgjohet bota e antikitetit.

Tre kala antike në rrethinat e Këlcyrës, do të thotë se në antikitet kjo zonë ka qenë ndër më të zhvilluarat dhe të përmendurat. Janë tre qytete pranë njëri-tjetrit, rëndësia e të cilave kërkonte që ato të rrethoheshin me mure mbrojtës. Po lugina e rrethit të Përmetit ka dhe mjaft qendra të tjera që lidhen me hershmërinë e banorëve në këtë luginë si :varrezat tumulare të Piskovës, Rapckës dhe Grabovës. Apo dhjetra vende të tjera që presin të identifikohen duke filluar që nga Çarshova në Juglindje, në afërsi të së cilës Pirroja i Epirit mbante një garnizon ushtarak e deri te kodrat e Bubësit, në veriperëndim të rrethit të Përmetit, në të dy krahët e luginës.

Rrethi i Përmetit e ka zhvillimin e turizmit kulturor si një nga mundësitë reale për zhvillimin e tij. Po Përmeti, i pasur me monumente të botës antike, vizitohet vetëm për bukuritë e natyrës. Midis disa prioriteteve që kërkon kjo zonë për zhvillimin ekonomik e mirëqënien e përmetarëve, dy janë parësorë dhe duhet të vihen urgjentisht në udhën e zgjidhjes.

Infrastruktura rrugore është nga më të shkatërruarat në shkallë vendi. Rruga nacionale nga Ura e Leklit, ku fillon rruga që lidh rrethin e Përmetit e deri tek Tri Urat që është pika doganore e Shqipërisë me Greqinë, pra, rruga përgjatë luginës së Vjosës, ndodhet në gjendje të mjerueshme. Në një fazë të dytë është lidhja me rrugë të asfaltuar e të gjitha  kumunave dhe qendrave arkeologjike që të jenë të vizitueshme në cdo stinë të vitit.

Zhvillimi i turizmit kulturor përbën prioritetin tjetër më të rëndësishëm. Nëntoka e Përmetit duhet të zgjohet nga dora e arkeologëve. Objektet që do të dalin nga këto gërmime, do të përbëjnë mozaikun e kulturës përmetare. Qytetet e vjetra, të ekzpozuara para shqiptarëve dhe turistëve të huaj, do të bëjnë që ndaj Përmetit të ketë më shumë vëmendje. Më shumë vëmendje do të thotë se do të vizitohet nga turistë vendas e të huaj dhe këto vizita konvertohen në vlera monetare që do t`i sjellin të ardhura të konsiderueshme rrethit të Përmetit.



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: