Ajshe Leka: Diabeti po rritet edhe në Kosovë
| E Marte, 21.05.2013, 05:01 PM |

Hulumtimet tregojnë se Diabeti po rritet edhe në Kosovë

Shkruan: Ajshe LEKA

Mijëra persona në botë vuajnë sot nga sëmundja e diabetit. Kjo sëmundje ndikon në cilësinë e jetës së pacientit. E njohur ndryshe si “sëmundja e sheqerit”, shkakton invaliditet të hershëm, sjell deri te verbimi, ndërsa mundësitë për amputimin e këmbës janë 15 herë më të shpeshta nga diabeti se sa nga shkaktarët tjerë. Organizata Botërore e Shëndetësisë parasheh një rritje globale të të sëmurëve nga diabeti. Kështu pritet që deri në vitin 2025, rritja të arrijë në 170% në vendet në zhvillim, për shkak të detektimit më të mirë, industrializimit dhe ndryshimeve të stilit të jetës. Kjo sëmundje sot po shënon rritje të vazhdueshme edhe në Kosovë.  Në vende të zhvilluara, kjo rritje do të jetë më e vogël (141%), rritje kjo e tipit 2 të diabetit, për shkak të trashësisë, ushqyerjes jo të rregullt dhe ushtrimeve të pakta. Kështu mund të themi se diabeti shkakton probleme jo vetëm mjekësore, por edhe probleme shoqërore-ekonomike në çdo shtet.

Trajtimi i sëmundjes së diabetit

Qëllimi i mjekimit të sëmundjes së sheqerit, është mbajtja e nivelit në gjak në vlera sa më të përafërta me atë normale, sepse kjo është mënyra e vetme e cila mund të parandalojë komplikimet e hershme dhe të vonshme. Që të arrihet kjo duhet të vendoset baraspesha në mes të ushqyerjes normale, ushtrimeve trupore dhe marrjes së barërave. Te shumica e të sëmurëve duhet të ndryshohen shprehitë e jetës. Edukimi dhe këshillimi i personave të sëmurë nga Diabeti është pjesë e rëndësishme e mjekimit, sepse kjo sëmundje kronike zgjat tërë jetën dhe të cilën personi i sëmurë e përcjell dhe mjekon vetë, përmes këshillimeve të kohëpaskohshme me personelin mjekësor. I sëmuri ka të drejtë të dijë gjithçka lidhur me sëmundjen e tij, mënyrën e mjekimit dhe për komplikimet e saj. Edukimi nuk guxon të jetë vetëm dhënie e informatave me gojë ose në formë të shkruar. Me personin e sëmurë nga diabeti duhet të vendosim raporte si partnerë të barabartë, ku pacienti duhet të dëgjohet dhe jo vetëm t`i jepen këshilla. Duhet tentuar motivimi i tij për të qenë i pavarur në udhëheqjen e vetëkontrollit dhe aktiviteteve të ndryshme gjatë mjekimit (doza e insulinës, ushtrimet trupore dhe ushqimi). Duhet mësuar se vetëm me pjesëmarrjen individuale në mjekimin e sëmundjes, mund të pengohen komplikimet e hershme dhe të vonshme të sëmundjes. Një hulumtim mbi njohuritë e infermiereve për këtë sëmundje, i realizuar në kujdesin parësor shëndetësor në Gjilan, tregon se  infermieret kanë nevojë për rifreskimin e njohurive ekzistuese dhe marrjen e njohurive të reja në kuadër të edukimit të vazhdueshëm profesional. Në këtë mënyrë, ato mund të luajnë një rol me rëndësi edhe në ngritjen e vetëdijes së popullatës e posaçërisht të pacientëve me diabet.

Çka tregoi hulumtimi ?

Janë anketuar gjithsej 80 pjesëmarrës, prej të cilëve 69 femra dhe 11 meshkuj. Në qytet punojnë 48 prej tyre, ndërsa 32 të tjera në fshat. Në pyetjen ,,Sa lloje kryesore ka sëmundja e sheqerit“, rezultate pozitive kanë dhënë 65 të anketuar apo 73 %  e tyre, kurse rezultate negative kanë dhënë 27 % e të anketuarve. Në pyetjen ”Sëmundja e sheqerit është pasojë e funksionimit të dobësuar të disa organeve”, rezultate pozitive kanë dhënë 66 e të anketuarve apo 76% e tyre, kurse rezultate negative dhe të pjesshme kanë dhëne 24%. Në pyetjen “Çfarë ndodh kur pankreasi prodhon më pak insulinë”, përgjigje pozitive kanë dhënë 70  e të anketuarve apo 85%, kurse rezultate negative - 15 %. Në pyetjen “A dhemb sheqeri i rritur në gjak“, përgjigje pozitive kanë dhënë 67 të anketuar apo 83%, kurse rezultate negative kanë dhënë 17%. Në pyetjen “Si fillon sëmundja e sheqerit e tipit 2”, përgjigje pozitive kanë dhënë 51 të anketuar ose 59%, kurse përgjigje negative 41 %. Në pyetjen “Në cilat vlera të sheqerit në gjak vendoset diagnoza Diabetes Mellitus“, përgjigje pozitive kanë dhënë 81%  e të anketuarve, kurse përgjigje negative kanë dhënë 19% . Në pyetjen “Ushqimi i drejtë i të sëmurit me diabet nënkupton”, përgjigje pozitive kanë dhënë 47 të anketuar ose 56% kurse përgjigje negative - 44 %. Në pyetjen “Çka është vetëkontrolli”, përgjigje pozitive kanë dhënë 48 të anketuar ose  33%, kurse përgjigje të pjesshme - 62 %. Në pyetjen ”Pse është me rëndësi vetëkontrolli”, përgjigje pozitive kanë dhënë 48 ose 50 % e të anketuarve, kurse përgjigje të pjesshme - 50%. Në pyetjen “Çka është Hipoglikemia”, përgjigje pozitive kanë dhënë 52 ose 62% e të anketuarve, kurse përgjigje negative - 38 %. Në pyetjen “Cili është shkaktari i hipoglikemisë”, përgjigje pozitive kanë dhënë 66 ose 60% e të anketuarve, kurse të pasaktë - 40%. Në pyetjen “Cilat janë simptomat e Hipoglikemise”, përgjigje të  saktë kanë dhënë  21 ose 38 % e të anketuarve, kurse pjesërisht të saktë - 62%. Në pyetjen “Cilat janë masat për parandalimin e shputës diabetike”, përgjigje të saktë kanë dhënë 61 ose 60 % e të anketuarve, kurse pjesërisht të saktë - 40%. Në pyetjen “Cilat janë komplikimet e sëmundjes së sheqerit“, përgjigje pozitive dhe të pjesshme kanë dhënë  91 %  kurse përgjigje negative - 9 %. Në pyetjen “Çka mund ta zbresë vlerën e glukozës në gjak“, përgjigje të sakta dhe të pjesshme kanë dhënë 88 %  e të anketuarve, kurse përgjigje negative kanë dhënë 12%. Në pyetjen “Çka mund ta rritë vlerën e glukozës në gjak“, përgjigje pozitive dhe të pjesshme kanë dhënë 47 %, kurse negative - 53 apo 27 %. Në pyetjen “Cilat janë karbohidratet me veprim të shpejtë”,  përgjigje pozitive dhe të pjesshme kanë dhënë  96%, kurse përgjigje negative - 4 % . Në pyetjen “Cilat janë principet e kujdesit  të shputës kronike diabetike”, përgjigje pozitive apo të pjesshme kanë dhënë 95 % e të anketuarve, ndërsa përgjigje negative - 5 %. Vlen të theksohet së infermieret e anketuara nuk janë të kyçura drejtpërsëdrejti në këshillim me pacientët me diabet, andaj mund të themi se rezultati nga përgjigjet e tyre është mjaft i kënaqshëm.

Infermieret kanë nevojë për rifreskim të njohurive

Bazuar në rezultatet e këtij hulumtimi, del se infermieret kanë nevojë për rifreskimin e njohurive ekzistuese dhe marrjen e njohurive të reja në kuadër të edukimit të vazhdueshëm profesional. Duke marrë parasysh numrin gjithnjë në rritje të pacienteve me diabet, në njërën anë dhe, nivelin e ultë të vetëdijes dhe informatave të këtyre pacientëve lidhur me sëmundjen, në anën tjetër, është paraqitur nevoja imediate për trajnimin dhe edukimin shtesë të të gjithë infermiereve në QKMF në Gjilan. Duke marrë parasysh rezultatet e këtij hulumtimi, mund të konstatohet se infermieret kanë nevojë për një rifreskim të njohurive në kuadër të edukimit të vazhdueshëm profesional. Me ngritjen e njohurive të tyre profesionale, infermieret mund të luajnë një rol me rëndësi edhe në ngritjen e vetëdijes së popullatës e posaçërisht të pacientëve me diabet, numri i të cilëve është rritur edhe në Gjilan. Informimi dhe edukimi i pacientëve me diabet nga ana e infermiereve do të ketë një rol më rëndësi në ngritjen e vetëdijes dhe parandalimin e rrezikshmërisë te pacientet me diabet. Rol me rëndësi do të luaj edhe informimi me anë të broshurave, fletëpalosjeve, me qëllim të njoftimit të popullatës  e posaçërisht të pacientëve me diabet. Rol me rëndësi kanë edhe mediat elektronike dhe të shkruara, në sensibilizimin dhe parandalimin e kësaj sëmundje kronike. Është e nevojshme edhe përkrahja dhe koordinimi më i mirë i tri niveleve shëndetësore në Kosovë, për këtë çështje.



(Vota: 53 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: