Zeqir Lushaj: Hipoteka e shekujve
| E Diel, 02.06.2013, 07:05 AM |

Ekskluzive per ZSh-në

HIPOTEKA E SHEKUJVE

“N’KRAH TË SHQIPES NGA TROPOJA…

TY KOSOVË NJË KANGË TA ÇOVA…”

-Një shkrim + Cikël poetik me 10 vjersha me subjekt nga gjuha jonë e bukur Shqipe, zhvillimi, njësimi dhe standartizimi i të cilës, krahas ruajtjes se dialekteve e nëndialekteve të shumta, është një detyrë atdhetare e gjithkohëshme e jona por edhe e brezave që vijnë në truallin shqiptar, gjithkah i thonë bukës-bukë e ujit uji-

Nga Zeqir Lushaj

Shenim per lexuesit:

- Pse po e botoj këtë shkrim kështu (editorial + Cikël me vjersha?)

1. Shkak per botimin e ketij shkrimi + Cikël poetik me 10 vjersha me subjekt nga gjuha jonë e bukur Shqipe u bë edhe një studim i Bankës Botrore i publikuar para disa ditësh në Tiranë i cili, sa më poshtë vijon:
…Një raport i Bankës Botërore tregon nivelin alarmant të situatës së arsimimit të adoleshentëve shqiptarë. Sipas këtij raporti, rreth 57% e gjimnazistëve në vend nuk kuptojnë asgjë nga ato që lexojnë në tekstet shkollore, raporton “Shqip”.
Duke iu referuar raportit të BB-së, rezulton se 57% e 15-vjeçarëve nuk kanë aftësinë për të kuptuar leximin, jo më për të zbatuar në praktikë njohuritë e marra gjatë viteve të shkollës së mesme, që konsiderohet me ligj si arsimi bazë.
Sipas studimit, kjo shifër tronditëse raporton se të rinjtë shqiptarë janë analfabetë funksionalë me plot kuptimin e fjalës.

Nxënësit shqiptarë, në testime të standardizuara ndërkombëtare, arrijnë nivel të ulët të rezultateve për sa u takon aftësive dhe njohurive, kryesisht në matematikë, por edhe në shkencat e tjera.

2. Më ka mbetur në mendje një shkrim i Lis Bukuroces, para disa kohësh me titull “Ç’na duhet 7 Marsi”? Aty ideja ishte dhenë shumë shkoqur:  -7 Marsi është dita e mësuesit, dita e shkollës, e ne, ç’na duhet kjo ditë kur shkollen e ka marrë lumi!! Pati ngjalluar shumë komente, por  Lisi jo veç per mua por edhe per shumë e shumë të tjerë kishte fort drejtë në kuptimin që, sillte një shqetesim të madh.

3. Vjershat e mia me subjekt Gjuhen Shqipe janë të botuara nepër librat e mi, por unë sot, i mblodha e i lidha Cikel tematik, edhe per te thene se me kete shqetesim, të gjuhes pra, jetojme çdo dite. Gjuha jonë e bukur Shqipe, zhvillimi, njësimi dhe standartizimi i të sajë, krahas ruajtjes se dialekteve e nendialekteve të shumta, është një detyrë atdhetare e gjithkohëshme e jona por edhe e brezave që vijnë në truallin shqiptar, gjithkah i thonë bukës-bukë e ujit uji-

At’here, si thoni ju të dashur lexues: - ç’të bejmë? Të zihemi me njeri-tjetrin per një presje, per një “ë’ pazëne, etj etj., kur brezi ynë i ri, në mes të Tiranës, del nga bangat e gjimnazit analfabet?!

Këtë gjendje mjerimi të shkolles shqipe, a ka ndonje burrë nëne (n’daç thuej nane) që ta zgjidhi? E pra, Universitetet me të cilat krenohet Qeveria e që kanë mbirë si kerpurdhat, janë veç një ironi e fatit tonë të shëmtuar kulturor, fatit tonë të shperdoruar në këto kohë tranzicioni!!

E, në vend të një editoriali apo edhe të ndonjë replike (gjithnje dashamirese), me këtë temë, si  disa nga koleget e bashkpunetoret tane te nderuar, unë po ju vi me këtë botim edhe poetik. Dhe, mos harroni se, ky Cikel, nuk u shkrua sot, por bukur shumë kohë më perpara…Pra, nuk behet fjale per ndonje pergjigje momentale, por per një vijimësi të problemit.

4. Sqarim per nën-titullin e shkrim-ciklit:

N’krah të shqipes nga Tropoja,/

Ty Kosovë një kangë ta  çova…,

-Janë vargje të një kënge të Çikës së Dragobisë, Artistes së Meritur Fatime Sokoli. Komenti i ketyre vargjeve është ndoshta një liber shumë i madh, ndoshta një roman. Por sot nuk kam kohë as objekt të merrem me at punë, por e huazova vargun-titull në nderim të këngëtares që aq shumë dha per kulturen shqiptare, pra edhe per gjuhen shqipe. E ku më mirë se në këngë jeton në pavdekësi vet Gjuha? Kerkund tjeter.

Kenget do thoja se janë Hipoteka me mirë dhe me e sigurtë e jona neper shekuj edhe per gjuhen shqipe. Bile, mund të themi se, ma sëshumti mbi ato është ruajtur, shkruar e ndertuar edhe vet Gjuha Jonë e bukur. Gjuha, per të cilen i madhi Fishta, mes tjerash shkruan:

 

Porsi kanga e zogut t'verës,
qi vallzon n'blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t'detit,
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu â' gjuha e jonë shqyptare

…!

------------------

-Mirënjohje per të gjitha dialektet tona, mirëkuptim per njësimin dhe standartin që me siguri do e arrijnë siç duhet ata që jo vetem dijnë më shumë se neve, por edhe paguhen per at’ punë.

Ne, të gjithë jemi shqiptarë dhe të gjithë flasim e do të flasim shqip! -

 

GJUHA, SI LUMI

 

Po folitet jo pak për gjuhën letrare,

(nuk ka të keqe se jepet mendim),

dialektet ecin në krahët e shqipes,

që të mos rrëzohet në fluturim.

 

Leksikologëve su prishet ndonjë punë,

pse në disa libra shkruhet Gegënisht,

larmia në dialekte pasuri për gjuhën,

e gjithsekushi shprehet më lirisht.

 

Gegë e Toskë janë vëllezër binjakë,

të një barku, me babë e nanë,

lumi do të thahej, do të mbetej zall,

pa përrenjtë që vijnë nga çdo anë.

./.

-Nga libri “Vdekja e varreve”-

--------------------

DREJTË-SHKRIMI

 

…!

Vetëm një presje,

(pa vend),

“X”-it, ia hapi varrin.

 

…!

Vetëm një presje,

(me vend),

“Y”-it, ja këputi litarin.

 

…!

Ja, pra!

randësia e  një presje,

(me vend a pa vend),

 

I pari,

është (dhe mbetet).

Drejtë-shkrimi.

 

Drejtshkrimi i Gjuhës,

për ata,

që kanë mend.

./.

 

-Nga libri në dorëshkrim  Si n’kurbet bre vëlla”-

- ----------

SIKLET!!

 

-Me vehten time po flas-

 

Megjithëse larguar,

prej kaq vitesh nga Atdheu,

nuk ndjej ndonjë nevojë,

per teste sondazhe as votim.

 

Shoh shkrimet e shkollarëve,

nëpër Imella, në Internet,

dhe  “e kuptoj mirë”,

R(d)eformën në Arsim!

 

* * *

Si pedagogjikas i vjetër,

(I kohës së Monizmit),

si redaktor shtypi,

…bukur shumë vjet!

 

(Nga kjo – far

R(D)eforme…)

jo vetëm nervozohem,

por, (të më besoni),

ndiej shumë siklet ! !

./.

-SHBA, Tetor 2008 -Nga libri “Pengjet”-

 

-----------------

FJALA E MINATORËVE

 

- Fletë ditari –

 

Ju,

flisni shkurt,

flisni ngadalë,

 

pa shumë figura

e gramatikë.

 

Amaaa!

 

Fjala juaj,

shemb malet tek tuneli:

 

– Sonte do të mbarojë!

dhe Pikë!

--------

Fierzë, 1975

 

-Nga libri “Hija e vendlindjes”-

----------------

LISI I SHKRUAR

 

- Një “monument kulture” i fshatit tim –

 

Në bjeshkën time, në Dikçuer të Grisë,

“Lisi i shkruar”, -kështu quhet një ah,

300 dele mrizojnë nën hijen e tij,

Poshtë degëve shekullore hapur krahmëkrah!

 

Çdo verë, brezpasbrezi nën flladin e ahut,

U shplodhën sëbashku barinjtë e fshatit tim,

Prej aty dëgjonin zilet e këmborët,

Blegrimat e qingjave tretur në blerim.

 

Dëshmitar mbeti ahu në tallazet e jetës,

Griçorët rriteshin nën hijen e tij,

Kur nuk kish shkolla, laps e fletore,

Lëvozhga e ahut ish Akademi!

 

Me briskun e çobanit mbi shpindë të ahut,

Shumë emra të rinj u shkruan çdo vit,

Me emrat mbi shpindë-regjistër për brezat,

Ahu i motshëm edhe më lart u ngjit.

./.

-Tiranë, 1977-

 

-Nga libri me të njejtin titull: “Lisi i shkruar”-

---------------------

ME SHOSHË

-Prap,  për Gjuhën (e njësuar) Shqipe-

 

…!

Vëllezërit,

bereqetin e ndajnë,

me shoshë. *

 

…!

Ç’ka do të thotë shosha?

Poezia në Gegë,

në Toskë, proza.

 

…!

S’ka të humbur,

as të fituar,

në një magje kemi gatuar.

./.

*shoshë=krozhën=kosharisë=kanaçe=kanister=karricë etj =sinonime

 

-Nga libri në dorëshkrim “Piedestali”-

-------------------

I BESOJ LETRËS SË SHKRUAR

-Ose -LLOMJA ME GAZ, DHE KOMPJUTERI-

 

- Retrospektivë –

 

Kur erdhën dritat në Tropojë,

Me ka pas thanë një “disident”,

At’herë, në 69-ën…, Qyshkur!

– Këta tela vijnë prej larg, o bir!

Që të mos mbetemi në terr,

Mos ma largo llomën me vajgur!

…!

E kritikova! Pse, besim nuk kish?

Koha, i dha të drejtë

(xhandarrit të Zogut),

…– Ashtu ish!

 

…!

Sot, kur me kompjuter të mirë punoj,

Ndodhë që, shkrimi më bahet dillejt!

Krejt papritur nuk e di nga shkoj!?

E dua, dhe nuk e përbuzi kompjuterin,

(Me shumë i besoj, letrës së shkruar),

Si llomës me gaz, që e ban dillejt terrin!

-----

-Nga libri “Pengjet”-

 

 

…NJERKA

 

- Thjeshtë, një propozim -

 

Sot, kam për Ju një propozim,

Në Fjalorin e Shqipes,

Të bëjmë një ndryshim.

 

Të lutem, i nderuar lexues,

Ngadalë dhe sa më i qetë,

Ngulu (edhe) në mes-rrjeshta.

 

…!

Jo ma:

-Gjuha e Huaj.

Ta bajmë:

-Gjuha-Njerka!

./.

- Nga libri në dorëshkrim “Si n’kurbet bre vëlla”-

----------------

EDHE AMERIKËS I MUNGON DIÇKA!

 

Erdhën,

këtu anglezët,

tash qindra vjet.

 

Lan gjuhën e tyre,

dhe shkuan,

në shtëpi të vet.

 

Sot,

Kolonia e dikurshme,

Supërfuqi e vetme e botës.

 

Edhe Amerikës,

i mungon diçka…!

aaah (!)

– Gjuhë e Nanëlokes!!

-------

-Nga libri “Vdekja e varreve”-

-------------

ÇEKIÇI DHE KOMPJUTERI

 

Në hyrje të vitit 2000,

kur u fol se,

Po prishen kompjuterat(?!)

Mendova,

dhe jo,

pa përmallim:

 

…Në gurtë e bardhë të bjeshkës,

Atje,

në Shtyllë të Grisë,

 

Atje,

nuk do të shlyhet,

emri im!!

./.

-Nga libri “Vdekja e varreve”-

---------------------

SI MBYLLJE E SHKRIMIT DHE E CIKLIT

-NJË MIQËSORE EDHE PER KOLEGËT-VELLEZER, GEGË E TOSKË…)

…!

Diçka rreth viteve ’80. Në një aheng shoqror në Tropojë. Disa kengetarë po kendonin duke e ngritur edhe më shume vleren edhe qellimit pse ishim mbledhur. Aty ishte edhe një oficer nga Gjirokastra, një djalë vertetë shumë i mirë dhe një mik i mirë. Ai kishte ndenjur plot raste me këtë mjedis dhe ishte miqesuar edhe me kënget e Tropojës. Në mes të qefit, si i thonë fjalës, ai u ngrit dhe beri një propozim;

-Ju lutem kengetareve të na kendojne at këngën…:  “U zgjua Rrushja pikë mëngjesi…”

…!

E pra, fjala ishte per kengen shumë të njohur në Veri, “U çue Rrushja në sabah…”.

Per të njejten këngë bëhej fjalë, por miku (shumë i nderuar) që kishte mbi 10 vjet me sherbim në Bajram Curri, e “perkthente” atë toskërisht…. Në standart, e njësuar pra,  ishte vetem fjala “Rrushja”…! Të tjerat ndryshonin, ama, të gjitha ishin shqip dhe shprehnin të njejtën gjë…

…!

-Mirënjohje per të gjitha dialektet tona, mirëkuptim per njësimin dhe standartin që me siguri do e arrijnë siç duhet ata që jo vetem dijnë më shumë se neve, por edhe paguhen per at’ punë.

Ne, të gjithë jemi shqiptarë dhe të gjithë flasim e do të flasim shqip!

Kjo është e do jetë e perjetshme, e pandryshueshme, e sigurtë.

-Ekskluzivisht per ZemraShqiptare, nga NJ, USA, Qershor 2013-



(Vota: 69 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: