Albert Vataj: Elhaida Dani, një shkodrane finaliste në “The Voice Of Italy”
| E Shtune, 25.05.2013, 09:47 AM |

Elhaida Dani, një shkodrane finaliste në “The Voice Of Italy”

Elhaida Dani, uragani vokal që përmbyti të gjithë barrierat e anatemës, ylli që “vërbon” me shkëlqimin e vet

Nga Albert Vataj

Ajo është tashmë në finale. Për të flitet, pëlqime dhe komente pafund në rrjetet sociale. Emri dhe fama e saj kapërthejnë majat. Ajo është shqiptare. Më shumë se si e tillë ajo mban mbi vete të drejtën e përfaqësimit të Shkodrës, djepit të kulturës që s’resht së përkunduri talente dhe ambicje artistike  që ngulmojnë vetëm sfida.

Edhe një hap dhe zëri dhe interpretimi i saj do të ngrenë urën e ngjitjes në apogje. Eshtë e vetmja shqiptare që ka mundur të ngjisë aq lart talentin dhe të drejtën e të qenit konkurues në një botë, e cila nuk ka nguruar asnjëherën të na shohë vëngër dhe të na trajtojë si “delja e zezë” e tufës. Elhaida Dani, shkodrania 20-vjeçare padyshim është në qendër të vemëndjes, në fokusin e botës shqiptare, është ylli përnga i cili kemi hedhur vështrimin të gjithë.

Elhaida Dani di vetëm të shkëlqejë, vezullimi i saj si ai i një yllë shpërtheu teksa interpretoi përkrah Cocciante-s dhe konkurrentit tjetër, Mattia Lever, një këngë të Minas. Me kodin nr. 2 Elhaida këndoi këngën ”I believe I can fly”. Në videon prezantuese para se të interpretonte, këngëtarja kujtoi interpretimin e një jave më parë ku i gjithë publiku u ngrit në këmbë “Kur pashë publikun që ishte ngritur i gjithi në këmbë fillova të qaj”, tha ajo. Më pas këngëtarja i tha mentorit të saj Cocciante se këta muaj e kishin bërë më të fortë e të kishte më shumë besim në aftësitë e saj. Juria e vlerësoi interpretimin e saj. “Ajo është një këngëtare që krijon atmosferë. Ajo nuk është vetëm një këngëtare e mirë, por dhe një interpretuese e zonja”, tha Noemi. Në momentin e përzgjedhjes së një prej dy konkurrentëve të skuadrës së tij, Elhaidës apo Mattia-s, Cocciante e shkroi në letër të përzgjedhurin e tij për në finale. Emri i shkruar nga Cocciante ishte Elhaida Dani. Këngëtarja shqiptare ka marrë dhe votat e publikut duke kaluar kështu si finaliste e “The Voice of Italia” . “Ishte një zgjedhje e momentit, megjithëse gjithnjë kam menduar se Elhaida ka diçka magjike kur këndon. Mattia është ende i ri dhe me talent, dhe e ka rrugën e karrierës përpara”, tha Cocciante.

Asnjë superlativë, kompliment, vlerësim sipëror nuk është kursyer për atë që vazhdon të trajtohet në mediat shqiptare, por kryesisht ato italiane si “Voice” i “The Voice Of Italy”. Publiku italian është magjepsur nga zëri, uragani vokal i shkodranes, Elhaida Dani. Performanca e saj, siguria në skenë dhe profesionalizmi, mbeten jo vetëm garancitë e rrugëtimit të deritashëm të saj në “The Voice Of Italy”, por dallohen dukshëm si premisë për trofeun e këti superspektakli. Mentori i saj, i madhi i muzikës italiane, Riccardo Cocciante, nuk e fsheh synimin që ka për ta çuar në finale këtë fenomen të këtij evenimenti. Të qenit shqiptar në një përballje titanësh në skenën italiane, duket se nuk e ka zbehur aspak shkëlqimin gjithnjë e më të fuqishëm të këtij ylli të skenës. Ajo është Elhaida dhe vjen nga Shqipëria. Ajo ka një endërr dhe do ta ndjek rrugën e realizimit.

Rrugëtimi i saj deri në finalen e “The Voice Of Italy”, kurrsesi nuk është një rastësi. Ajo është një këngëtare e talentuar dhe një fituese e lindur. Ka studiuar piano që në moshën 6-vjecare në shkollën ‘Prenkë Jakova’ në Shkodër. Ka marrë pjesë në talent–show “Star Academy”, ku është shpallur fituese në vitin 2009. Më pas ka marrë pjesë në festivale ndërkombëtare si në Rumani, Bullgari etj. dhe në të gjitha është shpallur fituese e çmimit te madh.

Vitit 2011 ishte shumë i suksesshëm për të. Në gusht të këtij viti, ajo ishte një nga konkurrentët e Suncane Skale, ku fitoi çmimin për artisten më te mirë të re. Ne 23-24 shtator ajo ishte pjesë e Festivalit Zlaten Kesten në Petriç, Bullgari ku u zgjodh "Best Singer". Në vitin 2009 ka regjistruar këngën e saj të parë “Si asnjëherë”, por konkurrimi i saj në festivale fillon në Kënga Magjike 2008 ku këndoi "Fjala E Fundit" dhe më pas në vitin 2011, në festivalin e këngës në RTSH. Ajo këndoi "Mijëra Vjet" dhe u nderua me çmimin "Melodia më e mirë". Viti 2012 është një vit i paharruar për Elhaiden pasi publikoi albumin e saj të parë dhe më pas në Top-Fest u shpall fituese e çmimit të madh me këngën “S'je më”.

Ne vitin 2013, Elhaida Dani merr pjesë në “The Voice Of Italy” dhe këngëtarja me zërin potent bëri një audicion të jashtëzakonshëm duke çuar në këmbë publikun dhe 4 tranjerët: Riccardo Cocciante, Raffaella Carrà, Piero Pelù dhe Noemi. Ajo kishte zgjedhur këngën "Mama Knows Best" të këngëtares Jessie J, të shkruar nga Jessica Cornish dhe Ashton Thomas. Kënga kërkonte një zë të forte dhe me ekstension vokal dhe performanca e Elhaidës mori komplimenta nga të gjithë tranjeret. Piero Pelù e pyeti nëse emri i saj ishte "uragan", por këngëtarja u përgjigj: "Quhem Elhaida dhe vij nga Shqipëria". Në mes të "betejës" së tranjerëve se kush ta merrte në skuader Elhaidën, u fol për herë të parë për një kandidaturë për fitoren e këtij programi të zhvilluar për herë të parë në Itali dhe të transmetuar në RaiDue. Elhaida vendosi të shkojë në skuadrën e këngëtarit Riccardo Cocciante.

Në daljen e dytë, vajza nga Shkodra çuditi organizatorët e programit, të cilët e quajtën si sfidë ndërkombëtare mes saj dhe këngëtares italo-amerikane, Franceska Belenis. Beteja e tyre u konsiderua si një “luftë” mes dy tigrash, që nxori fitimtare shqiptaren Dani.

Ajo ka kaluar me sukses një tjetër fazë. Elhaida 20-vjeçare u pëlqye shumë në daljen e tretë me performancën e këngës “All by myself”, duke vazhduar garën më tej. Raffaella Carà tha se do donte që të fitonte një nga këngëtarët e saj, por duhet të jemi realist, duke lënë të kuptoheshe se fitorja e këtij programi i takon Elhaidës. Pas perfomancës, publiku italian vendosi çuditërisht për 16-vjeçarin Matia, ndërsa Cocciante zgjodhi Elhaidën për të kaluar në fazën pasardhëse. Në paraqitjen e katërt në “The Voice Of Italy” ishte e paevitueshme të këndohej një këngë në italisht, prandaj Elhaida dhe Riccardo Cocciante zgjodhën “Nessun Dolore” nga Lucio Battisti, por të kënduar me sukses edhe nga Giorgia në albumin e saj të parë në vitin 1994. Elhaida ishte perfekte si gjithmonë dhe në pjesën e dytë të këngës arriti të shpalosë gjithë vlerat e saj interpretuese dhe vokale. Votimi i publikut pritej me emocion edhe nga Cocciante dhe kur dëgjoi emrin e Elhaidës, na bëri të kuptojmë se është Elhaida “arma” që Cocciante ka për në natën finale dhe për të fituar këtë kompeticion.

Një triumf i vërtetë mund të konsiderohet performanca dhe pritja që i bëri publiku këngës "Adagio", që Elhaida këndoi në javën para gjysëmfinales. U emocionua shumë tranieri i saj Riccardo Cocciante dhe vetë Elhaida shpërtheu në lotë pas interpretimit. Ajo ishte e përzgjedhura e publikut, duke siguruar kështu vendin në gjysëmfinale.

Nëse deri tani Elhaida Dani, këngëtarja shqiptare që po konkuron në edicionin e “The Voice of Italy”, është konsideruar shumë e talentuar, tani e tutje ajo kapërceu këtë përcaktim dhe po konsiderohet mahnitëse.

Në vazhdën e sfidës, ajo këndoi “Adagio” të Lara Fabian, një këngë tëpër e vështirë, por që arriti ta interpretojë në mënyrë të madhërishme. Mes lotëve ajo përfundoi interpretimin e saj, që emocionoi jurinë e me sa duket edhe publikun. Pasi rrëmbeu vlerësimin e jurisë me talentin e saj, po fiton zemrat e telespektatorëve, mijëra prej të cilëve e televotuan.

Këngëtarja Noemi, anëtare e jurisë, tha se kjo është një teknikë e lartë në shërbim të një emocioni të madh, ndërsa Raffaella Carra e akuzoi, me shaka, se ka thyer abazhurët me fuqinë e zërit. Riccardo Cocciante, ky i fundit e ka Elhaidën në grupin e tij, nuk diti ta fshehë mallëngjimin. Në rrjetet sociale. Elhaida konsiderohet prej kohësh si fituese. Por, pas interpretimit të sotëm, shumë të tjerë e ngrenë në qiell.

Brënda pak minutave qindra komente e lëvdata për 20-vjeçaren me origjinë nga Shkodra, e cila vetëm një vit më parë ka fituar “Top Fest” në Top Channel, me këngën “S’je më”.

Tanimë, për Elhaidën duket se nuk ka më kufij e pengesa, zëri dhe talenti i saj sonte hynë në çdo shtëpi e zemër. Deri në natën finale, na mbetet vetëm të lutemi për Elhaidën dhe pë gjithkën që ndjek me ngulm ëndrrën, atë prekje magjike të suksesit.



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: