Frrok Vukaj: Reportazh nga Ulqini
| E Merkure, 15.05.2013, 01:59 PM |

REPORTAZH NGA ULQINI

-Mesazhe pune, bashkëpunimi dhe harmonie në gjimnazin “Vëllazërim–Bashkim”. Në gjimnazin e Ulqinit punohet praktikisht çdo ditë e më shumë për edukimin me liritë e të drejtat e njeriut, por edhe për detyrat, për marrëdhënie të shëndosha multi-etnike, për dashurinë për dijen, për punën, për civilizimin e përparimin.

Ekskluzive nga Frrok Vukaj, Akademia Pedagogjike e Tiranës

Ulqini është një vend i bukur dhe i këndshëm jo vetëm për vendasit, por për çdo vizitor. Janë shumë gjëra që e bëjnë të mos të ndahet vetëm me një vizitë. Para pak ditësh, me Prof. dr e nderuar Musa Kraja, rektor i Akademisë Pedagogjike të Tiranës, bëmë një vizitë në këtë qytet.

Kjo Akademi po bën një punë serioze e vizionare në fushën e arsimit  jo vetëm brenda institucionit, por edhe më gjerë. Ka marrëveshje bashkëpunimi brenda dhe jashtë vendit me disa institucione të larta arsimore, por edhe shkencore. Kohët e fundit po punon për t’u lidhur dhe me institucione të arsimit të mesëm pasi përgatit punonjës të specializuar për këtë fushë të nivelit Bachelor për disa degë, por edhe Master profesional e shkencor në fushën e mësuesisë duke bashkëpunuar edhe për kualifikimin e mësuesve të arsimit 9 –vjeçardhe të mesëm. Në kuadër u realizua dhe takimi ynë në gjimnazin e Ulqinit, institucion arsimor që daton prej vitit 1963 si paralele e ndarë e gjimnazit të Tivarit. Dy vjet më vonë ngrihet gjimnazi i Ulqinit në dy gjuhë, serbo – kroate e shqipe dhe deri në vitin 1974 punon i pavarur. Më pas bashkohen gjimnazi e shkolla profesionale duke formuar shkollën e mesme të bashkuar. Sot është shkollë e mesme e bashkuar  (e vetmja  e mesme shtetërore në Ulqin) shumëdegëshe: gjimnaz i përgjithshëm, teknik ekonomie, teknik turizmi, teknik marketingu e tregtie. Gjithsej shkolla ka 1100 nxënës me 40 paralele, 12 prej të cilave me 400 nxënës që mësojnë në gjuhën malaziase.

Mësojmë se kjo godinë është dhuratë e popullit të Bosnje-Hercegovinës pas tërmetit të vitit 1968. Ndaj në shenjë respekti shkolla vazhdon të mbajë emrin kuptimplotë “Vëllazërim – Bashkim”. Qysh në pamje të parë na prezantohet një ndërtesë disi e vjetërsuar, ku bie në sy edhe dora e përkujdesja e mësuesve të nxënësve për ta ruajtur e mirëmbajtur.  Bie në sy rregulli e disiplina. Tingujt e ziles na ndërpresin dhe bisedat e ngrohta e miqësore. Zbatimin e orarit e kanë gjë të shenjtë e kjo flet shumë. Në këtë hapësire kohore na shoqëron drejtori e mësuesit që nuk kanë mësim për momentin. Përveç punës së palodhur të mësuesve dhe te nxënësve, drejtori të jep përshtypjen e një gjeneratori të fuqishëm që ve në lëvizje gjymtyrët e këtij organizmi... Nuk vërejtëm tek ai asnjë shenjë nervozizmi e aq më pak arrogance e mendjemadhësie. Një përshtypje të tillë më pohuan dhe kolegët e tij. Bile, edhe në bisedat disi tëveçuara e private, nuk dëgjova as lexova në sytë e ndonjërit të kundërtën e saj, por fjalët më të mira. Kuptuam se ishte një organizator dhe moderator i shkëlqyer. Në fillim, disi u habita se nuk pata atë ndjesi, por më vonë kuptova një të vërtetë të madhe. Kërkues, i lidhur me punën, bashkëpunues me koleg, nxënës e prindër. Më befasojnë më shumë vlerësimit që ai përmend për komunitetin e biznesmenët, për ndihmën e pakursyer e të painteres që jepnin për nevojat e shkollës. E quajnë Hysen Katana por me afinitet i thërrasin drejtor Ceni. 33 vite pune në këtë shkollë, një përvojë e gjatë dhe e vyer. Ngjitja e tij e butë, progresive dhe e motivuar. Fillimisht 6 vjet mësues, më vonë 12 vite zv.drejtor e së fundi 15 vite drejtor.

Pasdite më shoqëroi ndihmësdrejtoresha, Majlinda Duraku një zonjë e nderuar dhe e respektuar, një anglisht folëse e aftë dhe e pasionuar për punën. Mungesa e mjediseve të bollshme më pezmatoi disi, por dëgjova se në vitin e ardhshëm do të ndërtohej shkollë e re e projektuar me parametra bashkëkohore e mjedise të bollshme.  Unë pata rastin e mirë të takoja mësues, nxënës e prindër e të vizitoja shumë mjedise të shkollës deri palestrën dhe bibliotekën, por me hapësira te vogla krahasuar me kërkesat.

Në këtë palestër me sipërfaqe 1200 m katror e 1000 ulëse stërviteshin edhe disa ekipe sportive të Ulqinit. Nën drejtimin e ndihmësdrejtorit, malaziasit Mijo Androvic, në shkollë janë ngritur e funksionojnë disa ekipe, bile dhe me element cilësore që luajnë me ekipet e Ulqinit, apo të tjerë ish-nxënës që luajnë me ekipet e Malit të Zi e Evropës.

Bisedoj dhe si i thonë fjalës “ku dhëmb dhëmbi vete gjuha” , por shpejt e shpejt marr përgjigje që nuk më kënaqin fort.

Në paralelet me nxënës shqiptarë mësohet shqip, por edhe gjuha zyrtare malaziase. Ndërsa në klasat e tjera mësohet malaziase por jo gjuha shqipe. Sa do të doja që mësimi i gjuhëve të ishte i ndërsjellët, sepse kështu palët integrohen më mirë në jetën ekonomiko-shoqërore.

Veç kësaj, ku mund të punohet dhe më mirë, ku ka vend dhe për përmirësime, një fakt tjetër është mbresëlënës. Në këtë shkollë japin mësim prej 10 vitesh profesorë gjermanë, në zbatim të projektit gjerman “ Ndihmë për vendet e Ballkanit “. Rezultatet janë të lavdërueshme. Profesorët Armir Shure, Berrn e Johan Galer shquhen për një punë të përkushtuar e cila u ka sjellë dhe kënaqësinë e suksesit. Nxënësit e tyre disa herë kanë zënë vende të para në konkurse ballkanike, disa prej të cilëve kanë vazhduar studimet në Gjermani. Me shpenzimet e këtij shteti sot studiojnë afër 10 nxënës, ndërkohë 300 nxënës të kësaj shkolle kanë marrë diplomë gjermane me të drejtë regjistrimi në çdo fakultet ku flitet e shkruhet gjermanisht.

Përveç mësimit të gjuhës shqipe e malaziase, çdo nxënës duhet të zgjedhe edhe dy gjuhë të tjera (Anglisht , Gjermanisht , Frëngjisht). Në shumë konkurse e gara kanë zënë vende të para në Mal të Zi duke përfaqësuar shtetin në veprimtaritë e organizuara për Ballkanin e Evropën .

Nxënësit e kësaj shkolle gjithashtu janë dalluar për arritje të mira në veprimtaritë dhe garat sportive, ato të matematikës, artit, kimisë e biologjisë, etj.

Këtë vit kanë zënë vend të parë në ekonomi biznes e do të përfaqësojnë shtetin në garat ballkanike që do të organizohen në Beograd. Dritan Mara, 3 vjet rresht ka zënë vend të parë në shkallë vendi, në Budva për kuzhinë e kamerier.

Duke qene se 4-5 degë të kësaj shkollë janë profesionale u interesuam edhe për organizimin e praktikave. Në mungesë të mundësive të plota për t’i organizuar në shkollë, drejtoria ka gjetur rrugë të tjera efektive në sajë të lidhjeve e bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin.

Me marrëveshje, në rrugë planifikimi këto praktika kryhen në servise, hoteleri, agjenci turistike, ndërmarrje private e shtetërore etj. Kështu ata përgatiten, përshtaten e mësohen edhe me punën e tyre të ardhshme. Kjo ka arritur edhe më shumë interesin e ndërsjellët punëmarrës, prindër, shkollë. Në shkollë në funksion të procesit mësimor edukativ, është krijuar edhe një traditë e bukur dhe e guximshme . Them e guximshme se në Shqipëri ka një frikë të dukshme për organizimin e ekskursioneve mësimore. Këto kanë vlera të mëdha, të gjithanshme dhe vlejnë shumë e më shumë se dhjetëra orë mësimi teorike në klasë. Nxënësit duhet të dalin jashtë mureve të shkollës, por me një disiplinë e program rigoroz.

Në Ulqin askush nuk i paragjykon ekskursionet. Vitet e para dhe të dyta zakonisht vizitat i bëjnë brenda Malit të Zi, në Shqipëri e vende të afërta të Ballkanit.

Mbi 80% e maturantëve brenda planprogramit të miratuar nga Ministria e Arsimit kanë organizuar vizita në Turqi, Spanjë, Greqi, Itali, Hungari etj. Të suksesshme e me vlerë janë lidhjet e bashkëpunimit me një shkollë hotelerie në Vjenë dhe në Frojdenshtant të Gjermanisë.

Çdo vit bëjnë vizita të ndërsjellat mbi 30 nxënës e mësues nga dy javë duke u strehuar tek familjet e njeri – tjetrit . Në këto 10 vitet e fundit kanë shkuar mbi 500 nxënës që kanë mësuar nga përvoja e njëri tjetrit duke forcuar edhe lidhjet miqësore. Duke qenë se në këtë shkollë është një mjedis multi-etnik, kulturor, fetar etj. na bëri përshtypje pozitive bashkëpunimi dhe harmonia e nxënësve, por edhe e mësuesve. Asnjë shenjë   diskriminimi, përçmimi dhe fyerjeje për t’u shënuar apo shfaqje të tjera të kësaj natyre. Integrimi është i ndërsjellët në jetën politike, ekonomike, shoqërore e në veprimtaritë e shumëllojshme që organizon shkolla.

Është kënaqësi të kujtojmë se pedagogu malazias, Magjister Vuksan Vuksanovic me dëshirë do të referojë në një Konferencë Ndërkombëtare që do të organozohet këto ditë nga Akademia Pedagogjike e Tiranës.

Në gjimnazin e Ulqinit punohet praktikisht çdo ditë e më shumë për edukimin me liritë e të drejtat e njeriut, por edhe për detyrat, për marrëdhënie të shëndosha multi-etnike, për dashurinë për dijen, për punën, për civilizimin e përparimin.

Kjo ka bërë të mundur që secili ta ndjehet mirë dhe më i motivuar.  Mendoj se këtu është baza e sukseseve, prandaj mbi 80 % e maturanteve vazhdojnë studimet e larta e dallojnë për arritje të mira. Kësaj i shërben edhe baza material didaktike e mirë, funksionimi i disa kabineteve , përdorimi funksional i mbi 100 kompjuterëve e shumë video projektorëve e aparaturave që i shërbejnë mësimit.  Revista “Fillimet” në dy gjuhë, organ i kësaj shkolle është tregues tjetër që shërben për shkëmbimin e përvojës, arritjeve të shkollës e më gjerë. Këto e shumë të tjera që nuk i thamë realizohen me punën e përkushtuar të stafit pedagogjik i cili punon në unitet e frontalisht. Po veçojmë disa prej tyre: Doktorët e shkencave Nexhadin Avdiu e Maksut Haxhibrahim dhe pedagogët Fatmira Molla, Hyrie Hoxha, Myzafet Gjoni, Nezir Gjecbritaj, Rasim Muja, Hava Perazic, Mijanovic Zdraviko, Lilana Rabrenovic, Senat Kocan, Valbona Dervishi, Naser Halili, Valdet Kurti, etj. disa prej të cilëve do të marrin pjesë me punimet e tyre në konferencën Pedagogjike Ndërkombëtare që përmendëm më sipër.

Nuk mund të harroj edhe një befasi të këndshme në takimin me disa mësues e një klase mature. U mundova t’u kurseja kohën duke folur sa më shkurt e me argumente konkrete kur përmenda AP të Tiranës shpërthyen me duartrokitje…

Pak më vonë kur u thashë se rektori i kësaj akademie është profesor Kraja u shtuan edhe më shumë duartrokitjet. Kur pyeta më shpjeguan se nxënësit e kësaj klase janë ulqinakë me prejardhje nga krahina e Krajës, e banuar me shqiptarë autoktonë sot brenda kufirit administrativ të shtetit malazes.

Më buçasin në veshë këto duartrokitje duke i ndjerë si një simfoni të bukur për Atdheun tonë të përbashkët.

Në mbyllje edhe një sihariq për lexuesit e këtij shkrimi. Loti i parë i zgjerimit e rikonstruksionit të rrugës së makinës nga dogana drejt Ulqinit po vazhdon me punë intensive dhe do të mbarojë së shpejti. Më vonë janë planifikuar edhe lotët e tjera duke na afruar edhe më shumë me Ulqinin.


(Reportazh per ZemraShqiptare, nga Tirana, Maj 2013)

(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: